30.5 C
Tiranë
E martë, 1 Korrik 2025

Të padukshmit e tranzicionit dhe kthimi i mbrojtjes si prioritet kombëtar

Astrit Aliaj

Kapiten i Rangut të Parë (R)

Veteran i FLD

Në Shqipëri është bërë zakon të përmendet shpesh, ndonjëherë edhe me ironi, se ish-ushtarakët marrin “pensione të larta”. Një narrativë e përsëritur që, e shkëputur nga konteksti historik, nuk është veçse një padrejtësi ndaj mijëra burrave e grave që iu përkushtuan me mish e me shpirt një profesioni që rrallëherë ka marrë respektin që i takon: profesionit të ushtarakut.Mund të jetë një imazh i 1 person
Pak kush flet për ata djem dhe vajza që, që në moshën 14-vjeçare, lanë pas fëmijërinë dhe ëndrrat e tyre për të ndjekur një jetë civile. U futën në sistemin e rreptë të shkollave ushtarake, jetuan me disiplinë të hekurt, u edukuan me ndjenjën e detyrës dhe të betimit përpara flamurit Kuq e Zi. Ata nuk kishin luksin të zgjidhnin një profesion tjetër, të shijonin rininë në liri, të krijonin familje kur donin, apo të jetonin pranë të afërmve. Uniforma ushtarake nuk ishte thjesht veshje – ishte një rrugë pa kthim.
Por në vitet ’90, kur vendi nisi proceset demokratike, këta ushtarakë – shtylla e një shteti që po ndryshonte – u lanë në harresë. Me mijëra prej tyre dolën në rrugë. U larguan nga Forcat e Armatosura me vendime të shpejta, pa strategji, pa integrim dhe pa mundësi reale për t’u përshtatur në një jetë civile që nuk i njihte e nuk i pranonte. Atyre nuk u njihej më profesioni, diploma, grada, as përvoja. Sepse shoqëria po e niste nga e para, por jo për të gjithë me të njëjtat kushte.Mund të jetë një imazh i nëndetëse dhe teksti
Këta ish-ushtarakë nuk kishin as kontakte politike, as lidhje ekonomike, as profesion tjetër. Ata kishin vetëm besnikërinë ndaj një shteti që tashmë nuk ekzistonte në të njëjtën formë. Nuk kishin si të bëheshin tregtarë, juristë, sipërmarrës. Nuk ishin ndërtuar për tregun e lirë, por për disiplinën dhe mbrojtjen e sovranitetit të vendit.
Disa prej tyre provuan gjithçka për të mbijetuar – punë krahu, emigracion, madje edhe heshtje të detyruar.
Disa nuk e përballuan dot as stresin dhe zhgënjimin e thellë. Një prej tyre ishte edhe im vëlla, Fatosi – oficer i përgatitur në akademi ushtarake të një prej vendeve të NATO-s, me formim pasuniversitar edhe në një degë të Universitetit të Tiranës. Por, pavarësisht përgatitjes dhe përkushtimit të tij, ai u nxor para kohe në lirim. Kishte një familje për të mbajtur, fëmijë për të rritur dhe e gjithë pesha e jetës e zuri papritur në rrugë të madhe. Mungesa e perspektivës dhe përplasja me një realitet që nuk njihte më vlerën e tij, e dërmuan shpirtërisht dhe fizikisht. Fatosi u largua nga kjo botë i rrënuar nga një sëmundje e rëndë – jo i mundur nga armiku, por i rrëzuar nga harresa.
Dhe nuk është i vetmi. Janë me dhjetëra e ndoshta qindra ish-ushtarakë që nuk arritën as të shijonin një pension, sepse u dëmtuan pa asnjë mbështetje. Askush nuk i ka përmendur, askush nuk i ka falënderuar. Shoqëria i ka lënë në heshtje, në harresë.
Shumë nuk arritën të ndërtonin më një jetë të qëndrueshme. Dhe sot, në vend që të nderohen, shpesh paragjykohen për një pension që nuk është aspak privilegj, por një minimum dinjiteti për vite të tëra të shërbimit të tyre.Mund të jetë një imazh i nëndetëse dhe teksti
Nëse këta ushtarakë do të kishin kërkuar dëmshpërblim për rininë e mohuar, për vitet që kaluan larg familjeve, për ëndrrat që lanë nëpër kazermat e vendit, për dëmtimet fizike e shpirtërore – atëherë shteti shqiptar do të kishte një borxh të pallogaritshëm ndaj tyre.
Por ajo që është më shqetësuese sot është mungesa e reflektimit për të ardhmen.
Pas 35 vitesh nga ndryshimi i sistemit, bota është sërish në një fazë rreziku të lartë. Lufta është rikthyer në kontinentin tonë. Siguria ndërkombëtare është në krizë. Kërcënimi nga agresioni shtetëror, nga terrorizmi, nga luftërat hibride dhe kibernetike po rritet çdo ditë. NATO ka aktivizuar planifikimet për përballimin e konflikteve të mundshme. Shumë shtete europiane, që dikur zvogëluan forcat e tyre të armatosura, sot po rrisin buxhetin e mbrojtjes, po shtojnë numrin e ushtarakëve dhe po investojnë në përgatitje, teknologji dhe motivim të personelit.
Në këtë kontekst, Shqipëria nuk mund të mbetet spektatore. Përkundrazi, ajo ka nevojë të rishikojë dhe forcojë konceptin e saj për sigurinë kombëtare. Dhe kjo nuk mund të bëhet pa vlerësimin e figurës së ushtarakut, pa kujdesin ndaj atyre që e kanë shërbyer më parë, dhe pa krijimin e një sistemi që nxit të rinjtë të zgjedhin këtë profesion fisnik.
Është koha që Shqipëria të miratojë një ligj të posaçëm për statusin e ushtarakut në lirim – jo thjesht për pensionin, por për dinjitetin. Një ligj që njeh kontributin, e trajton me respekt, dhe e përfshin në sistemin e sigurisë kombëtare si rezervist, si trajner, si këshilltar apo si edukator për brezat e rinj.Mund të jetë një imazh i 1 person, avion dhe teksti
Sepse një vend që harron ushtarakët e vet – në të kaluarën dhe në të tashmen – rrezikon të mos ketë më askënd që t’i përgjigjet betimit për ta mbrojtur.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.