Retrospektivë, 1975.
Shqipëria, vendi i vetëm europian që nuk iu bashkua Aktit të Helsinkit. Ishte koha kur vendimet merrenin “me forcat tona” ose maksimumumi konsultoheshin me vëllain aziatik, – diktatori ishte kthyer në paranojak dhe kur parimet e Helsinkit shiheshin si kërcënim për të dhe regjimin, sidomos në standardin për të drejtat e njeriut. KSBE pati impakt të madh në të gjithë EL me përjashtim të Tiranës. Këtu me të drejtat merrej Partia dhe Sigurimi!
E di se në Tiranë, vendin që prodhon mite dhe përmes miteve riciklon histori fiktive, alibia e mbështetësve të regjimit të atëhershëm mbetet teza e kufijve! Nuk donte të firmoste mos ndryshimin e kufijve, thonë. Enveri vetë, Byroja, MPJ dhe qindra mijëra dokumentet në AQSH nuk e kanë përmendur/përdorur/menduar në asnjë rast, por në kohën e folkhistorisë dokumentet / aktet / të vërtetat nuk kanë rëndësi. P.sh., Helsinki u nënshkrua edhe nga RFGJ/RDGJ, BS, Çekosllovakia, Jugosllavia, etj, vende sot nuk ekzistojnë në kufijtë e 1975. Nejse. Kur bashkohet nostalgjia me nevojën për të bërë lajm dhe gazetari pa formim, të vërtetat historike janë lehtësisht viktima e radhës.
1975. Ky është ditari i diktatorit. Sulme denigruese, por asnjë ide “poliedrike”. Kulmi i ironisë, – mizaskena e shpikur se delegacione e gazetarë po shtyheshin në radhë për të lexuar artikullin e tij në ZP! E vërteta? Shqipëria nuk u konsiderua dhe as u citua, përveç keqardhjes që ka zgjedhur të izolohet nga Perëndimi/Lindja, duke u identifikuar vendi i vetëm stalinist në kontinent. BE nuk e kishte më Stalinin, ne po. Pasojat dihen. Të shumëfishta dhe dramatike.

Shënim: Më 1990 të njëjtët refuzues të ’75-ës bënë gjithçka të bindin Perëndimin që Shqipëria të pranohet në KSBE (OSBE). Ndërkohë që kjo prirja/gënjeshtra narciste, se lajmet tona pa lajm janë headline për kancelaritë/mediat e botës është sëmundje/sjellje që vijon të përsëritet (pa sukses) edhe në ditët e sotme.