
Ti hyn e del tek BOSH-i im
si një çast, që nuk le gjurmë
Ti je çast kalimtar i të sotmes,
që s’ndjen asgjë, por flet shumë
Ti s’je çast i të nesërmes tonë,
as çast, që bashkon qiell e tokë
Ti je çast i kujtesës dhe harresës
i gëzimit,
i hutimit,
i mungesës…
Ti je çast i largimit dhe i afrimit…
Ti je çast magjepsës, që luan me mua
Ti je çast i dhimbjes dhe i shpresës
Ti je çast i trishtë që veç fjalë thua…
Ti je çast, që asnjëherë s’të kapa dot
Çast, që gjithmonë je në largim…
Ti je çast, që as koha s’të pranon
Ti çast, që s’mbush dot, BOSH-in tim
A.TREBICKA
“”””””””””
Me flokët pakrehur vrapon ëndrra e zhveshur
Fshehur shtatorit, në prehër të gushtit akoma…
I druhet ajo rënies së gjetheve në vjeshtë
E deh atë fundvera përkëdhelur nga aroma
Kukafshehtas si puhizë luan ëndrra e harlisur
Me gushtin dhe shtatorin zënë dore për dore
Në këtë stinë të bukur të mbarsur dasmash
Ndoshta fshihet në përqafime dasmorësh…
E rrëmbeu flladi ëndrrën nazeshumë…
Ta gjejnë poetët shtegut:”gusht e gunë”
A.TREBICKA
“”””””””
Ëndrra të hutuara vrapojnë nëpër gjumë.
Dëshira të grisura ngelur nëpër ëndrra
Mendime të shumta vijnë e ikin tek unë
dhe mbresa e vargje më buisin brenda
…por ditët e jetës fluturojnë kaq shpejt
E hëna dhe e premtja “rrinë” ngjitur…
Nuk arrij që t’i numëroj dot vetë,
Më përshëndesin ato …duke ikur.
Kush beson “një behar” në pleqëri,
vërtet qënka komplet “i roitur”…