Me shkrimtarin”Prele Milani”

MURR DETI IA MBËRRINI
Murr Deti erdhi nga larg, tue mbartë me vete misterin e prejardhjes dhe kujtimin e udhëve të vështira. Në anët ku sot shtrihet Mamurrasi, gjeti tokën ku mund të ndalej, të ngrinte konakun dhe të niste një jetë të re. Aty njohu Albinën, gruen fisnike që ia ktheu strehën në vatër e vetminë në familje. Prej kësaj lidhjeje lindën dy djem, Dit Murri dhe Pog Murri, trashëgimtarë të gjakut dhe të kujtesës së të parit.Potrebbe essere un contenuto grafico raffigurante mappa e testo
Kur Murr Deti u shue, bota përreth nisi të ndryshonte. Rreziqet e përplasjet i shtynë pasardhësit me kërkue toka të reja e strehë ma të sigurta. Diti mori drejtimin e Pashtrikut, ndërsa Pogu u drejtue kah malet e Pukës. Prej tyne, sipas gojëdhânës, u hapën dy degë të mëdha të trungut: prej Dit Murrit lidhen Shoshi, Shala e Mirdita, ndërsa prej Pog Murrit Berisha e Mërturi.
Kështu, kujtimi i një burri të ardhun nga larg u shtri nëpër male, tue u ba pjesë e zanafillës legjendare të disa bashkësive shqiptare. Murr Deti mbeti në rrënjë të tregimit, ndërsa emni i tij, i lidhun prej gojëdhânës me Mamurrasin, u ruajt si shenjë e një fillimi të largët, ku historia dhe legjenda takohen në kujtesën e brezave.

“”””””””””

MURR DETI ATLASHI LEGJENDARË I KUJT ?!
(Asht pak udhë nese me ndiqni FLM)
Murr Deti asht një mister që endet ndërmjet mitit dhe kultit, një atlash legjendar i përbashkët i disa prej fiseve ma të spikatuna të zanafillës së maleve arbërore. Një lashtësi e papërshkrueshme, një fillim që nuk njeh fund, një vazhdimësi që kapërcen breznitë, një lidhje e thellë e enigmatike me rrënjët Murr Deti mbetet gati, gati një andërr e largët, që koha nuk ka mujtë me e shpjegue deri në fund. Në kërthizë të Dukagjinit të vjetër, pikërisht në vendin që quhej Alshiqe , jetonte një fis me popullsi të thukët iliro-arbërore, të lidhun me besimin e vet si çetina me shkambin. Aty i kishin rrënjët e moçme, të nguluna dyqind vjet përpara se të lindte kryezoti i tyne. Ishin njerëz të besës e të qëndresës, shqyta dhe mburoja e Lekë Dukagjinit, të cilin e çmonin e nderonin, ndërsa ai i vlerësonte për burrninë dhe zotësinë e tyne luftarake. Për sa kohë jetoi, i pati ndër luftëtarët ma të zgjedhun të armatës së vet. Por detyra e tyne nuk mbaronte me luftën. Ata qenë edhe rojtarë të besimit, të zakoneve dhe të amanetit që kryezoti u la pas vdekjes. Përmbi një dekadë, Lekë Dukagjini e mbajti gjallë flamurin dhe kordhën qëndrestare të Gjergj Kastriotit. Shkaba kokëbardhë e Arbërisë, përballë rrufeve të lëshueme mbi vendin e vet nga Sulltan Mehmeti II Fatihu, u detyrua të përballonte rrethime, humbje e furtuna që kërcënonin me e përmbysë qëndresën arbërore. Edhe Lekës iu desh të tërhiqej, i shoqnuem prej bashkëshortes së tij fisnike, Teodorës, motrës së vogël të kronikanit arbëror Gjon Muzaka. Thellësisht e dëshpërueme, por e fortë dhe e përmbajtun, leshverdhja e hijshme iu gjend të shoqit pranë në ditët ma të vështira. Me përkujdesjen dhe dashurinë e saj ia lehtësoi dhimbjen e plagëve, ndërsa me optimizmin e vet ia kthente buzëqeshjen edhe në mes të shtrëngatës, kur mbi të, e mbi vendin e tij rëndonte drama ma e madhe e jetës. Ajo ishte pranë rojtarit të atdheut edhe kur, në Gur të Lekës, ai lëshoi mallkimin e madh mbi turkun, tue thanë: -«Këtë tokë askush mos e gëzoftë, deri sa të kthehej i zoti!» .Fjala e tij nuk ishte veç një mallkim i çastit. Ishte dhimbja e një burri që po largohej prej tokës së vet, por që nuk pranonte me e quajt të humbun. Ishte fjala e atij që, edhe në tërheqje, e mbante të paprekun të drejtën e kthimit. Gjatë udhëtimit të tërheqjes, Leka shkoi në Alshiqe. Aty ua bekoi shpatat luftëtarëve të vet dhe u la një amanet të rëndë sa Maja e Krabit: – «Bijtë e mijë, mundeni me u thye, por mos u nënshtroni! Qëndroni dhe kurrë mos pranoni me marrë fenë e pushtuesit. Ruani si monument nderi kryqet e etënve tuaj mbi varre!» Këto fjalë qenë amaneti i një kryezoti që po ndahej prej njerëzve të vet, por nuk donte me u nda prej tyne në shpirt. Në atë porosi jetonte besimi se një popull mund ta humbte tokën, mund t’i shpërndahej fisi e mund t’i tretej pasunia, por, nëse ruante kujtesën, nderin dhe besimin, nuk ishte shue përfundimisht. Mandej, Leka u largua. Për herë të fundit u pa në Shkamb të Rajës. Prej aty, i përndritun prej kujtimit të vet, ati i së drejtës sonë mori shtegtimin qiellor. U ba frymë e vegim ndër mote, një prani e padukshme për arbërorët e vet dhe për trimat luftëtarë të këtij fisi, që do ta mbanin në kujtesë fjalën dhe amanetin e tij. Pas largimit të kryezotit, luftëtarët e Alshiqes nuk e lanë shpatën pa e nxjerrë në mbrojtje të vendit. Ata luftuan, u ndeshën dhe zhvilluan disa beteja epike me osmanët. Aq trima e të zotë ishin, aq mirë dinin me sulmue e me u tërheqë, aq fort ishin të lidhun me njëri-tjetrin, si shqiponjat me kreshtat e maleve, sa Sulltani nuk po mundej me hy në folenë e tyne. Alshiqja u rrethue ma shumë se një herë, ndërsa kundër saj u vu edhe Kabashi, i cili, me ndihmën e turqve, e sulmoi vendin e trimave të bjeshkëve. Por fuqitë e mëdha ushtarake e kishin mësue prej përvojës se jo gjithmonë shpata asht arma ma e fortë. Shpesh, ma të vlefshme se forca e armëve dalin leku, përçarja dhe joshja e njerëzve me dhurata, ofiqe e privilegje. Kështu, me para, dhurata dhe ofiqe të trashëgueshme, osmanët bënë për vete një pjesë të parisë së Kabashit, e cila apostazoi
Edhe kur përballë kishin ushtrinë turke, e kur pas shpine u rrinin renegatët komshinj, fatosat e Lekës qëndruan deri në kufijtë e së paimagjinueshmes. Nuk u përkulën lehtë, as nuk e shitën pa luftë lirinë e tyne. Por, në fund, të rrethuem prej fuqive të shumta e të goditun prej përçarjes, u thyen.
Mbas kësaj, osmanët vepruan me një egërsi të pashoqe. Dhuna ra mbi njerëzit, mbi shtëpitë dhe mbi vetë vazhdimësinë e fisit. Gratë e reja, për t’i shpëtue përdhunimit, u hodhën prej greminave, tue gjet paqe në dëlirësinë e tyne të amshueshme. Shumica e burrave të atij vendi, që në kohët e mavonshme do të njihej si Berishë, ranë në flijim martir. Ndërsa fëmijët dhe pleqtë, të lidhun në pranga, i dërguan larg, përtej një deti, në viset ma skajore të Perandorisë. Aty nisi shpërndarja e madhe. Thuhet se pas kësaj tragjedie është edhe për ngulja e një pjese te kësaj popullate drejt Kuçi t te Malit të Zi që shndërrua ne popullsi sallavisht folëse Vendi i tyne mbeti mbrapa, me gjurmët e një jete të këputun, me varret e të parëve dhe me kujtimin e njerëzve që nuk patën mundësi me u kthye. Ata që i mbijetuen shkatërrimit u gjendën në një botë të huaj, larg maleve ku kishin pas rrënjët, larg gurëve që i njihnin dhe larg kryqeve të etënve, të cilët i kishin lanë si shenjë të besimit dhe të përkatësisë. Ai vend, i shumë i largët rrethuem prej ujërave, në kujtesën e legjendës quhej Mahmur Deti. Në atë hapësinë të largët, ku malli për vendin e humbun përzihej me mundimin e përditshëm, të shpërngulunit u përballën me vapën, keqtrajtimin, sëmundjet ngjitëse dhe vuajtjet që ua ligështonin trupin. Pothuajse të gjithë u shuan e u tretën në atë vend të huaj. Por, edhe kur njerëzit ranë, nuk u shue krejt ajo që kishin mbartë me vete. Rrënjët e moçme të fisit, kujtesa e prejardhjes dhe forca e trashëgueme në breza mbetën si një fill i padukshëm, që nuk këputej as prej largësisë, as prej fatkeqësisë. E pikërisht aty, në atë tokë të larget ku dukej se gjithçka kishte marrë fund, nisi një fillim tjetër. Atje lindi një djalë. Askush nuk dinte me saktësi se kur kishte lindë, as si quheshin i ati dhe e ama. Emnat e prindërve të tij ishin tretë në mjegullën e kohës, ndërsa rrethanat e lindjes mbetën të mbulueme prej heshtjes. Por djaloshit iu dha emni Murr Deti. Për Mahmur Detin dhe lidhjen e tij me shpërnguljen e të parëve të Berishës na sjell në kujtesë edhe studiuesit Franc Nopça , At’Zef Valentin po ashtu edhe Robert Elsie të cilët jo vetëm jetuan mes nesh por kthye te gjurmët e moçme të kësaj tradite
Thuhet se emnin e parë e mori prej tokës ku lindi, ndërsa pjesën e dytë prej detit që kishte pranë . Kështu, në emnin e tij u bashkuen toka dhe uji, vendi dhe largësia, zanafilla dhe shtegtimi. Një emën që dukej sikur mbante brenda vetes dy botë të ndryshme: njanën që e kishte gjetë në lindje dhe tjetrën që e kishte trashëgue nëpër gjak, pa e pasë pa kurrë.
Por Murr Deti nuk e harroi prejardhjen. Në kujtesën e tij, edhe nëse nuk mund ta kishte njoftë drejtpërdrejt vendin e të parëve, jetonte një tërheqje e pashpjegueshme drejt vatrës prej së cilës fisi ishte shkëputë me dhunë. Ai nuk e kishte njohë jetën e dikurshme të Alshiqes, as nuk kishte mujtë me i pa me sytë e vet malet prej nga vinin të parët e tij. Megjithatë, diçka e lidhte me atë botë të humbun, sikur në thellësinë e shpirtit t’i kishte mbet një thirrje e moçme, që nuk e mbulonte dot as koha, as largësia.
U rrit me mallin dhe dëshirën për t’u kthye te vatra prej së cilës të parët e tij i kishin dëbue.
Në kujtesën e njerëzve kishte mbet pamja e një udhëtari të vetmuar që mes dallgëve dhe mori udhën drejt viseve të tij Shfaqja e tij dukej sikur sillte me vete jehonën e një bote tjetër ku kishte lindë e ishte rritë, por që nuk ia kishte shlye kujtesën e vendit prej nga buronte gjaku i tij.
Murr Deti ishte burrë i lashtë në pamje e në qëndrim, me shtat të naltë, supe të gjana, gjoks të fuqishëm e trup të lidhun, të kalitun prej mundit dhe udhëve të gjata. Fytyrën e kishte esmere, me mollëza të theksueme e nofulla të forta. Balli i gjanë, vetullat e denduna dhe sytë e thellë ia jepnin pamjen e një njeriu të fortë që nuk e humbte lehtë toruan.
Flokët e zeza, të denduna, i binin mbi supe, ndërsa mjekra e plotë ia theksonte edhe ma shumë tiparet burrnore. Në ecjen e tij kishte siguri, në qëndrimin e trupit kreni dhe në shikimin e tij një qetësi që nuk ta zbulonte menjëherë mendimin. Nuk ishte prej atyne burrave që kërkonin me u dukë përmes fjalëve. E njihte peshën e heshtjes dhe e dinte se fjala e dhanun duhej mbajt . Kur fliste, nuk e zgjaste bisedën pa nevojë; kur merrte një vendim, e mendonte mirë përpara se ta vinte në jetë. Kishte forcën e njeriut që ishte përballë me vështirësitë dhe urtinë e atij që kishte mësue se jo çdo pengesë kapërcehet me krahë. Te ai bashkoheshin qëndrueshmëria e malësorit dhe përvoja e njeriut që kishte njohë emigrimin
Emni i tij mbeti i lidhun me një shprehje të moçme, «deti i murrmë», që njerëzit e përsëritnin pa e ditë mirë se çfarë fshihej mbas saj. Ishte një kujtim i largët, një shenjë e mbetun prej një bote që askush aty nuk e njihte. Ndoshta lidhej me ngjyrën e ujërave, me pamjen e brigjeve nën qiellin e vrenjtun, ose me ndonjë kujtim tjetër që koha e kishte mbulue me heshtje.
A kishte kenë Deti i Murrmë vendi ku kishte lindë?! A ishte emni i tij një gjurmë e largët e tokës ku ishin tretë të parët, apo një kujtim që kishte mbijetue vetëm nëpër gojëdhëna? Askush nuk mund ta thoshte me siguri.
Kështu, emni i Murr Detit mbeti i mbështjellë me mister, si një derë e vjetër që koha nuk e hapi kurrë plotësisht. Përtej tij shtrihej një botë e largët, një vend i panjohun, një kujtesë që nuk kishte marrë formë të plotë, por që vazhdonte të jetonte nëpërmjet emnit, gjakut dhe dëshirës së kthimit.
Murr Deti nuk ishte veç emni i një burri. Në kujtesën e legjendës, ai u ba shenjë e një fillimi të ri, nyja e padukshme ndërmjet një trungu të vjetër dhe brezave që do të vinin mbas tij.
Sepse ka rrënjë që mund të shkëputen prej tokës, por nuk e humbin kujtesën e saj. Ka emna që mbijetojnë kur gjithçka tjetër tretet dhe ka njerëz që, pa e ditë plotësisht prej nga vijnë, e mbartin në vetvete thirrjen e një zanafille të moçme. Murr Deti ishte një prej tyne. UDHËTIMI YNË VAZHDON
Nessuna descrizione della foto disponibile.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.