Ashtu si bien gjethet në vjeshtë…
një nga një, edhe njerëzit largohen nga kjo jetë. Disa ikin pa paralajmërim, duke lënë pas kujtime, mall dhe boshllëqe që askush nuk mund t’i mbushë. Nuk jemi të përjetshëm…
Dje humbëm një mik, një poet që la pas fjalët e tij. Sot mora një lajm që ma rëndoi shpirtin: një kolegia ime, një vajzë nga Ukraina, që me kohën u bë shumë më tepër se kolege, ajo që më quan motër, humbi babanë e saj.
Dhe sot ndihem e pafuqishme. Ajo është nisur drejt vendlindjes, drejt dhimbjes së saj, ndërsa unë mbetem këtu, larg, pa mundur ta përqafoj në këtë ditë kaq të vështirë.
Më kujtohet kur më tha një ditë: “Rita, unë nuk kam motër, më lejo të jem motra jote, më duket sikur të kam nga familja ime. Në këtë vend të huaj, të kam vetëm ty.“
Sot i kuptoj edhe më shumë këto fjalë. Sepse jo gjithmonë gjaku krijon familje. Ndonjëherë dy shpirtra takohen larg vendlindjes dhe bëhen motra, bëhen mbështetje dhe familje për njëri-tjetrin.
Sa i vështirë është emigrimi, sidomos në ditët e humbjes… Kur zemra dëshiron të jetë pranë, por kilometrat nuk e lejojnë.
Disa humbje nuk kanë fjalë, disa dhimbje nuk kanë ngushëllim. Dhe disa njerëz, edhe pa na lidhur gjaku, bëhen pjesë e shpirtit tonë.
Ndoshta gjethet bien për t’i lënë vend pranverës, por njerëzit që ikin nuk kthehen më. Mbeten në kujtimet tona, në fjalët e tyre dhe në gjurmët që kanë lënë në shpirtin tonë.
Luda ime, të uroj forcë ty dhe gjithë familjes sate. Babi yt u prehtë në paqe.
Edhe pse sot nuk jam pranë teje, një pjesë e zemrës sime është atje, pranë teje, në Ukrainë.

