DUKE LEXUAR LIBRIN “RILINDËSIT E KOHËS SONË” TË GAZETARIT ASHIKU
Nga Prof. Nexhmije Thaçi, Mehmetaj, mësuese në Zvicër
Shënime kritike
Libri më i ri i publicistit dhe studiuesit Abdurahim Ashikut me titull “Rilindësit e kohës sonë” është në disa pikëpamje i jashtëzakonshëm. I rrallë është me titullin e tij: Rilindësit e kohës sonë! Ky titull, sado i jashtëzakonshëm, është njëkohësisht shumë kuptimplotë. Shqiptarët në mërgim! Të shkruash për mërgimtarët tanë njëherë do me thënë ta kesh zemrën te ata, mandej përgjithmonë te gjuha shqipe.
Libri “Rilindësit e kohës sonë” është i jashtëzakonshëm me përmbajtjen e tij: jeta, puna, përpjekja që bëjnë shqiptarët për ta ruajtur identitetin dhe integritetin e vet kombëtar, kulturor dhe shpirtëror jashtë atdheut. Të jashtëzakonshëm nuk janë vetëm titulli dhe përmbajtja e tij. I jashtëzakonshëm është edhe fati i popullit shqiptar. Libri “Rilindësit e kohës sonë” është i jashtëzakonshëm, ndërkaq, edhe për komunitetin shqiptar në Greqi, qoftë në atë pjesë ku shqiptarët janë në trojet e veta në Çamëri, qoftë në diasporën arvanite, apo diasporën e re, për dy arsye: se këtu do të jetojnë shumë shqiptarë të përkushtuar Atdheut dhe popullit të vet dhe këtu do të jetojnë dhe do të veprojnë disa figura të shquara të kulturës dhe të historisë shqiptare. Njëri prej më të mëdhenjve jo vetëm këtu, por në botën shqiptare, në përgjithësi, është Aristidh Kola kujtimi i të cilit i bashkon sot shqiptarët, sikundër puna e tij derisa ishte gjallë. Ai me punën dhe me shembullin e tij bëri që të ketë trashëgimtarë të denjë në Komunitetin shqiptar të Greqisë, që nuk lanë të shuhet fryma atdhetare në këtë Komunitet, që këtu i vazhduan idealet e tij. U shkruan me dhjetëra libra me vlerë, të mërgimtarëve, ose për mërgimtarët, por botimi i veprës “Rilindësit e kohës sonë” mund të thuhet pa drojë se është përpjekja e mirëfilltë më e gjerë dhe më e thellë. Ky studim vjen si pjesë e dytë e librit të botuar kohë më parë “Njerëz që i dua” (2007) jepen të dhëna të shumta për shkollat dhe arsimin shqip në Greqi.
Vepra ”Rilindësit e kohës sonë” është, rrjedhimisht, vepër themelore dhe e pashmangshme për të kuptuar pozitën politike, shoqërore, ekonomike dhe kombëtare të shqiptarëve në diasporën e re. Dhe për të gjykuar për të, për të kuptuar idetë dhe ndjenjat e tyre kombëtare që mbizotërojnë në jetët e tyre intelektuale. Ajo njëherësh është vepër për aktualitetin dhe për historinë, prej së cilës do nxjerrë mësim gjithsesi, brezat e rinj.
Libri në fjalë fillon me Hyrje, ku autori nëpërmjet disa dëshmive të tërthorta, provon ta nxjerrë titullin kaq të madh të veprës: Rilindësit e kohës sonë. Për kryerjen e misionit që i ka vënë vetës, autori ka përdorur të gjitha mënyrat e mundshme: shënimet biografike të mësuesve të shqipes, reportazhin, portretin, intervistat, vështrimin historik, kumtesat, metodika, letërkëmbime, pasthënie etj.
Libri që kemi në dorë është konceptuar në 11 tërësi, dhe me mjaft nëntituj. Ai ndalet në çështje të ndryshme që lidhen me hapjen dhe funksionimin e shkollave shqipe në Greqi, jepen të dhëna të shumta për meritat dhe rolin e mësuesve, të cilët ndihmojnë zhvillimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe të fëmijëve shqiptarë, duke e sensibilizuar edhe Ministrinë e Arsimit të Shqipërisë, për organizimin e shkollimin e fëmijëve të punëtorëve jashtë shtetit. Edhe pse mërgimet janë bërë fati ynë, askënd nuk e intereson fati i tyre. Mjerisht asnjëherë nuk u themelua një këshill për mërgimtarët, as nga Shqipëria e as nga Kosova që do të interesohej për fatin e bashkatdhetarëve të vet që do të kultivonte lidhjet me ta, që do të organizonte bashkëpunim arsimor, kulturor e të tjera me ta. Deri më tani mësimi plotësues i gjuhës shqipe organizohet në baza vullnetare, mjerisht nuk mbikëqyret nga shteti shqiptar. Çka do të thotë kjo? Në minoritetin grek në Shqipërinë Jugore (në Dropull) gjithnjë ka pasur e ka edhe shkolla për mësimin në gjuhën greke dhe gazeta në greqisht për atë minoritet. Ndër të tjera aty flitet për rëndësinë e veprimtarisë së mësuesve që është e madhe në disa pikëpamje: këta i kontribuojnë zhvillimit të personalitetit të secilit nxënës, ngadalësimit të procesit të asimilimit kulturor dhe kombëtar, për t’i mbajtur gjallë rrënjët e fëmijëve nga kanë ardhur. Ky libër paraqet një pasqyrë të organizimit dhe të shtrirjes së shkollës shqipe në vende të ndryshme të botës. Kjo vepër nuk është vetëm për njohjen e mësimdhënësve që punuan me zell të madh në procesin mësimor jashtë trojeve etnike, por njëkohësisht hartë gjeografike që pasqyron vende të ndryshme ku emigruan shqiptarët jetojnë e punojnë. Në ketë libër të gjerë kur thellohesh në leximin e tij, dalëngadalë, përfshihesh prej tij dhe njihesh me dëshira, me brenga mërgimtarësh. Libri në pjesë të veçanta shpreh njerëz të njohur apo të panjohur. Kështu krahas njerëzve të thjeshtë pak të njohur, njihesh me emra të mëdhenj të diasporës. Në faqe të librit njihemi me ngjarje të mëdha, me peshë kombëtare, bjerrja e shqipes tek fëmijët e mërgimtarëve. Krahas këtyre ne njihemi me drama të përditshme, që zhvillohen në heshtje, njerëz të urtë, bujar, me krenari të pamposhtur, trim e fisnik, i sakrifikuar, i nderuar dhe që di të nderojë. Dhe, vetë autori i këtij libri është pjesë e diasporës. I shtyrë në moshë afër të shtatëdhjetës, për mes këtij libri përcjell ndër breza etjen, dashurinë dhe sakrificat e popullit tonë për dije.
Courgenay,10.10.2008
Publikuar në librin Abdurahim Ashiku, “Shkolla Shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë -2”