IKU HAJRI HOXHA, BURRË DIBRE; I LUFTËS DHE I PUNËS, I FJALËS E KUVENDIT, I PËRKUSHTIMIT QYTETAR
Hajri Hoxha iku…
Iku duke lënë pas një rreze drite që ndriçoi qiellin në natën e 8 korrikut 2020…
Iku duke lënë pas një emër të përveçëm…
BURRË DIBRE;
I fjalës…
I nderit…
I Kuvendit…
I përkushtimit qytetar…
E unë sonte nuk ia ndal dot rrjedhën e lotëve mbesës së tij, Natashës, rrjedhë që po të kishte mundësi udhëtimi, përrua do të bëhej deri në Tiranë…
E unë sot nuk praj së kërkuari Hajri Hoxhën…
Mes librit “Edhe tërmetet mposhten”, “Rinia dibrane në luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare”, në librin voluminoz në dorëshkrim “VITE LUFTE E PUNE” që ma besoi për redaktim.
Prej tij po shkëpus një fragment, parathënien…
Përkushtimin për Nënën e tij, ATERE HOXHA…
Përkushtimin për shokët e tij të luftës dhe të punës, familjen e tij të ngushtë…
Mund të them me plot gojën se kujtesa e tij deri në detaje për ngjarje e data dhe veçanërisht për shokët duke i kujtuar me emër e mbiemër është e mahnitshme…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 8 korrik 2020
PARATHËNIE
Që kur në Mars të vitit 1964 nëna jonë e dashur, Aterja, na u nda nga jeta, në heshtje para arkivolit e varrit të saj isha betuar që do të gjeja kohën për të të kujtuar me mbresat që na le në jetën tënde afro 70-vjeçare që u ndave. Dhe kjo sepse:
Na rrite me virtytet e një gruaje të karakterit të lartë prindëror neve tre jetimëve që të la yt shoq dhe babai ynë në një moshë 25-vjeçare dhe iu betove babait tënd kur të tha: “Tere je e re….”. “Unë do të rris jetimët: Remen, Sulën, Hajriun” –iu përgjigje.
Dhe ashtu bëre. Me ato 20 napolona flori që të la Abazi, bleve një makinë qepëse dore.
Kujtoj ato ditë, net e vite me llambën vajgurore që na rrite; askujt nuk ia shtrive dorën si lypsare; na shkollove dhe mua më çove në Strehën Vorfënore në Tiranë; me një ekonomi modeste nuk na mungonte ushqimi, veshmbathja e festimet për Bajramet.
Kujtoj ato marrëdhënie dhe ecejake me farefisin tënd, me familjet e shoqeve moshatare të Peshkopisë, që të admironin dhe i admiroje.
Kujtoj ato këshilla prindërore që na jepje vazhdimisht që të mësonim në shkollë, që të silleshim mirë me shoqërinë. Dhe të gjitha këto virtyte të tuat na rritën, edukuan dhe na nxorën në jetë vit pas viti.
Dhe jeta, vit pas viti, nxirrte probleme si për ty po ashtu dhe për ne. Kujtoj motrën tonë, Meremen, që t’u bë ndihmëse për qepjen me makinë, dhe pas martesës së saj me të paharruarin Haki Shehun (Kuqin) të afruan ndihmën dhe për disa vite jetuam në mes të fshatarëve bujarë e mikpritës të Zerqanit, ndërsa më pas nga 1941-1944 në vajtjen dhe qëndrimin në Dibrën e Madhe –vendlindjen tënde dhe të babait tonë, Abazit.
Kujtoj atë që ashtu si gjithë rininë, popullin dhe gratë e Shqipërisë, okupimi fashist të brengoste edhe ty dhe nuk është aspak e rastit që u bëre një nga gratë e Dibrës së Madhe përkrahëse dhe aktiviste e Lëvizjes Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Dhe në këto kujtime të miat për pjesëmarrjen në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe rreshtimin si partizan kujtoj atë mbrëmje të 24 Tetorit 1943 kur të thashë: “Nëne, nesër do të rreshtohem partizan në Batalionin e Rinisë “Nazmi Rushiti” dhe do të shkojmë në Kërçovë.” Ti më the: “Shko me Nënën, nuk të pengoj, Shqipëria na thërret, mos u nda nga shokët, mos rri prapa, rrugë të mbarë!” Dhe të nesërmen, në inaugurimin te sheshi i Dibrës së Madhe, na përcolle bashkë me Sulën e Meremen, edhe këta pjesëmarrës në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Kujtoj edhe rastin që në Maj të vitit 1944, një skuadër xhandarësh të rrethuan dhe bastisën shtëpinë duke të kërcënuar: “Ku e ke atë dobiçin, komunistin pa fe!” dhe ti u ishe përgjigjur (siç thonë komshinjtë dhe të zotët e shtëpisë –familja Tortaj): “Jeni të zot, shkoni e merreni në mal!”. Dhe ata të kishin mbajtur 24 orë në Prefekturë dhe Xhandarmëri –levë e okupatorëve nazistë.
Shqipëria u çlirua më 29 Nëntor 1944. Si disa familje dibrane që kishin riardhur në Dibër të Madhe, dhe në mes tyre edhe familja ime, Nëna, Sula dhe familja e motrës ishin rikthyer në Peshkopi.
Brigada jonë e 18-të Sulmuese mori detyrën për të shkuar në Gjirokastër. Pas disa muajsh, në Gusht të vitit 1945, me kërkesë të terrenit u ktheva me detyrë për të drejtuar Organizatën e Rinisë të Qarkut dhe Rrethit të Dibrës, ku si gjithë populli shqiptar edhe dibranët, rinia, gratë, ishin në atmosferën e çlirimit të Atdheut dhe të gatshëm për t’iu përveshur detyrave për ndërtimin dhe rindërtimin e Shqipërisë.
Kujtoj edhe në këto momente Nënën që gëzohej dhe meqë erdha në Dibër, në shtëpi më ledhatonte me duart e saj në prehrin e saj. Shtroi darkën dhe në mes të tjerash, vuri në mes të sofrës “ëmbëlsirën dibrane –Sheqerparen” duke thënë: “Hë merrni, Shqipëria mori frymë, u çlirua, hasmit na e morën të keqen!”
Të nesërmen nxora nga xhepi ato 15 apo 20 napolona që na i kishin dhënë si oficer në Gjirokastër dhe ajo menjëherë më tha: “Ç’janë këto pare, Hajri?!” ia shpjegova duke i thënë: “Tashti, Nënë, si unë, Sula dhe gjithë ata që do të punojnë apo edhe oficerët, për ditë pune që bëjmë në ushtri, do të marrim rrogë sipas takatit të Shtetit, se jemi Qeveri, se jemi Shtet, Pushteti i lirë”
Kështu e gjithë jeta familjare si në fëmijëri, në shkollë, në pjesëmarrjen në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, në punën fillestare në Dibër të Madhe, në Tetovë, në vitet e jetës partizane, jo vetëm që është e pandarë nga kjo Nënë, por u bë timonierja frymëzuese e gjithë këto vite të jetës, të këtyre që përshkrova sa më sipër, por do të ishte edhe në këto 45 vitet e jetës dhe të punës të rindërtimit të Shqipërisë, kudo ku punuam në Dibër, Ulzë, Shkodër e përsëri në Dibër, me të
vetmin ndryshim që tani jeta ekonomike në familje përballohej nga të ardhurat e bijve të saj, e më pas e tërë familjes sonë.
E gjithë kjo kujtesë si për Nënën, familjen dhe mua më ka lënë mbresa, prandaj kujtoj me krenari gjithë atë shoqëri që njohëm gjatë gjithë atyre viteve.
Prandaj duke përshkruar në kujtimet e mbresat e mia kam përmendur me dhjetëra e qindra shokë e shoqe të njohjes fëmijërore, të moshës së rinisë, të punës fillestare, të formacioneve partizane e veçanërisht më të shumtët me shokë e shoqe të rretheve me të cilët kemi punuar së bashku për ndërtimin dhe zhvillimin e këtyre vendeve, duke pasur edhe mbështetjen e popullit patriot e luftëtar të Dibrës, të Shkodrës dhe të atyre mijërave të rinjve e të rejave të Shqipërisë për ndërtimin e “Rrugës së Dritës” dhe hidrocentralin e Ulzës dhe të Shkopetit.
Dhe në gjithë këto vite të ndërtimit, të jetës e punës, duke e bërë jetën si familje e përbashkët, gëzohej Nëna jonë e paharruar; gëzoi martesat tona, gëzohej e ledhatonte nipërit e mbesën dhe siç i thoshin asaj, kur vinte tek unë në Shkodër – me humorin shkodran- disa shokë: “E, Nëna e Hajriut, erdhe. Ke pasaportë diplomatike. Lum si ti, shkon e vjen te Sula në Dibër, te vajza në Krujë, kur ta ka qejfi!”. “Po, -ua kthente ajo, -kënaqem dhe i lënesha mbrapa!”.
Dhe për të gjitha këto kujtime, disa prej të cilave më janë kujtuar prej shënimeve që kam mbajtur, por më shumë, të dashur lexues, ia dedikoj shyqyr memories, që duke shkruar më paraqiten sikur i kam shkruar në mendje. Prandaj në moshën e fëmijërisë kam përmendur Medi Shehun, vëllezërit Zeralice, të Strehës Vorfnore, Rasim Hiskun e shumë të tjerë; në vitet në Zerqan shumë familje mikpritëse e shokë si Rahmanin, Rexhepin, Bajramin; në vitet në Dibër të Madhe e Tetovë dhe në jetën partizane: Estrefin, Hiben, Refikun, Myrteza Kadjaden, Adliun, Palin, Prokopin; në vitet e punës me Rininë dhe në Dibër: Fadilin, Nuriun, Myslimin, Verën, Koston, Fiqiriun, dhe veçanërisht në jetën dhe punën mbi 45-vjeçare në Dibër, Ulzë, Shkodër me dhjetëra shokë e shoqe për punën e përbashkët në zhvillimin e këtyre rretheve duke punuar si drejtues në organet e Partisë e të pushtetit si: Jasharin, Sulën, Hysenin, Njaziun, Mentorin, T. Mançen, Samiun, Tosumin, Selmanin, Idrizin, S. Tozaj, Aqifin, Ahmetët, S. Alliun, R. Hankun, Luanët e Maleve: Saliun, Shabanin, Kadriun, M. Doçin, Bejton, Bocajn, Bilalin, Ramadanin, Shaqirin, e shumë e shumë të tjerë që, i dashur lexues, do t’i lexosh në këto kujtime ku bashkarisht si gjatë LANÇ dhe ndërtimit të Shqipërisë të këtyre mbi 45 vjet, ashtu si gjithë mosha jonë e tërë Shqipërisë kreu dy detyra nga më të lavdishmet:
Atë të pjesëmarrjes në LANÇ e rreshtat partizane, duke luftuar e sakrifikuar jetën kundër okupatorëve fashisto-nazistë e bashkëpunëtorëve të tyre dhe më 29 Nëntor e çliruan Atdheun.
E po me të njëjtin frymëzim ky brez dhe pasardhësit rindërtuan, ndërtuan dhe zhvilluan Shqipërinë; zhdukën analfabetizmin dhe në çdo fshat e qytet arsimuan rininë në shkollat fillore, të mesme, teknike, deri në hapjen e Universitetit ku në prag të çlirimit nga ata dhjetëra të diplomuar me arsim të lartë jashtë, tani në Shqipëri numëroheshin me qindra e mijëra të të gjitha specialiteteve si: mjek, inxhinierë, ekonomistë, agronomë, profesorë, gazetarë, shkencëtarë, studiues të diplomuar në Institutet e Universitetin e Tiranës si dhe shumë prej tyre të diplomuar jashtë shtetit si në Bashkimin Sovjetik dhe demokracitë popullore si në: Bullgari, Rumani, Çeki.
Apo nga një Shqipëri ku mbi 90% që dominonte ndriçimi me llamba, dhe bile edhe me dritë nga zjarri, me pisha të zonave malore me hidrocentralet që u ndërtuan nga puna heroike e rinisë dhe punëtorëve e inxhinierëve, përfundoi elektrifikimi në të gjithë Shqipërinë duke ndriçuar llamba elektrike edhe në fshatrat më të largëta malore.
Nga disa punishte (të themi fabrika) artizanati, që kishte Shqipëria si ato të sapunit –Shkodër, e cigareve –Durrës, e këpucëve –Shkodër, Korçë, Gjirokastër, me jo më shumë se 50 punëtorë, në këto 45 vjet u ndërtuan me dhjetëra fabrika, uzina e kombinate, pothuajse në të gjitha qytetet kryesore si në Tiranë, Berat, Elbasan, Shkodër, Korçë, Gjirokastër, Durrës, Ballsh, Kavajë, Lezhë, Lushnjë, Vlorë, Sarandë, Kuçovë, Poliçan, Peshkopi, si ato të tekstileve, mekanike, përpunimit të naftës, të përpunimit të frutave me prodhime reçeli, ato të ndërtimeve e prodhimeve të materialeve të ndërtimit, të poligrafisë, ato të stacioneve të mekanikës bujqësore (SMT) u thonë dhe u vunë në shfrytëzim disa moçale si ai i Maliqit të Korçës, u hapën dhe u vunë në shfrytëzim disa dhjetëra rezervuarë si dhe qindra kilometra kanale vaditëse, pothuajse në të gjitha rrethet, u hapën, u mbollën e u vunë në shfrytëzim mijëra drufrutorë duke u krijuar blloqe të mëdha frutikulture sidomos në bregdet nga Vlora – Himara – Saranda, me agrume, në ato të rretheve Dibër, Berat, Pogradec, Shkodër, Elbasan etj. Dhe të gjitha këto ndikuan në zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen ekonomike të fshatarësisë sonë punonjëse. Nga një minierë bakri në Rubik, nga puna e gjeologëve tanë, e punëtorëve mori zhvillim të madh zbulimi, shfrytëzimi dhe eksportimi i mijëra ton mineral të kromit si në Bulqizë, Martanesh, Kalimash, Kukës, Tropojë, Pogradec,
ku u krijuan qytete të rinj si ai i Bulqizës, ku në të gjitha këto fabrika, kombinate, uzina, ferma bujqësore punonin me mijëra punëtorë e punëtore.
U ndërtuan për herë të parë qindra kilometra trase hekurudhore nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Pogradeci, Fieri, Lezha, Vlora, nga puna vullnetare e rinisë sonë heroike etj. etj.
Dhe mbi të gjitha spikati kudo harmonia shoqërore e vëllazërore si në qytete e veçanërisht nëpër fshatra ku pothuajse u zhdukën hasmëritë…
Hajri Hoxha