TRI KARTOLINA MIKUT TIM DËFRIM METHASANI
Me një kërkesë shoqërore:
Ngre zërin;
fort, fort, fort…
I egër Drini të rrjedhë,
si natyra e krijuar …
Kujtimet tuaja,
nipërve e mbesave,
tua tregosh,
pa kaike e palombar,
pa Skavicë,
Dibrën gjallë…
Në jetë…
Bukuri e vërtetë…
Ti kam dërguar të gjitha fotografitë e asaj dite të bukur tri dekada të shkuara kur fiksova një festë të bukur sportive miku im Dëfrim Methasani me një…
“Meditim duke udhëtuar me Dëfrim Methasanin mes fotografive fiksuar në Fushën e Çidhnës më se tri dekada më parë…”
“I ngujuar në të pakuptimtën qeli, në vitet që mbaj mbi supe e që kacavirren nga 79 drejt 80, nga që skam ç’të bëj “luaj derën e shtëpisë”. Një lloj “dere” që nuk e hap askush, që asnjeri se ka aq pranë dhe aq larg sa unë.
Është një “derë” e çuditshme që hapet me një të trokitur majtas mbi të e të jep krah të fluturosh në një hapësirë të pamasë…
Në atë derë trokas përditë.
Lehtë, me mollëzat e gishtit, lehtë që ta zgjoj siç zgjojmë foshnjat, me lutje, me përgjërim, me përkëdhelje.
Gjeta një foshnjë nga dhjetëmijë foshnjat e mija.
E përcolla së bashku me 66 foshnja të tjera. Me mall, me dashuri, me ulje në gjunjë, plot respekt.
E kam pas fotografinë hob të jetës sime…
E kam pas aparatin fotografik gjymtyrë, brinjë të jetës sime, varur mbi kurriz që nga shkolla e mesme, shkolla e lartë; si mësues, si agronom, si gazetar, si mërgimtar…
Nuk udhëtoja dhe nuk udhëtoj pa e pas atë në çantë.
Kam negativë origjinalë që nga viti 1964 për Peshkopinë, ashtu siç kam edhe shumë fotografi të mbledhura në vitet pesëdhjetë e më vonë, shoqërore e familjare.
Nuk e di, asnjëherë nuk i kam dhënë dot përgjigje, pse në valixhen e ikjes sime më 21 korrik 1996 midis rrobave të pakta të trupit kishin bërë vend edhe disa qeska plastike me filma negativë.
Nuk e di pse i ruajta dhe pse nuk i hodha në kazanin e mbeturinave siç hodha nja 400-500 fotografi nga ata që kisha ruajtur nga puna ime si gazetar i ATSH për Dibrën dhe Matin, si gazetar i “Ushtima e maleve” dhe “Zërit të popullit”, si qytetar, çka më dhemb sa s’ka.
Edhe në emigracion kur erdha në një moshë 55 vjeçare, gjëja e parë që kërkova dhe sigurova ishte jo një vend për punë por një makinë shkrimi dhe një aparat fotografik.
Me makinën kam mbush mijëra faqe shkrime, në gazeta dhe në 7 libra me rreth 3000 faqe e mbi 600 fotografi.
Me aparatin fotografik kam fiksuar rreth 20 mijë mërgimtarë në punën e tyre të përditshme, mësuese në shkollimin shqip vullnetar të fëmijëve…
Negativët lëviznin bashkë me lëvizjet e familjes time nga njëra banesë në tjetrën…
Një ditë një mik, Nazmi Koçi, pasi i tregova për foto negativët, më dhuroi një skaner me vendin për vendosjen e filmit dhe kthimin e tij nga negativ në pozitiv.
Dhe për çudi negativi i parë, fotoja numër NJË në dhjetëmijë negativë të skanuar është e Nazmi Koçit, dentist në klinikën dentare të Shupenzës. Nuk u besoj çudive por…
Dhe e dini se sa kohë më është dashtë për zbardhjen e 10.000 negativëve? Katër minuta për çdo pozë…
Dyzetmijë minuta…
Përveç pauzave, kërkimit, sistemimit, emërimit në numër, seri…
Tash tek udhëtoj me sy vendeve ku kam qenë e i kam ngrirë ato në celuloidin fotografik marr jetë, më vijnë e ma ulin ngjat vendlindjen dhe vend udhëtimet e mija, çmallem me njerëz që i desha dhe i dua.
Shoh që shumë negativë më kanë humbur. Mbase dy herë më shumë se sa ata që kam skanuar.
Më vjen keq…
Nuk pata mundësinë që të jem në trevën ku linda, u rrita, vendlindje që e dua me shpirt.
Dhe ndjehem i vlerësuar kur Ilda Rama (dhe të tjerë) poshtë fotografisë të një burri e një gruaja që pinë të gëzuar ujin e pastër të Korabit shënon: “Një foto shumë e bukur, mrekullia vetë që e ruajmë në shtëpi edhe sot pasi kjo është gjyshja ime. Faleminderit!”
Dhe jo vetëm ajo…
Nuk e them unë…
E thonë shumë njerëz të njohur e të panjohur në komentet e tyre.
E thonë, po i citoj, edhe shumë komentues në mbështetje të Dëfrim Methasanit për hapat e tij në jetë, hapat e një mësuesi fizkulture që e ka shëtitur Dibrën maleve të saj, që nga malet dhe liqenet e Lurës, e tash është një njeri i nderuar në botën e gazetarisë, nga më të nderuarit.
E dini?
Kur isha në Përmet për të paraqitur para dashamirëve një bir të tyre, një mësues e drejtues shkollash, librin “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë” kushtuar mësuesit të parë të mësimit vullnetar të gjuhës shqipe fëmijëve në Selanik të Greqisë, shoqëruar nga Fehmi Lleshi dhe e shoqja, në një mjedis të gjelbëruar u ula e piva kafe me disa sportistë përmetarë. Fjala nga Dashmiri shkoi tek Dëfrim Methasani. U ndjeva i nderuar dhe i respektuar kur ata më thanë me respekt se për kontributin e Dëfrimit për sportin përmetar, bashkia e qytetit i kish dhënë titullin “Qytetar Nderi” i Përmetit.
E po mos u emociono po deshe!
E po mos u kreno po deshe!
Kam shumë për të shkruar për Dëfrim Methasanit miqësia me të cilin buron tek Shuaipi, babai i tij, ndër të tjera në një udhëtimi epik me Të bjeshkëve të Vleshës, të Zonjave, Gramës, bjeshkës së Shehut ku një natë flejtëm në kasollet e barinjve të Sllovës, ku një fotografi artistike kundër dritë me delet si rrurëza ari në dritën e mëngjesit më mallëngjen sa herë hap arkivin, udhëtimi në bjeshkët e Preshit ku mbushëm grushtet me ujë në burimin i cili vite më vonë do rridhte drejt Peshkopisë e fshatrave të Ujë e m’ Ujës…”
Por, sot, duke kthyer kokën pas, dua të shoh përpara…
Jo vetëm, me Dëfrimin…
Dua ti shoh përsëri vajzat e bukura të Fushës së Çidhnës, bijat e tyre, bijat e bijave, bijat e bijave të bijave të tyre… aty buzë Drinit. Veshur me “fundin e sepetit” të nënave e gjysheve të tyre tek luajnë e u gëzohen valëve të shkumëzuara të lumit…
Dua ti shoh djemtë e Fushës së Çidhnës në një garë të madhe në Ditën e Shëngjergjit, fushës së Fushë Çidhnës, buzë Drinit tek vrapojnë mbi kuaj duke kujtuar se pikërisht atje, në atë fushë historike, ka nga kalin me shpatë në dorë Gjergji i Gjon Dibranit në betejën e parë fitimtare, atë me emrin “Beteja e Torviollit”…
Kartolinën e tretë, Ti midis vajzave që qeshin e gëzojnë, nuk do ta komentoj, është për ty, është një thirrje që ti të bashkohesh me zërin Dibran që ai truall ku ke mbështetur këmbët të mos mbytet….
Dua që një ditë, me gjithë “tutreçkat” televizive, të organizosh një festë të madhe sportive, pikërisht në atë vend ku e ke organizuar tri dekada më parë, në Fushë të Çidhnës me parullën “PO DIBRËS! JO SKAVICËS!”…
Do të jetë krijimi më i bukur i jetës tënde, reportazh që e sheh të ardhmen e Dibrës, natyrale si e ka krijuar Zoti…
Dhe më fto edhe mua…
Do vij në këmbë si erdha atëherë…
Do jetë edhe reportazhi i jetës sime…
Abdurahim Ashiku
Athinë 13 korrik 2020
“”””””””””””””””””””””””