23.5 C
Tiranë
E enjte, 17 Korrik 2025

Abdurahim Ashiku

 

I RILINDUR BASHKË ME “RILINDËSIT E KOHËS SONË”

Një letër në analizë të librit “RRËFIMET E KOMSHIUT” të gazetarit Abdurahim Ashiku

Nga Luan Kaba, ish telekronist, drejtor i Arkivit të Shtetit-Peshkopi

Përshëndetje Abdurahim Ashiku!
Lexova librin tënd të fundit ”Rrëfimet e komshiut”.
Edhe pse me këmbët e mia nuk kam shkelur rrugëve të karvanëve të mërgimtarëve, ikanakët, siç i quan, me kokën pas Fushës së Korabit (O e mjera unë…), a Lëndinës së Lotëve, nga përshkrimet me aq ndjenjë, bëre që të më dukej vetja se po përplasem dallgëve të Adriatikut bashkë me Eduardin e të përlotem për djalin e tij dyvjeçar që e përpiu deti i trazuar i 28 marsit 1997.
Bëre të ndjehem se po dridhem nga acari në kapërcim të maleve të Gramozit, Konicës e Pindit bashkë me komshiun tënd e me të burgosurin në “Ahuret e Avgjisë”, të më dukej se po sfilitem sporteleve të burokratëve komunar, zyrave të O.A.E.DH-it për një “Kartë kazerme” bashkë me atë “Vorioepirotin nga Luma”.
Me rrëfimet më çove e më gëzove atje ku “Gjaku nuk bëhet ujë”, mes arvanitasve të Thivas, në Kaskavelin e autorit të “Gjuhës së Perëndive” Aristidh Kolën e madh, më prezantove me Kiço Bllanin shokun e vjetër të klasës në shkollën e mesme…
Vërtet më bëre të trishtohem për rininë e humbur të Valbonës, të ligështohem për fatin e “Gjeneralit akull” por edhe për atë zogun shtegtar tek tavolina 15.
Më bëre të përbuz edhe afendikonjtë nursëzë, avokatët e ftohtë gjakpirës, ikonat mashtruese por më bëre edhe më shumë të ngazëllehem me mjekun Panajotis, gazetaren Magda, pronarin Spiro që Shpëtimin nuk e thërrisnin Jorgo por me emrin e nënës-Shpëtim.
Siç me ndjenjë, rrokshëm e përshkruan, edhe unë do të desha të isha dëshmitar në “Gjyqin e Shqipes” e të përshëndesja me gjithë zemër mësueset Stela e Denada.
Por do të desha të shihja edhe kur i përmalluar takohesh me Gurjonin, mjaltin e mjaltit. Pse jo edhe të filmoja me kamerën time, si gati 30 vjet më parë në Sorokol, liqenet e Lurës a Kacnisë. Është një galeri e vërtetë personazhesh realë, që frymojnë, mbijetojnë, gjallojnë por edhe lulëzojnë në atë klimë. Me një gjuhë të thjeshtë, origjinale, të pastër, me emrat e vet, ata i ke përjetësuar në histori, në një nga faqetë e trishtueshme të saj, në ata të tranzicionit alla shqiptar, që na bën të ndjehemi ngushtësisht keq.
I nderuar Abdurahim Ashiku!
Me a pa dëshirë, me a pa sakrifica, me apo pa peng të lënë pas, kapërceve mes “Gurëve që lëvizin”…dhe vërtet të shoh të rilindur, bashkë me “Rilindësit e kohës sonë”.
Edhe njëherë dua shumë të të uroj shëndet e jetë, për të vazhduar “qilizmën”, se me siguri ke edhe të tjera, e të tjera për të na thënë.
Urime nga Luan Kaba
Luan Kaba, ish telekronist, drejtor i Arkivit të Shtetit-Peshkopi

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.