“RRUGA E DIBRËS” – DREJT DIBRËS !!!
- Prag përurimi –
Nga arkivi i gazetarit, MARS 1996
- PARK HISTORI
Egnatia, rrugë e lashtë që zinte fill në Adriatikun shqiptar për tu zgjatur e bashkuar me rrugë të tjera të lindjes, po merret sot si trase e lidhjeve të kohës me lindjen, lidhje aq të domosdoshme për popujt sa çdo fjalë e thënë është teprinë.
Egnatia e vjetër në zhvillimet e kohës së vet ka qenë si një lumë me degë të shumta. Një ndër këto degë, më e madhja, ka qenë Rruga e Dibrës, rrugë që niste nga Durrësi e duke kaluar nëpër Tiranë, Shkallën e Tujanit, Klos, Bulqizë, Dibër, Pollog…degëzohej duke sjellë e përcjellë mallra e ushtri pushtuese e çlirimtare.
Dibra, nëpër të cilin kalonte boshti gjeografik e ku ndodhej “Verduni” Arbënor nuk mund të mbetej jashtë interesave të kohës, interesa ekonomike, politike e ushtarake. “Egnatia”, e pranishme në këtë “Qendër” me një degë e shumë degëzime të saj, luan një rol të veçantë si në kohën romake-bizantine ashtu edhe në dyndjet e mëdha sllave e osmane.
Nuk janë rastësi as vërshimet osmane në boshtin rrugor Pollog-Dibër-Krujë dhe as betejat e Skënderbeut në Torvioll (fusha e sotme e Kastriotit dhe Shumbatit) as në Vajkal (lugina e sotme e Bulqizës) dhe as kështjella të tilla të kësaj periudhe si Sfetigradi, Petralba, Stelushi etj.
“Egnatia” dibrane do të ishte “pikë e rëndësishme strategjike” edhe në synimet e njohura serbe të fillimit të këtij shekulli. Nëpër të do të kalonin edhe forcat demokratike të revolucionit të Qershorit të vitit 1924 ashtu siç do të kalonin edhe mercenarët që e mbytën në gjak demokracinë e parë shqiptare në dhjetor 1924.
Historia e të tëra kohëve rrugën nga Durrësi në Tiranë, Klos, Bulqizë, Dibër e quajti me një emër “Rruga e Dibrës”, emër që jetoi në shekuj dhe jeton edhe sot.
- RRUGË ME EMËR – PA EMËR
Në Tiranë, kryeqytetin e Shqipërisë, ka disa rrugë kryesore, rrugë të cilat e lidhin atë me qendra të rëndësishme të vendit.
Në Tiranë ka një rrugë që quhet “RRUGA E ELBASANIT”, ashtu siç ka një të dytë që quhet “RRUGA E DURRËSIT”, një të tretë që quhet “RRUGA E KAVAJËS”…
Ka edhe një rrugë që quhet “RRUGA E DIBRËS”….
Ndryshimi midis tyre është se ndërsa të parat lidhin me të vërtetë Tiranën me Elbasani, Durrësin e Kavajën… ndërsa këto rrugë janë të gjalla, “RRUGA E DIBRËS” është e vdekur, rrugë në thonjëza, në faqe muresh, në adresa reklamash, në adresa njerëzish. Është njëlloj si të gjitha rrugët e tjera në adresat e kryeqytetit.
Rruga e Dibrës nuk shkon drejt Dibrës. Ajo është një rrugë e harruar, një relikte e historisë, një rrugë me emër – pa emër.
- TIRANDAT DHE KOLLANI
Dibra shehër, qytet, mbiquajtur edhe Dibra e Madhe, prerë nga një bisturi makabre në tryezën e operacionit të superfuqive të fillimit të këtij shekulli, prerë në boshtin gjeografik shqiptar në “Verdunin” arbëror do të lidhej me Tiranën dhe Durrësin, jo me “KOLLANIN” e saj të natyrshëm, Egnatian e moçme, por me “tirandat”.
Dibra, trevë e me “Nëntë male”, një “Bajrak” dhe “Topalltinë” (fushën) do të lidhej (në vitet tridhjetë, dyzetë e më pas me Tiranën në shumë drejtime, drejtime që çuditërisht vetëm zgjateshim.
Dibranët do tu duhej të udhëtonin mbi kamionë fillimisht nëpërmjet Strugës. Më pas nëpërmjet Elbasanit e Qafës së Kërrabës. Më pas drejt Burrelit e Rubikut, nëpërmjet Burrelit e Qafë-Shtamës, nëpërmjet Burrelit e Shkopetit, nëpërmjet Qafë-Murrës dhe Lisit, nëpërmjet Lurës e Mirditës…
Në këtë gjysmë shekulli nuk mund të themi drejt Dibrës nuk kanë kaluar rrugë. Vetëm se, po të shikoni skicën hartografike këto rrugë janë piketuar e orientuar larg saj. Ato u ngjajnë tirandave që kalojnë “krahëve” e “qafave”, larg “kollanit”.
Në fund të viteve ’30-të Peshkopia (qendra e trevës së Dibrës pas prerjes makabre të ’13-s) do të “udhëtonte” drejt Tiranës nëpërmjet Muhurrit, Qafë-Murrës e Burgajetit. E hapur që atëherë kjo rrugë nuk do të ishte asnjëherë “Rruga e Dibrës”, ashtu siç nuk do të ishte rruga Gollobordë – Elbasan – Tiranë.
Në Klos, me ndërtimin në kohën e pushtimit italian të rrugës së Bulqizës, rruga nuk do të kalonte asnjëherë nga Shëngjergji as nga Qafë-Shtama por (deri në vitin 1957, me ndërtimin e hidrocentralit të Ulzës) nëpër Rrëshen e Rubik e më vonë nëpër Ulzë e Shkopet.
Në këtë trase (në fillim me “kalldrëm” e më vonë “me asfalt”) do të rridhte një lumë i tërë kromi (në disa vite edhe një milionë tonë) lumë i cili do të bënte një “shtrat” tejet të madh rruge për cilëndo trevë në fatin e së cilës do të ishin “burimet” e tij…
Duhej…dhe…duhet. Ajo që nuk u bë dje duhet bërë sot.
- RRUGA E DIBRËS – DREJT DIBRËS, KËRKESË E KOHËS
“Rruga e Dibrës” duhet të dalë nga thonjëzat, të shkojë drejt Dibrës.
Nuk është një kërkesë e dibranëve të thjeshtë, kërkesë e intelektualëve të kësaj treve të gjerë. Po të ulësh e ta mendosh mirë, në gjerësi dhe thellësi, ajo është një kërkesë e tërë Shqipërisë, është një kovergim i interesave të të gjithë shqiptarëve.
Theksuam se nëpër Klos, nga Dibra dhe Martaneshi, kanë kaluar vetëm krom një milionë tonë në vit. Me paratë e marra nga kromi (vetëm Bulqiza ka dhënë 13 milionë tonë) është ndërtuar Shqipëria, janë ngritur fabrika e hidrocentrale, janë tharë këneta…
Bulqiza me krahët e saj; me Batrën, Krastën, Theknën, Tërnovën, Selishtë, Cerujën…është në lulëzimin e vet gjeologjik. Pohohet se në thellësi të Bulqizës janë lehtësisht të kapshme 6-7 milionë tonë krom i pasur. Pohohen rezerva të mëdha kromi në të gjitha krahët e sipërpërmendur të saj, rezerva të momentit dhe të perspektivës.
Kromi me rezervat e mëdha dhe koniunkturat e qëndrueshme përbën argumentin e padiskutueshëm ekonomik të hapjes së rrugës së Dibrës.
Por kromi nuk është i vetëm. Nëntoka dhe mbitoka e Matit dhe e Dibrës janë teje të pasura me minerale metalorë e jo metalorë, me pyje e vende të mrekullueshme malore. Drejt tyre shkohet me rrugë…
Argumenteve ekonomike mund tu shtojmë edhe shumë argumente të tjera midis të cilave vend kryesor zë ai social…
5.- FJALA ËSHTË PËR PAK INVESTIME E SHUMË INICIATIVË.
U zgjatëm nëpër “tirandat” e “Rrugës së Dibrës” për tu ndalë tek “kollani”, tek “Veza Kolombit”. Fjala tashmë zbret për “pak investime” dhe “shumë iniciativë”.
Vëzhgoni skicën hartografike. Vëzhgoni “tirandën” Klos-Burrel-Ulzë-Milot-Krujë-Tiranë. Vëzhgoni “kollanin” Klos-Zall-Dajt-Tiranë. Pjesa më e madhe e rrugës është e hapur si trase, e shtruar me gurë e zhavorr, e kalueshme për makinat. Vetëm një pjesë e rrugës, një e pesta e saj (treguar me viza të ndërprera) është pa hapur fare.
Specialistët thonë se hapja e saj nuk përbën ndonjë problem të mprehtë teknik.
Fjala është pra për “pak investime”, investime të cilët i paguajnë me grumbull pasuritë e zonave nga kalon rruga.
Fjala është për “shumë iniciativë”, iniciativë të cilën më mirë se kushdo i futet shteti që ekonominë e tregut, pasuritë e mëdha të nëntokës dhe mbitokës së zonave nga kalon rruga i sheh me syrin social.
Është koha që “RRUGA E DIBRËS” të përcjellë makina, mallra e njerëz DREJT DIBRËS dhe më gjerë.
Abdurahim Ashiku
Mars 1996
Zbardhur nga dorëshkrimi në arkivin e gazetarit