9.5 C
Tiranë
E enjte, 16 Janar 2025

Abdurahim Ashiku

Nga arkivi i gazetarit

 

MA SHOVE MALLIN E MA NDEZE BRENGËN KOZMA TRAJA..

 

Ai erdhi me një libër dhe një letër në mes të librit, një libër të mikut tim të viteve të punës me shtypin, të Velo Cfarkut. Erdhi dhe më mori me vete. Jo me librin “Golloborda në optikën e kohës“. As me letrën e Velos që hapte krojet e një dashurie e respekti për t’i lënë të rrjedhin përrenjve të kujtesës. Ato i lash mënjanë, siç lihet sheqerparja dibrane për pas ahengu. I lashë për një herë tjetër…

Ai më mori me vete për të më lënë në Klenjë, në atë vend që ka lindur jo vetëm “inxhinierë asistentë“ dhe mjeshtër të mëdhenj të ndërtimit, por edhe bujq e blegtorë, madje edhe shkencëtarë të prodhimit të farës së patates në gjjeneracione super elitë…

Kur mbaruam mu shua malli…por mu ndez brenga…

 

*  *  *

 

Kozma Traja ! Je nga fisi i njohur i Trajeve të…

Klenjës.

Më the që ke mbaruar pedagogjiken e Peshkopisë në vitin 1968…

Po. Pastaj kam vazhduar shkollën e lartë me korrespondencë në Tiranë, për kimi biologji. Kam punuar si arsimtar kryesisht në Klenjë. Kam qenë edhe zëvendës drejtor i shkollës së mesme të bashkuar të Klenjës.

A ekziston shkolla e mesme e bashkuar në Klenjë ?

Tani nuk ekziston më. Aty nga fillimi i viteve nëntëdhjetë u mbyll shkolla e mesme. Pasi u mbyll shkova e punova katër vjet në Trebisht, në shkollën e mesme të bashkuar të fshatit. Punova atje deri në vitin 1999.

Deri në vitin 1999 ka qenë shkolla ?

Dhe vazhdon të jetë. Por vazhdon si shkollë nëntëvjeçare, jo si shkollë e mesme.

Deri në vitin 1999 dhatë mësim në tetëvjeçare apo në të mesme ?

Atëherë ishte edhe shkolla e mesme.

Po mirë, nga Klenja në Trebisht, me sa e njoh unë distancën edhe po të ecësh me mend lodhesh e jo me këmbë, fushës së Klenjës, fushës së Gjinovecit, të tatëpjetës e të përpjetës së Trebishtit…

Qesh. E njohke mirë rrugën.

Ti ke ecur në këmbë…

Nuk kisha rrugë tjetër. Shkoja tre herë në javë, me një normë të reduktuar, me 18 orë në javë. Shkoja të hënën, të mërkurën dhe të premten.

Në ’99 – ten luajte…

Pastaj vendosa, për arsye familjare të vij në Greqi. Dhe që atëherë jam këtu si emigrant ekonomik. Erdha dhe ngela këtu. Në vitin 2001, kur u hap legalizimi, bëra dokumentet dhe jam këtu.

Gollobordasit kanë pasur një traditë. Iknin dhe ktheheshin. Herët iknin në kurbet deri thellë në Bullgari e Turqi, aq sa për to thonë se “Po të digjej Stambolli ata e ndërtonin krejt të ri, por po të digjej Dibra Stambolli nuk e ndërtonte dot.”  Para vitit 1990 ata ndërtonin Shqipërinë, aq sa thonë se me përjashtim të Kolonjës nuk ka pas krahinë e rreth, vepër të madhe ku të mos ishte dora dhe mëndja ndërtuese e gollobordasit. Iknin dhe familjet i mbanin në fshat. E patën bërë traditë që të ktheheshin për 1 Maj dhe për 10 Korrik ku gjatë një jave bënin dasma, fejesa e martesa… Edhe fëmijët i lindnin me sezone…

Ha, ha, ha…me fushata. Ashtu është. Tani ndryshuan kushtet. Me që jemi larg në emigracion një pjesë i kemi marrë familjet me vete.

Në Klenjë kush ka ngelë ?

Kanë mbetur rreth njëzet familje që merren kryesisht me bujqësi e blegtori.

Fusha e madhe e Klenjës ku nuk ngriheshin patatet besoj se është shndërruar në kullotë…

Pjesa më e madhe është kullotë. Punohet pak. Punohen vetëm tokat rreth fshatit. Nuk ka më ujitje si dikur. Impianti i ujitjes nuk funksionon më. Ishte një impiant modern, me rrjedhje të lirë. E shkatërruan.

Po spitali ekziston në Klenjë ?

As spitali nuk ekziston. As shkolla e mesme nuk ekziston. As postë telegrafa nuk ekziston. Edhe Klenja si qendër nuk ekziston më. Komuna u zhvendos në Trebisht. Klenja ka qenë gjithnjë qendër e zonës, qendër lokaliteti…

Ua paska marrë Trebishti…

Në vitet e demokracisë u treguan më “demokratë“ dhe na e morën (buzëqesh) qendrën. Kjo edhe sepse shumica e popullsisë është atje.

Trebishti, me të tre “bishtat“, në mos i kam harruar – Bala, Çelebi dhe Muçinë, është ndër fshatrat më të mëdhenj të Dibrës…

Është fshati më i madh i zonës, një nga fshatrat më të mëdhenj të Dibrës.

Si e fillove punën në Greqi ?

Si të gjithë të tjerët. Si emigrant.

Ishe mësues. Këtu fillove në zanatin e të parëve ?

Sigurisht ka të bëjë këtu tradita. Ndoqa rrugën e të parëve, të babait tim që ka qenë ndërtues dhe të vëllezërve. Kam dy vëllezër që kanë punuar vazhdimisht në ndërtim.

Ku janë vëllezërit ?

Njeri është në Elbasan, Ilo Traja. Ka qenë inxhinier asistent. Tjetri, Jorgji Traja, është këtu, në Greqi, në Halkidha. Është mjeshtër ndërtimi. Kam edhe një vëlla tjetër, i dyti në radhë, që ka qenë inspektor sanitar për zonën e Gollobordës, Josif Traja. Unë jam i fundit, Kozma Traja. Kam qenë arsimtar, drejtues shkolle…dhe tani emigrant në Greqi me banim në Athinë.

Drejt e në Athinë erdhët në vitin 1999 ?

Drejt këtu.

Si e fillove punën ?

Unë kisha këtu baxhanakun i cili më strehoi, më mbajti pranë. Pastaj, me të njohur, fillova punë me ndërprerje. Më pas gjeta punë në ndërtim. Është pak e vështirë për mua për arsye të moshës.

Sa vjeç je ?

Jam i datëlindjes 1949. I bie 59 vjeç.

Gruaja çfarë pune ka bërë në Shqipëri ?

Edhe ajo ka qenë arsimtare, bashkë me mua. Quhet Petkana por i thërresim Ana për shkurt. Ka qenë mësuese në ciklin e ulët dhe në atë të lartë. Këtu ka nja dy shtëpia, ndihmëse shtëpiake si të gjitha gratë shqiptare në emigracion.

Ke ndërmend të kthehesh në Shqipëri apo…

Sigurisht. Kam bërë një shtëpi në Tiranë. Shpejt apo vonë, nuk besoj se do të rri gjatë, do të kthehem patjetër në Shqipëri. Nuk e ndjej veten rehat në emigracion. Njeriu e ndjen veten rehat atje ku ka njerëzit, ku ka farefisin, ku ka shoqërinë. Këtu nuk mund të formoj shoqëri.

Po me Klenjën të lidh ndonjë gjë ?

Vetëm dashuria për fshatin, për vendlindjen dhe dashuria për njerëzit që kanë mbetur atje.

Ke shtëpi në Klenjë ?

E kam shtëpinë, e mirëmbaj. Isha gjatë verës nja katër ditë, gjeta kohë. Dhe prapë do të shkoj. Nuk e braktis shtëpinë, nuk i le trojet e të parëve. Sa të mundem, sa të jem gjallë.

Mua Klenja gjithnjë më ka pëlqyer, veçanërisht malet e Klenjës dhe të Steblevës, bjeshkët e bukura të cilat i kam shëtitur vend për vend…

E kujtojmë fshatin me nostalgji. Fatkeqësisht është në degradim. Klenja ka qenë qendër e zonës së Gollobordës, me veprimtari të gjerë…

Dhe qendër shkencore për prodhimin e farës së patates në shkallë kombëtare...

Tani, nga rreth njëqind kuadro me arsim të lartë kanë mbetur vetëm dy –tre. Tani kanë mbetur dy arsimtarë dhe një infermiere.

Dy arsimtarë dhe një infermiere ?

Nga 27 arsimtarë që kishte shkolla e mesme e bashkuar.

Po këto dy arsimtarë si japin mësim në tërë shkollën nëntëvjeçare?

Gëzim Çela, mësues i gjuhës dhe i letërsisë, mëson fëmijët e shkollës nëntëvjeçare, nga klasa e pestë në të nëntën. Femi Rapa mëson fëmijët e shkollës fillore.(qesh me dhimbje). Aq sa janë, kuptohet, tre – katër fëmijë. Ka edhe një infermiere.

Atëherë në Klenjë kishte një spital me…

Kishte  dhjetë – dymbëdhjetë vetë personel me dy mjekë të përgjithshëm, me mjek stomatolog, me farmacist, mamie, infermiere, sanitare, personel kuzhine…

E kujtoj. E kam në syrin e kujtesës spitalin dhe njerëzit që shërbenin aty. Faleminderit që më more për disa çaste dhe më çove në Klenjë dhe viset përqark saj…

 

Athinë, 11.02.2008

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.