16.5 C
Tiranë
E dielë, 19 Janar 2025

Abdurahim Ashiku

 

BURRËRIA E NJË GRUAJE

 

Rrëfenjë

 

E takova në një ishull, ose më saktë ma prezantoi një shoku im. Më dha dorën dhe ia dhashë. Përshëndeti me respekt shokun tim, më përshëndeti edhe mua dhe iku. Nxitonte për në punë. Jeta i kishte nxjerr një shkëmb përpara dhe asaj i duhej ta thyente, i kishte nxjerrë një mal përpara dhe asaj i duhej ta ngjiste deri në majë…

Shoku im shfletoi dhe më dha në “dorë ” një fletë nga jeta e saj.

Quhej Rina. Kaq më tha, madje edhe emrin mu duk se ma tha të shkurtuar, ashtu siç ia themi njeri tjetrit në bisedat e përditshme. Mbiemrin nuk ma tha. As unë nuk ia kërkova dhe nuk desha ta dija. Kjo, sepse ngjarja e saj nuk është individuale, vetëm e saj, por është ngjarje që prek dhe përcjell aktualisht shoqërinë shqiptare, përbën si të thuash një bosht të jetës.

Ajo jetonte në një fshat malor, jetonte dramën e zakonshme të familjes shqiptare pa tokë, pa punë e pa burime jetese. Ato burime kishin shterur menjëherë pas rënies së sistemit të vjetër dhe nisjes së sistemit të ri. Puna në gjeologji ku punonte burri u shua. Pyjet që përbënin burimin e madh të jetesës dhe qëndresës së shqiptarëve brez pas brezi mbetën shtetërore dhe në ta u fut dhunshëm sëpata e korrupsionit. Ajo copë toke që kishin si trashëgim, sipas vendimit të komunitetit, shkoi sipas pronësive të vjetra. Familjes së saj i binte rreth njëqind e pesëdhjetë metra katrore tokë për frymë. Katër vetë, burri, ajo dhe dy fëmijët me gjashtëqind metra katrore tokë, nuk mund të jetonin as edhe një ditë.

Hall gjithë këtyre një zënkë, nga ai lloji i zënkave “për një vijë uji  e për një gardh”, jo vetëm e tronditi por edhe e shkuli rrënjësh familjen e saj. I shoqi, në një zënkë banale për një pëllëmbë tokë, u sulmua egërsisht nga fqinji, u godit në kokë dhe po të mos kishte reaguar me të njëjtën mënyrë, do ta kishte lënë këtë botë hallesh. E goditi fqinjin dhe ndodhi ajo që duhet të mos ndodhte. Fqinji vdiq.

Nuk u largua nga vendi i ngjarjes. E prangosën dhe e dënuan me pesëmbëdhjetë vjet burg. Sido që në vetëmbrojtje ai kishte vrarë një njeri dhe ligji veproi ashpër mbi të…

…Erdhi viti i mbrapshtë “Nëntëdhjetë e Shtatë”. U hapën burgjet. Si shumë të tjerë edhe ai la qelinë dhe mori arratinë. Nuk iku vetëm. Mori pas edhe gruan dhe dy fëmijët. U vendos në një zonë të Greqisë ku gjeti punë dhe strehë për familjen. Fqinjët grekë dhe shqiptarë e mbanin si njeri të punës e të nderit. Kjo, derisa një ditë e pikasën dhe i vunë hekurat. E përcollën për të vuajtur dënimin në Shqipëri. Policia e zonës në shkresën përcjellëse nuk harroi të shkruante se ai ishte një njeri punëtor, i sjellshëm dhe një familjar i devotshëm…

Ai tashmë është në Shqipëri, vuan dënimin e asaj që bëri. Gruaja dhe fëmijët janë në Greqi. Fëmijët vazhdojnë shkollën kurse e ëma punon në dy punë, punon për vete dhe për të shoqin për t’i rritur fëmijët me nder e dinjitet, larg veseve e kriminalitetit të kohës…

Rinës (dhe të gjitha “rinave” shqiptare) i është dashur që të jetë për fëmijët dhe jetesën edhe grua edhe burrë…

 

Abdurahim Ashiku

Santorini, 2007

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.