Nga arkivi i gazetarit
BISEDOJMË SHQIP PËR SHQIPEN
– Tre shkrime për SHQIPEN -SHQIP..
Kanë kaluar 55 vjet nga shkrimi im i parë (8 maj 1957) e, në këtë hapësirë të gjerë kohore, të shkruarit dhe të folurit shqip ka bërë rrënjë të thella në shpirtin tim. Nuk kam mbaruar për gjuhësi (provimet e mija për gjuhën shqipe kanë qenë vetëm ato të shkollës shtatëvjeçare), por kjo nuk më ka penguar që ta shtoj ditë për ditë kujdesin për ta shkruar shqipen shqip, të jap (si gazetar profesionist) në vitin 1974 provimin për drejtshkrimin e gjuhës shqipe sipas detyrimeve të Kongresit të Gjuhës Shqipe, detyrim në atë kohë jo vetëm për gazetarët por edhe për korrektorët gjuhësorë në institucionet shtetërore nga baza në majë të piramidës.
Drejtshkrimi korrekt i gjuhës shqipe ka bërë që “Fjalori drejtshkrimor i Gjuhës Shqipe “ (botim i vitit 1976) , “Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe” (botim i vitit 1980) si dhe libri “Drejtshkrimi i Gjuhës Shqipe” (botim i vitit 1976) të jenë pjesë e bibliotekës dhe e tavolinës së punës sime, tashmë edhe në 16 vitet e jetës sime në Greqi.
Drejtshkrimi korrekt i Gjuhës shqipe ka bërë që në kompjuterin tim të kem programin “Gjuha shqipe” të Kosovës, program i cili ma nënvizon me vizë të kuqe çdo fjalë të shkruar gabim.
Në pesë librat që kam botuar, në dy prej të cilave Gjuha shqipe është KRYEFJALË (“Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2” për korrektor letrar kam pas programin kosovar për Gjuhën Shqipe.
Shkas për këtë bredhje jetësore timen u bë shkrimi EDHE NJËHERË “FLISNI SHQIP” të zotit Juli Mema. E përgëzoj Julin për dëshirën e madhe që njerëzit të shkruajnë dhe të flasin shqip.
Përpara se të bisedoj me të shoqërisht shqip për shqipen po i përcjell atij dhe lexuesit të interesuar për të folur dhe shkruar shqip dy shkrime të mijat, replikë dhe mendime të shkruara para afro një dhjetëvjeçari dhe të papranuara për botim.
Në numrin e ardhshëm shpresoj të më pranojë në një bisedë “SHQIP PËR SHQIPEN”, bisedë në të cilën ftoj lexuesit që të bëhen pjesë e saj.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 7 shkurt 2012
BISEDE SHOQËRORE ME BASHKËPUNËTORË, REDAKTORË…
Të jesh gazetar, për më tepër të jesh redaktor nuk është e lehtë, madje, nga përvoja ime e gjatë, do te thosha se puna e redaktorit është më e vështira. Vështirësia rritet në veçanti sot kur redaktorin nuk ka kush “ta korrigjojë ”. Dikur, në veçanti pas vendimeve të Kongresit të Drejtshkrimit te Gjuhës Shqipe, pasi redaktonim shkrimin e ndonjë bashkëpunëtori ia dorëzonim korrektorit letrar. Ky, pasi e vlerësonte çdo fjalë me dijet e tija (dhe me ndihmën e fjalorit drejtshkrimor) ia dorëzonte shefit të sektorit apo kryeredaktorit…
Shoshitja nuk përfundonte këtu. Ajo do të vazhdonte me linotipistin (sot kompjuteristi) që fjalët i derdhte në plumb, me korrektorin teknik, me dezhurnin për t’u mbyllur me “të freskëtin”. Me gjithë këtë sitje të hollë të fjalës përsëri lapsuset dhe gabimet drejtshkrimore nuk mungonin të bënin vend në gazetat qendrore e ato lokale, gabime që fshikulloheshin hidhët në revistën “Hosteni” apo “Tribuna e gazetarit”. Sot tërë kjo “censurë ” e fjalës shqipe është hequr duke ia lënë vendin një përmbytje përmasa mëdha të fjalës së huaj, përmbytje kaq e madhe sa kur lexon gazetat ose dëgjon radiot e televizionet publike e private duhet të kesh pranë vetes fjalorë të gjuhëve të huaja. Dhe jo një, por disa. Nuk përjashtohet nga kjo radhë edhe gazeta jone e vetme, Gazeta e Athinës, gazetë e cila fale stafit të saj dhe të shumë bashkëpunëtorëve vullnetarë, na është pranë në hallet jo të pakta që përcjell jeta e emigrantit “pa plëng e pa shtëpi“.
E nisa me redaktorin dhe përgjegjësitë e redaktorit përpara lexuesit për t’i kaluar shënimet e mija në një hulli jo imagjinar por real.
Kristoja, një miku im i këtyre gjashtë viteve mërgim, mik të cilin nuk e di në se e kam gjetur unë atë ditë shtatori të nëntëdhjetë e gjashtës kur më dha në dorë një makinë shkrimi të markës “ Omodore ” në pjesën e brendshme të kapakut të së cilës ishte shënuar adresa e Kamber Merdinit në Kanada prej ku makina i kishte ardhur si dhuratë, apo me gjeti Ai, një gazetar që prej vitesh i bën nder me shkrimet e tij Gazetës së Athinës, një shkrimtar që i mban të “burgosur” romanet e tij, sa e sa herë më ankohet për prerjet dhe gabimet që përcjellin shkrimet e tij. Shyqyr që shpërthimin e çastit “Nuk do të shkruaj më” shpejt e harron dhe të nesërmen, sikur të mos kishte thënë asgjë, më ofron faqe të reja të shkrimeve të tij plot jetë për t’i “dhënë ndonjë mendim ”….
Disa ditë më parë me dha të lexoj një shkrim të tij prestigjioz, kritikë letrare ndaj krijimtarisë se Moikom Zeqos, botuar në gazetën “DRITA”. Shkrimin e kisha lexuar që përpara se të nisej, me vërejtjen që disa germa që i kishin shpëtuar nga nxitimi mbi tastierën e kompjuterit t’i rregullonte. U befasova, ashtu siç ishte befasuar Ai, nga përgjegjësia që kishin treguar redaktori dhe radhitësi i “DRITA”-s duke i qëndruar besnik shkrimit, një besnikëri duke e lënë çdo germë ashtu siç e kishte shkruar autori. Unë jam kundër një “besnikërie” të tille po aq sa jam kundër gërshërëve që “presin kokën” e lënë “trungun” apo futjes së lapsit për të shuar e ndryshuar fjalë.
Pa e lëshuar gjatë litarin e kullosës po ndalem shkarazi në një shkrim timin botuar ne Gazetën e Athinës të 13 dhjetorit 2002 që redaksia i ka vënë titullin “ Kënga, ambasadorja jonë e madhe ”. Mendoj që këngës, si një gjini, si një krijim, nuk i duhet atribuuar merita e të qenit ambasadore. Kënga shqipe ashtu si edhe vallja burimore apo e përpunuar janë truall Shqipërie, janë fytyra e Shqipërisë, janë vetë Shqipëria, janë si të thuash objektive. Këngëtarët, interpretuesit, kur ata janë në lartësi të tilla që të përcjellin mesazhe të mëdha, siç ishte rasti i Irma Libohovës, atëherë ata bëhen ambasadorë. Irma Libohova erdhi ne Greqi si një subjekt i këngës shqipe, si një ambasadore e saj. Nga këngët që ajo u përcolli drejtpërdrejt spektatorëve vetëm njëra ishte e saj, kënga për vajzat. Të tjerat ishin këngë të njohura që kënduar nga Shkodra në Tiranë, Vlorë, Korçë e tërë Shqipërinë janë bërë pjese organike e vendit. Vlera e Irma Libohovës në veprimtaritë e dy ardhjeve brenda një muaji në Athinë nuk qëndron në të kënduarit e këngës në stadiumin e lojërave me dorë “Sporting” në të dy spektaklet, por në mesazhet që përcolli ajo nëpërmjet fjalës jashtë sallës së shfaqjes, veçanërisht në valët e televizionit MEGA. Për të vlerësuar pikërisht këtë mesazh të saj do të dëshiroja që Gazeta e Athinës të botonte në numrat e ardhshme pjesët më të spikatura të bisedës që Ajo bëri me gazetarët e televizionit grek. Në gazetat tona jo rrallë përcillen biseda në radio e televizion të figurave të politikës sonë, biseda të cilat herë – herë janë kaq monotone e pa thërrime buke sa përtypja e tyre të lodh.
Tani që po shkruaj këto radhe në ekranin e vogël të televizionit satelitor shqiptar në intervistë është një këngëtare e re, ELSA LILA e cila ka ardhur për të përshëndetur festivalin e 41-të të këngës në radiotelevizion. ”Mezi pres të këndoj në skenën e festivalit, mezi pres të jem midis publikut të mrekullueshëm shqiptar, mezi pres…” – thotë Elsa Lila duke qeshur me tërë qelizat e trupit të saj rinor.
Titulli i një shkrimi është në të shumtën e rastit pronë e autorit, është
një sintezë e asaj që ai ka shprehur në shënimet e tij. Ai është relativ, mund edhe të ndryshohet duke e thelluar më tej përmbajtjen që pason por ai nuk duron përmbysje fjalësh si në rastin tonë. Tjetër është të thuash “AMBASADORJA E MADHE E KËNGËS SHQIPE” dhe tjetër është të thuash “KËNGA, AMBASADORJA JONE E MADHE”…
Në shkrim fjala “këngëtare “ me të cilën unë emërtoj Melina Merkurin
është zëvendësuar me fjalën “aktore”. Që Melina Merkuri ka qenë aktore kësaj unë nuk i heq asnjë germë. Po ashtu që Ajo ka qenë edhe politikane, edhe ministre… jam dakord. Por në kontekstin e shkrimit tim ajo citohet jo si aktore, as si politikane por si një interpretuese e një kënge (Djemtë e Pireut) që në ato vite qe bërë një këngë që mbushte në origjinal radiot e gjithë botës, por edhe që e përkthyer në italisht, anglisht, rusisht etj. qe bërë një këngë tepër e dashur. Kështu, futjen e lapsit dhe ndryshimin e fjalës unë e quaj jo të qëlluar nga ana e redaktuesit.
Në redaktimin e një shkrimi apo në radhitjen e tij në kompjuter kujdes i duhet treguar edhe saktësisë së fjalës. Duke i përcjellë lexuesit një fragment nga një intervistë e Irma Libohovës në televizionin e Kosovës unë citoja fjalët e saj se Irma këngët e huaja nuk para i këndon në publik por në “SURDINE”, që do të thotë se ajo i këndon ato “për vete”. Redaktori fjalën ”në surdinë“ e zëvendëson me fjalët “për studim” çka i jep kuptim tjetër tërë shprehjes, kuptim që në rastin tonë e bën shprehjen paksa absurde.
Për gabimet drejtshkrimore të llojit kur emrat e përveçëm shkruhen me germa të vogla dhe të tjera “vogëlsira” nuk e vlen të ndalem. Kjo është një sëmundje e përgjithshme e medies së shkruar shqipe që vjen në të shumtën e rasteve nga mungesa e zinxhirit të kontrollit për të cilin folëm që në fillim por edhe nga papërgjegjshmëria dhe kultura e dobët gjuhësore e autorëve.
Shpresoj që këto shënime stafi drejtues i Gazetës së Athinës t’i marrë si dashamirësi, si dëshirë të një gazetari të vjetër për ta parë këtë gazetë cilësisht lart si në formë po ashtu edhe në përmbajtje. Po ashtu edhe si një thirrje bashkëpunëtorëve të saj që të shkruajnë shqip, me shqipen bashkëkohore me themele në Kongresin e Drejtshkrimit të Saj.
Athinë 15 dhjetor 2002
TË SHKRUAJMË SHQIP DHE… TË FLASIM SHQIP
Bisedë shoqërore me Juli Memën dhe të tjerë…
Edhe njëherë “flisni shqip”, e titullon shkrimin e tij z. Juli Mema. E përgëzoj për këtë nismë me vlerë të madhe për të sotmen dhe të ardhmen e mërgatës shqiptare në Greqi dhe më gjerë.
Një korrigjim do t’i bëja titullit të tij apo të them më mirë një shtesë. Të “flasësh shqip” është një detyrim qytetar (ligjor ende jo sepse Kuvendi i Shqipërisë nuk ka nxjerrë ende një ligj që të dënojë të gjithë ata, nga maja deri në bazë të piramidës shtetërore, nga Presidenti, Kryeministri, kryetarët e partive politike, etj.). Kjo duhet të jetë detyrim për radiot, televizionet, Kuvendin, tërë vetët në strukturën zyrtare që del me figurë e zë në ekrane apo në valë radiosh. Për ata që shkruajnë, për ne që i themi vetes publicistë, gazetarë, bashkëpunëtorë, detyrim është “TË SHKRUAJMË SHQIP” dhe thirrja që duhet të bëjmë është “SHKRUANI SHQIP”!
Personalisht mundohem që të “Shkruaj shqip”, ta shkruaj gjuhën shqipe sipas rregulla të vendosura në Kongresin e Gjuhës Shqipe . Vite më parë që të shkruaja shqip me sa më pak gabime, me fjalën e bukur shqipe duke larguar fjalët e huaja, mbi tavolinën e punës kisha “Fjalorin drejtshkrimor të gjuhës shqipe” dhe “Fjalorin e Gjuhës Shqipe” botime këto në ndihme të gazetarëve, daktilografistëve dhe korrektorëve gjuhësorë që ishin pjesë e institucioneve zyrtare shtetërore. Tash kur shkruaj në kompjuter dhe kam të regjistruar programin kosovar “Gjuha shqipe.com) fjalorët i kam lënë mënjanë. Programi më nënvizon me të kuqe të gjitha fjalët e huaja që nuk janë pjesë e fjalorit elektronik. Mbi këto fjalë godas me të djathtën dhe bëj korrigjimin e rastit. Për lexuesin që nuk e kanë programin “SHQIP NË KOMPJUTERIN TUAJ” po përcjell një pamje të tastierës dhe të rregullave që duhen ndjekur për të bërë sa më pak gabime drejtshkrimore. E kam përcjellë edhe kohë më parë për lexuesin e Plus Gazeta Athina dhe po e përcjell përsëri.
Duhet ti pohoj Julit se ai e shkruan gjuhën shqipe bukur, rrjedhshëm dhe me pak gabime drejtshkrimore. Them “me pak gabime drejtshkrimore” sepse shkrimi i tij, i kaluar në programin “Gjuha Shqipe.com” nga ana ime, më nxjerr disa gabime.
Po i përcjell ata:
patur – pasur, une – unë, nëpërjmet –nëpërmjet, dokumenta – dokumente, paragrafet – paragrafët, humbisnin – humbitnin, cfarë – çfarë, GjURMIMIME – GJURMIME, egzistonte – ekzistonte, Gjuhes – Gjuhës, propoganduar – propaganduar, asnjëherësi – asnjëherë si, ështe – është, ndonje – ndonjë, thoja – thosha, fillojne – fillojnë, egziston – ekziston.
Të shkruash shqip nuk është e lehtë, të gjesh fjalën e duhur shqipe, nuk është e lehtë, kjo si për ata që kanë mbaruar universitetin për gjuhë dhe letërsi, dhe për më tepër, për ata (fus edhe veten time) që mësimet e fundit për gjuhën shqipe i kanë bërë në vitet e shkollës shtatë apo tetëvjeçare.
Ju i nderuar Juli keni marrë të analizoni shkrimin e Kristo Zharkalliut, të kërkoni dhe të gjeni gabimet ortografike (drejtshkrimore) dhe të tjera. Shumë mirë keni bërë. Kristo Zharkalliu është lëvrues i gjuhës shqipe që bën gabime drejtshkrimore, madje shumë, por jo më shumë se sa gabon shkruesja në faqen fqinj të shkrimit të tij ku Gjuhën Shqipe shkruan me 34 germa, i heq arbitrarisht germat ë (Ë) dhe ç (Ç). Është ky një faj ndaj Gjuhës Shqipe që i përfytyruar sipas asaj që vini për titull ju “EDHE NJËHERË “FLISNI SHQIP”, i folur në radio, në televizion, në bisedat e përditshme do të ishte një tmerr i vërtetë. Në të shkruar këtë gjë lexuesi e anashkalon për faktin e thjeshtë sepse lexon me sy, pa zë. Të shkruarit e gjuhës shqipe pa ë (Ë) dhe pa ç (Ç) jo vetëm nga Ajo por edhe shumë të tjerë në shkrimet e tyre, jo vetëm në Plus Gazeta Athina, por edhe në të gjitha gazetat në Shqipëri fatkeqësisht është i pranishëm. Fatmirësisht nuk është i pranishëm në të folurit në radio e televizion.
Ta shkruash shqipen me 34 germa, të shuash vendimet e Kongresit të Manastirit më e pakta është mungesë kulture gjuhësore dhe më e shumta një krim gjuhësor. Kjo është e para që duhet të na shqetësojë për të vijuar më tej edhe në gjera të tjera, po aq të detyrueshme për ta shkruar shqipen-shqip.
Se si shkruan dhe çfarë fjalësh shqip sjell Kristo Zharkalliu në faqet e shtypit shqiptar më shumë dhe më mirë se e di unë, kjo në saje të leximit në dorëshkrim kompjuterik të romaneve, novelave, reportazheve, portreteve, shkrimeve të tij, nuk e din askush. Të korrigjosh Kristo Zharkalliun që ka vite që ka hyrë në dhjetëvjeçarin e tetë të jetës për drejtshkrimin e gjuhës shqipe përpara se të analizosh dhe kritikosh të tjerë që e shkruajnë Gjuhën Shqipe me 34 germa për mua është të trokasësh jo në derën e duhur.
Kristo Zharkalliu ka ardhur në Greqi 51 vjet më parë. Ka ardhur me bagazhin gjuhësor të shtatëvjeçares së viteve ’50-të, më se dhjetë vjet përpara se të publikoheshin rregullat drejtshkrimore të Gjuhës Shqipe. Kristo Zharkalliu është i martuar me greke, ka një djalë dhe vajzë që kanë mbaruar universitetin në gjuhën greke por që me babanë e tyre, në çdo mjedis flasin shqip, flasin gjuhën e babait krahas gjuhës së nënës. Një rast që bën kontrast të thellë me ato probleme të të shkruarit dhe të folurit shqip nga emigrantët shqiptarë, nga burrat, gratë, të rinjtë, të rejat por veçanërisht nga fëmijët që tash mund të them ”me laps të mprehur mirë” se janë në skaj të humbjes së gjuhës shqipe dhe të identitetit shqiptarë, po bëhen “diasporë”, po quhen “me origjinë shqiptare”.
Kristo Zharkalliu, për mendimin tim, është nga ata publicistë që ka nevojë të ketë pas jo vetëm programin kosovar “Gjuha shqipe.com” (të cilin nuk e ka) por edhe korrektorin gjuhësor dhe letrar për të korrigjuar gabimet drejtshkrimore por edhe gabimet në ndërtim të ndonjë fjalie e të vendosjes së shenjave të pikësimit.
Problemi i të folurit dhe të shkruarit shqip në radhët e mërgatës së re shqiptare në Greqi ka vite që është shtruar për zgjidhje. Personalisht hapat modestë të kërkesës për hapjen e shkollave shqipe në Greqi, shkolla të mësimit plotësues të saj, i kam ndjekur me shkrime, me fotografime dhe me dy libra (Rilindësit e kohës sonë” dhe “Shkolla shqiptare e Athinës-Rilindësit e kohës sonë-2” dhe me shkrimin “Gjyqi i gjuhës shqipe në Athinë”- 22 janar 2010) që nga viti 1998 kur edhe u bë legalizimi i shqiptarëve. Hapat ende janë modeste, vullnetare, në dëshirë të atyre njerëzve që siç i cilësoi Dritëro Agolli në një bisedë me të, ”RILINDËSVE TË KOHËS SONË”. Pushteti dhe shteti shqiptar, me gjithë detyrimin kushtetues (Neni 8 pikat 1,2 dhe 3 dhe Nenit 57 pika 1) në këto 14 vjet legalizim të shqiptarëve në Greqi, përveç ndonjë Abetareje dhuruar nga botuesit, asgjë nuk ka bërë. Gjuha shqipe po shpëlahet nga truri i shqiptarëve, gjuha e folur dhe gjuha e shkruar.
Një natyralist i njohur në botë, që jetoi në kalim të shekullit XIX dhe XX, kishte për divizë: “Të mos presim lëmoshë nga natyra, t’ia rrëmbejmë asaj, kjo është detyra jonë”. Për mua, për ta shkruar dhe folur mirë Gjuhën Shqipe duhet deklaruar “Të mos presim lëmoshë as nga shteti shqiptar, as nga shteti ku jetojmë, ta mësojmë Gjuhën Shqipe, kjo është detyra jonë historike”
Përshëndetje i nderuar Juli! Është kënaqësi për mua që si një njeri i moshës së tretë shkrova shqip me një të ri që e ka dëshirë të madhe shpirtërore ta shkruaj shqipen-shqip. Shpresoj që ta tërheqim “penën zvarrë” edhe për të tjerë.
Abdurahim Ashiku
Athinë 12.02.2012