Nga arkivi i gazetarit
DIMRAT E ASHPËR NË JETËN TIME
Shënime në kohë e hapësirë…
Këtë udhëtim shpirtëror nuk do ta bëja sikur në një lajm televiziv të mos flitej për një kryetarë komune diku në malet e Dibrës që nuk gjendej midis zgjedhësve të tij, në krye të detyrës, por në shtëpinë e tij në kryeqytet (!?)
Këtë kërkim në vite nuk do ta bëja sikur në një lajm televiziv me figurë të mos shihja një deputet e një ministër të shumicës me kostum e kollare në një zyrë me kondicioner në Gjirokastër tek kërkonte të dinte për gjendjen e krijuar nga dëbora e madhe(!?)
Këtë udhëtim dimrave më të egër të shtatëdhjetë dimrave të jetës sime nuk do ta bëja sikur Kuvendi i Shqipërisë të shpërndahej dhe kuvendarët të shkonin pranë votuesve të tyre, sikur kryeministri të vishte xhupin e mbathte këpucë me bateri për të shkuar në vendlindjes e tij në Tropojë me helikopter, sikur socialistët e Vlorës dhe të Beratit nuk do të bënin pazare krahinore dhe tu thoshin deputetëve të tyre: NISUNI! Njërit për në Kukës e tjetrit për në Korçë atje ku njerëzit këto ditë kanë nevojë për fjalën që ngroh më shumë se zjarri (!?)
E bëra sepse shpirtërisht e ndjej veten atje, në vuajtjen e njerëzve rrethuar nga dëbora e madhe dhe akulli i zi…
+ + +
Dimër 2012! Më i ashpri i shekullit të ri. Po e përjetoj nëpërmjet ekranit të vogël dhe tregimeve kallkan të ngrira që më vijnë nga larg.
Djali i madh Altini, e shoqja e tij Erjeta dhe nipi im i vogël Erali ishin nga 3 – 10 shkurti në shtëpinë tonë në Athinë. Erdhën për 30 vjetorin e djalit të vogël Indritit duke na sjell gaze e hare. Nuk munda të shëtis me nipin tim të dashur, nuk munda ta çoj në një mjedis me lojëra për fëmijë e me kafshë të gjalla. Të ftohtit na e mbylli derën. Ikën të premten në mbrëmje, ikën në një të ftohtë me dëborë e shi pa pushim. Pas pesëmbëdhjetë orësh rrugëtimi të vështirë kishin arritur në Tiranë…
…Kristos i vdiq e motra. U nis për në Korçë. E ndoqa nëpërmjet celularit në udhëtimin e tij. Nuk mu ankua në vajtje. Nuk qëndroi veçse një ditë, një ditë që ai e regjistroi në kujtesë respektin e gjerë të Korçës mbarë për motrën e tij. Një ditë dimri të paparë për të. Dimër me borë dhe suferinë, me erë polare që të merr frymën. Ndoshta për atë ditë Ai do të shkruajë vetë me atë penën e tij që di të futet thellë si në të ngrohtat po ashtu edhe në të ftohtat e jetës…
…Unë kam lindur, siç më thoshte nëna, ”pesë ditë para Ditës së Verës” për tu regjistruar “pesë ditë pas Shëngjergji”. Kam lindur në kohë lufte, në ditët kur Italia Fashiste përgatitej për të pushtuar Dibrën e Madhe nën zgjedhën serbe. Kam lindur në skaj të një dimri të ashpër, atëherë kur dëbora nis të shkrihet me vrull e Drini i Zi në këmbë të Brezhdanit hap krahët e përmbyt fushën e bukur të Çapit. Luginës së Drinit dimrat vijnë paksa më të butë se sa maleve të Dibrës. Të butë kur bie borë por të egër kur vendin e mbulon mjegulla. Dimrat në Luginën e Drinit kur zbret mjegulla mos i jetofshi…
Prej atëherë kam kaluar shtatëdhjetë dimra, disa dimra shumë të ashpër, të egër, kallkan të ftohtë, akullzi, sa kur i kujtoj edhe sot më ngrin palca e kurrizit.
+ + +
I pari ka qenë ai i viti 1954. Dimër në një kohë të vështirë kur ende buka ishte në penën e legjendave të Migjenit e kur triskat e ushqimit dhe veshmbathjes vetëm për qytetarët dhe “reciproku” për fshatarët ishin e vetmja ndihmë e jetës. Atëkohë vazhdoja shkollën shtatëvjeçare.
Udhëtoja në këmbë rreth një orë, nga Brezhdani në Peshkopi, mbathur me opinga lope. Opingat e llastikut përbënin luks, për të mos folë për “këpucë” sajuar nga kopertona goma makinash…
Dimri me dëborë dhe akull erdhi pas pushimeve të Vitit të Ri, një dimër i egër, me dëborë që kapi metrin në Luginën e Drinit e u bë mullar në male, me temperatura të ulëta që zbritën edhe poshtë 20 gradëve pas zeros. Atë kohë mbaj mend se në përpjekje për tu kthyer në vendin e punës pesë persona, mes tyre mësues që vinin nga Tirana për në vendin e punës, i ngriu të ftohti dhe akulli i Qafës së Buallit, poligoni i erërave, i dëborës dhe akullit të Dibrës.
Kur të ftohtit ra dhe shkollat u rihapën, për të shkuar mëngjeseve në shkollë, ndiqnim pas nëpunësit e punëtorët të cilët kujdeseshin në udhëtimin drejt qytetit. Mbaj mend që një mëngjes, një shoku im që e kishte përcjellë mëngjesin me gjizë me speca djegëse, pasi piu ujë në një çezmë që rridhte atje ku po ndërtohej hotel turizmi, një curril uji i rrodhi mbi rroba dhe sakaq u kthye në një gajtan akulli që shpejt zbriti deri në majë të opingave.
Kaq ftohtë ishte. Dimri i vitit 1954 edhe sot mbahet mend si një nga dimrat më të egër të shekullit të kaluar…
Dimrat e tjerë, deri tek ai i dhjetorit të vitit 1967, nuk i kam jetuar. Si nxënës në Fier dhe më vonë si student në Tiranë u largohesha pushimeve të dimrit në gjirin e familjes. Dimri me dëborë dhe akull, por edhe transporti vetëm me një autobus në ditë (hajde të gjeje biletë) më bënin ose të rrija në konvikt, ose të ngjitesha me pushime në Dajt midis alpinistëve në kursin dimëror të alpinizmit, ose të merrja ndonjë fletë kampi nga Bashkimet Profesionale, shumë e lirë për dimër, dhe të pushoja në kampin e punëtorëve në Durrës…
+ + +
I egër, i ashpër por i mbushur me një heroizëm të paparë popullor vjen dimri i vitit 1967-1968…
Më 30 nëntor udhëtoja nga Tirana në Peshkopi. Ora kur tërmeti i njohur lëkundi egër Dibrën dhe Librazhdin do të më ketë zënë në autobus diku aty nga Fushë Kruja. Nuk e ndjemë lëkundjen që kish ardhur deri atje. Pamjen e vërtetë të asaj katastrofe të natyrës do ta jetonim kur ramë luginës së Bulqizës, kur pamë se si ishin rrafshuar shtëpitë e çadrat e urgjencës kishin mbirë Grykës së Madhe, Grykës së Vogël e Maqellarës.
U goditën 8 lokalitete nga Klenja deri në Peshkopi e Fushë-Alije, 88 fshatra nga Sebishti në Majtarë, u dëmtuan 3536 shtëpi nga të cilat prishur fare 436 shtëpi banimi, 527 shtëpi që duhej tu ulej kati, 73 shkolla nga të cilat 16 të shembura fare, 6 spitale e shtëpi lindjeje, 34 dyqane, 22 magazina, 18 stalla e hangarë dhe mbi 1000 shtylla të rrymës elektrike. Mbi të gjitha kishte humbje njerëzore: 11 të vdekur dhe 131 të plagosur. Të vdekurit ishin: 2 në Fushë-Bulqizë, 6 në lokalitet të Klenjës, 1 në Maqellarë dhe 2 në Ostren…
Tri ditë më pas do ta gjeja veten të strehuar në sallën e madhe të shtëpisë së kulturës në Çernenë të Maqellarës. Mësues në shkollën e mesme bujqësore, do të isha bashkë me nxënësit dhe kolegët e tjerë pjesë e aksionit të madh popullor për zhdukjen e pasojave të tërmetit, do të shembnim katet e disa shtëpive të dala të pabanueshme, do të gatuanim llaç gatuar me çimento e kripë nën temperatura afër dhjetë gradë nën zero…
Do të zbutej disi koha e unë një ditë do të udhëtoja përsëri për në Tiranë në një takim që “Zëri i Rinisë” bëri me korrespondentët vullnetarë dhe letrarët e rinj. Në kthim Bulqizën do ta kaloja në mesditë për të “ngrirë” një natë të tërë në Krajkë. Rrugën nga Krajka në Shupenzë që nuk është më shumë se pesë kilometra do ta bënim për 18 orë. Dëbora, akulli, makinat në ndihmë të njerëzve për likuidimin e pasojave të tërmetit të mbetura në mes të rrugës na i ngrinë gjymtyrën e mavijosën trupin. Asokohe nuk flitej për ngrohje e kondicionerë në autobusë. Erën dhe të ftohtit nuk mund ta pengonin xhamat e puthitur keq. Në Shupenzë, pasi qëndruam dy orë për tu ngrohur, u nisëm tash me një “stalinjec” përpara traktoristi i të cilit kishte urdhër të shmangte çdo makinë të mbetur në rrugë. Lëvizja e autobusit plot me pasagjerë, mes të cilëve gra e fëmijë, ishte në vëmendjen kryesore të Shtabit për Likuidimin e Pasojave të Tërmetit. Dhjetë kilometrat që ndajnë Shupenzën nga Maqellara i përshkuam për dymbëdhjetë orë. Atje u ndalëm. Qafa e Qenokut nuk mund të kalohej natën. Zbritëm nga autobusi dhe u futëm në një nga zyrat e shtabit të Maqellarës ku një sobë llamarine ishte skuqur nga djegia e druve. U ngrohëm, dremitëm ulur në stola e karrige, gjithnjë nën kujdesin që soba të ishte e skuqur. Në orën 9 të mëngjesit u nisëm nga Maqellara në drejtim të Peshkopisë. Dëbora kishte pushuar dhe dielli ishte ngritur mbi majën e Kërçinit. Rrugës na printe një traktor. Të tetëmbëdhjetë kilometrat që ndajnë Maqellarën nga Peshkopia i bëmë për shtatë orë.
Në orën katër pasdite zbritëm tek ndërtesa e postës…
Dhjetori i vitit 1967 ishte një nga dimrat ku heroizmi popullor në përballimin e dëborës dhe akullit dhe në rindërtimin dhe ndërtimin e shtëpive dhe objekteve social kulturore nuk ka shok në historinë e Shqipërisë…
+ + +
…Dimrat e tjerë do të vinin disi të butë, dimra që as unë e askush nuk i mban mend dhe as i përmend. Sigurisht për ngjarje të mëdha se ngjarje të vogla, të lidhura veçanërisht me raste lindjesh e udhëtimesh të ekipit të mjekëve të spitalit të Peshkopisë në zona të thella, përshkruar këto në faqet e gazetës Ushtima e maleve”…
… Por ai që nuk e harroj është dimri i vitit 1985. Atë dimër e kam jetuar si asnjë dimër të jetës sime. Atë dimër e kujtoj edhe me dhimbje edhe me krenari. Ishte një dimër që përmendet gjerësisht këto ditë, një dimër që nuk mund ta harroj kurrë.
…Punoja në aparatin e një institucioni me rëndësi të rrethit të Dibrës. Dëbora erdhi e beftë menjëherë pas vitit të ri, një dëborë e dendur që vazhdoi qetë-qetë për ditë të tëra. Për të qenë pranë njerëzve në ditët e vështira na shpërndanë në të gjithë rrethin, nga Stebleva në Lurë e Kala të Diodës, punonjës të aparatit të Partisë në pushtet, të Komitetit Ekzekutiv, të organizatave të masave, të ndërmarrjeve ekonomike. Në drejtim të zonave të ndryshme të rrethit lëvizën menjëherë njerëz, traktorë për hapjen e rrugëve, kamionë të rëndë të parkut automobilistik.
Mua së bashku me Hysen Lushin më dhanë adresën drejt Luznisë, Muhurrit dhe Selishtës. Detyra jonë ishte të takonim njerëz, të njihnim nga afër hallet e tyre, të ndihmonim shtabet e ngritura në shkallë zone e fshati, të informonim për ndihmë në raste urgjente…
U veshëm me ato që kishim, këpucë me qafa, xhup dhe kokore nga jashtë e me të triko e të brendshme të trasha nga brenda.
Rrugën nga Peshkopia në Katundin e Ri, rrugë që në kushte normale nuk e kalon një orë në këmbë (me orë në këmbë, në kushtet e atëhershme të rrugëve jo vetëm në dimër por edhe në verë i matnim atë kohë udhëtimet) e bëmë për katër orë. Dëbora e dendur i mbulonte shpejt gjurmët dhe na u desh të çanim përpara herë njeri e herë tjetri, djersirë nga avulli i ecjes. Në Katund të Ri u njohëm me gjendjen, u takuam me shtabin e ngritur, shkuam në dyqanin e fshatit, në depon e rezervave për kohë të veçantë, në shkolla e kopshte, në stalla, nëpër shtëpi, morëm pjesë në heqjen e dëborës nga çatitë, dëborë që zëvendësohej thuajse menjëherë me dëborë të re.
Dy ditë i kaluam në Luzni, midis njerëzve, në ngrohtësinë që sillte solidariteti mes tyre, përballimi i vështirësive. Të tretën morëm rrugën drejt Muhurrit, një rrugë që shoqëron Drinin atje ku ai zgjerohet për tu kapur herë pas fushës së Katundit të Ri në njërën anë e herë pas fushave të Cetushit, Ushtelencës e Çapit, fushës së gjerë të Brezhdanit. Drini i Zi e ka emrin por në bardhësinë e dëborës që mbulonte tokën, në deltën e tij ngopur edhe nga ujërat e liqenit të Dibrës së Madhe nën Jugosllavi, portat e të cilit ishin hapur, në sfondin e bardhë të dëborës thirr i zi dukej. Binte dëborë të cilën kësaj radhe, në sajë të ruspës pastruese të traktorit të I. Dërnovës, e kaluam më lehtë, e bëmë për tri orë kur zakonisht kalohej për pak më shumë se një orë.
…Në Muhurr u bëmë dëshmitarë të një solidariteti brenda lagjeve. Mulliri kishte ngrirë e ishte e pamundur të bloje drithë. Në këto kushte kishte nisur këmbimi i miellit mes familjeve dhe i ushqimeve të tjera. Dibranët kanë krijuar në shekuj një ligj të brendshëm për të përballuar dimrat e egër. Për ta Shëmitri është kufiri kur secili duhet të ketë pranë shtëpisë sasinë e barit, kashtës, dushkut për bagëtitë dhe zahirenë e dimrit për tërë familjen, zahire që përmban jufkat, bollgurin, trahananë, thasët rezervë me miell, turshitë, specat me gjizë, fasulen, orizin, sheqerin, kripën, vajgurin, gjithçka duke përfshirë drutë e dimrit. Është kjo që edhe në dimra të tjerë, edhe sot, Dibra nuk e vuan shumë dimrin.
… Kur dëbora e ndali paksa hovin e parë vendosëm të udhëtojmë drejt Selishtës, fshatrave të Grykës së Murrës ku ishte edhe synimi ynë. U ngjitëm nga Muhurri në Minierën e Mermerit ku me përjashtim të rojeve dhe magazinierit nuk kishte njeri. Aty ndërrova këpucët e mija me qafa që kishin hapur gojën me një palë çizme të përdorura llastiku. Mendova se me to do të udhëtoja më mirë, të paktën do ti shpëtoja lagështisë që më hynte poreve të këpucës nga shkrirja e flokëve të dëborës, por më doli më keq. Dhëmbëzat e çizmeve ishin rrafshuar nga çaklli i mermerit dhe të përpjetën e thepisur deri në Bufull mu desh të bëj “një hap para e dy hapa mbrapa”, kaq shumë rrëshqisnin çizmet. Pas gjashtë orë udhëtimi në gjurmë të njerëzve që atë ditë nuk ishin mbuluar nga dëbora, arritëm në Selishtë. Puna e parë që bëra ishte ndërrimi i çizmeve me këpucë e pece ushtarake, lëkura e të cilave i thithte flokët e dëborës por të paktën nuk rrëshqisnin. Kurrë gjatë atij udhëtimi nuk mu hoq lagështia dhe të ftohtit deri në thonj. Çorapet, pecet, këpucët, rrobat, çdo natë do ti thanim pas sobave që kudo i gjenim llamarinë skuqur.
Natën e kaluam në krye të Lukanit, tek Bruçet, pasi ishim takuar me shtabin e fshatit, kishim parë një për një depon e rezervave shtetërore në Lunarë, dyqanin, stallat, bazën ushqimore, shkollën, kopshtin, gjithçka që lidhej me jetën në ato ditë dimri të ashpër.
Të nesërmen, tashmë nën një diell që tek reflektohej mbi dëborën e bardhë të merrte sytë, kaluam qafën dhe zbritëm në Murrën e Vjetër për të zbritur në Qafë Murrë e për të bujte në familjen mikpritëse të Lalajve.
Të nesërmen pasi pamë gjendjen në shkollën e mesme në Lunarë e anashkaluam Kacninë pasi morëm informacion se gjithçka ishte në rregull u ngjitëm në krye të katundit të Selishtës për të qenë sa më afër Pratit, qendrës ku pritej lënda drusore për ngrohje, për lëndë ndërtimi e për shtylla miniere. Nuk mund të rrinim pa u takuar me sharrëxhinjtë e maleve
I lamë pas Katër Grykët e Murrës për t’iu ngjitur maleve të Pratit. E lamë në një ditë nën shkëlqimin e rrezeve të diellit. Dëbora kishte pushuar por nuk kishte pushuar zbritja e temperaturave që kapnin 12-15 gradë nën zero. Ngjiteshim e ngjiteshim duke hedhë hapa mbi hapa të tjerë, hapa sharrëxhinjsh që i ishin ngjitur malit me sëpatë e motosharrë. Kaluam Pratin, atë rrafshinë të mbuluar nga bardhësia e trashë, u ngjitëm nëpër një pyll të ri, midis filizash ahu fill pushke të drejtë. Morëm anash kanalit që verës përcillte ujin e liqeneve të Kacnisë drejt tokave të Selishtës, Lishanit e Bllacës kurse dimrit përcillte ujë drejt rezervuarit të Bllacës që më tej, me sifon, kalonte Drinin për të ujitur tokat e Dovolanit dhe Maqellarës. Nën cipën e akullt dëgjohej gurgullima e ujit. Për këtë kanal, për liqenet e Kacnisë, liqene me një bukuri që konkurrojnë me ato të Lurës kisha kujtime të bukura verore…
Ngjiteshim e ngjiteshim nën një diell që herë fshihej midis aheve të lartë e herë na i përplaste në fytyrë rrezet nën reflektimin e bardhësisë. U ngjitëm derisa zhurma e motosharrave dhe goditjet e sëpatave do të na vinin në sy njerëzit e paepur të maleve të lartë, sharrëxhinjtë. Një bukuri pune që nuk ka se si të të mos ngjitet në zemër e të të ngazëllojë çdo qelizë të trupit. Biseduam me ta, biseda që i hodha në një bllok të vogël si dëshmi e gjallë për reportazhin që kisha vendosur t’ia përcillja gazetës lokale “Ushtima e maleve”, reportazh që do të vijonte në dy numra të saj.
Pasi hëngrëm drekë me ato që kishim në trastë morëm rrugën e zbritjes, rrugë që binte thikë nga malet e Pratit në fshatin e Lishanit të Epër të Luznisë. Sharrëxhinjtë, shumica nga fshatrat e Luznisë kishin çarë dëborën e kishin hapur një rrugë që po të mos kujdeseshe me siguri do të thyeje këmbën e do të duheshin një skuadër burrash për të të zbritur poshtë e përcjellë në spital. Ata kishin ecur në gjurmë të njeri tjetrit. Gjurmët ishin thelluar aq shumë në dëborën e ngrirë sa të dukej se vishje e zhvishje këmbët me gjithë këpucë në “çizmen” e krijuar. Në zbritje të thepistë, po të humbje ekuilibrin, në pamundësi për të tërhequr këmbët nga “çizmja” thyerja ishte e pranishme…
Në perëndim të asaj dite me diell zbritëm në Lishan të Epër tashmë rrugë hapur nga traktorët për të kaluar natën në Lishanin e Poshtëm…
…Të nesërmen do të ndiqnim “tunelin” e dëborës për të arritur në qytetin e Peshkopisë pas dhjetë ditë udhëtimi mbi bardhësinë e maleve.
Kam mall tash që e kujtoj atë udhëtim, më të bukurin udhëtim të jetës sime, udhëtim që do të desha ta bëja këto ditë të vështira të dimrit 2012, udhëtim i pa mundur fizikisht për të 71 vjetët e jetës sime….
…Fizikisht e bëra kur isha në prag të 44 vjetëve jetë.
…Shpirtërisht po e bëj tani në vitin e 71-të të jetës sime.
Abdurahim Ashiku
Athinë, 11 shkurt 2012.