10.5 C
Tiranë
E premte, 15 Nëntor 2024

Abdurahim Ashiku

 

Kujtesë

GJAKHUMBURIT E JETËHARRUARIT NË KËRKIM TË FLORIRIT…

Në vlerësim të heronjve të nëntokës, në përvjetorin e Minierës së Kromit Bulqizë.
• Njerëz të lirë që dhanë jetën galerive të kromit…
• Njerëz të burgosur që dolën në “liri” në një mënyrë që askujt mos i ndodhtë…
• Njerëz që kur hynin galerive uronin: “Dalshim shëndoshë”…

Gjakhumbur e jetë harruar, mbledhur në një libër që tash pesë vjet askush, nga ata “kushët lart”, nuk e ka marrë në dorë, pa le ta shfletojë, të lexojë jetët e të kërkojë gjakun pikuar e rrjedhë honeve të errëta të nëntokës.
Mbase ky libër duhet të ishte (dhe të jetë) në tryezën e atyre që ”shkruajnë e shuajnë germa e fjalë” në tepër të përfolurin “projekt-ligj” në këto 27 vite… “Statusin e minatorit”!
Ymer Keta, minator, shkrimtar, publicist NJERI me germa kapitale duke iu drejtuar në 65 vjetorin e Minierës së Kromit të Bulqizës, lexuesve (mirë do të ishte t’i drejtohej Kuvendit) shënon:…
“Në ato ditë të vështira, kur pushka me gjalmë kërciste në male për çlirimin e vatanit e gjaku i derdhur mbushte lumenj, nuk pati më shumë viktima se sa në Minierat e Kromit Bulqizë e Batër, apo edhe në ato të bakrit e të qymyrit, pas çlirimit, lubi e pangopur në jetë njerëzish varrosën minatorë në galeritë e nëntokës, por edhe në sektorë të mbitokës jo pak djem nënash nga zonat e Dibrës, të Matit, të Mirditës dhe nga e gjithë Shqipëria”.
Gazetar e publicisti Sali Ymeri, njohës i minierës së Bulqizës si punonjës i “Avari shpëtimit” duke pyetur se si lindën këto kujtime shkruan…
“ E marr me mend se ç’ka përjetuar ky ish minator, sot shkrimtar, në moshën më të bukur, kur ka punuar në galeritë e minierës në vitet 1969-1975, në ato mëngjese, pasdite apo turne nate në ato galeri të frikshme. Autori kujton ato shokë, miq e të afërm, me të cilët përshëndetej në fillim të turnit: “dalshim shëndoshë”!….
Dalshim shëndoshë!
Një fjali që edhe legjendat dridhen e ngrijnë qelizash rrëfimore.
Dalshim shëndoshë!…
Edhe në luftë, në ato beteja që e kanë shkatërruar shoqërinë njerëzore, kjo fjali nuk është shkruar e dëgjuar të dilte nga kordat zanore njerëzore.
Këto 434 faqe libri, me qindra fotografi e skica, afro 500 portrete e emra heronjsh të nëntokës, nuk mund t’i shkruante askush, nuk mund t’i dokumentonte njeri i gjallë pa një shpirt të madh, pa sy që shpërthejnë liqenin e lotëve brazdave të pleqërisë, nuk mund t’i dokumentonte askush që nuk e ka përjetuar në shpirt fjalinë “dalshim shëndoshë” sa Ymer Keta.
Nuk do t’i bënte vetëm, por me miq e me shokë jetuar honesh të errëta të nëntokës së Bulqizës, Batrës, Shkallës, Cërujës, Selishtës, Tërnovës, Rubikut, Kurbneshit…
E lotët përsëri do të mbushnin fjalët e tregimeve, si në një krua që rrjedh me shkumë…
Shfletoj librin dhe në sy më vijnë heronj të nëntokës, nga ata që i dhanë jetë e zhvillim dhe nga ata që dhanë gjak të pastër rinor…
Njerëz të lirë që dhanë jetën galerive të kromit…
Njerëz të burgosur që dolën në “liri” në një mënyrë që askujt mos i ndodhtë…
Ymer Keta i ka bërë bashkë me të njëjtin respekt dhe përkushtim…
Dhe vijnë e radhiten një nga një…
Xhavit Hatibi dhe Todo Maço që një ditë të ftohtë të 18 shkurtit 1948, në krye të 30 minatorëve nga Mirdita, Mati e Dibra, ndezën fitilat dhe bënë që Mali i Duriçit të jehojë…
Ferit Alla, Bujar Pata, Kamber Duriçi, Kujtim Gjoka, Bukurosh Koçi… e të tjerë që i vunë shpatullat ndërtimit të minierës së Bulqizës, fabrikës së pasurimit të kromit e ndërtimeve të mëdha kapitale që çuan në deri NJË milionë e dyqind mijë tonë krom në vit për eksportet shqiptare, flori që ndërtoi Shqipërinë, por nuk arriti kurrë të ndërtojë Bulqizën, Batrën, Krastën, Klosin, Burrelin…
Ymeri, në 434 faqe të “Heronjve të nëntokës”, siç i quan ai, hap një faqe që duhet lexuar germë për germë.
Nga të gjithë, por në veçanti nga ata që kanë në dorë dhe në mendje t’i venë ata në piedestalin e lavdisë dhe ta venë veten në hulli të mirësisë…
Pa vështrimin mbi këtë “germë”, të vënët përjetësisht nën tokë dhe pasardhësit e tyre në dy breza…
Pa barazinë e tyre njëlloj me ata që u persekutuan nga diktatura…
Pa një vlerësim në “Nenin 1” të Statusit të Minatorit si heronj që dhanë e nuk morën asgjë…
Demokracia për të cilën pushtetarët e lartë të të dy krahëve dhe pjella e tyre Kuvendi nuk do të jetë kurrë demokraci, kurrë barazi në të drejtën themelore të njeriut.
Ministri i financave doli disa ditë më parë dhe deklaroi njohjen e vjetërsisë së të burgosurve për efekt pensioni (nuk e specifikoi në ordinerë e politikë) “dy vjet për një vit” ?!
Faqeve të gazetave, “lajm të parë” e “listë në vijim” jepen çdo ditë miliarda lekë dëmshpërblime për nipër e stërnipër të të persekutuarve të regjimit të kaluar a thua se edhe ata kanë qenë në punë të detyruar galerive të kromit e bakrit apo të internuar fushave të Myzeqesë. Kjo, deri në atë masë të shkronjës sa njeriu i thjeshtë ka filluar të thotë hapur “Deri kur do të paguaj unë për to?”. Dhe për “kë do të paguaj?” sepse në listat publike marrin dëmshpërblim edhe ata që kanë vrarë, kanë vjedhë, përdhunuar e shkelur ligjet e kohës. Dhe ndonëse tash një çerek shekulli kërkohen të hapen “dosjet e sigurimit”, asnjëherë nuk është kërkuar të hapen “dosjet e gjyqit”, dosje që me siguri atë që qëlloi policin në kokë për ti marrë jetën nuk do ta cilësonte kush hero e martir të demokracisë…
Nuk e di pse sot, 18 shkurt 2018, mora heronjtë e nëntokës, mallin dhe brengën që lanë pas, vendin e tyre në një kohë pa vend, udhëtova në shkronjë të Ymerit thellësive të nëntokës e majave të maleve, aty ku nxirret flori e atje ku kërkohet flori, atje ku jepet jetë e atje ku humbet jetë…
Nuk e di pse brodha me këto shpirtra që flasin fshatrave të Dibrës me lot në sy në shkronjë të Ymer Ketës që qan për të gjithë por kthehet e qan edhe për vete, për pesë njerëzit e gjakut të tij: Ademin, Bujarin, Mehmetin, Izetin dhe Limanin… që i ka përcjellë me lot e dhimbje në botën pa botë.
Nuk e di pse u ndala më shumë Grykës së Madhe e Grykës së Vogël, Fushë Bulqizës e Vajkalit që kanë derdhë mbi gurit e kromit aq gjak sa nuk ka derdhë asnjë fshat i Shqipërisë këto vite lufte pa armë e pa armik…
Nuk e di pse e fiksova shikimin në rrëfenjën për Isuf Sulën që la pas shtatë fëmijë. Pyeta veten ku janë dhe si u rritën ashtu siç pyeta veten për më të riun e nëntorit 2017, Liman Ketën, që iku duke lënë një vocërrak 3 vjeç e një nuse të re në dilemën “Të rrosh apo të mos rrosh”!
I thashë vetes se ai fëmijë, ajo nënë e re duhet të ketë status të plotë me të paktën të barabartë me fëmijën e familjen e një polici rënë në krye të detyrës.
Me pension e hapësirë për studime përballuar nga shoqëria…
Pse jo? Kryeministri të bëhet “Plak i Vitit të Ri” me “thesin e dhuratave” në krah grykave të galerive…
I thashë vetes se boll kemi ngrit grumbuj floriri e derdhë lot mbi bare varresh të harruar e të freskët…
Qeveria, e harruara qeveri, të hartojë sa më shpejt ligjin për “Statusin e Minatorit”, dhe Kuvendi ta dekretojë: “Hynë në fuqi menjëherë”.
Kështu mbase ua lehtësojnë paksa barrën e jetës atyre që u dogjën në shpirt për ata që ikën e nuk do të kthehen kurrë.

Abdurahim Ashiku

Shënuar sot, më 18 shkurt 2018, 70 vjet nga dita kur nisi “beteja e nëndheshme” në zemër të Malit të Duriçit, Bulqizë…

MINIERA E BULQIZËS, KRENARIA DHE DHIMBJA SHQIPTARE

Me rastin e 70 vjetorit të Minierës “Todo Manço” të Bulqizës.

Sot, 18 shkurt 2020 Bulqiza me minierën e saj, dikur  e katërt në botë në nxjerrjen e mineralit fizik të kromit dhe e para në botë në nxjerrjen e mineralit për frymë të popullsisë (dikur, jo tani) mbush 72 vjet jetë, përpjekje e përkushtim me djersë dhe me gjak (lexo “Heronjtë e nëntokës” të Ymer A. Ketës).
Si gazetar, krenar që një pjesë të jetës së tij e ka kaluar me minatorët dhe gjeologët e Bulqizës, e konsiderova si obligim të hap një faqe të shënimeve të mija në “bllokun e gazetarit”, si një tregim për hapat e saj, si respekt për Ta, punën dhe sakrificat në shërbim të një atdheu që nga floriri i duarve të tyre bonifikoi dhe ndërtoi Shqipërinë por nuk arriti asnjëherë ta ndërtojë e nderojë atë…
Deri atje sa e braktisi në duar që e shkatërruan e rrënuan, që djersën dhe gjakun e minatorëve dhe gjeologëve në vite e përvetësuan dhe përdhunuan…
Këto të shënuara nga fotografi fiksuar nga unë atyre viteve…

NGA “BLLOKU I GAZETARIT”

Kromi i Bulqizës rrodhi për herë të parë në vitin 1941-1942 drejt Italisë, 2000 tonë në shërbim të okupatorit, fashizmit italian…
Prodhimi në fillim (1948- 10.482 tonë) u nxor në sipërfaqe, me kanale, shkallë e karriera të vogla në zonën qendrore dhe jugore. Më vonë u hapën disa galeri të shkurtra duke u nisur nga sipërfaqja…
Gjatë 26 vjetëve nga nëntoka e Bulqizës u nxorën mbi 5 milionë tonë krom…
Në vitet në vijim nga 10.482 tonë (1948) nga Bulqizë u nxorën dhe u vunë në shërbim të ekonomisë 17.539 tonë krom (1947), 39.173 tonë (1950), 122.094 (1955),  219.956 tonë ( 1960), 320.515 tonë (1970), 420.000 (1985)…
Në vitin 1955 erdhi në Bulqizë inxhinieri Todo Manço i cili i dha, me punë dhe përkushtim profesional, emër të madh Bulqizës…
Dhe ajo e nderoi me emrin e përveçëm “Miniera e Kromit Todo Manço”…
Nga viti 1955 deri në vitin 1973 nga “Zona Qendrore” u nxorën 3.200.000 tonë krom kurse nga “Zona D” 1.100.000 tonë krom…
Në vitin 1960 miniera e Bulqizës zinte vendin e 6-të në botë në nxjerrjen e mineralit të kromit ( 220.000 kundrejt 4.220.00 tonë)…
Në vitin 1970 u ngjit në vendin e 5-të ( (320.000 kundrejt 6.050.000 tonë)
Në vitin 1972 Shqipëria me 550.000 tonë krom kundrejt 6.200.000 tonë zuri vendin e katërt në botë…
Në vitet e mëvonshme Shqipëria nuk e lëshoi vendin e tretë në nxjerrjen kromit në botë…
Në nxjerrjen e kromit për frymë të popullsisë Shqipëria zuri vendin e parë në botë…
Në vitin 1951 minatorët e Bulqizës morën shtëpitë e para të banimit, fjetoret, klubin, kinemanë, banjat, shkollën 7-vjeçare…
Në vitin 1948 Bulqiza ndriçohej nga një grup 10 KW, grup i cili u dogj me gjithë barakë në vitin 1949…
Në vitin 1950 u instalua një grup 24 KW.
Në vitet në vijim u instaluan grupe të mëdha që në vitin 1965 arritën në 2280 KW…
Këto grupe kanë punuar deri në vitin 1968 kur u bë lidhja me sistemin unik elektrik…
Në datën 18 shkurt 1948, nën drejtimin e ish Drejtorit të Minierës së Rubikut Xhevit Habibi, kryeinxhinieri Todo Manço, së bashku me një grup minatorësh Dibranë e Mirditorë lanë Rubikun dhe iu drejtuan Bulqizës…
Minatorët Pal Marka Deda, Bajram Xheka, Tosum Spahiu, Haxhi Xharri, Osman Losha, Baftjar Fida, Gjin Preng Kola, Dhimitër Kalami, Hasan Jashari, Ramadan Guzia, Pjetër Rreç, Dod Mark Ndoj, Pjetër Shurbi, Frrok Truci, në bashkëpunim me Bulqizakët Kamber Duriçi, Riza Duriçi, Hysni Duriçi, Mustafa Duriçi, Hamit Duriçi, Myrtzeza Duriçi, Sulejman Ruta, Liman Zogu, Adem Hasa, Qazim Dauti, Kadri Okshtuni, Mexhit e Ram Voci, Tahir e Nazmi Perkola, Ymer Karaj, Ismail Çupi, Liman e Veli Kola. Mehmet Keta, Ferit Lala, Farudin Shehu, Mendu Qatja, Uke Murrja, Muharrem Stafa, Ndue Gjok Tusha, Beqir Xhemali, Hamit Beta, Isuf Hoxha, Isuf Sula, Abdulla Mehmeti, e të tjerë,  në atë dimër të vështirë, larguan borën me lopata dhe hapën vendin ku do të fillohej galeriaNr.1… (Ymer A Keta Heronjtë e nëntokës faqe 19-20)

Miniera e Bulqizës është krenaria dhe dhimbja shqiptare…

Abdurahim Ashiku

18 shkurt 2020

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.