13.2 C
Tiranë
E enjte, 27 Mars 2025

Abdurahim Ashiku

ME HAKI KOLËN NË NJË “ODË DIBRANE” NË INTERNET.

Në një bisedë për një trevë që Zoti e krijoi për mollë, e njerëz që i dhanë Dibrës emër të madh në pemëtari.

Një fotografi, nga arkivi im, në “Odën” më të madhe të kuvendit të kohës sonë “Face book”, një fotografi mbi një “kodër mollësh” në sfondin e pemëtores me emër të përveçëm, jo thjeshtë për frytin por edhe për historinë, Kastriotin e Dibrës…
Një meditim i inxhinier Haki Kolës, pasionin e të cilit për pemëtarinë asgjë se ndan nga ai për pylltarinë. Është një dashuri hapa krahësh që nuk ka masë matjeje.
Një bisedë nga larg me të…
Dhe një kuvend si në “Odën Dibrane” ku dashuria dhe nostalgjia mblidhen bashkë e nuk shkulen nga vendi…
Po i përcjell ato në origjinal, me ndonjë “korrigjim” drejtshkrimor…
Po përcjell edhe një rrjedhë fotografish origjinale nga arkivi im me njerëz dhe vende ku lulëzuan mollët, dardhat, kumbullat, qershitë, vishnjat, vreshtat…

HAKI KOLA…

E quaj veten me fat që koha më dha mundësinë të mësoj nga përvoja që Dibra i dhuroi në ato vite Shqipërisë por edhe globit ku ne sot jetojmë, se si të merren prodhime të larta nga kultura shumëvjeçare të kultivuara në kodra e toka të pjerrëta.
Ishim pa fat pasi tepër të izoluar dhe nuk e dinim që në fakt po dhuronim një përvojë vërtet shumë, shumë të çmuar për njerëzimin, me produkte krejt organike e me shije speciale.
Qershia dhe molla të prodhuara në këto kodra ishin më të shijshmet në Shqipëri, dhe keqardhje që ajo përvoje është tashmë e shkulur nga rrënjët dhe krijuesit, punëtorët e palodhur Dibranë, nuk arritën ti shohin hairin e të kenë një jetesë më të mirë.
Faleminderit o mik i mrekullueshëm Abdurahim Ashiku që i ke ruajtur këto relika, që përbejnë një shkollë, e cila nëse ky vend do ketë fatin të mirë qeveriset, do ëndërroja ti rikthehet Dibrës, e vetmja në republikën tonë që mund ta ngrejë atë sistem prodhues, dhe krejt e mundur nëse Ministria e Bujqësisë të arrijë ta fusë në skemat e BE për subvencionim të bujqësisë, duke krijuar model që do e bënte nuse të vërtetë Dibrën e që do të vizitohej nga turistë nga i gjithë globi.

ABDURAHIM ASHIKU…

E vështirë miku im, tepër e vështirë. Nuk kthehet më ai përkushtim që u bë nga specialistë bujqësie që kishin në shpirt të ardhmen. Do të desha që të jem edhe njëherë me Xhavit Hysën, përmendoren e pemëtarisë dibrane dhe kombëtare, të isha me të si në marsin e vitit 1960 kur ai në njërën anë të telit me gunga e unë në anën tjetër, hidhnim piketat e vreshtit të Ravnave 70 hektarësh, duke pas mbrapa njerëz që hapnin gropa, hidhnin pleh organik e mbillnin shermendet e rrushit ardhur nga Bullgaria. Pata fatin që bashkë me Xhavitin (unë përgjegjës sektori e ai agronom) të organizonim vjeljen e rrushit në vitin 1966, prodhimi i të cilit nuk përballohej nga punëtorët e sektorit por vinin edhe njerëz nga ndërmarrjet e qytetit…
Isa Shehu, kryeagronomi i ndërmarrjes dhe pedagogu im në Institutin e Bujqësisë kishte një shprehje: “Vullnetarët punojnë me një dorë sepse tjetrën e kanë të zënë duke ngrënë”. Kishte edhe me ngrënë, edhe me mbush trarët e shtëpisë me mollë, dhe prapë se prapë NB Dibër nuk doli kurrë me humbje.
Mjerisht ajo kohë nuk vjen më…
MJERISHT!

HAKI KOLA…

Në fakt koha mbetet faktor jashtë kontrollit tonë, dhe mban vetëm një kahje, në ecje. Në kuptimin e përdorimit të tokës e si të thuash të pajtosh rrezatimin e diellit, tokën modeste të kodrave dhe gjethet e bimëve, e prej tyre të marrësh një produkt të mrekullueshëm, ishte vyrtit i një gjenerate të Xhavit Hysës, Sabri Kabës, si dhe më të rinjve që i pasuan e mbajtën rrugën e tyre si, Jovan Popit, Idajet Lahit, Muhamet Ramizit, Muharrem Balliu, Xhevdet Rina, nganjëherë të krijohet përshtypja sikur ishe pjesë e një universiteti ku bëhej një garë për të realizuar më të bukurën, më të mirën më të shijshmen e më të suksesshmen. Djem të rinj që merrnin e drejtonin brigadat sapo kishin mbaruar shkollën e mesme bujqësore, ndërmerrnin iniciativa që sot kam frikë se nuk i ndërmarrin as institucione me emër të madh shkencor, si për bashkëshoqërime bujqësore, plehërim të gjelbër, tarracime e trajtime të tokës që çonin në ruajtje të ujit, kullimi a ndarje të veçanta sipas kërkesave të pemëve, të ndriçimit diellor. Ky ishte një realitet që disa gjenerata kontribuuan për ta arritur, gjeneratat që vijnë nuk është se duhet të ri shpikin rrotën, e cila u realizua dhe u pa se si funksiononte. Duket se kërkesat për produkte organike po vjen në rritje, të njëjtat tregje që dikur mezi i prisnin frutat shqiptare, përsëri në potencë nuk ngopen me atë kualitet frutash, mjafton që sot të ndërtohen politika dhe të mundësohet përdorimi i fondeve për zhvillim rural, sidomos me projekte që ka referenca të qarta që kane funksionuar në një periudhe jo të largët kohore.

 

KIMETE RENA

Na ishte njëherë edhe për molle edhe për agronomë. I zhdukëm sa erdhi demokracia se ishin me frymë komunizmi se kujtuam se do ua sjell Sala të servirura hazër në pjatë, do u vinte për oxhaku, harruan se pa punë nuk ka askund. Demokracia vetëm një të mirë ju ka sjellë flasin me celular hipur në gomar (i vetmi premtim i mbajtur nga sala, le ta gezojne)

MUSA HOXHA .

Ju them fëmijëve të mi, jeni me “fat” që nuk i keni provuar dhe shijuar ato fruta, mollë, kumbulla, rrush , pjeshkë e pafund me atë shije që sot na sillet nëpër gojë por që nuk mund ti gjendet një për ta krahasuar. Jeni me “fat” ju them sepse sot nuk do ti preferonit aspak për ti ngrënë këto frutat si prej kauçuku.
Kujtoj aksionet në blloqet frutore që ishin aksionet më të bukura ku me të vërtetë shkohej me dëshirë dhe kënaqeshim. Çdo gjë bëhej aq e bukur si vetë bukuritë e atyre frutave.

 

BAKI QOKU

Ajo lloj molle as që mendohet të rikthehet. Këta një aranxhat s’po bëjnë po na gënjejnë me lloj – lloj lëngjesh kanceroz llumra dynjaje. Unë për vete ndjehem shumë fatlum që pata mundësin ta shijoj atë lloj molle si në pemë edhe në kavaleta nën aromën më të papërsëritshme…

 

AGIM KASA

Një falënderim i vërtet për gazetarin Abdurahim Ashiku por edhe komentuesin Haki Kola.  I njoh personalisht për kontributin që kanë dhënë jo me fjalë por me punë dhe më vjen keq që fotot e Abdurahimit nuk kam kohë ti shoqëroj me komente që njerëzit të njihen me fuqinë ekonomike e prodhuese të Dibrës në pemëtari e fusha të tjera por nuk kanë pasur mundësi ti dinë.
Për kënaqësinë tuaj po ju tregoj se në një vit prodhoheshin vetëm nga NB 35 mije kuintal mollë ,26 mijë kuintal kumbulla dhe 2400 kuintal qershi Blloku Ravna shtrihej në 172 ha, kishte 49 mijë rrënjë pemë frutore Qenoku, shtrihej ne 230 ha dhe kishte 48 mijë rrënjë pemë frutore , Kubeni 155 ha dhe kishte 68 mijë rrënjë, Kastrioti shtrihej në 150 ha dhe kishte 31 rrënjë pemë frutore, Shumbati 230 ha me 46 mijë rrënjë…
Kjo nuk është nostalgji por djersa dhe mundi i dibraneve të cilët në pemëtari kishin vërtet një emër të madh.
Edhe një kuriozitet …. Në vitin 1990 Shqipëria u hap dhe kontaktet me të huaj ishin një gjë normale, në Peshkopi vjen për çështje pune edhe një finlandez përfaqësues i Bankës Botërore me te cilin patëm edhe një takim jo formal. Kur e pyes se çfarë kishte dëgjuar për vendin që vizitonte Peshkopinë tonë më habiti kur më tregoi se për Dibrën dinte shumë pak dhe për herë të parë kish lexuar një material për blloqet frutore në Zdojan Dhe materiali nuk ishte në zyra të BB por në një guide turistike që kompania e fluturimeve kish përzgjedhur dhe ja u servirte udhëtarëve të saj.
U ndjeva krenar sigurisht.
Sigurisht kjo foto nuk ka aromë por aroma e frutave të asaj kohë nuk mund të harrohet. Sot tregjet janë te mbushura plot me fruta por ama kanë vetëm formë. I pashë një ditë në rrugën time “Don Bosko” në Tiranë pranë e pranë mollë, dardha ftoj të cilave nuk ju vinte asnjë lloj ere…
A mund t’ju themi fruta, kur vërtet të tilla janë por nuk kanë shije?

Përgatiti e shoqëroi me fotografi Abdurahim Ashiku

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.