12 C
Tiranë
E enjte, 27 Mars 2025

Abdurahim Ashiku

Kujtime të një nxënësi

GRIPPI I PRAG PRANVERËS 1957

Dhe një thirrje për qetësi…

Shkollën e mesme e mbarova në Fier…
Udhëtimi nga Dibra ishte i gjatë, i lodhshëm…
Ndër të tjera më vjen e më ulet në kujtesë udhëtimi me tren dhe vrapi nga stacioni i trenit në agjencinë e udhëtimeve të Rrogozhinës…
I përgatiteshim atij vrapi me valixhe në duar e çanta mbi kurriz sapo treni dilte nga tuneli e ndalonte pesë minuta para stacionit për të mbushë kazanët me ujë prej nga, nën zjarrin e qymyrit, prodhohej avulli që vinte në lëvizje lokomotivën…
Me fat ishim kur kapnim biletën e bënim vend në të vetmin autobus që shkonte për Fier. Për autobusin e Vlorës nuk bëhej fjalë. Ishin edhe ata në të njëjtin hall si udhëtarët e Fierit.
Kur nuk arrinim të merrnim biletë na mbetej rruga, dora lart e “bagazh” i hedhur mbi ndonjë kamion me dyfishin e çmimit…
Ishin vite të vështirë…
Ende nuk ishte kapërcyer kriza e bukës, ende  vazhdonte sistemi i triskëtimit të ushqimit dhe veshmbathjes në qytet dhe i reciprokut në fshat.
Shkolla e mesme bujqësore e Fierit, një ndërtesë kartoni ndërtuar nga Italia, ishte në dalje të qytetit, drejt Vlorës.
Konvikti, i pari,  ishte i vendosur në një ndërtesë sekuestro e kohës disa dhjetëra metra larg shkollës, i dyti ndonjë kilometër larg, afër fushës së sportit.
Ushqimi niste me çaj me bukë misri e marmelatë molle në mëngjes, me supë apo fasule në drekë e çaj me bukë misri e marmelatë në darkë. Një ditë në mes javë kishim mish e një ditë, të dielat, ëmbëlsirë, kabuni…
Flinim në shtretër tip “marinar” druri, në dyshekë e jastëkë mbushur me kashtë nga lëmi i shkollës.
Myzeqeja asokohe ende ishte në “në kënetë” e malaria kishte zbehur pamjen dhe jetën e njerëzve.
Nuk do të më kursente as mua. Më kapi një ditë fillim tetori 1956. Qëndroja në diell, që megjithëse digjte, nuk ngrohesha. Dridhesha si dridhen degët e shelgut nga uji i lumit. Temperatura nuk më binte… Tek dyzetat qëndronte…
Më shtruan në spital…
Spitali ishte asokohe në qendër të Fierit, vendosur në një ndërtesë sekuestro siç thuhej e familjes feudale të Vrionëve. Më vonë u bë bibliotekë…
Ishte i vështirë shtrimi dhe qëndrimi në spital. Larg Dibrës, pa zë për familjen, në vetminë e një shtrati hekuri, një dyshek e sipër një velenxë pambuku..
Një shok shkolle, Semini më vjen në kujtesë mbiemri i tij, ndante me mua ato ushqime që i vinin nga familja e tij në Seman. Më vjen në kujtesë ashtu i zverdhur, i pa zhvilluar në trup, pamje tipike e të sëmurëve nga malaria.
E kalova, e mora veten dhe u përshtata me mjedisin e ri, krejt tjetër nga ai ku isha rritur…
Në shkurt të ‘57-s plasi gripi. Një grip shumë i rëndë.
U mbyll shkolla. Nxënësit e jashtëm u mbyllën në shtëpitë e tyre. Të tjerët, konviktorët nga fshatrat e Myzeqesë, shkuan pranë familjeve.
Mbetëm vetëm ne, konviktorët e largët, tre dibranë, një elbasanas, dy…
Na grumbulluan në një dhomë, majtas në katin përdhes të godinës. Një dhomë me pesë metër gjatësi e gjerësi, me katër krevate marinarë prej druri, me hapësirë sa në ije hynim e në ije dilnim.
Radio nuk kishte. As gazeta. Asnjë lajm nuk hynte e nuk bënte vend për të na qetësuar për sëmundjen e për të na dhënë kurajë. Na jepnin mëngjes, drekë e darkë disa hapa; ca të bardha, ca të verdha e ca kafe. Racioni i ushqimit ishte rritur por oreksi kishte zbritur.
Temperatura, kur ndonjëherë vinte e na e maste infermieri, askujt nuk i binte poshtë 39 gradë celsius.
Mua më shkoi dyzet pa dy vija. Kisha dhimbje të tmerrshme koke sa në jerm bërtisja sa lëkundej krevati e ushtima kalonte dhomën.
Njëherë kisha bërtitur aq fort, duke hequr e hedhur poshtë rrobat e sipërme të trupit sa fjalinë bërtitëse do të ma kujtonin me romuze duke qeshur shokët e dhomës: “Partizan, koka në Tiranë”. Ndonjëri këtë do të ma kujtonte shumë vite më vonë. Isha (dhe jam) tifoz i “Partizanit” dhe në jermi me të ishin përzierë halucinacionet…
Nuk e di sa vazhdoj gripi i rëndë i asaj prag pranvere 1957…
Nuk e di sa shkruan gazetat e sa u fol në radio…
Nuk e di sa vetë mori…
Di që një nxënës nuk u kthye më në shkollë…
Një vit më vonë shkolla do të shkonte në NB “Çlirimi”.
Të tjera kushte fjetjeje e mësimi, ushqimi e dëfrimi. Ishte hequr sistemi i triskëtimit dhe ishin zgjeruar hapësirat e jetës…
Që prej asaj kohe gripin e kam kaluar në këmbë, me pak ethe e ndonjë plagë të vogël në buzë…
Flitet për një grip të rëndë në vitin 1918…
I vështirë do të ketë qenë…
Aso kohe kriza e bukës ka qenë më e rënda në historinë shqiptare të shekullit të njëzetë. Në Dibër, për ato vite ka një fjalë që flet më shumë se çdo kronikë e kohës. “Koha e nemces” quhet edhe sot e kësaj dite…
Sot, në një titull gazete, flitej për dymijë viktima të gripit të vitit 1967…
Sa do të jenë të prekurit dhe viktimat e gripit 2020, koronovirusit kinez?
Sado që të jenë ato nuk do ti kalojnë të prekurit  dhe viktimat e dyndjeve të tjera gripale.
Informacioni, këshillat njëzet e katër orë në njëzet e katër orë, në shqip dhe në gjuhët e botës, masat shëndetësore, masat organizative qoftë edhe drastike, janë ilaçi më efikas kundër këtij virusi të panjohur, vdekjeprurës…
Koha tu qëndrojmë këshillave dhe masave parandaluese e mbrojtëse…

Abdurahim Ashiku

Athinë, 11 mars 2020

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.