19.5 C
Tiranë
E martë, 17 Qershor 2025

Abdurahim Ashiku

RRËNJË NGA RRËNJËT E ARTUR LIKSALËS

Pinim kafe në sheshin qendror të Iraklios, shesh i madh, më i madhi nga sheshet që më ka takuar të shoh në hapësirën greke. Për një moment, nga një fjalë, nga një toponim që përmendi Arturi, mendja më fluturoi larg me atë shpejtësi që deri sot nuk kam dëgjuar të ketë masë matjeje, as me kilometra, as me milje detare dhe as me vjet dritë në hapësirën e universit.

Ai përmendi fjalën Kuplon dhe unë nuk mund të rrija pa u ngjitur menjëherë atij mali lajthish. Desha ta shoh vendlindjen e tij – Begjunecin nën “këmbët e mia”, desha ta shoh qytetin tim ku kalova rininë dhe burrërinë (për të ikur në pleqëri) nga “qielli”. Kush është ngjitur atje nuk ka si të mos ta kërkojë e ta gjejë në arkivin e kujtesës ndjenjën që të zgjon ajo pamje…

Në Kuplon së fundi, në verën e vitit 1991, ende pa u vënë tehu i mprehtë i sëpatës mbi trungjet e pemëve frutore të Dibrës, isha ngjitur me Sali Roshin. Por, më parë se me Saliun isha ngjitur me Haki Kolën e me Met Ramizin. Në fillim në projektin e tyre për kthimin e Kuplonit në një bllok me qershi “Napolon” dhe lajthi “Visoku” dhe më vonë me punëtorët që formuan brezaret, hapën gropat dhe mbollën qershitë e lajthitë. Kuploni konsiderohej atëherë blloku më i lartë frutorë i mbjellë në Shqipëri, bllok që niste në 1200 metra mbi nivelin e detit, vend ku qershia piqej shumë vonë duke mbyllur konvejerin e pjekjes së saj nga muaji maj në luginën e Drinit, në gusht – shtator në lartësitë e Kuplonit…

…E kisha humbur Kuplonin ashtu siç i kisha humbur edhe kujtimet që lidheshin me Sali Roshin dhe me Haki Kolën e Met Ramizin…

Ma gjeti dhe ma solli në Iraklio të Kretës, në breg të detit, në kuotën e lartësisë gjeografike zero Artur Likasala…

Vëllai i Arturit, Xhevati, ishte ngjitur në Kuplon, kishte hap tokën dhe kishte mbjellë qershi. I vadiste, në ditë të nxehta vere me krahë shumë herë e me bidonë në anë samari kali herë të tjera. Arturi ishte ngjitur me të një ditë vere dhe i ishte dhimbs…

… Kishte ardhur në Greqi, kishte kërkuar dhe kishte gjetur një pompë të fuqishme uji. E kishte marrë duke kaluar me të detin, fushat, kodrat dhe e kishte ngjitur mbi fshat, atje ku kishte një vijë që e merrte ujin nga burimet e përroit të Bellovës. Kishte marrë tuba nga ato të zjarrfikësve dhe i kishte shtrirë në të përpjetën e malit. Kishte ndezur motorin dhe uji ishte ngjitur malit përpjetë.

– Po kjo, i kishte thënë Xhevati, ujitka të gjithë malin!

– Mbaje mirë, i kishte thënë. Dhe mos të të shoh më të mbash ujë me krahë…

Po kush është Artur Liksala ? Është një njeri i zakonshëm, një emigrant që punon e jeton në Iraklio të Kretës, një njeri që e ka mendjen të kthehet një ditë për të mbushë një shportë me qershi ushqyer nga dheu i të parëve….

Megjithatë disa detaje janë të nevojshme për të formuar portretin e tij…

* * *

Si i kalove gjithë këto male, gjithë këto dete dhe erdhe në Kretë?

Si të gjithë njerëzit. Herë me këmbë duke ecur natën dhe ditën, herë me makina dhe së fundi me traget. Tani jemi stabilizuar me letra. Shyqyr Zotit, kalojmë në kufi e nëpër dogana si njerëz.

Sa vjet tu bënë këtu?

Unë këtu kam gjashtëmbëdhjetë vjet.

Që në fillim këtu erdhe?

Jo, jo. Fillimisht kam ardhur në Veria, pastaj në Selanik pastaj në Katerinë. Në vitin 1998 kam përfunduar në Kretë.

Atje me çfarë u more?

Me punë të ndryshme, me bujqësi, me ustallëk, çfarë të dilte.

Po këtu si e nise?

Merrem me ndërtime, me punë të ndryshme, me çfarë të dalë, vetëm të mos ngelemi pa punë.

Ndërtimet i merr vetë përsipër apo je pjesë e ndonjë grupi?

Varet. Disa herë i marrim vetë përsipër, disa herë argatë. Kështu është kjo punë.

Tani ke ndonjë grup që punoni bashkë?

Po, kam një grup prej 7 vetash, grup timin që merremi me ndërtime.

Çfarë ndërtimesh kryesisht?

Shtëpia guri, avllia, shtrim pllakash, suvatime.

Nga i ke pjesëtarët e grupit?

Të shumtët janë dibranë, por kam edhe nga Mirëdita, nga Kukësi.

Nga dibranët kë ke?

Kam njerëzit e mi; Armand Liksalën, Dashamir Ahmetin, Nazmi Totën prej Blliçje. Kam edhe disa çuna të tjerë prej Mirdite, nga Fani.

Qenkan mbledhë malet në Kretë?

Po. Veriu.

Vetë apo me familje je?

Kam gruan me dy fëmijë. I madhi është 5 vjeç kurse i vogli një vit e gjysmë. Gruan e kam në shtëpi, merret me fëmijët. Djalin e madh e kam çuar në shkollë.

Kur bisedonim pak më parë më more prej këtu dhe më ngjite në Kuplon me një motopompë në krah. Më ka marrë malli ta shoh Begjunecin e Peshkopinë nga “qielli” ?

Qesh me shpirt.

Ta tregova. Prapë e do ?

Jo, jo. Vazhdo. E kam regjistruar në qelizat e kujtesës. Nuk humb siç mund të humb në shiritin e diktofonit.

Këtu jemi por mendjen e kemi në Shqipëri, në vendin tonë, atje ku një ditë do të kthehemi. E dua vendin tim…

Kjo do të thotë se nuk je prej atyre që ke bërë “rrënjë”?

Mbjellë jam se kam gjashtëmbëdhjetë vjet i ikur, me fëmijë të lindur e që po rriten këtu, por rrënjë nuk dua të bëj sepse nuk më pëlqen t’i lë rrënjët në një vend tjetër, dua t’i lë në vendin tim.

Donë t’i çosh atje ku i kanë të parët.

Po, atje dua t’i kthej dhe t’i lë. Mbi të gjitha jam shqiptar.

Çfarë të ka ngelë në Peshkopi ?

Më kanë ngelë fara dhe fisi, tokat e gjyshit dhe e stërgjyshit, njerëzit dhe dashamirët.

Nëpërmjet gazetës kë do të përshëndesje prej këtu?

Në radhë të parë dua të përshëndes familjen time, babën tim Rexhep Liksalën, nënën time Hatixhe Liksalën, vëllezërit me gra e fëmijë, Astrit Liksalën, Meritën, Xhevatin, dhe të gjithë njerëzit e tjerë që kam në Peshkopi dhe në Shqipëri.

Prindërit me se merren?

Baba dhe nëna janë në pension.

Vëllezërit nga janë shpërndarë?

I madhi merret me tregti, Astriti, kurse Xhevati është mekanik në park.

Ato qershitë në Kuplon kush i ka mbjellë?

Xhevati.

Janë pjekur qershitë?

Jo, ka nja dy vjet që janë mbjellë, nuk kanë hyrë akoma në prodhim. Kur të bëhen…

Do të marrësh edhe ti ndonjë shportë.

Patjetër. Edhe mua një shportë do të ma japin.

Për kë të ka marrë malli në Peshkopi?

Më ka marrë për të gjithë, për njerëzit e mi, për farefisin, për vendin tim.

Faleminderit!

Faleminderit edhe ju. Të uroj suksese. Gëzohem!

Abdurahim Ashiku

Iraklio, Kretë, tetor 2008

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.