NË VEND TË NJË LETRE AMBASADORES NË IKJE
Drejtuesit e disa gazetave në Shqipëri janë të interesuar për atë që quhet “kronika të zeza”. Por jeta e shqiptarit këtu nuk është kronikë e zezë. Ajo është e mbushur me ato fakte që ju dhe kolegët tuaj këtu në Greqi i paraqesin ashtu siç janë, me një jetë të pasur kulturore, me një jetë të pasur sociale, por ka dhe një veçanti tjetër, që e gjen shprehjen në përpjekjet e shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar në një shoqëri që po integrohet, brenda një shoqërie demokratike më e maturuar. Kjo ka nevojë të njihet, të pasqyrohet dhe të arkivohet. Këtë po e bëni ju me shumë sukses, pasion dhe devocion. Nëpërmjet atyre që fiksoni ju, tregoni edhe anën tjetër, pozitive të shoqërisë me të cilën po bashkëjeton komuniteti shqiptar, mikpritjen dhe dashurinë e popujve.
Nga biseda me një ambasador – 2006
Gjatë kësaj kohe më ka mbetur mendja tek kallauzi i ambasadës, dhuna ndaj një gazetari, dhunë që me sa kuptova me kohë nuk ishte vetëm ndaj meje por ndaj fjalës së lirë të gazetarëve dhe mërgimtarëve në Greqi.
Ambasada jonë ishte e mbyllur në interesa që çuan në një skandal të pa parë e pa dëgjuar, në shkarkimin e të gjithë personelit të ambasadës me ambasadoren në krye (!?)
Një ngjarje tek porta e ambasadës, 7 mars 2019
Siç u deklarua nga ministri në detyrë i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë një javë më parë, ambasadores Hobdari dhe personelit të ambasadës sonë në Athinë u është kërkuar të paketojnë plaçkat për kthim.
Si një emigrant që tash afro një çerek shekulli më ka lidhë profesioni i gazetarit që të jem i pranishëm në shumë veprimtari të ambasadës, madje të kem në kujtesën telefonike të gjithë numrat e ambasadorëve dhuruar prej tyre, më dhëmbi kjo ndodhi.
Kam trajtuar probleme të mërgatës shqiptare në Greqi në 6 libra të serisë “Njerëz që i dua”, veçanërisht problemet që lidhen me mësimin plotësues të gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve, probleme që përveç pranisë në shtypin e shkruar shqip në Greqi, por edhe shqip në Shqipëri, i kam përmbledhë në katër libra, (“Rilindësit e kohës sonë”, “Shkolla shqiptare e Athinës”, “Shkolla shqipe e Selanikut” dhe “Dashmir Zaçe një rilindës i kohës sonë”) me mbi 2000 faqe dhe mbi 600 fotografi, kam pas edhe debate me titullarë të ambasadës ndër të cilët veçoj z. Minarolli, z. Dervishi etj. korrekt në marrëdhëniet si qytetar dhe si gazetar.
Nga marrëdhëniet e mija me ambasadorët shqiptarë (Robo, Zeneli, Minarolli, Dervishi etj.) po shkëpus përgjigjen në një letërkëmbim me z. Vili Minarolli…
I Nderuar zoti Ashiku,
Ju falënderoj për fotot dhe Fjalën që thashë në 5 vjetorin e shkollës të Athinës.
Por nuk mund të rri pa të falënderuar për atë punë të kujdesshme që bëni për ti jetësuar këto ngjarje që janë pjesë e rëndësishme e historisë të diasporës sonë në Greqi.
Unë kam vënë re që ju jeni prezent kudo dhe kjo lidhet me pasionin tuaj që ta pasqyrosh këtë histori të re në një vend tjetër ashtu siç është dhe ashtu siç ndodh, me vërtetësi dhe realizëm. Pastaj asnjë s’mund të thotë se nuk është shkruar drejt historia dhe duhet korrigjuar.
Por ju keni edhe një meritë tjetër që unë e vlerësoj më shumë se çdo gjë tjetër.
Po ua shpjegoj:
Këtu në Greqi ka shumë gazetarë shqiptarë që shkruajnë veçanërisht për shtypin në Shqipëri dhe që vjen edhe këtu. Unë jam i sigurt që kur bashkatdhetarët tanë i lexojnë, nuk u vjen mirë. Sepse ata janë shkrime që e prezantojnë shqiptarin emigrant në Greqi, jo me vlerat që ata në të vërtet përfaqësojnë dhe prezantojnë. Drejtuesit e disa gazetave në Shqipëri janë të interesuar për atë që quhet “kronika të zeza”. Por jeta e shqiptarit këtu nuk është kronikë e zezë. Ajo është e mbushur me ato fakte që ju dhe kolegët tuaj këtu në Greqi i paraqesin ashtu siç janë, me një jetë të pasur kulturore, me një jetë të pasur sociale, por ka dhe një veçanti tjetër, që e gjen shprehjen në përpjekjet e shqiptarëve për të ruajtur identitetin e tyre kombëtar në një shoqëri që po integrohet, brenda një shoqërie demokratike më e maturuar. Kjo ka nevojë të njihet, të pasqyrohet dhe të arkivohet. Këtë po e bëni ju me shumë sukses, pasion dhe devocion. Nëpërmjet atyre që fiksoni ju, tregoni edhe anën tjetër, pozitive të shoqërisë me të cilën po bashkëjeton komuniteti shqiptar, mikpritjen dhe dashurinë e popujve.
Unë ju falënderoj se dashje pa dashje kam gjetur tek ju një njeri me të cilin na përputhen idealet tona kombëtare, por me vizion integrues në shoqëritë demokratike.
Përshëndetje të sinqerta
Vili Minarolli
Marrëdhëniet e ngushta me gazetarët i quaj një domosdoshmëri për ambasadorët dhe trupin diplomatik për ti vlerësuar ata, siç u tha në një takim të ngushtë me rastin e Vitit të Ri 2007, për… “punën e gazetarëve, misionin e tyre për të informuar publikun në kohë dhe me vërtetësi, për rritjen e vlerave të komunitetit shqiptar në Greqi, pasqyrimin e shembujve pozitivë në fushën e punës dhe të biznesit, në krijimtarinë letrare-artistike, në rritjen e titujve të botimit dhe në hapjen e ekspozitave në pikturë e fotografi, në shfaqjet artistike, në shkolla dhe në të gjitha fushat e jetës në emigracion…
Shkrimet tuaja kanë qenë si hosten për ne, shkrime të cilat ne i kemi vlerësuar dhe kemi reflektuar. Ka një disnivel midis asaj që bëni ju si përfaqësues të së resë me ata që kanë mbetur pas kohës. Kjo frymë duhet përcjellë edhe tek ata që kanë marrë përsipër të drejtojnë shqiptarët“
Do ta mbaja “për vete” këtë letërkëmbim, takimeve të ambasadorëve me gazetarët emigrantë ashtu siç mbaj edhe shumë letërkëmbime e dhjetëra fotografi me e për të gjithë ambasadorët shqiptarë në Athinë, por edhe të konsullatës në Selanik.
E ndërsa nga ambasadorët e mëparshëm në Athinë ka pas shkëndija bashkëpunimi e respekti të ndërsjellët me gazetarët kjo nuk ka ndodhur me zonjën Hobdari dhe stafin e saj.
Dera, telefoni i saj ka qenë i mbyllur për gazetarët, takimet e ngushta me ta kanë qenë zero. Gazetarët në takime me personalitete të politikës, madje edhe me ministrin e diasporës ku kishin shumë pyetje për ti bërë, nuk kanë qenë të ftuar.
Me ardhjen e zonjës Hobdari ambasadore, si në të gjitha ardhjet e mëparshme, i dërgova një e mail urimi dhe një kërkesë për një takim njohjeje.
Nuk mora përgjigje.
Ndodhi që “Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Greqi” në samitin II të diasporës ti jepej “Shqiponja e artë”. Ishte ky një gëzim i madh për mësuesit, gëzim i dyfishtë për mua autorin e katër librave, shkronjë që kishte vlerat që kisha përcjellë për to ndër vite.
Në ambasadë me rastin e 7 Marsit 2019 Lidhja organizoi një takim festiv ku do të prezantohej “Shqiponja e artë” dhe titulli “Ambasador i Kombit” për mësuesin e parë të shkollës shqipe në Greqi Dashmir Zaçe (pas vdekjes).
Prisja që këtë rast të veçantë për mësuesit dhe mërgatën shqiptare në Greqi ta festonin në një mjedis me hapësirë të madhe, në praninë e mësuesve vullnetarë shqiptarë mbledhur nga të gjitha anët e Greqisë, në praninë e nxënësve ku këta të recitonin e këndonin vjersha të rilindësve të mëdhenj të Kombit e të këndonin Himnin e Flamurit, në prani të prindërve, drejtuesve të tubimeve shqiptare në Greqi. Prisja që këtë ngjarje më madhorja e mërgatës shqiptare në Greqi ta ndiqnin gazetarë nga Shqipëria, Greqia e më gjerë, reporterë të televizioneve kombëtare shqiptare e greke, krijues emigrantë në prozë, poezi, pikturë etj…
Ambasada e cila duhet të ishte organizatore e kësaj ngjarje në një hapësirë të denjë për shkollën e fjalën shqipe në Greqi, ofroi vetëm sallonin e saj, sallon me përmasa dhjetë me tetë metra katrore, sallon që e ka bërë zakon ta hapë për ndonjë promovim libri…
I ftuar gojarisht nga kryetarja e Lidhjes së Mësuesve u gjenda para hyrjes së ambasadës në orën e caktuar.
Kallauzi i ambasadës më pyeti për emrin.
Ia thashë duke shtuar që jam gazetar.
– Nuk je në listë, ma preu me një zë autoritar.
– Jam gazetar, i them duke përsëritur edhe një herë emër e mbiemër e duke i vënë para dokumentin identifikues të profesionit.
– Nuk je në listë dhe nuk të lejoj të hyjsh.
U befasova. Në jetën time prej më se gjashtë dekadash si bashkëpunëtor me shtypin dhe si gazetar profesionist, ishte e para herë që më mbyllej porta e një institucioni, ishte e para herë që dikush më pengonte të kryeja detyrën dhe misionin tim publik.
E ngrita zërin.
E ngriti edhe ai.
Ngritja duhet të ishte dëgjuar nga brenda ambasadës, kamerat e së cilës shohin gjithçka.
Doli një punonjës i ambasadës dhe i tha të hapë derën…
U mata pas kësaj ta bëj publike dhunën verbale që mu bë duke më privuar të drejtën për informim.
E lashë me mendësinë që e pështymja lart bie poshtë dhe spërkat edhe fytyrën tënde. Njollosja vendin tim e njolla më zinte edhe mua si qytetar i saj.
E ftohtë ishte veprimtaria. As gjysma e karrigeve të tetëdhjetë metrave katrore të sallës nuk u mbush…
Ishte e pranishme edhe ambasadorja dhe disa punonjës të ambasadës.
Kisha marrë me vete 4 librat me historinë e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe mësuesit vullnetarë të saj në Greqi në hapësirën 1998-2018 me përkushtimin për ambasadoren Hobdari.
Në largim, duke u ndarë, ia dhuroj me kërkesën që pasi tu hedhë një sy në mënyrë “diagonale” të më ftojë në një bisedë për të sotmen dhe të ardhmen e mësimit plotësues të gjuhës shqipe.
E pohoi duke tundur kokën…
Nga ajo ditë, 7 Mars 2019, tash 500 ditë, asnjë ftesë për takimin e premtuar, asnjë thirrje për takimet e zhvilluara me personalitet shqiptare lajmet për të cilët do ti merrnim jo nga gazetarë në Greqi por nga lajmëtarë anonimë.
Gjatë kësaj kohe më ka mbetur mendja tek kallauzi i ambasadës, dhuna ndaj një gazetari, dhunë që me sa kuptova me kohë nuk ishte vetëm ndaj meje por ndaj fjalës së lirë të gazetarëve dhe mërgimtarëve në Greqi.
Ambasada jonë ishte e mbyllur në interesa që çuan në një skandal të pa parë e pa dëgjuar, në shkarkimin e të gjithë personelit të ambasadës me ambasadoren në krye (!?)
Unë e mbulova me dushke, dushke të cilat i zbuloi Ministria e Jashtme…
Abdurahim Ashiku
Gazetar
Athinë, 19 korrik 2020