PAMJE QË MË NGJETHIN MISHTË…DHE MË MBYSIN NË KUJTIME
– Meditime duke parë fotografi me shkrepje… ’91 e kujtimesh… ’60.
Koleg e mik Abdurahim,
Me këtë shkrim, këtë mëngjes të diele, që për mua lidhet me një kujtim të trishtuar, më more dhe mua për dore dhe me shëtite ne ato vende qe me lidhin me shume kujtime, përfytyrova kuqëlimin e mollëve në degë, blunë e kumbullave të arrira, degët e varura të qershive e vishnjave dhe takova miq të vjetër e te paharruar. Dua t’i kujtoj ato vende ashtu siç kanë qenë, të begata e të stolisura nga dora e dibranëve pasionantë dhe jo pas gjëmës që ra mbi gjithë atë pasuri pas zbatimit të teorisë famëkeqe të “Rrafshit zero”. Ata që shkatërruan vetëm atë gjë dinin të bënin, por jo të ndërtonin, lanë pas gërmadha, si plagë të hapura në qenien tonë, sepse ato ishin një pjesë e jetës dhe përpjekjeve tona, pjesa më e mirë. E si mund të harrohet? Të harrosh punën dhe krijimtarinë e atyre brezave pasionantë është si të harrosh vetveten dhe identitetin.
Miqësisht,
Resmi Osmani.
Një pamje që dua ta heq nga kujtesa por nuk mund ta bëj. Sido që mundohem ajo më del përpara, më del e më shfaqet nga truri elektronik i kompjuterit.
Dua të çlirohem prej saj ndaj po shkruaj, po meditoj, po fluturoj më se pesë dekada më parë.
Fotografia e parë, që të jem i sinqertë me lexuesin, është e vitit 1991 apo 1992. Është fiksuar nga kthesa e rrugës që nga njëra anë të çon në Muhurr e nga ana tjetër të çon në Peshkopi.
Për sqarim të atyre që se njohin vendin po përsëris se poshtë xhadesë, në të majtë, është fshati Rreth-Kale, një fshat i vogël me shtëpi mbi rrjedha burimesh diku-diku me bërraka, midis dy kodrave, Gjaricës dhe Pasmarit që në lartësi maten me njëra tjetrën e në pikëmbështetje duken sikur janë ulur këmbëkryq e sodisin nga njëra anë vargmalet në lindje me Korabin në krye e nga ana tjetër me Runjën e Gjagjishtin në perëndim. Nën këmbët e kryqëzuara, gati në gjysmën e harkut, edhe Gjarica edhe Pasmari kanë Drinin e Zi.
Më tutje, përsëri majtas, duken disa shtëpi të fshatit Vakuf, kodra e fusha-Livadhet e Frangut (që kur ishim në shkollë fillore aty e bënim piknikun pranveror) që së bashku me Gjaricën e Pasmarin i kishin mbledhur dy katundet siç mblidhen thekët dhe pistili i mollëve në kupë lulesh maji, pemësh ku mbretëresha e mollëve të tavolinës, “Renet Canada” dhe mbreti i mollëve me emrin kuptimplotë që e zbërthen vetëm anglishtja “Star-king”, “Ylli – Mbretëror”, ishin në sofrën e shtëpisë së tyre, ashtu siç ishin në tavolinat e Evropës tej e tej. Nami i sektorit të Zdojanit dhe i Kastriotit në tregjet e vendit dhe ndërkombëtare buronte pikërisht nga rrënjët që ushqenin mollët, nga duart punëtore të fshatarëve të Rreth Kales, Muhurrit, Zdojanit, Vakufit…
Më tutje, mbi të tjera kodra duket Zdojani dhe Brezhdani-djathtas e tej një copë nga një kodër e famshme për kumbullat tropojane, të ëmbla mjaltë, të shkëlqyeshme për konservim e për tharje, Kubeni…
Tutje-tutje, në prehër të vargmaleve të Deshatit, Skërtecit e Valivarit – Peshkopia me kurorën e bardhë – dimrit e të blertë – verës bjeshkësh, njëra më e bukur se tjetra e burimesh akull të ftohta uji bore…
Fotografia e dytë, e fiksuar në të njëjtën ditë diku nga një rrugicë që zbret nga Kodra e Rame të Muhurrit, në të majtë ka një fragment rruge që ka marrë emër të përveçëm nga puna vullnetare e rinisë gjatë pranverës, verës dhe vjeshtës së parë e të dytë të vitit 1946: “Rruga e Rinisë Kukës-Peshkopi”. Ura, me këmbë të ngulura që në kohën e Italisë e plotësoi trupin e hekurt më vonë, pas lufte. Kodra në të djathtë është pjesë e Gjaricës, kurse pemishtja në të majtë me kullën e moçme të dinastisë me emrin Dine Hoxha flet me gjelbërimin përballë lakuriqësie brezaresh që më dhembin. Ura, po të vësh në punë pak me kujdes syrin, përshkohet nga një tub metalik, tub çeliku me një diametër diku tek 500 milimetër që në fundvitet ’60-të mori ujin e Murrës dhe me vetërrjedhje e ngjiti në majë të Gjaricës për ta shpërndarë mbi shtatin e saj dhe të fushës nën këmbë, Livadheve të Frangut e Çapit të Brezhdanit.
Në tërë këto pamje nxjerrë nga kujtesa e gjallë e jetës sime më vjen një pamje “natyrë mort”. Brezare të zhveshura nga bimësia, dele që kullotin atë pak barë që u jep natyre, një grua me barrë mbi shpinë, barrë e mbledhur nga një masakër bimore, mbeturina të atyre që la sëpata, shkallë të thata që i ngjiten kodrës me mundim…
Këtyre shkallëve, tabanit të brezareve, në vitet ’60-të u ngjitën arrat, të parat arra në blloqe frutorë kultivuar nga njeriu shqiptar, më i madhi (thuhej) në Ballkan…
Jam dëshmitar jo vetëm me sy por edhe me krah i kësaj nisjeje. Isha agronom i mesëm dhe isha ftuar që të piketoja vendet ku do të hapeshin gropat e mbilleshin arrat. Xhavit Hysa ishte arkitekti i krijesës së re. Unë me të, e përballë tij, isha një djalë i ri, një djalë që ai do të më mbillte në zemër dashurinë për pemëtarinë, dashuri që do ta përjetoja më fort e më thellë pesë vjet më vonë kur përsëri bashkë do të piketonim bllokun frutor me pesëdhjetë mijë rrënjë kumbulla, arra dhe gështenja të Qenokut. Nuk ishte i vetmi, ishin edhe të tjerë…Idriz Lala, Mehmet Hajrullai, Xhetan Xhika…
Xhaviti ishte shumë racional dhe largpamës. Arrat i piketuam dhe i mbollëm në distanca 8 me 8 metra, ngushtë për biologjinë e arrës por me mendimin që kur bimët të takonin degët e tyre, një rresht të pritej për të kaluar në 16 me 16 metra dhe drurët e prerë të kalonin në përpunim industrial për prodhimin e rimesos së arrës, aq e çmuar dhe e kërkuar në prodhimin e mobilieve të kohës.
Në Qenok, Xhaviti, tash pas shumë vite përvoje mes rreshtave të arrave do të fuste kumbullat, jetëgjatësia e të cilave e shumta shkonte në 30-40 vjet e pasi të priteshin arra do të ishte në gjallërinë e saj biologjike. Kush donë ta shohë këtë, kur arrin të përpjetën e Qenokut, aty ku është një karburant, le të hedhë vështrimin poshtë. Arrat e mbetura nga kujdesi i pronarëve të ish zabelit të dushkut i kanë “mundur” plotësisht kumbullat që tash vetëm tek tuk mund ti shohësh…
Fotografia e tretë dhe e katërt më vijnë nga rreshtat e pemëve, njëra tek krasiten pemët e bllokut të Zdojanit e tjetra nga mjeshtri i pemëtarisë, brigadieri i njohur i Zdojanit Hysen Mikli…
… Kisha muaj që këto rreshta i kisha hedhë në zarfin ”Për botim”, zarf në të cilin fus shënime të prera në mes. Do ti kisha lënë atje mes shënimeve të tjera jetime sikur Mond Hasani mos ishte ngjitur një ditë për të përshkuar tërë kurrizin e Gjarajcës e për të më mbledhë një nyje në shpirt, nyje kujtimesh që lidhen me tërë zonën që në një rreth treqind e gjashtëdhjetë gradësh kishte fotografuar e përcjellë në facebook. Dua ta falënderoj Mondin për fotografitë, të gjitha fotografitë që përcjell në internet nga Katër Grykët e Murrës në Kalanë e Zagradit e gjerë e gjerë sa të kap syri.
E pashë me zemër në dorë Gjarajcën, luginën e Drinit, Brezhdanin, Çapin pjellor si asnjë fushë tjetër, fiksova në horizont Katundin e Ri e Luzninë, pashë ujëmbledhësin artificial të Zdojanit ngritur mbi tokat e fisit të Zhuzheve me banim në Rreth-Kale e Brezhdan, Pullazhinat dhe Livadhet e Frangut…
Një foto të Mondit po e përcjell, djerr në tokë të butë ujitur nga ujërat e Setës dhe të Murrës…
Midis pamjeve poshtë të cilave një piktor do të shkruante “Natyrë mort”, pashë edhe një ngastër të vogël, pak poshtë grumbullit të shtëpive të Mane, ngastër të mbjellë me mollë në distanca të afërta…
Më ngrohu pamja. Shpresoj që të zgjerohet e zgjerohet, të pushtojë Livadhet e Frangur dhe Pullazhinat, pse jo edhe kodrën e Gjarajcës dhe Pasmarit.
Shpresoj…
Abdurahim Ashiku