A MUNDEM…?
Si vorbulla mendimet mbështillen ditëve te mia
Manitë absurde sillen e fshihen ndër ditë
Cfilitjet dua të largoj, më lodh kjo vetmia
Të mbjell veç këngë, me mirësi t’i stolis.
A mundem vallë, që dritë të shpërndaj?
Të ardhmen ta ndërsej kundër vdekjes?
Të rrok mirësitë e me të gjithë t’i ndaj?
Të ulem pranë një kroi e të shuhem prej etjes?
A mundem që butet e mykura t’i nxjerr në hapësirë?
Që dhe vreshtat në lëngje të bekuara t’i kthej?
Të sperkas buzet e ndrydhura, që janë duke ngrirë
Me guret si smeralde nje kala te forte te ngre?
Mesnata më përcjell zërat e të parëve,
Më vijnë këngët e moçme me gajde e çifteli,
A mundem vallë t’i zgjoj e t’i ngre prej varreve?
T’i përkëdhel me vargje…me vargje t’u jap pavdeksi?
A mundem të largoj ca thinja e diku tutje t’i hedh?
Ta heq dhe një rrudhë, që më endet mbi ballë
Të gjitha mirësitë si lule shumëngjyrëshe t’i mbledh
Mbrëmjeve të dlira tek të gjithë t’i shpërndaj?
Dua që pushin pranveror kudo ta shpërndaj
Me gëzofin e dimrit të ngroh zemrat njerëzore
A mundem vallë, që thërmijat e gëzimeve t’i ndaj?
Brymën e vetmisë ta tres, ta hedh në një bregore?
Eh, ngelet veç ëndërr, shurdhmemece më bëhet bota
Dua të rrethoj malet, nga zëri im të tunden
Mbase dhe këto vargje do ngelen të kota
Ndër ecjakëve më lodh pyetja: “A mundem…?”
-ADELINA PALI-