16.5 C
Tiranë
E dielë, 19 Janar 2025

Adem Zaplluzha

 

Adem Zaplluzha Poemë për Vaçe Zela

Ta përkujtojmë 7 vjetorin e ikjes së divës Vaçe Zela..

SHQIPËRI O NËNA IME

Po bie

Një shi i Bardhë e i kristaltë

Po bie

Mbi zërin e Vaçe Zela

Ca tinguj elegjie zgjohen

Në këtë natë në një serenatë

Diku në Lashtësinë e Prizrenit

Vajton një gërnetë

Pikojnë si lotët e qiellit

Pikojnë gjethet e një muzike

Mbi një varr prej lotësh dënes

Një këngë

Me tinguj të rrëqethur

Po fishken zambakët e Prizrenit

Në cilën lagje hapeshin qepenat

Kur nga një radio e vjetër

Dëgjohej zëri i Shqipërisë

Dje këndonte Vaçja

Ajo dhe sot këndon me një kitarë

Të vetmuar

Me zërin madhështor të korit Hyjnor

Këndojnë yjet “Shqipëri o nëna ime”

Kush tha se vdiq kënga

Ajo jeton në çdo shtëpi shqiptare

Një perëndeshë e muzikës

E cila deri në vdekje nuk abdikoi

Të zbresim deri në fund të notave

Edhe pak këngë ka mbetur

Në arkivolin e kujtesës

Edhe pak

Të dëgjojmë zërin drithërues

Të Vaçe Zela

2.

Si nga një tjetër botë

Më vjen një këngë

Mbase ajo

Akoma këndon këngën e Shqipërisë

“Shqipëri o nëna ime”

Pse ja more zërin e bilbilit

Kush do këndoj pas Vaçes

Janë lëshuar deri në tokë

Degët e pjeshkës

Qershia dënes me ngashërim

Kush do vij pas teje

Moj bij e shqipes

Malli im

Sonte ka nevojë për një këngë

Kam lot trishtimi

Nga zëri i nëntokës vjen një jehonë

Vaçja si një sirenë deti

Mbi këto kreshta dhembjesh këndon

3.

Si zëri i erës

Sonte më vijnë vegimet

Kalërojnë kuajt e ujit

Nëpër sipërfaqet e pentagramit

Si nëpër vegime

Kalërojnë notat e këngës së paharruar

“Shqipëri o nëna ime”

Një zë si zëri i Hyjit

Mbi kreshta qëndron

Mbi daullet e kushtrimit

Një nuse

Si ato zana malesh

Me mallëngjim këndon

Kjo është zëri i Vaçes

Që zbret nga lartësitë

Këndon e dhe era

Një këngë me lahutë

Nëpër sheshe

Zgjohen shpirtrat e engjëjve

Një bilbil në ograja

Ka heshtur në një skutë

4.

Vaçe moj

Nusja më e bukur e KOSOVËS

Këndomë edhe njëherë

Ndonjë këngë me mallëngjime

Mos harro

Por të gjithëve na pëlqen

Ajo e shpirtit

“Shqipëri o nëna ime”

Sonte dua të qaj

Të dënesi si guri i atdheut

Por loti i burrit është kënga

Këtë e kemi mësuar

Që nga koha e Skënderbeut

Vaçe moj nuse

E bukura e KOSOVËS

O ju lutem

Mos i ngacmoni tingujt e natës

Sa bukur dëgjohet kjo serenatë

Po vajton shpirti i gërnetës

Me lot ngashërimi

Po dënes kjo natë

5.

Vaçe moj

Nusja e maleve tona

Krenare

Kush do i përqafoj pas teje

Telat e gjalla të kitarës

Unë kam mbetur pa zë

Mbi dunën e shpirtit tim

Po vajton një zog i trishtuar

Po vajton

Tok me një kukuvajkë

Të lutem

Këndoma edhe sonte

Këngën e atdheut tim

Por pa ngashërime

Këndoje edhe njëherë këngën

“Shqipëri o nëna ime”

Këndoje të lutem

Le të vijnë në përcjellje

Zanat e Alpeve

Ndoshta mund të zgjohet nga gjumi

Vetë Gjergji Elez Alia

6.

Sonte kemi nevojë

Për hingëllimën e gjokut të bardhë

Të përgjëroj

Këndona edhe njëherë

Këngën e atdheut

Zgjoji nga legjenda

Trimat e çartur

Sa shumë kemi nevojë

Ta dëgjojmë këngën

“Shqipëri o nëna ime”

7

Si sot më kujtohet

Kur e mbuloja kokën me një plaf

Të dhirtë

Dhe në një radio dore

I dëgjoja këngët e tua

Fshihesha pas ëndrrave të mia

Vetëm një vijë uji na ndante

Që mos t’i dëgjojmë lirshëm

Këngët e tua me kënaqësi

Por i dëgjoja fshehur

Si një hajdut

Unë këndej vijës së ujit

Zëri yt andej përroit

I kallte malet

Me sy të lëmekur

I shikoja gjethe e verdha

Këndonin edhe ato këngën

“Shqipëri o nëna ime”

8.

Sërish vjen një zë

Dhe si freskia e gjetheve

Ledhaton

Lëkurin e zeshktë të erës

Nga degët e vjeshtës

Fluturojnë

Si nëpër përralla dykrenorët

Fluturojnë nëpër kreshte malesh

Zërat e një vajze

Thonë se ishte zëri i Vaçe Zelës

Këndonte edhe era

As lumi i përgjumur nuk e ndalte këngën

Mbi notat e pentagramit

Si një engjëll drite

Zgjohej zëri i fjetur i Vaçes

9

Edhe pas ikjes

Unë jetoj me zërin tënd

Sa herë që kam qenë i vetmuar

Në celular

i dëgjoja tingujt për atdheun tim

O të lutem

Këndoma edhe njëqind herë

Atë këngë të bukur shqipe

“Shqipëri o nëna ime”

Këndoma të lutem

Sonte kjo natë e gjatë e shkurtit

Do jetoj vetëm me këngët e tua

Që qojnë njeriun edhe nga qivuri

10.

Ti ishe e vetmja

Dhe s’patë dot të dytë

Sonte me 06 shkurt 2014

Të gjitha ëndrrat

Në shpirtin tim i ke mbytë

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.