NËN RRËNJËT E HARDHIVE
Nga libri :“Kur kyçen yjet e harresës”
–
Për befasinë e të gjithëve
Hëna lakuriqe
Vallëzonte një tango të lashtë
Me pikat e imta të shiut
Vallëzonin edhe yjet
–
Vetëm në horizontin e largët
Dëgjoheshin krakëllimat e mjegullave
Te ullishtat ishin zgjua gjinkallat
Dhe me orë të tëra
Nuk e ndalnin këngën
–
Kjo stinë e dëborës
Nga uria
Po i kafshon hejet
Nën rrënjët e hardhive
Për herë të parë po piqet rrushi i zi
“”””””””””””””
VETËM NË VJESHTË
Nga libri :“Kur kyçen yjet e harresës”
–
Ishte vjeshtë ne u zhdukëm
Në errësirën e natës
Dy pëllumba
Fluturuan mbi çatinë e rrënuar
Fluturuan dhe kurrë më nuk u kthyen
Në buzët e ndryshkura të vesës
Të shuajnë trishtimin e etjes
–
Çfarë nuk pamë atë natë
Yjet e humbur bridhnin
Si pa kokë
Dy flutura të djegura
Si dy piktura anonime
Qëndronin të varura
Mbi lagështit e mureve të ngjyrosura rozë
–
Vetëm në këtë vjeshtë të ngrysur
Duken sheshazi
Llojet e të gjitha ngjyrave
Ylberi ka një tjetër trajtë harkore
Pamja e tij duket
Se noton si anijet e vdekura
Nëpër qiellin e vrarë nga kusarët
“”””””””””””””””””””””
DERDHET KRIPA E BARDHË
Nga libri :“Kur kyçen yjet e harresës”
–
Nëpër rrugë kalojnë njerëz
Të ngarkuar me thasë
Fytyra të ngrysura
Me shikime anemike ecin përtej urës
–
Nga duart me vragë pikojnë
Disa copëza të lëkurës së grisur
Mbi asfaltin e shkrirë nga dielli
Ecin me këpucë të shqyera
–
Lëkura e zeshktë përcëllon
Si toka e çarë e atdheut tim
Dielli përcëllues i jugut
I lanë flokët e palara me muaj
=
Prej thasëve të dhirtë nëpër mol
Derdhet kripa e bardhë
Pas njerëzve shkojnë delet
Duke lëpirë kripën nëpër asfaltin e qullur
“”””””””””””””””””
NA AFROHEN KUR U DUHEN VOTAT
TONA
Nga libri :“Kur kyçen yjet e harresës”
–
Tani djemtë na janë rritur
Secili ecën nëpër rrugën e vet
Vetëm nipat dhe mbesat më mbajnë gjallë
Një shpresë për të nesërmen
Si oreol fati qëndron mbi kokat tona
–
Ju thashë se djemtë e morën dynjanë në sy
Ikën si shtërgjet në vjeshtë
Kurse neve na mbeti dimri peng
T’i presim dhe t’i përcjellim miqtë
Sipas kodeve tona të lashta
–
Ndonjëherë na zë për fyti pikëllimi
Shokët po largohen
Po marrin një udhë të gjatë
Nuk kemi me kë ta pimë kafen e mëngjesit
Herë dalim me kapelë e herë pa të në rrugë
–
Ja pra miqtë e mi kemi rënë prej degëve
Nuk na llogarisin për njerëz
Edhe këta të qeverisë
Na afrohen kur u duhen votat tona
Pastaj vazhdojnë me të vjetrën