Rrugën më të shkurtër për të ekspozuar pikturat e përgamenës e gjeta Çabratin
Në vend të rrobave ju kam sjellë vargjet e poetit Ali Podrimja
Kështu do të jemi të barabartë me diellin.
Sonte ndaloni përpara eshtrave të ndarë në një mijë copa pikturash i kam ndarë
Kam vendosur edhe nëse hi të bëhëm dua të ekspozoj rebelizmin tim
Tokën më nuk dua ta lë pa asnjë zot, kur këtu jemi edhe para vetë dreqit.
Jemi vonuar me vite nga fatet që na rënduan zotnat e njeriut fatkeq
Deri më tani njëqind herë kisha qenë kënga dhe buzëqeshja e diellit
Tokës ende i vie era gjak e helm që nuk munda ta fshijë kurrë nga dheu
Nuk desha të protestoj para ditëve që i ngjanin më shumë natës se sa diellit.
Prapë diçka më ndalon në shpirt dhe e kam vështirë të ta them
Ndoshta një ditë në mes kufijëve të ndarjes më duhet të ndaloj
Ç´faj kisha unë apo koha ime kur gjuha e jonë ishte mëmëce dhe e ndaluar
Dikush ishte fajtor përse u vonuam të gjendëm ballë për ballë me vrasësit e Apokalipsit.
Tokës dua t´i falëm për mëkatet që vetëm njeriu di t´i bëj keq
Në emër të dritës së diellit dua t´i kërkoj qiellit pak shi se kam etje
Nuk i dua më stuhitë që m´i ngjanin burgjeve pesëqind vjecare
Nuk di tani si t´ja bëj të protestoj apo të ekspozoj edhe pikat e fundit të shiut.
Më thuaj si më është ma lehtë të vie deri te ekspozita e përgamenës
Të luftoj as këtë nuk di ta bëj sepse të gjithë luftëtarët e atdheut vdiqen për një ditë
Vetëm unë kam mbetur me ca trëndafila duke ju vënë secilit nga një lule pranë lapidarëve
Pushka më ka mbetur mbi supe e nuk më hiqet dot nga mendja as nga sytë.
Më thuani cilin djall duhet vrarë a cilin ta shpetoj nga nga çmenduria e tij vrasëse
Tani a jam në gjysmë të rrugës dhe gjysmë gote të ngritëm vargut tënd poet
Si do të dukej flaka e diellit nëse hi e pluhur ndezen kufijtë e shqipeve
Protestën vetes ja kam drejtuar se mjaft protestova për të tjerë o fatkeq
Diellin e kisha ëndërr ,sikur edhe vetë jetoja në ëndërr të shpetimit nga ferri.
Sonte askund nuk mund të më ndalohet të protestoj,as të ekspozoj pikturën e përgamenës rrugëve të diellit e Gjakovës.
Dua ta fsheh fajin e Urës se Fshejtë pse ia murosi gjinjtë e të voglës nusëri
Lë të dehemi tani tërë jetën me gotën mbushur verë e herë mëkate lotësh.
Një lule dhe lutje për Yllka Domin dhe të gjiithë Yjet e Çabratit.
Gjakovë,Ti je vetë Përgamena e fjalës dhe e frymës shqip.
PS- lexuar në Mitingun e 53-të poezisë në Gjakovë