11.5 C
Tiranë
E hënë, 16 Shkurt 2026

Agustin Gjinaj

In memoriam

Babaçe Faiku, simboli e magjia e Shkollës së Aviacionit

Pak ditë përpara se shkolla të festonte 35 vjetorin e themelimit, ne maj 1997 u nda nga jeta komandanti I parë I kësaj shkolle, Babaçe Faiku.Babaçe Faiku “Arkitekt” i shkollës së Aviacionit | Gazeta Telegraf

Ai u lind më 12 Mars 1924 në Vlorë ku dhe mori arsimin fillor dhe përfundoi dy vite të shkollës tregtare. Aktivizohet në njësitin e parë gueril të qytetit të Vlorës, ndërsa në verën e vitit 1942 doli partizan. Gjatë luftës arriti të marrë detyra, funksione, plagë e lavdi. Pas luftës, rasti apo dëshira e tij e solli që të lidhej me aviacionin dhe të bëhej një nga pionierët e Aviacionit Luftarak Shqiptar. Studioi për pilot në 1945-1947 në ish-Jugosllavi dhe në 1948-1950, në 1954 dhe më pas në 1957 në ish-Bashkimin Sovjetik. Babacja ishte Komandant i Skuadriljes së parë të Aviacionit në Shqipëri, pilot reaktivi I Klasit të Parë, Pilot i Parë i Avionit qeveritar, Komandanti i parë i Shkollës së Aviacionit. Në vitin 1962 ai u bë komandanti i parë Shkollës së Avaiacionit.
“Babaçja i shkollës” ishte modeli i ushtarakut të Shqipërisë
Babaçe Faiku, një nga pionierët e Aviacionit Shqiptar ishte një nga figurë e spikatur e Ushtrisë. Nga viti 1943 kur Babaçja doli partizan e deri në vitin 1975 kur doli në pension, ai për rreth 32 vjet e mbajti të veshur uniformën ushtarake duke kryer detyra të ndryshme. Kryesisht ai u njoh si “Babaçja i shkollës”, pasi në një farë mënyre këto dy emra ishin të lidhur në mënyrë të veçantë me njeri tjetrin.
Gjatë drejtimit të kësaj shkolle për rreth 11 vjet, komandant apo komisar i saj, ai shpalosi aftësitë e tij si një drejtues i aftë e i kujdesshëm, si pilotë e ushtarak, por dhe si edukator, metodist, pedagog e njeri. Ai kontribuoi që shkolla të përgatisë breza aviatorë të aftë e të përkushtuar.
Me përkushtimin e tij për punën, detyrën, ndjekjen e problemeve, angazhimin në çdo fushë e drejtim të shkollës, që nga problemet më të thjeshta të prapavijës e deri te fluturimi, Babaçja krijoi modelin se si duhej drejtuar shkolla e Aviacionit, model i cili edhe pas ikjes së tij nga ajo detyrë ishte e vështirë të ndryshohej, të paktën deri në vitet e pluralizmit.
Mendimi i Babaçes ka qenë përcaktues për të ardhmen e shumë kursantëve për ecurinë e mëtejshme në profesionin e pilotit. Jo vetëm nga fakti se komanda e shkollës e kishte detyrë funksionale të ushtronte kontroll mbi cilësinë e përgatitjes për fluturim të efektivave apo se njëri nga dy drejtuesit duhet medeomos ta bëntë një fluturim kontrolli me secilin student që dilte i vetëm. Tradita që kishte krijuar në shkollë, asnjë student i saj nuk mund të largohej pa fluturuar apo pa u kontrolluar nga Babaçe Faiku. E bëri këtë detyrë kur filloi punë në moshën 38 vjeçare e deri në vitin 1973 kur e la këtë detyrë në moshën 49 vjeçare, gjithnjë duke fluturuar si djalosh i ri, në fushën e Vlorës apo në Pishë Poro, aty mes pluhurit, në mes shokëve, vartësve, kolegëve e kursantëve.Babaçe Faiku “Arkitekt” i shkollës së Aviacionit | Gazeta Telegraf
Babaçja ishte modest dhe njeri i punës dhe jo i fjalëve. Në shkrimet e ndryshme të publicistikës në Shqipëri avioni qeveritar u bë simbol i heroizmit të ekuipazhit të tij pas një udhëtimi nga Bari në Rinas, kur “pasagjer” ishte Enver Hoxha, por është interesant fakti se heroi i vërtetë i këtij fluturimi apo dhe i fluturimeve të tjera me udhëheqjen, Babaçe Faiku, asnjëherë nuk ka pati prononcime apo deklarime për shtypin e asaj kohe apo dhe as vite më vonë kur doli në pension. Me një modesti të pashoqe ai e vlerësonte gjithçka kishte bërë në atë kohë si pjesë të detyrës së tij funksionale, detyrë të cilën ai e ka kryer ashtu si çdo detyrë tjetër në jetë, deri në përfeksion.
Babaçe Faiku, një nga pionierët e Aviacionit Luftarak Shqiptar, piloti i Klasit I dhe komandanti i përkushtuar për aviacionin luftarak, ka dhënë ndihmesë kolosale në krijimin dhe rritjen e kësaj arme të Ushtrisë Shqiptare përmes një jetë të kaluar të vështirë me sakrifica e arritje të mëdha.
Megjithë këto merita, Babaçja u tentua të goditej, ndoshta nga smira për arritjet e tij, ndoshta nga fakti se ai ishte i papërsëritshëm në llojin e vet. Në vitin 1974, kur dënohej veprimtaria e grupit të ashtuquajtur puçist, por edhe dukuri apo fenomene të ngjashme me ato të udhëheqjes së ushtrisë edhe në Skuadrilen e Tiranës, ku në komandë ishin komandant Babaçe Faiku e komisar Fahri Bubësi, u bënë mbledhje për këtë problem. Në nja nga këto mbledhje, Babaçja “shpëtoi” nga një diferencë minimale e votave.
Edhe kohë më vonë, disa politikanë e gazetarë të kohës donin ta “shihnin” figurën e tij thjesht si piloti i Enver Hoxhës, por jo nisur nga kuptimi i këtij emërtimi si një nga pilotët më të aftë të vendit, por si për të kujtuar se ai kishte qenë shok e mik, e ndoshta dhe bashkëfajtor për punët e drejtimit të shtetit, partisë e vendit në atë kohë.
Komandant Babaçja vdiq në Tiranë, në ditë të vështira që kalonte Shqipëria, në muajt e përpjekjeve për të dalë nga trazirat e çmëndura që çuan popullin në luftë civile. Ai mbylli sytë me 10 Maj 1997, në një moment që ishte “zbehur” flaka që shndrinte personalitetin e tij si një figurë e shquar.
“Forca” e Babaçes – zgjodhi gjithmonë rrugën e vështirë, “ të drejtën”
Ai ishte, jetoi e vdiq si një idealist-komunist i ndershëm, por asnjëherë në jetën e tij personale apo si drejtues, nuk kërkoi me hipokrizi prej të tjerëve të vepronin ndryshe nga mënyra si vepronte ai vetë.
Ai kishte aftësinë magjike të drejtuesve të shquar që dinë të krijojnë ekip, që dinë të grumbullojnë rreth vetes për të mirën e punës njerzit më të aftë. I përzgjodhi ashtu si duhet e ashtu si deshi, por jo për të shtypur e shfrytëzuar, por për të marrë prej tyre më të mirën, e për tu dhënë atyre më të mirën, më të merituarën në punë e karrierë.
Ai kishte një kërkesë të rreptë llogarie, por kishte gjithashtu një zemër të dhëmbshur, për të ndihmuar këdo në nevojë, kishte një ndjenjë të lartë përgjegjësie për të realizuar nevojat apo kërkesat e personelit jo si një gjest “shpirtmadhësie” të tij si drejtues, por si një detyrë e rëndësishme e funksionit që kishte, për ti shërbyer atdheut, por dhe njerëzve që komandonte e drejtonte. Nuk kishte njeri në shkollë që të kishte një hall e të mos e dinte Babaçe Faiku, e nëse e dinte ai, atëherë ai dinte dhe ta zgjidhte. Ai tregonte kujdes të veçantë për trajtimin e aviatorëve, për anët profesionale, shëndetësore, kulturore, fizike, ushqimore, çlodhëse të tyre.
Ishte i pakorruptueshëm, nuk mbajti pranë vetes“sekserë” e “ndërmjetës” për të marrë përfitime për ecjen e njerëzve në karrierë, për trajtim ekonomik, për përfitime jashtë ligjit, rregullit e moralit. Pastërtia morale e tij të kujton diçka nga legjenda për Aleksandrin e Madh, që kërkoi të varrosej me duar jashtë, që të shikonin njerzit se sa të pastra i pati duart njeriu që pushtoi botën.
Babaçja ishte njeri e burrë i besës, si Kostandini i legjendave shqiptare, që kur premtonte e mbante fjalën. Kështu bëri ai me gruan e tij të jetës, Mesaretin, e mori atë për bashkëshorte kur ajo “ishte në pikë të hallit”, e plagosur, e dërmuar, e sakatuar, e pavarësisht se nuk kishin patur asnjë premtim a lidhje fizike, ai mbajti “premtimin” e shikimeve të dashurisë së tyre të pastër e të çlirët. Babaçe Faiku shkoi për të parë në spitalin partizan së bashku me shokë partizanë dhe i kërkoi asaj dorën, ndërsa ajo fshihte fytyrën dhe lotët mes duarve.
Kështu e mbajti fjalën gjatë viteve të punës me detyrën, kështu e mbajti fjalën me njerëzit me të cilët punoi. Një ish-instruktor në shkollë, më shkruan se, “Babaçe Faiku ishte njeri me zemër të madhe, trim e i guximshëm, trim si Babaçe Ymeri i Luftës Nacionalçlirimtare. Sa ishte Babaçja në Vlorë, asnjë pilot apo teknik nuk mbeti të flinte me gruan në hotel të oficerave se ai i sistemoi të gjithë me banesë. Asnjë grua piloti apo tekniku nuk hipi në makinat e druve për të shkuar në punë si mësuese në fshatrat e largëta të Vlorës, por u sistemuan në punë në qytet. Mbas ikjes së Babaçes në Tiranë mjaft oficerë i linim gratë në hotel e shkonim në Akërni.
*
Babaçja të kujton diçka nga romani i Xhovani Arpino, që skenaristi Bo Goldman e regjizori Martin Brest në vitin 1992 e kthyen në filmin e famshëm “Aromë gruaje”. Duke folur për lidershipin, personazhi kryesor i filmit, nënkoloneli Frank Slade – Al Paçino, thotë se, “ gjithënjë kur jam ndodhur në jetë në një kryqëzim e kam ditur se cila është rruga e drejtë, por shpesh herë nuk e kam ndjekur atë se ajo ka qënë më e vështira. Liderë janë ata që ndjekin rrugën e drejtë”.
E veçanta dhe forca e personalitetit të Babaçe Faikut qëndronte në faktin se në jetë nuk ju tremb ndjekjes së “rrugës së drejtë”.
Ai kishte merita të mëdha e të shumëanshme, por dhe sikur meritat e tij si ish-partizan, si pilot i Klasit I, si drejtues në skuadrile luftarake e regjimente, si ish-pilot i Avionit Qeveritar të mos ishin aq të spikatura, do të mjaftonin për të kujtuar vitet që ishte komandant e komisar i Shkollës së Aviacionit, për ta bërë të paharruar kontributin e tij për Aviacionin Luftarak, pasi, “Babaçja i Shkollës” ishte Babaçja që kontribuoi për Ushtrinë Shqiptare, për Shqipërinë.
Ai ishte simboli dhe “magjia” e Shkollës së Aviacionit”.
(Me shkurtime nga libri në botim “Shkolla Shqiptare e Aviacionit”)
Nga Agustin Gjinaj.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.