Hesht e më vështron i përlotur,
me sytë që ndërrojnë ngjyrë vazhdimisht,
më prek përlotja juaj në shpirt,
por asgjë nuk bëra qëllimisht.
Mos më bëj fajtore, se nuk jam,
pse sytë i mbaj gjithmonë nga qielli,
i rrah krahët fluturim kaltërsive,
të ngohtat rreze t’i marr prej dielli.
Përflakur lindja,
mallin ma përkund në djepe resh,
ninulla shpirti luhen në kordele rrezesh të praruara,
intervali kohor për tek perëndimet e përgjakura
ma ka gërryer shpirtin,
malli me bastun troket baladave,
mjekërrbardhë në tisin e ëndrrave ia dorëzoj hënës.
Nesër e di, do lindi sërish në përkundje flladesh,
në prarime rrezesh, në bardhësi bjeshkësh…,
ritualin mijëravjeçar do përmbush.
Melodi e jetës
në pentagrame notash, me muzikë shpirti
e mëkoj
e mbrëmja nën flatra shiu, gjëmime pështjelluese,
ndriçime fosforeshente ma rrëmben,
dëgjoj kuisjen e rrotave tek largohen,
loti në qerpik më akuzon…
Unë qesha,
qesha me fjalët e tua,
më the: ty të donin dhe pyjet,
hëna xhelozisë tretej çdo natë,
ndër ethe digjej qielli dhe yjet.
Njerëzit,
të pyeta më donin mua?
Kokën ule,
fytyrën ta mbuloi i kuqi nur,
të desha unë sa për të gjithë,
ende digjet shpirti i bërë zhur.
Besova si naive dikur dashurisë
si fëmija ,ëndrrës së babagjyshit në mesnatë
si flutura dritës s’ ndahet drejt vetflijimit.
E etur si bima pas stinës së thatë…
U besova fjalëve gurgullim burimi
U besova puthjeve ngjitur mbi lëkurë
ledhe përqafime çmenduri deriri
Parajses mbi tokë që nuk erdhi kurrë
Ëndrrat mernin krahë qiellit të paskaj…
Premtimet pas i more detit të pafund
Dy zemrat e kyçura sot në duar mbaj
Jehonën e dashurisë era e përkund.