ALBANA METHOXHA rritet me poezin,flet dhe rrugetojn s’bashku,kudo dhe kurdoher.Poezia bashkeudhtare e jetes. Gj.Musa,gazetar dhe botues.
PO KUSH ESHTE “ALBANA METHOXHA”?
Kam lindur më 23.03.1977 në fshatin Mollas të Skraparit.
Arsimi fillor, pra ciklin e ulët, e kam kryer në vendlindje, ndërsa ciklin e lartë të arsimit 8 – vjeçar dhe i mesëm të përgjithshëm në Vërzhezhë.
Gjithmonë më ka pëlqyer letërsia në përgjithësi, poezia më tepër. Me shkrime jam marë që në ciklin e ulët të shkollës fillore dhe këtë e kishin vënë re edhe mësuesit që më jepnin mësim duke më inkurajuar që ta vazhdoja këtë rrugë që unë kisha nisur. Studimet dhe literatura jashtë klase më jepnin më tepër mundësi që unë të njihesha mirë me elementet kryesore letrare, si me figurat letrare, ashtu edhe me ndërtimin e poezisë, rimat dhe ritmet poetike.
Fillova të botoj në organet locale, deri sa i mblodha poezitë në vëllime të veçanta. Kështu q[ kam botuar deri tani tre libra me poezi që titullohen:
“Përsëri përse” – 2001 Berat
“Mallëzime shpirti” – Tiranë 2016
“Mijëra puthje” – Prizren 2021
Kam të përfunduara edhe dy vëllime të tjera që presin dritën e botimit, ndërsa jam duke përgatitur edhe një vëllim me tregime, të llojit, tregim i shkurtër.
Jetoj dhe punoj në Tiranë.
CIKËL POEZISH
PUTHMË
Puthmë,-pëshpërin buza e dehur,- puthmë,
pëshpërimë e ëmbël drithëron magji,
zemra akordohet, rrahjet shton papritur
nën puthjen e zjarrtë luhet simfoni
Me gishtat e ndërthurur përcillej ndjenja,
qindra rrahje zemrash kthehen në një,
fliste trupi i dehur me të tijat shenja,
buza vetëm puthte e nuk nxirrte zë
Drithërim përcjell buza, zëri, shtati,
në delir magjie trupat pranë e pranë,
bota e magjepsur u përket të dyve,
mijëra galaktika mbrapa ata lanë.
IKJE
Teksa dielli i lodhur, rrezezhuritur,
freskinë kërkonte, zhytej në det,
hapat hidhje pas tij, rërës së lagur,
zhgënjimi mbi vështrimin fliste vet.
Kërkoje miken në mijëra pushues,
por sytë e saj si ndeshe kund,
deti i flakëruar digjej në flake,
valët në breg era përkund.
Largohesh vetëdijshëm i lënduar,
ndoshta e nesërmja do të sjellë sërish,
ku gjurmët e mikes vala ka shuar,
dje ishit një trup, sot vetëm një – ish- …
PAS PERDES
Pas perdes përgjoj zhurmat e natës,
por agun e mëngjesit prita në ballkon,
dy fjalë do t’i them hënë belkëputurës,
qiellin gjithë naze kur ajo e përshkon.
E prita gjatë, por hëna s’po dukej,
në ballkon dola të shihja merakun e saj,
qielli llamburiste në miliona drita,
dritë e re lajmërohej horizontit në skaj.
Ku kish ngel harruar çapkënia sonte,
në cilat rrugica a lulishte bareste këtë natë,
ndoshta ka mbetur peng e dashurisë platonike,
ku ëmbël i këndojnë me kitarë serenatë.
Me agun e parë u shfaq qiellit dhe ajo,
holluar, e tretur, s’e di se ç’prej meraku,
m’u dhembs e shkreta, asgjë s’i thashë, jo,
“Mallin” tim në heshtje putha prej së largu…
QIEJT E VIRGJËR
Mure të trashë, të ftohtë betoni,
krijojnë kullën e errët, pa frengji,
çdo ditë zgjatet e stërzgjatet,
qiejt e virgjër pushton si lubi.
Përbindësh i zbrazët që qiejt gërvish,
më pak ajër, brenda teje çdo ditë,
mua flokët s’më rriten si Rapunzel,
ndoshta si unë, ato duan dritë.
VETJA ÇAPKËNE
Lëkundet qiparisi nën flladin e mbrëmjes
si një lavierrës antik që orën s’gabon,
vështrimin tret vallëzimit të ëmbël,
lëkundja ritmike krejt më hipnotizon.
Re puplore largohen realitetit,
qiellit të tejskaj mbi malet e lartë,
magjinë e dritave sodis mahnitur,
përflakin tokën dhe qiellin e pamatë.
Me një re flirtoj e yjet xhelozojnë,
fillojnë të më joshin me mijëra vezullime,
vetja po më duket si ndonjë çapkëne
që rreth saj mbledh qindra adhurime.
Në vallëzim përdridhem pa peshë graviteti,
luaj me yjësitë: e ka kush e ka,
dua të qëndroj larg nga realiteti,
banore të shkoj planeteve të mëdha.
Mbrëmja tashmë ka zbritur plotësisht,
dritat ndez im bir brenda në dhomë,
-Eja, ma – më fton – mos rri më aty ,
është freskuar shumë të rrish në ballkon…
DIELLI BUZËQESHI
Natyra,
si nje grua e trishtë,
qau.
Natën qau,
fshehurazi me dënesë,
lotë të ftohtë plot dhembje lëshoi.
Mëngjesi e gjeti tokën të bymyer,
dielli buzëqeshi,
shkëlqeu mes resh…
DIGJET SHPIRTI
Në qerpik
ëndrrën ta ngjiz me një puthje,
mes drithërimash buza pëshpërit” më duaj”,
digjet shpirti…,
për trupat bën lutje,
qiejve rendim,
mbetemi të huaj…
“ BURG MODERN”
Mbyllur tashma burgut tim mizor,
qelia me mure te ftohtë xhelozie,
sytë që pikojnë dhembje në çdo orë,
buza mbuluar vello hipokrizie.
E ndërsa shpirti vlon mërisë dhe inatit,
pragun moral s’e kapërcen dot,
buzëqeshja falso buzëve ngrirë,
kripëzim kristal të hidhurat lotë.
Burgu modern pa mure e hekura,
qeli e ftohtë pa ajër e frengji,
si s’mundem këtë realitet ta bëj copë-copë,
qiejve të rend në pafundësi.
APO…?!
Dritëhije apo hije drite,
Natë që qan në mjegull,
I zi asfalti,
Të bardha dritat,
Trishtim i pangjyrë,
Lotë dritëhijesh,
Rrëshkasin në fytyrë.