Albert Z. ZHOLI, Shkrimtar-publicist
Këto ditë, lexuesi shqipfolës mori në duar vëllimin e parë poetik të autorit Bashkim Isai, me titull “Guxo të dashurosh”. Dhe pse vjen vonë pranë lexuesit me libër, autori ka vite të tëra që krijon, studion, përcjell kritika letrare dhe akumulon risitë e zhvillimeve poetike. Si intelektual i heshtur, Bashkim Isai ndër vite ka qenë një lexues i zellshëm i letërsisë, por kurrsesi nuk është nxituar të vijë me një vëllim poetik, mbasi sipas tij, ka ende vend në “magazinën” e tij shpirtërore të akumulimit për të marrë nektar të shoshitur poetik për ti kthyer më vonë edhe vetë në vargje. Dhe ja, befas ai vjen me këtë vëllim në dukje modest, por me një përmbajtje premtuese letrare, artistike. Ajo që bie në sy në këtë vëllim është vargëzimi rimor që bazohet në strofat dy vargjesh. Në tërësinë e poezive ku mbizotëron lirizmi, autori në disa poezi si vetë përkufizimi i lirizmit nuk përshkruan ngjarje, por përqendrohet te ndjenjat dhe emocionet e veta për një çështje të caktuar ku poeti përshkruan atë që ndjen ai nga brenda për tematikat e ndryshme. Në këtë vëllim poetik bëjnë pjesë të gjitha llojet e poezisë moderne dhe asaj të lashtë, si ditirambi, epigrami, epitafi, idila, elegjia, apo himni, oda, etj… Te pjesa më e madhe e poezive, poeti shfaq përjetimet e veta në tërë dimensionet reale të jetës si hidhërimet, gëzimet, sukseset, fobitë, dëshirat, ëndrrat, vuajtjet, shpresat, arritjet dështimet por mbi të gjitha ai ndalet në poezitë për dashurinë. Ndërsa, Ode-ja është tipari dallues në këtë vëllim. Ajo si gjini e poezisë ka gjetur shtratin e ngrohtë tek vetë jeta dhe pena e autorit, pasi ai rreket
me ndershmëri ti thurrë lavdi një individi apo dhe një ngjarjeje.
Por kaq frymëzuese janë poezitë me temë nga jeta e qetë dhe e tërhequr, por më me temp janë ato që pasqyrojnë një realitet ndryshe në natyrë. Poeti me stilin e tij vargëzues dallohet dhe në vëzhgimin e problemeve sociale jo vetëm në Shqipëri por edhe më gjerë. Ai nuk është thjesht një soditës i realiteti,t por dhe një pasqyrues besnik, ku me anë të detajeve do të përcjellë anët negative të realitetit dukë bërë thirrje për ndryshim. Në çdo poezi ka situata që ndryshojnë vargun, vendosin gurin kilometrik të problemit, por dhe gjejnë optimizmin për përqafimin e së drejtës. Në libër do gjeni fshatin, nënën, dashurinë, njeriun problematik, natyrën shumë dimensionale, fajin, turpin, zgjimin, zhgënjimin, vëzhgimin, të bukurën, të shëmtuarën, detyrimet, të drejtat por mbi të gjitha do të gjeni sinqeritetin vargëzues, që e bëjnë poetin të besueshëm dhe praktik. Në këtë optikë integrohet natyrshëm ky vëllim poetik me një titull sa shumshprehës aq edhe intrigues. Duke i studiuar poezitë mendova të sjell si referencë disa poezi që mua mu dukën pikante për fabulën, interesante për figuracionin, befasuese për shtjellimin dhe të spikatura për mesazhin:
PEISAZH
Mullarët e kashtës si murgjër të heshtur,
Pemët plot fruta me llërat përveshur.
Pulat e shpërndara, ndonjë gjel kikiron,
Ca vezë të freskëta në kotec shikon.
Një dem i epshur me tërbim vjen përqark,
Sytë e lëngëzuar me rremat plot gjak.
Në qosh zien kazani, po zihet raki,
Meze me ullinj, djathë dhe ca turshi.
Qeni vjen përqark për ndonjë kockë,
Mirseardhët në …Poloskë !
I Një përshkrim të fshatit në mënyrën më elegante. Një varg
i thjeshtë por plot figuracion. Vargje ku detaji plotëson metaforën dhe kërkon plotësimin e situatës. Mullarët e kashtës si murgjër, një dem i epshur me tërbim vjen përqark, pulat e shpërndara, apo ndonjë gjel që kikiron, në
qosh zien kazani me raki, qeni që vjen përqark për ndonjë kockë,
janë një përshkrim kaq interesant, kaq bukur, kaq elegantolakonik
që të mbeten në mendje. Një varg pa sforcime, por në mënyrë ylberore, ta përcjell ambientin e një shtëpi fshati në mënyrën më të bukur të mundshme.
Kjo poezi ka detaje që të duken sikur janë të njohura, por jo çdo kush mund ti përcjellë në vargje në mënyrë harmonike. Këto mund ti bëjë një poet që e do fshatin, që është i lidhur me të, që do natyrën, që do hapësirën, që do ta njohë jetën në fshat dhe që i 6 Guxo të dashurosh lë mbresa të veçanta ai. Jo të gjithë poetët kanë shkruar për fshatin dhe jo të gjithë përcjellin detaje specifike nga kjo jetë, ku çdo gjë flet me gjuhën e natyrës së pastër, të bukur, ku çdo gjë që gjallon është Bio.
II
JETA NË MOSHË TË THYER
U bë kjo jeta jonë në moshë të thyer,
Si serial televiziv drejtpërsëdrejti,
Ankohu, shërohu me kokrra doktori,
“Defekt teknik! Rifillojmë së shpejti!”
Një poezi realiste- që përmban shumë doza humori. Një poezi
ku e vërteta flet pa asnjë perde mbulese. Një metaforë konkrete
që të befason. Pak vargje, pak fjalë, por një realitet i dhimbshëm
që nuk e anashkalon dot. Sot në Shqipëri sheh gra që mbushin 60
vjeç dhe burra që mbushin 65 vjeç shkëputen nga puna zyrtarisht,
marrin librezën e pensionit dhe pas kësaj ata përfshihen në atë që
quhet mosha e tretë. Por ç’ndodh me këtë kategori sociale? Pas
këtij momenti shtohen problemet shëndetësore. Nganjëherë është vetë njeriu që e sfidon moshën, plakjen, pleqërinë por nuk e mënjanon dot moshën, vitet që mban mbi supe. Një problem i madh i moshës së tretë sot në Shqipëri është se ka shumë prindër në moshë të braktisur nga fëmijët që janë në
emigracion dhe kjo është drama e kohës sonë. Kjo u shkakton atyre mërzi, stres e gjer depresion. Ndihen të zhvlerësuar dhe pa ndonjë rol në jetë. Nuk ftohen të kontribuojnë sërish në shoqëri me mundësitë që kanë. Ndaj dhe sëmundjet shtohen. Ndaj për ta kërkohet një tjetër vizion social kulturor
pasi kjo do jetë e “nesërmja” e të gjithëve neve. Duke parë realitetin duhet të nisë dhe sensibilizimi siç ndodh me këto vargje….
III
SHIJA E BALTËS
Një varr i vjetër me një gur në qosh,
Një foto e shpëlarë tregon një djalosh.
Bari e ka pushtuar, ca shkronja kanë mbetur,
Ca lule të kalbura, një qiri i tretur.
Herë e ngroh dielli, e herë e lan shiu,
Herë qefini i borës, askund këmbë njeriu.
Ai vrau veten për një dashuri,
Por tani i vdekur s’kujtohet njeri.
S’kujtohet e dashura, e qetë ajo fle,
Apo ndoshta po puthet tani me dikë?!
Të shkoi fati keq, ishe i gabuar,
Kur çelësat e zemrës i dhe pa menduar.
Kujtove se bota ishte veç ajo,
Tani të kalb shiu, askush nuk të do.
Dhe dashuritë ndryshken, nuk janë flori,
Pra s’ja vlen të shijosh baltën kaq i ri.
Në dashuri janë dy zemra, që bashkohen në Një,
Kur është vetëm njëra, në baltë të lë!
Dihet botërisht se poezia është forma më e lashtë dhe më e zgjedhur e artit të fjalës dhe si e tillë, është në të njëjtën kohë dhe ajo më e studiuara. Por te kjo poezi jam ndalur mes dhimbjes. Një përshkrim ndryshe i dashurisë ndjenjës më sublime njerëzore. Një përballje mes një të dashuruari idealist dhe
një pseudo-dashurie. Dashuria sentimentale ka përmasa të përbindshme, ajo është zjarr dhe parajsë, skëterrë dhe Ylber, errësirë dhe dritë, shpërthyese dhe shtangëte, sfilitëse dhe argëtuese, frymëzuese dhe stepëse, optimiste dhe pesimiste, e bukur dhe e shëmtuar. Disa herë dashuritë arrijnë deri në marrësi, por herë-herë deri në vetësakrifikim të pamerituar si në këtë poezi. Kjo mënyrë
e përcjelljes së dashurisë është shumë e veçantë dhe specifike
ndaj dhe ndala. Çdokujt në jetë së paku një herë i ka ndodhur që të
mos ketë fat në dashuri. Çdokujt i ka ndodhur që dashuria ti ketë
shkaktuar dhimbje. Kjo poezi ka pikturuar me ngjyrat më reale, sinqeritet, dhe jo të rafinuar fjalën Dashuri. Kjo poezi përmban një thirrje të fuqishme me zërin e sublimuar që vërteton edhe dashurinë hipokrite duke shkallmuar themelet e moralit të rremë me një sinqeritet drithërues. Dashuri, do të thotë dy zemra në një, dy shpirtra një qëllim, dy trupa një vegim, dy gjini të ndryshme një vizion dhe dëshirë. Kjo është dhe ana e errët e dashurisë. Kur nuk gjallon tek dy trupa,
ajo sjell tragjedinë si në këtë rast. “Dashuria, ky moment i mëkatit biblik, mbart brenda vetes magjepsjen e ëndrrave, strumbullarin filozofik të ardhjes së njeriut në jetë, shpirtëzon botën e ripërtërin jetën, gjithmonë duke u bazuar në dy qenie”. Por jeta nuk është një lundrim i qetë. Jo çdo gjë që dashuron mund të të dashurojë. Poeti në këto vargje ka aftësinë magjike ta bëjë të ndjeshme,
të prekshme dhe ta saktësojë dhimbjen e dashurisë, të lartësojë
gjuhën poetike të vargut duke ofruar te lexuesi një emocion krejt
ndryshe të jetës njerëzore. Ai vrau veten për një dashuri,/Por tani i vdekur s’kujtohet njeri/ S’kujtohet e dashura, e qetë ajo fle,/ Apo ndoshta po puthet
tani me dikë?!
Ky është fati tragjik i moskuptimit, i të qenit duet në
dashuri. Dashuria për tjetrin duhet të qëndrojë mbi eksperiencën
që ka çdokush mbi dashurinë, duke gjetur dhe ekuilibruar limitet
e vetes, me atë të femrës. Ekuilibra normaliteti dhe jo idealizmi të ngurtë, pasi qenia njerëzore në dashuri është gjysma e një të tëre, ku çdo gjysmë
kërkon me ngulm kompletimin me gjysmën tjetër. Po kur gjysma
tjetër nuk ekziston??!! IV Në tërë vëllimin poetik të poetit Bashkim Isai dallohet mesazhi humanist e pozitiv edhe kur përballet me dhimbjen, negativen,
intrigën, pabesinë dhe mosmirënjohjen. Dhe pse në disa poezi ka
nota mosbesuese, autori kur vargëzon për dashurinë, sintetizon
qartazi se dashuria transformon botën, botën e brendshme dhe atë
të jashtme njerëzore, dhe ajo shërben si burim begatie, paqeje,
lumturie, dhe i jep krahë imagjinatës dhe ëndrrave në sirtar. Për nga tematika, stili, gjeografi-shtrirja e situatave, mënyra e ndërtimit të lëndës, përqasja artistike dhe formëzimi estetik, vëllimi i parë i autorit është premtues. Ai në këtë vëllim është vetvetja, i thjeshtë, i lexueshëm, korrekt por dhe misionar.
Misioni tij në poezi është të jetë i drejtpërdrejtë, shumëplanësh, kërkues me qëllimin e vetëm të japë mesazhe paqeje, mirësie, bashkëpunimi, që ta shohë botën si një nuse të bukur, ku e shëmtuara të zhduket dhe harmonia të jetë melodia më e bukur e shpirtit njerëzor.