Sot eshte 102 vjetori i lindjes se Spiro Comorres, poetit,satiristit,perkthyesit dhe komediografit te shquar.
NUK KA MENDJE ME TE VARFER SE SA AJO QE I MUNGON HUMORI
Emigracioni në krahinën e Himarës i ka fillimet në fund të shek. XVII dhe fillim të atij të XIX. Shkaqet ekonomike dhe një varfëri e madhe përgjithesisht, i detyruan të mërgonin në vende të ndryshme të botës. Luftrat e gjata, plaçkitjet dhe pasiguria kishin lënë gjurmë. Bota kaloi një luftë botërore dhe kriza me gjithë përpjekjet që bëheshin nuk e shmangi dot të dytën, e cila ishte më e egër dhe barbare se e para. Shumë familje vunjotëse zgjodhën Greqinë si vendin më të afërt. Familja e Kiço dhe Avgustella Çomorrës u vendosën në Korfuz duke menduar e shpresuar se do të kishin mundësira më të shumta për përmirësuar gjëndjen e tyre. Kiçua robëtohej gjithë ditën në punëra të ndryshme e të rëndomta derisa u sistemuan në katin e dytë të një shtëpie afër detit, në Korfuzin e vjetër. Më vonë hapën një ngrënëtore. Ajo u bë një vatër e ngrohtë shqiptarizmi, dyerhapët për bregdetasit, për fjalën dhe këngën e bukur shqipe, për patriotët. Ajo shumë shpejt u shndrrua në një copë tokë shqipe në dhe të huaj dhe të gjithë ata që bujtën në të, u larguan me mbresa e kujtime të pashlyeshme. Mbas vitit 1924, ajo u bë një strehë dhe për njerëzit me pikëpamje liberale e demokratë, militantë të lëvizjes revolucionare siç ishin Halim Xhelua, Fuat Babani, vëllezërit Nushi e shumë të tjerë që gjetën ngrohtësinë dhe mbështetjen. Në këtë klimë dhe mjedis erdhën në jetë 4 fëmijë dhe në shtëpinë e tyre flitej vetëm shqip. Spirua lindi i fundit, në fund të Luftës së Parë, nën gjëmimin e topave dhe trazirave të saj dhe jetoi në një periudhë të ngarkuar me konflikte të shumta e vite të mbrapshta duke provuar së fundi dhe komunizmin me të gjitha prapësitë e tij. Vendlindja ishte Korfuzi, më 31 të janarit 1918, përkundruall fshatit të origjinës së prindërve, Vunoit, që do të kthehet herë pas herë, në ato vende të bukura, ambiente plot gjelbërim e me aromën e pemëve dhe luleve të shumëllojshme, në gurgullimat e zhurmshme të prroit, sidomos në periudhat e dimrit me shira të rrëmbyshëm, karshi detit me një pamje magjepëse, në mbrëmjet e netët përrallore me hënë dhe në një mjedis shoqëror me nje humor të këndshëm e batuta të lezeçme e hera-herës me një ironi thumbuese, ai mori frymëzimin dhe imagjinatën si dhe krijues të tjerë të këtij fshati. Shkollën fillore dhe atë të mesmen do ta kryejë në Korfuz. Shtëpia kjo vatër shqiptarizmi do ta joshë edhe vetë Spiron qysh të vogël, me hyrjet e daljet e shumta, diskutimet dhe debatet e ndryshme, ngjarje dhe episode, përralla, fjalë, shprehje e frazeologji popullore që nga pasioni që kishte dhe interesi që tregonte kultivuan zellin e një punë të mëvonshme për t`i mbledhur me kujdes. Një djalë i zgjuar dhe inteligjent dukshëm bien në sy për prirjet e tij për letërsinë nëpër faqet e shtypit shqiptar të atyre viteve që i ndiqte me interes jo vetëm për t`i lexuar, por edhe të shkruajë e të botojë disa vjersha. Janë përpjekjet e para që bën në poezi rreth viteve 1934-35, të cilën e boton në revistën “Vatra e Rinis” me titull “Për djelmt e arave” ku fton djalërinë të duan dheun e tyre, të jenë të përbashkuar, larg çdo të mete e ligësie që po përgatit jeta që të gjithë të ”këndojnë me një libër” se kështu do t`u bëjnë ballë jetës dhe do të jenë të dashur e të mirë përgjithmonë që po e ilustroj me strofën përmbyllëse: “Ja! Shikoni afrohet, dhe po uthret djelma gatituni se po u pret qofshi të dashur dhe të vërtet qofshi të mirë për gjithë jetë”. Janë kërkesa e pretendime edhe ndaj vetes që të ishte i mirë dhe i vyrtitshëm që janë të dallueshme në jetën që bëri. Gjithashtu të bën përshtypje edhe një letër e botuar në rubrikën ”Këndonjësit” të po kësaj reviste, në shkurt 1936 ku midis të tjerash shkruan: ”Larg nga atdheu sikundër jam, pres me padurim revistën tuaj të dashur, që të dëfrehem pak, të ndjej pak ngushëllim dhe duke e kënduar të më duket se kam një copë nga Shqipëria. Por ashtu është mërgimi”. Dhe redaksia nuk vonoi t`i përgjigjet ”Lavdërojmë zellin tënd për atdhe”. Në këto rrethana që u rrit Spiro Çomorra e ngacmonte gjithmonë ideja e njohjes sa më thellë e traditave të shqiptarëve gjatë shekujve si në Shqipëri ashtu edhe në trevat ku kishte ngulime të tilla si në Greqi, Itali apo gjetiu tjetër. Në këto vite të djalërisë, me inisiativën dhe pa mbështetjen e askujt nis udhëtimin në zonën e Atikës dhe në ujdhesat e banuara prej arvanitëve. Si një folklorist i vërtetë ripërtërin rrugën e Reinholdit, (nxënës i albanollogut Mayer), doktor gjerman në flotën greke 160 e ca vjet më parë, i cili la një lëndë të pasur e të çmuar gjuhësore dhe etno-folklorike prej ngulimeve arbërore të Greqisë. Spirua mblodhi fjalë të urta, këngë me tematikë të ndryshme, shprehje, përralla, fabula, një fjalorth xhepi të ndarë me emra, mbiemra, folje, një pjesë e mirë e të cilave nuk rezultojnë as te Reinholdi. Kjo përbënte një përvojë me vlerë, sepse si ajo bleta mundi të marrë nektarin e luleve, krijimet me të bukura popullore, këngë që u këndonin trimave e kapedanëve për liri me vargje të goditura e me fjalë të kursyera, por me domethënie të madhe të mbledhë përralla që me aqë zgjuarsi moralizonte vyrtitet, humorin e këndshëm që rridhtë natyrshëm e plot të tjera që kanë pasur ndikim të konsiderushem në krijimet artistike. Një pjesë e mirë e tyre u botuan në v. IV të “Visareve të kombit”, por të bën përshtyje se komisioni teknik e konsideroi këtë mbledhës folklori të zellshëm “me ndjesina të thjeshta atdhetare” që nuk mori as mundimin të pyeste për origjinën e tij nga Vunoi, por na e nxorri “një arbëresh të Greqisë, një shqiptar të atyre viseve…”. Spiro Çomorra për veprimtari patriotike ra në sy të diktaturës fashiste të Metaksait gjë që filloi ta shikojë me dyshim. Dy herë e dëboi nga toka greke në periudhën 1936-1938. Në një manifestim që bënte shkolla e mesme në ato vite ishte ftuar, të mirrte pjesë dhe mbreti i Greqise Jorgji II, të cilit me sa duket i thanë që aty kishte dhe nxënës nga Himara dhe ai ju drejtua atyre: ”edhe këta janë grekë të Vorio epirit.” Spiro Çomorra pati kurajon dhe guximin që t`i përgjigjej flakë për flakë: ”Jo madhëri, ne nuk jemi vorio epirotë, por shqiptarë”, gjë që nuk mund të mos linte pa shkaktuar habi te autoritetet e ministrisë sigurimit publik. E përjashtuan nga shkolla dhe menjëherë i hodhën prangat dhe e deportuan në Vlorë. U desh të përballej me injorancën e një kapteri në port që mbas kontrollit që ushtruan në valixhen e tij gjetën një libër të titulluar Omeri që ai pretendonte se bëhej fjalë për kundërshtarin e naltmadhërisë, Omer Nishanin. Mbas shumë ndërhyrjeve që u bënë për t`i mbushur mëndjen kapterit se përveç emrit të heqimit kishte dhe të tjerë si Homeri-poet i lashtësisë atëhere e lanë të lirë. I gjithë ky episod do të bëhej më vonë subjekt i një skeçi që e titulloi: ”Homeri në gjindarmeri”. Është interesant fakti që në shpirtin e këtij djaloshi të ri adoleshent të ziejë kaqë fuqishëm ndjenja atdhetare edhe pse me vendin e tij lidhjet nuk ishin aqë të shpeshta. Mbas vështirësive të panumurta i njihet e drejta për t`u kthyer në Korfuz vetëm për të dhënë provimet e maturës që i përfundoi me rezultate shumë të mira. Kthehet sërish në Vlorë. Vëllai i madh, Sofokliu iu gjend gjithmonë pranë. Ai studionte në Romë në ato vite. Më vonë punoi në ambasadën tonë në Beograd në kohën e Zogut nëpërmjet mikut Rauf Fico, ish Ministër i Jashtëm, ku u njoh me një vajzë serbe dhe u martua me të. Ai vazhdoi punën edhe pas çlirimit e pastaj në Ministrinë e Jashtëme derisa u sëmur dhe vdiq. Falë ndihmës dhe mbështetjes që i dha i vëllai, regjistrohet në Fakultetin e drejtësisë, më 1938. Roma që i dha njerëzimit civilizime të hershme dhe një kulturë të lakmushme e mëshiruar në vepra arti të panumurta, në kishat, monumentet dhe muzeumet e shumtë që lanë gjurmë të thella në ndërgjegjen e këtij djaloshi të ardhur përtej Jonit. Sentenca e njohur e romakëve se Ligji është i barabartë për të gjithë që dukshëm të bie në sy në çdo sallë gjyqësori, ishte nxitja e parë ndoshta që e bëri t`i qaset këtij profesioni çka ishte problematike në vendin e tij pothuaj tërësisht analfabet dhe me intelektualë të pakët. Çuditërisht kjo zgjedhje që bëri nuk përkon me vazhdimet e mëvonshme që do t`ia ndryshojnë rrjedhën e do t`i përkushtohet satirës dhe humorit që s`do të ndahet kurrë me të. Në Romë ai do të bjerë në kontakt me një rreth studentësh antifashistë si Ptoleme Xhuvani e Fuat Babani me shokë. Pushtimin e atdheut nga Italia fashiste nuk e priti mirë dhe u revoltuan e protestuan me një grup studentësh shqiptarë. Lufta e Dytë Botërore kish filluar. Ai mundi të mbarojë studimet që kish nisur, por nuk preku dot fundin, diplomimin siç ishte praktika universitare, sepse u detyrua t`i ndërpresë dhe të kthehet në vendin e vet, në verën e vitit 1941. Emërohet kryetar komune në Urën vajgurore, mbasi këshillohet dhe merr pëlqimin e shokëve të lëvizjes nc-cl, nga nëntori i ‘41 deri në fund të v.1942. Për shkak të aktivitetit të tij antifashist, bie në sy të autoriteteve italiane dhe hidhet në ilegalilitet nga janar-prill 1943 e më vonë kalon në Bregdet deri në shtator 1943, kur dhe kapitullon Italia fashiste. Më vonë, në nëntor, do të kthehet në Tiranë për t’iu ndodhur pranë nënës dhe motrës të mbetur e ve, sepse babai kishte kohë që kish ndërruar jetë në Korfuz, duke u marrë me punë të ndryshme për të siguruar jetesën. Në këtë periudhë arrestohet dhe do të ishte ekzekutuar ose dergjur burgjeve, (ndonse pa prova fajësie), nëse nuk do të ishte ndodhur një mik familjar, dikur antifashist dhe së fundi ministër i qeverisë kuislinge, që e liruan me ndërhyrjen e tij. Më 29 nëntor 1944, Shqipëria u çlirua dhe ky popull me gojën e poetit, me krenari pas fitores së madhe në poemthin “Betimi i madh” shkruan: “Dhe ju që n’emrin e Zotit pikoni gjak n’udhën e Motit shihnani, njerëz me mendim njerëz që ndjellin dashurin njerëz që thurrin me gëzim djepin e foshnjës, lumturin Të tillë jemi, flamurtarë të dashuris e të gëzimit mbi këtë dhe ku mbjellim farë për lumturin e njerzimit”. Mbas çlirimit u muar me detyra të ndryshme si përgjegjes i sektorit të botimeve pranë Ministrisë së Kulturës, të sekretarit në drejtorin e shtypit dhe të propagandës, pastaj do të ushtrojë profesionin e tij si gjykatës në Elbasan. Gjyqet që zhvilloheshin në ato vite ishin politike dhe të diktuara e të vendosura nga lart. Kishte shumë kundërshti ndaj këtyre metodave dhe veçanërisht me Bedri Spahiun që nuk përqaseshin as me bindjet dhe as me shkollën që kishte bërë u detyrua të japë dorëheqjen. Kthehet në Tiranë dhe pothuaj gjithë jetën, që për fat të keq ishte e shkurtër punoi në revistën Hosteni. Krijimet e para janë disa vjersha humoristike, që do të pasojnë me shumë vepra të tjera. U angazhua si mbikqyrës dhe redaktor në përkthimin e poemës madhore Homerike ”Iliada” duke e shoqëruar edhe me një studim “Iliada dhe bota Homerike”. Prodhimtaria është e pasur me shumë vepra që jo vetëm panë dritën e botimit në vitet e mëvonshme, por dhe u luajtën në skenë: si skeçe, dialogje, intermexo, pjesë me një akt etj. Vepra e cila e lartëson së tepërmi dhe që njihet si një ndër kryeveprat e dramaturgjisë shqiptare, një gur i rëndë në themelet e komedisë është “Karnavalet e Korçës”. Një komedi me një humor të hollë e të këndshëm, me një fabul të goditur, me batutat brilante që janë të freskëta e me një mesazh që rrezaton edhe sot me gjithë vitet e shumta që ka lënë pas. Spiro Çomorra debutoi me shumë sukses dhe në fushën e përkthimeve me vepra madhore të zgjedhura me shije e aktuale, falë një kulture që zotëronte dhe aftësive që kishte na i ka sjellë në shqip me një gjuhë të thjeshtë si një krijim më vete. E kam parë që në moshë të re, në rrugët e Tiranës, një njëri serioz, të mendushëm, të heshtur që çuditërisht buronte një humor i këndshëm e me një pamje fisnike, punë madh që i peshonte shumë fjala, por pa pasur asnjëherë mundësi të njihem me të; jo vetëm sepse s`pata ndonjë lidhje fisnore duke qenë se ishim nga i njëjti fshat, por dhe natyra e punës ka qenë krejt e ndryshme dhe vetë diferenca në moshë, ndoshta ka pasur ndikimin e vet. Sidoqoftë si të gjithë lexuesit dhe admiruesit, është vepra që na lidh mësë shumti. Me fshatin, Vunoin, nga malli dhe dashuria që e digjte dhe kujtimet e shumta që e lidhnin, deri në vitet 1970-71 do jetë V 445 vizitor i përhershëm. Ndjente kënaqësi në takime e biseda me njerëzit, të moshave e niveleve të ndryshme me atë thjeshtësinë që e karakterizonte, tregon vajza e tij, Marioara. Ata ishin njerëz të gjezdisur, me kulturë e me përvojë të pasur jetësore dhe dinin si ta bënin muhabetin dhe humori nuk u mungonte duke i përcjellë me një fabulë a ndonjë batutë të goditur, dukuri të jetës shoqërore. Magjepsej me gjuhën e pasur dhe një ironi shumë të rafinuar, larg vulgarizimeve të rëndomta që ia ulin vlerat. Kjo trevë vërtet që ka pasur një humor të lezeçëm e të shëndetshëm që e josh këdo për t`u bërë pjesë e saj. Në krijimtarinë e tij është e ndjeshme ajo çka ai trashëgoi nga kjo trevë dhe nuk mund të themi se ka qenë pa ndikim në veprat e mëvonshme. Është me interes gjithashtu se nëna rridhte nga një familje me emër në Vuno, Nushajt dhe vizitat e tyre nuk munguan në shtëpinë e tij. Atij i ofruan disa herë vende pune në ambasadën tonë në Athinë, veçanërisht kur ishte ambasador Ksenofon Nushi edhe për faktin se ai ishte njeri me kulturë, lindur e rritur në atë vend, njohës i gjuhës greke të vjetër e të re, por ai i refuzoi në mënyrë kategorike duke pretenduar se unë e kam bërë zgjedhjen time, letërsinë dhe s’ndahem dot prej saj. Spiro Çomorra u nda shpejt nga jeta në kohën e pjekurisë të plotë të talentit të tij duke lënë mbrapa shëmbëllen e një veprimtarie serioze e të pandërprerë për zhvillimin e gjuhës e të artit. Nuk mundi të shohë agimin e ri të demokracisë që kishte ëndërruar dhe shpresuar aqë shumë me sa duket brengat dhe shumë rrethana të tjera ia këputën jetën në mes, më 16 të prillit 1973, nga një atak i papritur kardiak në tavolinën e tij të punës. Nënat dhe gratë e Bregut e qanë siç dinin ato, me ligje e me dhimbje. Hallë Sofia (nëna e Anastas Kondos) midis të tjerash do ta përcillte dhimbjen me vargjet: O Spiro, o çikë e malit mend’e hollë e shkrimtarit Ç’u këput lisi me dega U këput e s’mbahet pena Si të rihetë që rri I ke mbyllur ata sy o burri me dituri do mbetesh n’histori Kush do shkruaje si ti Sos ishim në fshatin tënë Të qahej kjo gjëmë Të qanim të tundim vendë O Spiro ,t`u hodh kurorë O Spiro, o mendë hollë. Këto ligje ishin të merituara për një epitaf në varrin e tij, të cilat karakterizojnë aqë bukur figurën e Spiro Çomorrës si njeri dhe poet. Nga ana tjetër ato shprehin dashurinë e ngrohtë edhe njohjen e thellë të këtyre nënave të Bregut për djalin e tyre. Të shkruash për të nuk është diçka e lehtë dhe ata që u morën me studimin e krijimtarisë së tij, jam i mendimit se janë borxhli me aqë sa kanë thënë, sepse kritika ka qenë e kursyer në fjalën e saj për të mos thënë se e kanë lënë në heshtje. Është shumë interesante rruga e krijimtarisë së këtij autori që jetoi në një periudhë historike me tronditje të mëdha. Ai e nisi rrugëtimin në krijimtarinë letrare në vitet `30-të dhe vitet `60- të kulmojnë me vepra më të arrira e të pjekura artistikisht. Pjesën më të madhe të kohës, Spiro Comorra punoi në revistën Hosteni si gazetar e redaktor dhe i lidhur shumë me estradën. Ai erdhi për të thënë fjalën e tij në këtë fushë pa ndonje përvojë të dukëshme. Së bashku me një grup gazetarësh e redaktorësh, me stilin e të shkruarit dhe problematikat që trajtonte i dhanë kësaj reviste një reputacion të veçantë që me kalimin e viteve veçanërisht edhe me pasqyrimin e tyre nëpërmjet karrikaturës e bënë atë shumë të dashur e tërheqëse për masat. Emra të mëdhenj të letërsisë shqipe si Dritëro Agolli, Petro Marko, Dionis Bubani, Sabri Godo etj. kanë qenë pena të mëdha që me shkrimet e tyre humoristike në faqet e kësaj reviste kanë goditur shfaqje të huaja, burokratike etj. Spiro Çomorra nëpërmjet satirës dhe humorit solli një galeri të tërë tipash e personazhesh me një humor të shëndetshëm, pa sajesa e ngarkesa të tepërta, pa vulgarizime që kërkojnë të marrin të qeshurën pa thënë diçka. Ai ishte i prirur ndaj një humori që rrjedh natyrshëm së brendshmi e me nje batutë të goditur. Vihej gjithmonë në kërkim të një detaji për të individualizuar një tip të caktuar. Ekzigjent, kërkues e me pretendime, çdo krijim ishte pasojë e një pune studimore, e një vëzhgimi të thellë, një punë madhore komplekse për ta dhënë me vërtetësi e me origjinalitet e me vlera artistike përgjithësuese. Shumë nga personazhet u blatuan në këtë vatër dhe u tipizuan në vepra satirike të mëvonshme. Hosteni fshikulloi në faqet e tij, burokratin, prapanikun e servilin, dembelin e injorantin, dobësitë e papastërtitë shpirtërore, fëlliqësinë e shthurrjen morale, mendjemadhin e fodullin, thashethemxhiun, hipokritin e intrigantin, mentalitetin e kohës, qëndrimin anadollak ndaj gruas e plot të tjera për të afirmuar njeriun dhe jetën e re të kohës. Si një magjistar diti të përdorë ironinë si “lodër dhe art”, siç thoshte Shekspiri- duke e krahasuar atë me një thikë me dy presa që kur s`di ta përdorësh, pret duart e tua”. Spiro Çomorra s’ra kurrë në këto hulli falë zgjuarsisë, talentit dhe intuitës që kishte për ta përdorur atë në vendin e duhur. Hosteni revolucionarizoi gjithë shtypin shqiptar dhe nga ai kishin “frikë” gjithë njerëzit me pasione të ulta. Ajo si të thuash u bë si një opozitë e padeklaruar, por jo e pranuar për nje sistem që e kishte shumë të domosdoshme. Ai me gjuhën e Ezopit diti t`i vërë në lojë këto shfaqje e dukuri shoqërore edhe ndaj njerëzve të veshur me pushtet. Spiro Çomorra u ndje mirë në këtë profil, i cili përqasej përgjithësisht me bindjet që kishte dhe eci në këtë rrugë falë talentit e guximit që e karakterizonte. Ky brez la gjurmë që s’harrohen kollaj dhe i dhanë një frymë e fizionomi të re, çka përbën një rast “unikal” dhe me një histori lakmuese që i kapërcen kohët dhe nuk mund të rrish pa vënë buzën në gaz edhe sot me gjithë vitet e shumtë që kanë kaluar, sa herë bie në kontakt me këtë revistë. Spiro Çomorra ka pjesën e vet të arritjeve në këtë organ dhe u rritën së bashku. Revistës Hosteni do t`i falemi edhe për një fakt tjetër se aty, me atë lëndë të parë, lindën dhe morën jetë shumë personazhe e vepra satirike dhe humoristike që u botuan në vitet e mëvonshme. Edhe vetë pseudonimi që përdori në krijimtarinë satirike,”Xhahil Bilbili” ka simbolikën e vet dhe është shumë domethënës. Goditi pa mëshirë negativizmin, të metat e dobësitë, mendësi dhe praktika të vjetëruara për të afirmuar të renë mbizotëruese e të virtytshme dhe për ta përgjithësuar me një mesazh e moral të shëndoshë shoqëror. Për çdo shqiptar, emri i Spiro Çomorrës është i lidhur pazgjidhmërisht me komedinë e famshme “Karnavalet e Korçës” dhe i vjen në mendje menjëherë, sapo dëgjon emrin e saj. Dramaturgjia shqiptare pas Luftës e filloi rrugën e saj me një përvojë dhe trashëgimi të pakët nga paraardhësit e tyre. Kolë Jakova dhe Spiro Çomorra janë dallëndyshet e para që hodhën themelet në këtë gjini dhe u bënë nxitës dhe frymëzues edhe për pasardhësit e tjerë të mëvonshëm. Dramaturgjia lindi si nevojë për të afirmuar jetën e re dhe njeriun e ri nëpërmjet kontradiktave dhe konflikteve të shumta. Komedia u shkruajt më 1961 dhe i vendos ngjarjet më 1936, por që mbeten aktuale në çdo kohë, çka e bën këtë vepër universale dhe një ndër më brilantet në dramaturgjinë shqiptare që jo më kot konsiderohet si një ndër kryeveprat e saj. Komedia zhvillohet në një sfond me kontradikta të thella sociale, në një periudhë historike në prag të pushtimit nga Italia fashiste. Ajo vë në lojë mendësinë e borgjezisë tregtare, kotësinë e jetës, konformizmin dhe moralin hipokrit. E tërë intriga e komedisë ”Karnavalet e Korçës” e ndërthurrur shumë bukur me skena komike, ka në thelb gjetjen e një burri për vajzën e rritur të Nikollaq Jorganxhiut, një tregtari të pasur që në çdo hap vë si kusht paranë. Mëdyshjet e dilemat tragji-komike të tij gjejnë jehone tek e shoqja, Olimbia dhe e bija Afroviti, të cilat të bëjnë ta ndjekësh me interes deri në fund. Lexuesi, por edhe shikuesi tashmë në një periudhë gati 60 vjeçare janë njohur me fabulën e komedisë madje, dhe shumë batuta të saj i kanë mbetur në mendje për mesazhet që bartin. Shtrirja e një vepre të tillë për një hapësirë kaq të gjatë kohore do të thotë se i ka qëndruar kohës e nuk vjetërohet e venitet kollaj dhe problematika të tilla janë jetësore për të. Komedia ka krijuar raporte të drejta me lexuesin dhe shikuesin dhe jep mundësi të shumta për të ngacmuar imagjinatën për këdo që ka ambicie për ta vënë në skenë, sepse jep oportunitete të shumanshme për gjetje të shumta regjizoriale duke ruajtur gjithmonë freskinë e saj ngaqë ka një dinamikë të brendshme që nuk shterron kurrë me humorin e këndshëm që përcjell. Përvoja e viteve të fundit e tregon mësë miri këtë. Komedia është luajtur me shumë sukses nga trupa të ndryshme dhe aktorë me emër që i kanë bërë për vete dhe e kanë quajtur privilegj të luanin role të tillë. Olimbia e joshi që në fillim Violeta Manushin, rol që iu ofrua nga Spiro Çomorra kur e përzgjodhi për ta luajtur atë. Ajo na sjell në kujtesë kujtimet e saj, kur thotë se ra në dashuri me Olimbinë që në “takimin e parë”. Nuk i di kushtet dhe rrethanat si filloi rrugëtimin e ngjizjes kjo komedi dhe, çfarë e ngacmoi mësë shumti fantazinë e autorit, por jam i bindur sesi një vëzhgues i thellë i jetës, dukurive dhe shfaqjeve të saj me gjithë konfliktet sociale, koncepteve e mentaliteteve të vjetra për një emancipim të shoqërisë, s`kishin si t`i shpëtonin vëmendjes së tij për të na e prurë në një vepër arti me kaqë mjeshtëri artistike e me mjete kaqe shprehëse. Mora si shembull një nga veprat më komplekse dhe më të bukura të Spiro Çomorrës, por prodhimtaria e tij, ndonëse në një periudhë të shkurtër është e shumanshme me poezi satirike, fejtone, skeçe, dialogje, intermexo, pjesë me një akt etj. që u botuan ose u luajtën në skenë që pa mëdyshje atë e tërhoqi qysh herët. Krijimtaria është e bollshme dhe mbase është vendi që t`i përmendim ashtu siç janë botuar në vite për të kulmuar me kolanën “Vepra të zgjedhura“, më 1980, ku përmblidhen pothuajse gjithë krijimet më të mira që ruajnë vlera edukative, estetike, artistike dhe morale edhe për lexuesin e sotëm. Si përmbledhjet “Nga fshati i gruas” dhe “Injeksione që duhen bërë”; vëllimi me poezi “Syfete” që kishte poezi me vlera përgjithësuese si ”Hipokriti”, ”Hanko Hanëmi”, një ndër poezitë më të arrira që mund të konsiderohet si epilogu i të gjitha “Hankove” të poezisë shqiptare duke filluar me ”Hanko Hallën” e Ali Asllanit e duke vazhduar me disa autorë të tjerë, i fundit i të cilëve ishte Shefqet Musaraj. Më të vonshme janë disa komedi me një e tre akte si: “Syleshi”, më 1958 që tërhoqi vëmendjen e publikut dhe të kritikës si për tematikën, (vigjilencën) ashtu edhe për risitë që solli në ndërtimin artistik, u konsiderua si një komedi serioze, e cila të bën më shumë të mendohesh sesa të qeshësh. Kjo komedi, ndonëse nuk e ka tagrën për ta radhitur në nivelin e “Karnavaleve të Korçës”, ka të gjitha të dhënat për t`u vlerësuar si paralajmëtare e saj. ”Ju hoqën petët lakrorit” dhe “Dy me zero” që e titulloi më vonë ”Prindër edukatorë”, ”Dema dhe Toreadore” dhe pastaj vijojnë me komedinë “Karnavalet e Korçës “, më 1961 dhe “Dy me zero” me 1969. Në vëllimet me vjersha “Për njoftim e për veprim”; ”Maska e fytyra” dhe “Skena dhe prapaskena” të botuara respektivisht më 1955, 1960, 1962 janë përmbledhje me tematikë politiko-shoqërore ku satirizon burokratizmin, formalizmin, konservatorizmin dhe zakonet e mendimet prapanike që pengonin afirmimin e së resë edhe emancipimin shoqëror. Kontributi është i ndjeshem edhe në letërsinë për fëmijë që nuk ka kaluar pa i tërhequr vëmendjen duke futur për herë të parë, ndoshta, elemente të poezive popullore, ndërtimin e dialogut, gërsheton përmbajtjen e re me përtëritjen e formës tradicionale, ngulmonte në thjeshtësinë dhe muzikalitetin e vargut si kushte që poezia të kapet dhe të bëhet masive, por pa rënë në folklorizëm; kështu më 1952 botoi “Një tufë vjershash“ dhe më 1954 do të pasojë vëllimi ”Shkolla jonë” dhe “Çil, çil trëndafil” më 1963 etj. ”Ditë e bukur zbardhëlloi”, “Sgalemi”dhe vëllimin me fabula ”Sorra dhe pëllumba”, me të cilat “i edukon fëmijët duke i argëtuar”. Në gjithë krijimtarinë e tij pavarësisht nga dëshira e mirë e autorit, nuk mund të themi se të gjitha arritën të ngrihen në përgjithësime të vërteta artistike. Një pjesë kanë mangësi e dobësi të tyre të rritjes dhe të formimit të personalietit të tij artistik që janë të natyrshme në një proces krijues. Spiro Çomorra, siç do ta shohim edhe më poshtë, lëvroi edhe në fushën e përkthimeve duke na sjellë në shqip poemën “Skënderbeu” të poetit maqedonas Grigor Prlicev, më 1968 si dhe disa përkthime nga letërsia antike greke që e kishte shumë për zemër. Solli në shqip fabulat e Ezopit “Sorrat dhe pëllumbi”, ”Paqen” më 1958, ”Lisistratën” më 1960 dhe më 1969, “Kalorësit” e Aristofanit, pjesë të zgjedhura nga satirat e Junius Juvenalis dhe përmbyllen me poemën e Homerit “Odiseja” jo të plotë, por veç 12 këngët e para, më 1973. Nuk do të qëndroj më gjatë dhe në punën e tij si publicist dhe redaktor në disa antologji e disa studime që u paraprijnë veprave të tilla ku spikat analiza e thellë në vlerat që përcjellin dhe mesazhin që japin, ku spikat kultura e thellë që zotëronte. Siç dhe duket me kaqë sa përmenda krijimtaria e Spiro Çomorrës është e shumanshme, e begatë, me kontribute që duhen evidentuar dhe konsiderata që s`duhen harruar. Spiro Çomorra është një emër i madh në fushën e përkthimeve që për fat të keq kjo veprimtari sikur është errësuar ose anashkaluar me dashakeqësi, për faktin se kur përballemi me trashëgiminë që na la s`ka sesi mos të shtangesh me punime të tilla kur kollosë të artit botëror i bëri të flasin shqip me një gjuhë të thjeshtë e të bukur duke ruajtur frymën dhe autenticitetin e origjinalit, ç`ka dëshmon për dhuntinë që kishte. Shqipërimet poetike të Çomorrës nuk ka sesi mos të cilësohen si pjesë përbërëse të personalitetit të tij, si plotësim i profilit, figurës artistke dhe shoqërore, si një përgjegjësi qytetare për t`iu qasur publikut me vlera të arrira dhe afër aspiratave të reja të kohes. Përparimi shoqëror nënkupton një ndjeshmëri dhe përgjegjësi etike karshi sfidave të përhershme që shfaqen para njerëzimit dhe humanizmit tonë. Letërsia mund të përmbushë boshllëkun moral të një shoqërie dhe ka tagrën t`i japë përparimit forcë domethënëse dhe krijuese. Statusin universal të shtrirjes së letërsisë, asaj mund t`ia japë dhe është arritur nëpërmjet përkthimit, prandaj dhe veprimtaria përkthyese vlerësohet me rëndësi jetike për kulturën e përbotëshme. Pa të do të ishte e pamundur njohja e gjithë thesarit të artit botëror që zotëron njerëzimi. Historia e letërsisë botërore na sjell në mendje shumë pena të mëdha me një krijimtari artistike unikale siç janë, Homeri me “Iliadën” dhe “Odisenë” në Greqi, Dantia me “Komedinë Hyjnore” në Itali, Shekspiri me tragjeditë e famshme në Angli, Gëtja me “Faustin” në Gjermani, Khajami me “Rubairat” në Siri, Servantesi me “Don Kishotin” në Spanjë, Tolstoi me “Lufta dhe paqja”, ”Ana Karenina”, Dostojevski me “Idiotin”, Pushkini me Esenini në Rusi etj. që sikur për një moment ta mendoni se çfarë do ishin bërë pa përkthimin e tyre këto vepra madhore? Ato do ishin shndruar në disa ikona të izoluara në vendet e tyre, por përkthimi u ka dhënë vlera të padiskutuara universale, shkëlqimin dhe rrezatimin që meritojnë. Prandaj: ”Roli dhe ndikimi i përkthimit në çdo shoqëri është i madh. Letërsia historikisht ka treguar forcë për të luftuar të keqen, diktaturat, sistemet totalitare dhe ka përhapur vazhdimisht kulturën e kohezionit shoqëror, ka nxitur vetëdijen, kritikën dhe ka hapur horizonte të reja, sepse ajo mund të krijojë antikorpe që luftojnë përhapjen e murtajes së gjuhës”, thotë Calvino. Përvoja e gjatë dhe errët e komunizmit për fat të keq me përkthimet e bëra na e sollën në shqip një pjesë të trashëgimisë së artit botëror, por të seleksionuar, të cunguar, të censuruar e të gjymtuar me qëllime të caktuara politike dhe ideologjike. Shqipëria ka pasur përkthyesa me emër të madh që nga Noli e Konica me shumë të tjerë, që lista po të vazhdojmë del shumë e gjatë me një plejadë që i bën nder kulturës së çdo kombi. Spiro Çomorra eci në gjurmët e tyre dhe rreku të kapej pas majave të larta të letërsisë botërore duke i bërë ata të flasin në shqip, me një shqipe që duken sikur janë rikrijime të veta, gjë për të cilën s`i kanë kursyer vlerësimet edhe përkthyes me emër si Gjon Shllaku. Ai u mundua dhe ia doli të flasë në shqip Prliçevin, Aristofanin, Ezopin dhe kulmon me Homerin, poemën “Odisea” që me përkushtimin që tregoi i mori shumë kohë dhe shumë mund aqë sa me mbarimin e saj do të mbyllë edhe ai sytë vetë përgjithmonë. Përzgjedhja që ka bërë në titujt e veprave tregon për shijet e holla artistike, por edhe për mesazhet që ato përcjellin, të cilat s`e humbasin aktualitetin as sot. Grigor Prliçev konsiderohet si babai i poezisë maqedonase dhe, bullgarët e maqedonsit për vlerat e larta ideore dhe artistike që mbart, pretendojnë ta krahasojnë Prliçevin si Homerin e kohëve të reja. Ai u nderua me çmim të parë në një konkurs letrar që zhvillohej asaj kohe në Athinë nën kujdesin e mbretit Otto, qysh më 1860, me poemën “Armatollos”, por që nuk mundi ta përsërisë për së dyti një vit më vonë me poemën “Skënderbeu”. Kjo poemë përmban 3 mijë vargje dhe siç duket edhe nga emri që ka, frymëzimin e ka marrë nga kjo figurë që sintetizon një epokë të tërë historike të shqiptarëve që mori emrin e tij në luftë kundër vërshimit osman për mbrojtjen e vendit, trojeve, pasurisë dhe lirisë, por edhe si kalorës e mbrojtës i krishterimit. Poema është shkruar në greqisht që e shqipëroi Spiro Çomorra. Prliçevi mund edhe të ketë ditur shqip për vetë faktin se për një farë kohe ushtroi punën si mësues në Tiranë, pikërisht aty ku është godina 15 katëshe sot, pa e ditur as ai vetë se shumë vjet mbas vdekjes se tij, do të ngrihej përballë monumenti madhështor i Skënderbeut. Të vjen keq që kjo poemë, pothuajse nuk njifet fare në vendin tonë me gjithë se vlerat i ka të padiskutueshme, por edhe ç`është më e keqja as e ka parë ndonjëherë dritën e botimit këtu. Tema kryesore e poemës është ballafaqimi i ushtrisë së Skënderbeut, vlerave, historisë, moralit dhe fesë që ai përfaqësonte si person dhe i krishterë që ishte me Ballaban pashën dhe çfarë përfaqësonte ky pasha turk me origjinë shqiptare, i cili jepet në kontrast të plotë. Prliçevi shkruan me shumë simpati për Shqipërinë, për bukuritë natyrore, malet dhe për njerëzit e saj e veçanërisht për Skënderbeun. Ne duhet t`i përulemi me nderim Spiro Çomorrës që na ka sjellë në shqip komeditë më të famshme të Aristofanit, me një gjuhë të bukur, të thjeshtë e të kuptueshme me gjithë vështirësitë që ka pasur kjo sipërmarrje që rrjedhin nga vetë specifika e kësaj gjinie. Aristofani ka lindur në Athinë, me 445 p.e.r. dhe vdiq më 386. Ka të dhëna të pakta për jetën e tij. Kishte një edukatë letrare dhe muzikore të lakmueshme dhe njihte shumë mirë filozofinë. Nuk mori pjesë në jetën politike dhe nuk mbajti kurrë ndonjë post publik, por politika u bë objekt i shumë veprave të tij. Aristofani është përfaqësuesi më i madh i komedisë greke dhe mbahet si babai i saj. Nga 150 autorët e lashtësisë dhe rreth 900 veprave që lanë pas është ndoshta autori i vetëm që nga 44 komedi që shkroi, kanë arritur të plota 11 prej tyre: ”Aharnianet”, ”Kalorësit”, ”Retë”, ”Grerezat”, ”Paqja”, ”Zogjtë”, ”Lisistrata”, ”Themosforiet”, ”Bretkocat”, ”Gratë në parlament” dhe “Pluti”. Aristofani jetoi dhe krijoi në kohën e një krize të gjithanshme të Greqisë. Shprehja më e gjallë e saj ishin luftrat që e shoqëruan, por edhe epidemia e rëndë e murtajës që e thelloi atë dhe ngjarje të tjera të kobshme që shkaktuan një farë rënie shpirtërore dhe indiferentizëm. Ky realitet historik plot trazira e shqetësime jo të pakta u pasqyrua me forcë të madhe goditëse në komeditë e Aristofanit. Ai goditi nëpërmjet forcës së satirës përfaqësuesit e padenjë të këtij rendi, nëpunësit e pandërgjegjshëm që grabisin arkën e shtetit, oratorët e shitur, filozofët llafazanë që merren me gjëra pa vlerë dhe edukojnë keq rininë. Degjenerimin moral të kësaj shoqërie ai e shihte te turma e parazitëve që vërtiten rrugëve të Athinës, mashtruesit, demagogët që orvaten të tërheqin mbas vetes për qëllime politike njerëz naivë apo edhe të tjerë që kërkojnë të nxjerrin ndonjë përfitim nga situatat e krijuara. ”Arkanesi-n” ai e shkroi qysh në moshën 20 vjeçare çka dëshmon për talentin e tij, ku janë të dukshme antipatitë e tij për luftën, Euripidin dhe muzikën e keqe, por edhe afirmon idetë e tij të qarta në përshkrimin e personazheve me kompleksitetin e tyre qoftë dhe të atyre të dorës së dytë. Te komedia “Kalorësit” u frymëzua nga fama e Kleonit, glorifikimi i tij. Ai e godet atë në momentin e pushtetit absolut që mbante. Të 3 personazhet që vërtiten janë persona që shërbejnë për miklim e poshtërsi për të arritur qëllimet e tyre. Me këtë komedi fitoi famë të madhe dhe shënon fillimin edhe në komedi si satirë. Skenat e komedisë “Retë” zhvillohen në një shesh të Athinës ku janë përballë shtëpitë e Sokratit dhe Streptiadhes të mbështjella me një fabul shumë interesante. Komedia është e pasur me personazhe e situata komike të përshkruara me një ironi të hollë mbresëlënëse. Siç duket edhe nga titulli që mban Aristofani priret të tregojë se doktrina filozofike e Sokratit u përngjan reve që e ndryshojnë formën sipas erërave që fryjnë. Komedia “Zogjtë”, ndryshe nga të tjerat nuk trajton si zakonisht temën e luftës dhe pushtetit, por është e tëra një fantazi e krijuar. Nganjëherë Aristofani shkëputet nga realiteti i trishtuar i jetës dhe ngrihet lart në qiell duke e parë Athinën nga lart në shoqërinë e zogjve dhe të protagonistëve të kësaj historie, dy qytatarëve athinas që ikin me idenë për të ndërtuar një qytet midis qiellit dhe tokës në shoqërinë e zogjve që bëjnë një jetë të shkujdesur. Nëpërmjet trillit të kësaj fantazie, ai kërkon të ironizojë një realitet konkret të Athinës dhe qytetarëve të saj, disa prej të cilëve vrapojnë në qytetin e ri për të nxjerrë fitime. Pa dyshim që komediografin e shqetësonin shumë çështjet si ajo e luftës dhe paqes, ashtu siç ishte edhe vetë koha që jetoi ai, e cila ishte e mbushur me ngjarje të tilla, të cilat i gjejmë të trajtuara gjerësisht në komeditë e tij si p.sh. te “Lisistrata” që e ndërthurr gjithë komedinë me një fabul që t`i përshtatet më mirë groteskut të komedisë, në një situatë kaqë serioze e dramatike. Për t`i dhënë fund një lufte pa fund, Lisistrata thërret disa qytetare dhe përfaqësues të qytetit të përfshira direkt në konflikt një spartane, një beote dhe një korinthase duke u paraqitur planin e saj. Të gjitha gratë do të ndërpresin marrëdhëniet bashkëshortore me burrat e tyre, derisa ata të pranonin kushtet për paqe dhe të hiqnin dorë nga lufta. Pa dashur t`i futemi në detaje subjektit të komedisë, të dy koret ai i burrave, athinasve të vjetër dhe ai i grave ndeshen në arsyetimet e tyre derisa më në fund burrat lëshojnë dhe në mes të tingujve të ekzaltimit athinas e spartan, jo më armiq, i çojnë në shtëpi të lumtur gratë e tyre. Komedia shpreh komicitetin dhe origjinalitetin e vet duke njohur mirë forcën dhe dobësinë e grave para një sakrifice kaqe madhore. Spiro Çomorra në vetë hyrjen që i ka bërë kësaj komedie i bën një analizë koncize çka dashur të thotë autori. “Poeti u vërsul edhe një herë kundër luftës, me armët e fuqishme të artit të tij të madh e të ndërgjegjes së pastër të tij qytetare, që të zbutë pasionet e të kthjellojë mendimet. I këshillon të heqin dorë nga një luftë shkatërrimtare, e cila vë në rrezik vetë ekzistencën e Helladhës dhe përgatiste skllavërimin e saj nga barbarët e se tani nuk është koha e përshtatshme që t`i gjendet filli i përgjegjësisë së njërës ose tjetrës palë; një alternativë ka: o paqe, o zhdukje e plotë. Kjo ndjenjë e lartë shpirtmadhësie e humanizmi e frymëzoi këtë komedi. Dhe poezia, në çdo kohë s`ka si mos të krenohet për një fisnikëri të tillë shpirti e mendimi.” Nga këto përshkrime të pakta që u bëmë disa komedive të Aristofanit duken qartë aftësitë dhe talenti i spikatur i tij që në një periudhe 40 vjeçare dha me veprat e tij një pasqyrë të gjallë të jetës politiko-shoqërore e ideologjike të Athinës që e bënë atë të radhitet si një nga komediografët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Arti i tij shkëlqen nga fantazia e jashtëzakonshme në krijimin e situatave komike të karakterit të tyre deri në hiperbolë. Përdorimi i subjekteve dhe i situatave prrallore fantastike i ka dhënë dorë autorit që të vërë në lojë e të satirizojë më me forcë për të gjetur rrugëdalje të papritura me efekte komike. Në komedinë e Aristofanit spikatin shpesh nota të theksuara të një lirizmi të hollë, dashuria për të bukurën, nostalgjia për natyrën e virgjër, për gëzimin e punës së bujkut, kontrastin midis realitetit dhe ëndrrës, midis asaj që është dhe asaj që duhet të jetë. Janë këto arsyet mësë shumti dhe njohja e psikologjisë, zakoneve e traditave që janë të përafërta si dy vende fqinje me njëra-tjetrën, mesazhet që përcjellin, aktualitetin e tyre, stili lakonik, humori e satira e këndshme me një mjeshtëri të lartë artistike e estetike që e bënë Spiro Çomorrën të përzgjedhë këtë komediograf të madh për ta shqipëruar. Të duket se Spiro Çomorra ka gjetur te Aristofani të mishëruara idetë e tij, prandaj dhe ka qenë kaqë i përkushtuar me të. Spiro Çomorra figuron si përkthyes edhe në “Antologji e poezisë greke” që ka shqipëruar ”Dodekallogu i evgjitit“ të Kosta Pallamas dhe poemën e famshme “Mëhallat e botës” të një prej shkrimtarëve më të mëdhenj grekë dhe më gjerë, Jani Ricos që tashmë është i njohur edhe për lexuesin shqiptar. Por emri i Çomorës lartësohet së tepërmi duke afirmuar veten si një përkthyes i talentuar me “Odisenë” e Homerit. Homeri me dy poemat e mëdha epike ”Iliada” dhe “Odisea” flet për kohë dhe ngjarje të hershme të kënduara nga rapsodë para tij që janë veshur shpesh me petkun e fantazisë dhe të legjendës. Në gurrën e pasur të këngëve të lashta të krijuara në shekuj, njomi buzët e saj muza e poetit që me këto dy poema i ngriti përmendore jo vetëm heroizmit, por edhe bukurisë së artit popullor që humbi në errësirën e shekujve dhe u ngjall me to. Homeri i ngjan një mali të lartë, maja e të cilit vazhdon të jetë e mbushur me mjegull. Spiro Çomorra ishte nga të paktët që provoi dhe u ngjit me guximin e një njeriu që ka besim në aftësitë dhe mundësitë e veta për ta shpërndarë këtë “mjegull” dhe të na e sjellë në shqip, jo të plotë, por veç 12 këngët e para të “Odisesë” duke e vënë veten, kështu, në radhën e përkthyesve të tjerë me emër si Gjon Shllaku, Pashk Gjeci etj. Atë e krahasojnë me rubairat e Omer Khajamit të shqipëruara nga Noli aqë me bukuri, rrjedhshmëri e muzikalitet i ka përshtatur në shqip. “Kishte raste,- më thoshte vajza e tij,- që 4-5 vargje i merrnin shumë kohë, 3-4 ditë e ndoshta dhe më shumë; punonte me to kudo që ndodhej, në shtëpi, në rrugë, në punë, në shëtitje, derisa të binte në variantin më të përshtatshëm, aqë durim e seriozitet i kushtonte. Kjo ishte një metodë pune permanente”. Ja si ia përcjell lexuesit në parathënien që ka shkruar: “Pa qenë pedant gjer në atë pikë sa ta përktheja këtë krijim artistik të pavdekshëm fjalë për fjalë, u mundova ta vesh me rrobat poetike të shqipes, pa iu larguar as fjalës, as mendimit homerik. Kam përdorur me guxim hegzametrin, vargun e origjinalit, i cili kur dimë ta lexojmë mirë, jo vetëm që s`bëhet monoton, por tingëllon si një muzikë e madhërishme. Dhe shqipes i shkon për bukuri”. Dashuria e pakufishme për atdheun dhe për njerezit më të dashur, përballimi i çdo sakrifice morale a fizike në shërbim të këtij ideali, përshkojnë tej e mbanë këtë poemë afro tridhjetë shekullore”. Odisea dhe lufta e Trojës është simbol i zgjuarsisë në mitologjinë greke. Odisea edhe sot si emërtim përdoret gjerësisht për të treguar kalvarin e gjatë të një udhëtimi të mundimshëm. Poema tregon aventurat e Odises dhe të gjitha pengesat që duhet të kapërcejë pëer t`u kthyer në vendin e vet mbas luftës së Trojës. Telemaku, i biri, në kërkim të lajmeve për babain e tij, i humbur qysh prej 20 vjetësh niset me një anije pa ditur se çfarë drejtimi të marrë. Një udhëtim plot me peripeci e të papritura të panumërta, por me shumë konfuzion për fatin e të jatit. Odisea brodhi edhe plot 10 vjet të tjerë i ndjekur nga hyu (Zoti), Poseidoni i cili ishte hidhëruar së tepërmi me të, ngaqë i kishte verbuar djalin e tij, Polifemin. Mbasi kalon pengesa të shumta, mbërrin në Itakë dhe vishet si lypës për t`u hakmarrë ndaj pretendentëve që kërkonin ta merrnin për grua, Penelopën, të shoqen që i mbante me premtime boshe. Poema është e mbushur me ngjarje tërheqëse plot fantazi dhe imagjinatë gjersa më në fund, Odisea del triumfonjës dhe shfaqet i plotë si një befasi dhe mbretëron i lumtur me familjen e tij. “Odisea” shënon fundin e gjithë krijimtarisë artistike dhe asaj të përkthimeve. Siç edhe duket Spiro Comorra ka «ndenjur» dhe është ndjerë mjaft mirë me këta kollosë të letërsisë botërore. Mbasi lexon krijimtarinë e Çomorrës në fushën e përkthimeve natyrshëm të intrigon dhe të mundon mendimi me pyetje të shumta. Pse pikërisht ka përzgjedhur këta emra të mëdhenj të letërsisë botërore për t`i sjellë në shqip me një tematike të tillë? E ka tërhequr personaliteti i tyre, bota e pasur shpirtërore, ideali, dashuria për atdheun, lirinë, sakrificat morale dhe fizike apo zgjuarsia e plot virtyte të tjera të mishëruara në figurën e tyre? Ndoshta kjo mësë shumti është objekt i studiuesve dhe kritikës për të thënë fjalën e saj, por lexuesi natyrshëm e me të drejtë e kërkon një përgjigje të kualifikuar. ”Një njeri serioz, -thoshte Anshtajni, – gëzohet kur i jepet mundësia që të qeshë me gjithë zemër qoftë edhe vetëm një herë”. Spiro Çomorra jo vetëm që ua dha këtë mundësi me humorin e tij, por edhe i vuri shumë në mendime me domethënien e saj, me nëntekstin, me fabulën dhe mesazhin që përcjellin. Ai me origjinalitetin e vet solli diçka ndryshe nga të tjerët me gjithë vështirësitë që paraqiste ky zhanër dhe besoj se s`do harrohet kollaj gjithë krijimtaria e begatë që na ka lënë me humorin e këndshëm që e shoqëron dhe që kuptohet e përmblidhet në gjithë filozofinë e tij se “nuk ka mendje më të varfër sesa ajo që i mungon humori”. Është nder dhe krenari për këtë djalë vunjotës me një inteligjencë të spikatur, për kontributin me kaqë vlerë që ka dhënë në kulturën kombëtare. Duke ruajtur ndjenjën e mirënjohjes e të kujtimit dëshmojmë njëherazi dashurinë e madhe e fisnike që për të, do mbetet një borxh i madh. Për krijimtarinë e shquar, Spiro Çomorra është nderuar me çmimin e Republikës, urdhërin “Naim Frashëri” dhe titullin “Nderi i Himarës “ nga bashkia me të njëjtin emër.
Bolonja, dhjetor 2015 – mars 2016 ALQIVIADH DEDE