MBRESA NGA NJE FOTO…
Ne vitin 2009 e me mbrapa kam pasur nje pasion e deshire te madhe dhe mall per fshatin. Kjo nxitje me vinte me se shumti nga kujtimet, emocionet, dhe mbresat e femijerise. Nuk lashe asnje vend ku kishte shkelur kemba ne ato vite dhe ndjeja nje gezim te patreguar. Ne Lume, Stefanel e Kare, ne Jonostath, Pajatath e Skutara, rruges se fushes deri ne Ngjype, ShenTodher, Illias, ne lume, Poronda, Gjemelike … Vetem ne maje te Mblerezes nuk vajta dot. Kam bere me qindra fotografi qe u bene shkak per te botuar dhe albumin. Ne ato vite vajta dhe ne Viro siper, jo me per mullinjte, lumin, po me intrigonte me shume dhe Kula e Kolofotet qe fatkeqesisht nuk ka asnjeri informacion per te. Kula eshte dhe sot e rrenuar pergjithesisht, tipike sic ndertoheshin atere, me ferngji. Dikush me thoshte qe ka qene e Zahet dhe ata ua kishin dhene kolofotet. Te jete e vertete?. Po pse u ndertua kaqe larg dhe ne nje vend kaqe te thelle…Me pyetje te tilla mund te vazhdoj gjate…Tentova te shkoja deri atje por ishte e pamundur nga pemet e ferrat e shumta. Nje xhungel e vertete ngaqe ska as njerez dhe bageti. Nuk arrita dhe me mbeti merak. Kur po kthehesha, ne Kondakuf, kalova i siperi. Nje bukuri prrallore, Te duket vetja si nje zog i lire, mushkerite te mbushen me ajer dhe ere qe vjen nga deti, aroma e luleve te shumellojshme, shikimi qe tretet tutje horizonteve, fusha e pamase me ullinj, zogj qe kendojne ne mbreterine e tyre…nje parajse e vertete. Ska fshat me te bukur se Vunoi, kudo qe kam qene e cfardo qe kam pare. Kur po zbrisja nga Shen Thanasi per ne fshat, u ktheva te ca shtepi te reja aty majtas. Jane te andonet. Nje porte me sirme me duket qe ishte gjysem e hapur, thirra disa here se mos kishte njeri, smu pergjigj askush. Nje konak djathtas e kishte deren e hapur. U futa brenda. Thirra dhe nje here, kur doli Katerina ne nje parathire siper si njer e nje kohe …Katerina fliste me ate akcentin greqisht qe se kishte ndryshuar…u drejtova te konaku, te porta pashe brenda halle Shinen. Halle Shina eshte bije nga mitrushajt, e barba Thomait. Si familje puntore qe ishin dhe ajo sbente perjashtim. Njerez puntore, te vuajtur, te lidhur me punen e hallet qe si kane pasur te pakta. Klearkua i shkrete, maleve me bageti dhe shikonte punen e tij po nga i ligu su ruajt dot…Histori te vjetra e te dhimbshme…Ajo ishte ulur ne nje fron afer buarise me boja’ blu, nje dollap po ashtu blu, dyshemeja me korrele, nje bande ne mur e punuar me dore e ca gjora te tjera sic i ka cdo shtepi fshati. Ajo se me cfare merrej, ulur ne nje fron qe kishte siper nje proshqefalle. E veshur me te zeza sic visheshin memat tona, me destemel te zi, me nje fanelle leshi dhe corape po te zeza, vetem futa perpara bente perjashtim. Halle Shina ishte rrudhur nga vitet, nga vuajtjet e mundimet, fytyra e rreshkur nga dielli, nga ererat, shirat, te ftohtit por me nje shikim mjaft shprehes dhe depertues. Sa me pa me tha : “Ciri je ti o jete”. Kjo fjale kaqe e ngrohte dhe e dhimbsur ka dicka qe te ben per vete dhe te jep shume afinitet. Ne asnje vend tjeter nuk e ndesh. – “Nuk me njeh i thashe ? Pa mundohu njer se dhe u nga vunoi jam”. Me veshtoi dhe mbas pak me tha se mos isha i dedaj. “Qe jam i dedaj e ke gjetur, i thashe, po kush se na jemi tre”. Mbasi u mendua pak, me tha: “Me gjan se je i vogli po emrin sta mba mend…”- “Tamam i thashe dhe i tregova emrin”. Ajo me perqafoi duke me thene, cish je, c’ish i ke etj. Ju kujtua mema ime qe zuri te me thoshte se ishte kapetane duke mos i kursyer fjalet e mira per te …dhe mua si pa dashur mu perfytyrua ajo mema ime e shtrenjte ne ato momente…Sa te mira kane qene… U ulem dhe nuk e di pse ndjeva nje dashuri, ngrohtesi e dhembshuri te munguar qe vetem memat tona dinin ta jepnin. Ato pak minuta qe ndenja me te qe se vura re sa shpejt kaluan, me fliste dhe kisha qef ta degjoja. “Femijet larguar si te gjitha familjet e tjera. Ketu benet shkreti kur vjen dimri…Kane marre rruget e kurbetit…Skane dhe faj, me thoshte se ska pune. Ja dhe ne ngrysim ditet, pleqeri o te keqen. Femijet duan te me marrin me vete po u sdua. Ketu e kalova jeten, me keta njerez, me keta gure e me keto mulqe…po vitet bejne punen e tyre..”. Mu kujtua nje plak ne ato vite qe ka nderruar jete dhe ai si shume te tjere. “Ah, more bir, me thoshte, mbeshtetur te shoku I tij, bastuni…iken te gjithe dhe ne firasim cdo vit…Po sdo mbetet bosh…” . Keshtu jane ligjet e jetes. Kane filluar keto fenomene dhe ketu… Keto nena si gjithe brezi i tyre kane nje zemer dhe shpirt te madh, jane te thjeshta e te verteta. Kur u ngrita per te ikur, me percolli njera te dera e vathit. Me perqafoi me mall dhe u ndava me te. Nuk e di se cfare i lidh keto gra me kete vend…jeta qe kane bere, femijeria qe kane kaluar apo eshte mundi dhe djersa e tyre ne cdo gje qe kane bere dhe qe e kane bere me doren e tyre. Skane faj. Me kujtohen prinderit e mi qe sa vinin ne Tirane, thoshin do ikim. Tani qe jemi rritur dhe ne, e kuptojme me mire. Duke zbritur gaderemeve sikur ndjeja hapat e tyre, te ngarkuar mbas nje dite te lodhshme e ndoshta duke punuar ndonje fanelle apo corape per te fituar kohe, ngjiteshin per ne shtepi, me te tjera qe takoheshim apo dilnin tek dera qe tani vetem pllockare te varur shikon. Te lodhura e te raskapitura, te djersitura merreshin pastaj dhe me punet e shtepise. Keto kane qene gra heroina qe smenduan kurre per veten e tyre. Halle Shina eshte nje nga ato, simbol i atij brezi. Nje foto qe i bera ne ate kohe, ne Maj 2010, e gjeta ne arkiven time qe u be shkak per te shkruar keto pak rrjeshta per te. I meriton. Ajo i ka kaluar te 90-tat. Ben jeten e saj dhe uroj ta beje sa me te gjate e pleqerine ta kete te bardhe sic ka dhe zemren.
24 Tetor 2020