NË ËNDRRËN TIME
Shtëpizë e vogël ku u rrita,
Në ëndërr mbrëmë ty të kam parë,
Secilës dhomë, munguar drita,
Oborrit, çelur ish një dardhë.
Rrugicë e ngushtë që gjarpëronte,
Me lule plot qe si ngahera,
Por ëndrrës sime po më lodhte,
S’ arrita dot të shkoj tek dera.
E mbaja mend fundin e saj,
Përballë dritares qe një pjergull,
Vite më parë, mbjellë nga babai,
Sa herë nën të ne ishim mbledhur.
Mbytur në djersë, vështroja derën,
Kaq shumë të vogël edhe të largët,
Në dorën time mbaja një çelës,
E nëna (gjallë) mu bë tek shkallët.
Shtëpia jonë nuk kish të tilla,
Nuk kishte fare, asnjë shkallë,
Në ëndrrën time Perëndia,
Ia dha asaj të nxirrja mallë!
ARDJANA DRAGOJ
“””””””””””””””””””””””
NË QOFSHI ZOGJTË E MOKRËS SIME
Mos jeni zogjtë e vendit tim,
Që endi maleve të lartë?
Aty ku gjyshërit kanë shtëpinë,
Si ju, ndërtuar, veç me baltë.
Mos vallë, braktisët ato vise,
E tinëz zbritët mbi qytet?
Mos jeni zogjtë e Mokrës sime,
E ç’deshët ju që ndoqët retë?!
Foletë i keni nëpër male,
Aty ku gjyshërit kanë shtëpinë,
Përse m’i zgjuat ato malle,
Të fjetur shpirtit në lëndinë?!
Në qofshi zogjtë e Mokrës sime,
Mbi varr të gjyshërve qëndroni,
Atje mbi degën që bën hije,
Një këngë malli iu këndoni.
ARDJANA DRAGOJ