22.5 C
Tiranë
E premte, 15 Maj 2026

Artur Spanjolli

Ese

Esencialja i shpëton syve?! Cili është kuptimi i kësaj shprehje? Çfarë është kjo “diçkaja” thelbësore, e cila i shpëton 5 shqisave tona? A duhet të besojmë në atë që nuk e shohim? A është e mundur të krijohet një filozofi për dhe mbi atë që nuk e shohim? Që nuk e prekim? Që nuk e perceptojmë racjonalmente? Mbi asgjënë atëherë? Dihet, është e rrezikshme të besosh në një diçka të tillë! Do të rrezikonim të ndërtonim dhe të besonim në kështjella të padukshme rëre. Dikush gjithsesi, do të mendojë në mënyrë naive dhe sipërfaqësore… Është e rëndësishme që unë të jetoj me shpresën e së Përtejmes. Është e rëndësishme që të më ngushëllojë dhe të më bëjë të jetoj mirë falë këtij ideali sublim. Në fund. Kur të zbulohet Velloja e së Përtejmes, kujt i bëhet vonë. Po vdiqa unë, bashkë me mua, vdes edhe e gjithë bota. A vlen e padukshmja atëherë vetëm për ata që kanë shumë imagjinatë? Shumë ndjeshmëri? Apo, ndoshta vlen vetëm për ata që kanë shumë Besim në të?. Të cilët, për një arsye x, për një arsye që e tejkalon racionalen, e tejkalon arsyen e fortë, jo vetëm që besojnë në të, por edhe i ndihmon ata të sqarojnë idetë mbi natyrën e thellë dhe të brendshme të së Vërtetës? Dua të them: nëse ata besojnë, e bëjnë atë së pari, jo tërësisht falë tyre, por vetëm me hirin e Dritës Hyjnore që ja lejon atë. Ia qartëson vizjonin e së Vërtetës, I fut në rrugën e Besimit. Por jo të gjithë. Vetëm disa të denjë? Të zgjedhur? Të përzgjedhur? Më mirë për ata! Por çështja nuk është aq e thjeshte. Çdo qenie njerëzore mundet pra, të hyrë aty nëse, ai ose ajo e don atë vërtet. Pse atëherë të tjerët, njerëzit racionalë duhet të besojnë në të? Ata mund të jetojnë mirë edhe pa të. A ka arsye të mjaftueshme, të dukshme, të besueshme për ta ndjekur, për t’a përqafuar atë si ideal? Ky faktor x. kaq i pakapshëm, kaq i paperceptueshëm nga shqisat, kaq i paprekshëm nga 5 shqisat, e tejkalon atë atëherë. Ajo bën rrugën e saj në psikikën tone eskluzivisht falë sensit të gjashtë. Një sens, i cili në shumë njërëz është në fazën embrionale, por në shumë të tjerë është i zhvilluar tej mase. Por ai mund të zgjohet brenda nesh? Është brenda nesh, pra, ai çelësi magjik për të hyrë në faktorin x. Për njerëzit që ecin dhe arsyetojnë me këmbët mbështetur mirë mbi tokë, as që duhet të ekzistojë diçka përtej jetës! Nuk ka arsye atëherë, nuk ka baza të qëndrueshme ku njeriu duhet të verë themelet për një arsyetim të tijë mbi një ide kaq abstrakte. Kaq të pa strukturuar, kaq amorfe. Gjithçka, në një teori të tillë, duhet krijuar nga asgjeja. Sikur të ndertoje një qytet të tërë imagjinar. Me gjithë sistemet e qytetit alternativ. Nëse e vërteta fshihet, dhe sipas shumë filozofëve duhet kërkuar vetëm në të dukshmen, atëherë 3000 vjet njohuri spirituale, përvojë njerëzore në këtë fushë të rrezikshme, për çfarë kanë vlejtur? Çfarë janë atëherë Besimet, me gjithë ato sisteme komplekse vlerash morale, që njeriu trashëgoi nga e kaluara për të ecur mirë në tokë? Çfarë vlere kishin, kanë dhe do të kenë? Çfarë vlere, çfarë kuptimi, çfarë vendi ka filozofia, etika, feja, retorika, shkenca për të shpjeguar mrekullinë e jetës? Mos vallë, çdo hap i ri i njerzimit, ka nevojë për një sistem të ri konceptesh mbi të padukshmen, e cila ekziston, edhe pse shqisat tona nuk e perceptojnë, falë vetë ligjeve të Universit. Sipas mendimit tim modest, njeriu mjafton të shohë me vëmendje përreth, dhe, ai, pa asnjë dyshim, do të fillojë të bëjë pyetje nga më të thellat dhe arsyetime nga më të thellat mbi rolin e tij në Univers. Le të vëzhgojmë njeriun: për shembull. Qenja njerëzore, është aq komplekse, aq i bukur i parë nga jashtë, si formë, strukturë dhe përdorshmëri, sa ne na duket gati diçka banale. Banale, normale që një dorë njerzore, aq e bukur dhe shprehimore, e bërë e pavdekshme nga arti, lëviz, ndjen, shprehet, sposton objekte, emocjonohet, çliron energji me prekjen, flet me gjestet etj. por në të njëjtën kohë është kaq e thjeshtë dhe e mrekullueshme në funksjonet e saj gati banale, për sytë tanë. Po t’a vëzhgonte një gjë të tillë, një qenje më pak e evoluar, do të habitej fare. Ne jemi një mrekulli. Çdo gjë është një mrekulli. Një mrekulli në llogjikën e materies së shpirtëzuar. Kjo është gjithçka që shohim, ne, një banale dorë njerëzore. Po përtej dorës, ç bëhet? Unë shoh vetëm bukurinë e jashtëme të trupit të njeriut, por nuk shoh më tutje lëkurës. Nuk shoh kompleksitetin perfekt të dorës, përtej lëkurës, e cila komanduar nga truri (mrekullia e mrekullive) etj, etj. Nuk shoh asgjë. Siç nuk shoh atomet, por ato ekzistojnë, nuk shoh dallgë magnetike por ato ekzistojnë. Nuk shoh rrezet ultraviolet, por ato ekzistojnë. Shumë gjëra pra, nuk i shoh, por ato ekzistojnë. Por, nëse jemi një mrekulli në kompleksitetin tonë dhe çudinë funksionale, siç është një pemë, një zog, një kafshë, një lule e thjeshtë. Pra, pse nuk mund, nuk duhet të besojmë se edhe Universi është po kaq kompleks, i ndërlikuar, i përsosur dhe i orientuar nga Logjika Hyjnore. Nga një Krijues Drite Primordiale. I gjithë kozmosi atëherë i nënshtrohet Ligjeve të kësaj drite? Ndoshta atëhere paska edhe dimensjone të tjera ekzistence? Ndoshta ne, mbi tokë, jemi veç një formë e ekzistencës. Nj. formë “banale” në materje? Ndoshta në dimensjone të tjera. Më afër Burimit të Dritës, gjenden, jetojnë, ekzistojnë, forma të tjera, më të avancuara. Më spirituale. Forma energjie, të cilat, jo vetëm kanë një ndërgjegjësim më të madh dhe më të plotë mbi ligjet e Universit, por edhe manipulojnë ligjet e saj, më shumë. Ndoshta janë krijesa drite. Pjesë e një sistemi Universal, Hyjnor, krijuar që në origjinë. Kështu do të shpjegoheshin shumë fenomene të pashpjegueshme. A nuk lodhet njeriu të njohë ligjet e universit, vallë? A nuk e gërvishtin shkencëtarët të fshehtën, për të zbuluar të vërtetat e fshehura nën të, dhe për t’i vënë ato në funksion të njeriut? Nëse jemi një rastësi e lumtur, atëherë kjo rastësi fatlume do të kishte veç një emër: Hyjnore. Si edhe kozmosi, gjithashtu. Kur thuhet se misteri e bën jetën më intriguese, aty pra, fshihet edhe bukuria dhe kuptimi i vetë jetës. Nëse gjithçka do të ishte e shpjegueshme atëherë njeriu nuk do të kishte mundësi të bënte asnjë pyetje të thellë për ekzistencën e tij, për rolin e tij në univers. Dhe madje, edhe ecja e tijmbi aksin e kohës (koncept tërësisht njerëzor) do t’a humbte kuptimin e vërtetë. Finalen dhe qëllimin e vërtetë të ekzistencës sonë. Ky kërkim personal që njeriu bën për t‘u rritur shpirtërisht, është edhe aspirata më sublime që ne krijesat njerëzore duhet të bëjmë mbi natyrën e padiskutueshme hyjnore tonën. Gjithkush mund ta mendojë si të dojë, është i lirë pra, në opinjonin e tij. Por për mendimin tim. Nese njeriu do të mendonte më thellë mbi jetën, natyrën, mbi ekzigjencat e saj të brendshme, atëherë do të dalë. Do të evidecohej qartë se të gjitha qeniet njerëzore aspirojnë dy gjëra: lumturinë dhe jetëgjatësinë. Nëse e dyta është një fitore i shkencës dhe mjekësisë, e para është dhe duhet të jetë një fitore individuale i vetë njeriut. Kërkimi i lumturisë pra, ka shumë variante. Si materiale, ashtu edhe shpirtërore. Por sipas mendimit tim, kërkimi i vërtetë i lumturisë ka lidhje me vlerat e Virtytit. (e vërteta, e sinqerta, e ndershmja, e devotshmja, mirënjohja, mëshira, falja, altruizmi, madhështia shpirtërore dhe mikpritja, fisnikëria e shpirtit, etj….) Vlera që të gjitha fetë pak a shumë predikojnë, edhe pse kanë ideologji të ndryshme. Këto pra, janë vlerat ku duhet kërkuar Lumturia e Vërtetë. Kjo vjen falë njohurive të jetës dhe vetvetes, por sidomos nëpërmjet përmirësimin tonë pak nga pak. Me pjekurinë pra, që vetë përvoja e jetës na jep. Po përse atëherë shpesh i miri vuan? Pse të ndershmit shpesh ia hedhin? Dhe pse i virtytshmi shpesh shihet me ironi dhe shpoti nga shoqëria? A është vallë jashtë mode, në një shoqëri konsumi, kompeticjoni dhe rendje drejt materiales. Në një shoqëri pra, që shpesh stimulon hajdutin, mashtruesin, amoralin? Të cilët rendin vetëm drejt babëzisë materiale? (Karriera, paraja, pushteti, kënaqësitë e shthurura të lekurës, etj) Njeriu nuk duhet ta humbasë kurrë integritetin e tij shpirtëror. Humbja e integritetit është baraz me humbjen e shpirtit të tij. (Dua të them se ai nuk duhet të gënjejë, mashtrojë, nuk duhet të intrigojë, të ketë zili, të rendi drejt vlerës materiale, etj) Njeriu gjithmonë duhet të përpiqet të bëjnë pyetje të thella si: Unë ekzistoj. Pra: Pyes veten për shumë gjëra? Njohuria nuk është vetëm një rrugë e gjatë kërkimi, por edhe meditimi mbi natyrën shpirtërore të njeriut, dhe nevojën e saj më të thellë. Dashurinë. Eshtë abuzuar dhe abuzohet shumë me këtë fjalë. Për aq sa është e vërtetë që dashuria përmban gjithçka brenda. Çdo gjë është dashuri. Çdo gjë është rezultat dashurie nga një Krijues, edhe pse shpesh elementët në natyrë rrebelohen kundra njeriut vetë. Ne jemi, ecim, ekzistojmë. Pra, ne jemi energjija në formë njerëzore. Jemi këtu për t’u përmirësuar derisa të arrijmë një ringjallje shpirtërore. Nëse nuk lëvizim për t’u përmirësuar, nuk kemi bërë asgjë. Ne jemi dritë. Por ne jemi dritë embrionale. Jemi si ajo llamba funksionale, e cila përsa është e fikur, mbetet ashtu. Dhe na duhet neve ta gjejmë çelësin në dhomën e errët për t’a ndezur dritën tonë! Le t’a kërkojmë atë së pari tek Virtyti. Virtyti është Abetarja e njeriut. Të jesh i lumtur është pothuajse e pamundur, edhe pse njeriu ka momente drite, çaste lumturie në disa momente të caktuara. Por të jesh i bindur për rrugën tënde mbi virtytin, është shumë. Eshtë esencjale për dikë që dëshiron të rritet shpirtërisht. Kush nuk kërkon, as nuk dëshiron pra të shikojë më thelle, dhe ai nuk duhet as t’a bëjë. Nuk është ende gati. Ai ende nuk ka, nuk e ndjen këtë nevojë të brëndëshme. Kush nuk i bën pyetje të thella vetes: Kush jam unë? Ku shkoj? Pse jam këtu? Ç’bëj unë në univers? A jam produkt i rastësisë apo pjesë e një projekti gjigant hyjnor? Nëse Hyjnorja ekziston, atëherë pse Zoti ka vendosur të lozë kukafshehti me njerëzit? Pse nuk zbulon gjithçka, në mënyrë që të gjithë t’a dinë të vërtetën? Pse nuk sqaron gjithçka, por nëse e bën të qartë. E bën atë pjesërisht. E bën vetëm për pak njerëz të caktuar dhe me forma të fshehura. Të vështira për t ‘u interpretuar, shpjeguar në formë racjonale. (Vizione, ëndrra, udhëtime shpirtërore përtej, materializime, shërime, mrekulli, teletrasportime, etj) Dhe nëse e bën, e bën vetëm për disa të përzgjedhur: shenjtorët, njerëzit e drejtë, me moral të pamohueshëm? Njerëz të pastër Brenda, të çiltër, pa keqësi? Por shpesh njerëzit, që jetojnë në kufijtë e skizofrenisë, çmendurisë dhe sëmundjes mendore? A është e vërtetë se Hyjnorja u ka dhënë profecinë vetëm të çmendurve? Nëse njeriu fillon të bëjë pyetje të këtilla. Të thella dhe aq të brendshme, atëherë, e përsëris, nevoja shpirtërore për t’u rritur, ka lindur tashmë tek ai. Nëse ai nuk i bën ato, e përsëris, atëherë don të thotë se ai nuk është ende gati. Eshtë ende larg kërkimit të së Vërtetës. Ende, pra, i duhet të ecë shumë. Vlera e të padukshmes, ku çdo gjë fshihet, është vlera e vetë së bukurës, në jetën në materie. Kjo është arsyja më e thellë që e bën atë intriguese, të mrekullueshme, kurioze dhe na shtyn ne, të verbërit në materie, të kërkojmë. Të kërkojme të padukshmen, të paditshmen, misteriozen. Misteri është edhe çudia më e madhe e vetë jetës. Nëse e ngrejmë vellon e nuses së re, atëherë të gjithë kuriozët do të largoheshin më pas. Interesi do të ulej menjëherë, tamam si një ngjarje filmi të zbuluar paraprakisht. Me ngritjen e vellos, të ftuarit e dasmës, apo kureshtarët përreth mbledhur si nëpër festa të bujshme, do të iknin. Misteri i bukurisë së nuses do të fanitej në çast. Kjo është pra arsyja, pse mençuria hyjnore luan ‘kukafshehtas’ me njerëzit. Velloja, është sekreti më i thellë në Univers. Njerëzit nuk mund të dinë mbi të për disa arsye. Intelekti i tyre as nuk mund ta kapë, as ta kuptojë, as t’a tejshkojë Hyjnoren. Arsyeja e dytë, është se njeriu do të arrijë deri tek ajo: hyjnorja, shkallë, shkallë. Duke rritur gradët e dijes. Një arsye tjetër themelore është kjo pra: se nëse njeriu do të vazhdojë, të ngatërrohet në ecje duke dëshiruar I babëzitur vlera materjale duke shitur pak nga pak integritetin e tijë. Derisa njeriu do të mashtrojë, do të ketë zili, do të intrigojë. Do të jetë indiferent, do të jetë egoist. Derisa ai duke ecur do të ngatërrohet nëpër ferrat e paragjykimeve dhe cmira, vogëlsia nuk do ta lërë të rritet. Nëse do të punojë akoma për t’u shërbyer, dhe jo për të shërbyer etj, etjerë, ai kurrë nuk do të hapi Abetaren e Vyrtytit. Ndërgjegjësimi vjen me njohje. Tani për tani, njeriu është vetëm krijesa e mahnitur nga kjo bukuri e pafundë, e pashpjegueshme e ekzistencës… përballë diçkaje shumë më të madhe dhe të pamasë për intelektin e tij të kufizuar… por njeriu duhet të fillojë të lëvizë… me njohjen e vetvetes dhe rizbulimin e vlerave që dërgojnë në rritjen e tij shpirtërore… P.S. Faleminderit mikut, artistit dhe fotografit Parlind Prelashi për shkrepjen e admirueshme.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.