Shkruar nga:
Vladimir Duraj
Aviacionistët
Nikollaq Kërri
Më rastisi të shoh një postim të Bill Karsonit për ecurinë e udhës së Regjimentit të Aviacionit në qytetin ‘Stalin’ qysh me krijimin e tij në 15 Maj 1955. Mes kënaqësisë që më dha leximi i këtij postimi hasa edhe qershinë mbi tortë, foton e mëposhtëme, ku në celuloid janë fiksuar tre shokët e mi të Ofiçinës në Regjiment, Novruz Berhani, Niko Kerri dhe Sulo Dafa.
Të tre këta, shtoju edhe Vangjel Çelën me Naim Alimerkon, përbënin grupin e Paimeve Speciale të Avionit. Shef i këtij grupi ishte Nikua, kuadër që kishte mbaruar Shkollën e Aviacionit në Vlorë, ndërkohë që inxhinjer për këtë punë në rang regjimenti ishte i mirënjohuri Osman Bozhiqi. Të katër të tjerët, Sulua, Vangjeli, Nokja dhe Naimi ishin punonjës civil siç isha edhe unë në grupin e Radios.
Kur fillova të shkruaj për aviacionin dhe pilotët më në zë të tij si Fahri Bubësi apo Vasil Andoni, përdora termin “aviacionistë”, ku këtu përfshija pilotë, teknikë avioni, specialistë ushtarak e civilë si dhe këdo tjetër që ishte në funksion të punës në aviacion. Sot, teksa shoh foton e shokëve të mi bindem edhe më shumë në drejtësinë e mendimit tim për t’i parë si një të tërë të gjithë ata që shërbenin brenda “kufijve” të regjimentit, që nga ushtari i postbllokut e deri tek komandanti i regjimentit.
Përkushtimi, ndershmëria, devotshmëria, forca fizike dhe mendore ishin karakteristika të përbashkëta të cilitdo prej aviacionistëve. Të tillë ishin edhe shokët e mi në foto, Sulua dhe Nokja, të tillë ishin edhe shokët tanë të këtij grupi, Vangjeli dhe Naimi. Mund të thuash shumë për shokët e mi dhe e mira është që një gjë të tillë ta bëj, ndërkohë që këtë shkrim po i’a dedikoi të mirit e të mrekullueshmit Niko Kerri që fatkeqësisht sot nuk jeton më.
Nikua ishte bir oficeri, bir aviacionistë. Andon i’a quanin t’anë, njeri i nderuar e i rrespektuar në sytë e atyre që i kanë njohur. Kur kam dëgjuar të flitej mirë për Andonin nuk u çudita, po ashtu në atë moment gjeta edhe përse Nikua ishte aq i mirë. Nikon dhe Andonin i bashkonte geni, geni i mirësisë. Një gjë të tillë e shihja tek Nikua, tek ajo që ai ishte e bënte.
Në fakt Nikua nuk ishte i vetëm një masiv vlerash e mirësie, të tillë ishin edhe kolegët e tij në ofiçinë si Sefedin Koçi, i ndjeri Muharrem Noka, Koli Gjoka, Llazi Foto, Petraq Xhavara dhe Mesut Fane. E megjithëse thuajse të gjithë të sipërpërmendurit ishin kopi paste e njëri – tjetrit, përsëri për Nikon dua të veçoj pako gjë. Ai meriton çdo superlativë edhe pse në njëfarë mënyrë do të cënoja pohimin e mësipërm të kopjes besnike për Aviacionistët.
Nikua kishte të tijat supercilësi, tek ai nuk shihje distancë, nuk shihje grada e kufij shef e vartës për aq kohë sa nuk cënohej puna dhe gatishmëria. Nikua ishte i qeshur, fëminor në çiltërsi, i pastër në shpirt. Nikua nuk kishte gjë të përbashkët me prepotencën dhe arrogancën, me fodullëkun dhe mospërfilljen. Por, siç e them më sipër, aq sa i thjeshtë e shoqëror ishte në përhershmëri, aq serioz dhe kërkues ishte kur momenti e kërkonte një gjë të tillë.
Nuk ishin të pakta rastet kur punonte në grup si në foto, me Sulon e Noken si në këtë rast, apo me Vangjelin dhe Naimin në raste të tjera. Shkonte shumë me Sulon, ishin të një moshe dhe me njohje të hershme, por edhe me ne të tjerët nuk linte gjë mangut. Ishte i respektueshëm, i edukuar dhe i kulturuar, njeri që të bënte për vete.
Për Nikon mund të përdorësh një arsenal superlativash, asgjë nuk do të ishte e tepërt. Por gjithsesi nuk do i’a arrije ta përshkruajë besnikërisht, përsëri do të lije pa thënë vlera që ai posedonte.
– Shumë po thua o Lad, ç’mbeti tjetër për të thënë ? – mund të thojë dikush nga shokët tanë aviacionistë.
– Jo vëlla, nuk e kam tepruar në vlerësimin për Nikon, Ai kishte të tijat mëmën e virtyteve, THJESHTËSINË, dhe unë këtë gjë e çmoj shumë.
“Librit” tim për Aviacionistët i’u shtua edhe ky shkrim për Niko Kerrin, shkrim që do të qëndroj dinjitoz krahas shkrimeve për Vasilin, Viktorin, Sokratin, Harrillën, Kolin, Llazit, Muharremit, Pandit, Stavrit e shumë të tjerëve.