Qofsh përjetë i paharuar o mik, o Ylli Xhakollari!
“Ulu, ulu o drejtor, ulu se nuk ke moshë për këto punë ti”. Ja kështu më drejtohej aty nga vitet 95-96 ky që është në foto dhe që sot “më bëri” të më binte tavani në kokë kur mora vesh se ka ndëruar jetë.
Më kishin flakur rrugëve “demokratët” e atyre viteve dhe fati më bëri të takohem me njerëz të mirë që më aktivizuan në një punë ku mbaja shtëpinë “me bukë”. Shoqëroja trajlera nga Durrësi në Tiranë, të cilët shkarkoheshin dhe i ktheja përsëri ato në Durrës. Lodhesha duke shkarkuar edhe unë thasë e ambalazhe të rënda, sa shpirti im e dinte. Por kujt ti ankohesha? Ha ha ha …
Sa i çoja mjetin këtij burri, më kapte për “leckash”, më ulte në stol. Bashkë me 2-3 çuna, me të cilët administronte mallin (hidro/sanitare) e shkarkonte vetë pa më munduar aspak.
“Aty e ke shishen e “ilaçit” o “drejtor”, ktheje një gllënjkë se të bën mirë për zemrën… Se ti e mbarove detyrën tani, hë më paç uratën”.
Bënte humor krejt pozitiv, duke ju kujtuar atyre që ishin pranë se nuk duhet të më mundonin. Pasi, “dikur” ky që shkarkon arka ishte drejtor i “21 dhjetorit”. “Po si na porosit “partia”, si na “mësoje” ti o “drejtor”, puna kokë më kokë me njerzit. Hë …të paça! Futi edhe një gllënjkë e zëre se e shkarkuan çunat kamionin…”
Po ç’ishte ky gojë ëmbël kështu, po si mund të gjenden njerëz të tillë në këtë kohë?! Çfar edukate, sa i sjellshëm, çfar babaxhani! I qeshur si rreze drite, shpirtin si borë e bardhë, fjalët si mëndafsh të butë, bisedën sikur këndonte. Të mos i kryeje porositë apo punën këtij burri, ishte mallkim.
Oh sa keq që natyra shpesh nuk di të seleksionojë! Sa keq që na largon njerëz të artë nga zemra, të ndritur nga mendja, me shpirtin sa një mal, ku ka vend për këdo që troket aty, burra që e lartësojnë shoqërinë tonë dhe asnjëherë nuk stakohen nga hallet e saj. Na largon mjaltën e shoqërisë e ndërkohë na le nëpër këmbë deri edhe qelbësira, që nuk njohin gjë tjetër vetëm babëzi për të vjedhur e jo biznes të ndershëm, të poshtër për të vlerësuar e jo njerëz që bashkëpunojnë, maskarenj në mardhënje e jo korrektë e të rregullt.
Vite më parë kriminelë i vunë zjarrin e “konkurencës” magazinave të këtij burri punëtor e të pa lodhur. “E po çfar ti bësh”, më tha me atë buzëqeshjen e vet plot ironi e dhimbje njerëzore kur e pyeta i tronditur në një prej atyre ditëve të tëmerrshme. “Të kanë shpëtuar ca rrugaçë pa ju bërë punë të mjaftueshme ideo politike o “drejtooor”!
E ringriti magazinën shumë më cilësore, duke e kthyer atë në një “kështjellë”, monument të punës, aftësisë dhe vitalitetit të mendjes e madhështisë të shpirtit të tij. “Henri” e quajti ndërtimin e ri, me emrin e djalit të tij të shtrenjtë, që unë e kam njohur fare të vogël, një kaçurrels të bukur të dheut, e që tani duhet të jetë rritur e bërë burrë, të cilit i uroj të arijë në aftësitë e babit të vet, por duke u lutur që të arrijë jo më pak se gjysmën e shpirtit dhe zemrës të tij. E vetëm atëhre mund të shpresohet se trashëgohen objektivat e jetës që i kishte vënë vetes profesori, njeriu i mirë, miku e shoku i mrekullueshëm i të gjithëve që e njohën, të paharuarin Ylli Xhakollarin.