9.2 C
Tiranë
E premte, 1 Maj 2026

Barie Çupi

SKENAR I PËRSËRITUR

Natyrshëm ngatërruar me ëndrrat,

në skenarin e jetës filloj e loz,

habitem me ngrysjet,

me qeshjet,

me lotët për njëmijë arsye,

lënduar,

avitem e mërzitem si fëmijë tekanjoz,

ftohem si gur varri i harruar,

pastaj,

avuj të ngrohtë telefonatash

bulëzojë e vijnë e zgjidhin ca nyje….

!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!

DITA PA EMËR

Ç’ditë është sot?

dielli bie fytyrash të vrenjtura,

mëngjese,

ankthe,

stuhi që të shkallmojnë trurin,

dheu kërkon t’i hysh brenda vetes.

Ç’ditë është sot?

dita jote,

koha ime,

drithëruese,

e shtrëngoj si fëmijë,

edhe pse është si tufan mjegullnaje,

kockash të tua rrjedh babëzia,

gjinjve të mi rrjedh mirësia,

mbërthyer pas buzësh të hirta,

rënkim gjakrash si petale lulesh të mpihta.

Ç’ditë është sot?

javë apo muaj,

kafshon gjarpri një zog,

i madhi e ha të voglin,

mesditës me diell,

muzgje imcake,

ora dymbëdhjetë.

pika shiu mbi xham

mbi të shenjtën jetë,

ujë ,ajër dhe shpresë,

që dita të ushqejë ty,mua e tē tjerë.

Po cila ditë është vallë,

kjo e shkreta që përplaset si dallgë,

e herë fluturuese,

avitet si ngordhësirë e gjallë,

por mbetet ditë e begatë,

nesër nën një gur mund të derdhesh,

mund të harrohesh,

shpirtin mbaje të bardhë,

unë nuk dua tani të iki matanë,

as të rri përgjigje duke prit,

me sytë zgjuar si dy globe,

si dy diej në galaktikë,

dua që mishi mos më marrë erë,

mendimesh të përrallta mos trokas derë më derë.

Ç’ditë është sot?

gjithçka lëviz,

nuk është ditë pushimi,

zemra s’u lodh së punuari,

as truri së menduari.

nata mbuloi e ndau

diku kismete,

diku halle,

rrotullamë e universit,

si shpata në zjarre,

zë i shurdhët errësirash kapardiset,

këmbëkryq lumenjsh të fryrë degëdiset.

Sot prap ditë e re,

por pa emër,

në foto një thinjë përmbys kohën

emblemë e ringjallur ëndrrash,

fat shtrëngatash,

që lënë pas ylberin,

vargje dritash,

buzëqeshje të përflakura,

drithërima të nxehta dashurie,

i lidh dorazi në poezi,

e i kthej në rrugë të gjata njerëzie,

lutja ime si vizatim në qiellin blu,

e pa re,

atje ka një Zot,

ku çojmë lotët ne.

Në gojën e motit të trazuar,

lëviz ora akrepat,

vetullash ngjasuar,

dhe kur perëndimi puth malet mbi qerpikë,

ne ende s’e dimë ku jemi e në ç’ditë.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.