15.5 C
Tiranë
E martë, 19 Maj 2026

Barie Çupi

Kur shpërbëhet fjalori.
Hiq dorë nga zëri i grykëve të mërdhifta,
pëshpëritjesh që përvidhen si balta të lënuna,
lagështirash si kobësia e vdekjeve të idhëta,
në përimetra gjurmësh,kuturu të nëmura.
Si rrëfyese misteresh,mbytur në valëzim,
ky gërshet gërmash,ma shqepi kraharorin,
eshtrash të bardha do shkoj në fluturim,
shpirtin të përkëdhel,mos ia rëndoj lotin.
Pak hapa më tej nën ca kafka të ngushta,
zgurdulluar sytë,mbyllin dyer e dritare,
kan’thonj çjerrës e dhëmbë të përdhunta,
me grep të kujtesës,i ngulis në ditare.
Cigaret djegur,trajtash të pluhurosura,
hiq dorë emrash,me spërkatje toksike,
ka njerëz përreth,gjuhësh të zhulosura,
ti mbështillju hënës,hijeshisë fisnike.
Harro kë ndeshe,andej nga kolove,
dikush siç niset,ndryshe mbërrin tek ti,
hiq dorë nga tingujt e fryrë që provove,
ka djaj që ethshëm formësohen n’pabesi.
Ca tjerë të sajuar,ngopen veç me mbetje,
e i përqasin dritat,siç ndryshon dhe moti,
ti më thua hiq dorë,si të ishte pasvdekje,
mua më qan fjala,po më shpërbëhet fjalori.
“”””””””””””””””””””””””””””

NË KËTË PËRVJETOR babit tim
Qaj e ngushëllohem yjesh,
ku n’krahë ëngjëjsh thuret dritë,
syri lot e zemra pyet,
sa m’je larg,e sa t’kam pritë?
Babë sa m’duhesh,s’të shoh,s’të prek,
n’kët gur varri,malli ashtë plasje,
nji plagë m’është hapur e më godet,
miza e driza veç ti m’i qasje.
Babë ca brenga sikur t’mi ndije,
qiellin do ta ndaje më dysh,
ku përanë e ku përkije,
hallin do ma hiqje sysh.
Babë pak forcë sikur t’më çoje,
nji selam në zarf të jetës,
ç’ka janë hilet të m’i tregoje,
m’ke rrit veç me frym t’vërtetës.
Babë s’është më,si ka qenë dikur,
as sofra,as dera,as rruga e gjërë,
veç zani yt s’do m’shuhet kurrë,
flen e zgjohet,libër është bërë.
Babë m’the Zoti sajoi mirësinë,
të ligjtë e mjerë janë të pafé,
unë tok e trok njoh vetëm drejtësinë,
i keqi ngop barkun,vërdallë ndër ne.
Sa cuname m’janë derdh mbi supe,
unë gjallë e ftohtë,sa në borë e në shi,
qëkur ike babë,muskujsh më k’pute,
mbulesë e hekurt ishe veç ti.
Mbytur në mërzi,në përvjetorin tënd,
qaj e dënuar si në çdo dhjetor,
më mungon kudo,ç’ka shumë më dhëmb,
por prap gjurmësh,më ndjek si meteor.
E kur ajri m’shtypet arterieve të ditës,
ti bab përtej heshtjes,më sjell energji,
jam bërë mal,larg shtypjes dhe frikës,
qiellore në mendime,siç më mësove ti.
Në k’të ditë përjetësie,t’u përgjigja në vargje,
fjala jote babë,është frymë e gjallë akoma,
thyhem e ngrihem,siç ti më përsjate,
e shkurtër është jeta,e madhe është bota.
“”””””””””””””””””””””””””””””

Vargjet e thyera
Do ta shkruaj ditën,natën,vitin,shekullin,dhe moshën në varg të thyer,
më duken orët si kanata dritaresh ,
ku shikimet për matanë rrinë ngushtuar e mbërthyer.
Më janë thyer dritat,
duke mbajtur copëza vizitorësh dështakë ndër sy,
do t’i thyej vetë tabutë,
shaka të hidhura si dyer kështjellash të kyçura me dry.
Do ta rrëzoj këtë botë rrebele me përralla princeshash,
që mbajnë nën jastëk akoma ëndrrën e hirushes,
do t’i shemb gënjeshtrat,
përveshur jetës,ku askush nuk mbërrin tek tjetri pa faturën e humbjes.
Do ti thyej në varg,të gjithë lotët e thyerjeve,andej nga të gjithë njerëzit kaluan,
do të vijë koha,ku veç të dashuruarit do jetojnë në paqen e munguar.
Sepse do të vijë mendja,kur të kuptojmë sesi veç shembesh harruar ditë pas dite,
zënë myk ëndrrash,duke vdekur në puthje të rrëmujshme toksike.
Sikur zemrat,lodhen e thyhen yjet,
e poetët i presin në pëllëmbë e i ruajnë në libër,
dhe thyhet një mall në kraharor,gërmat kanë ftohtë,e fjalët bëhen dimër.
Ndaj do t’i thyej krejt portretet e pritjes,që nuk janë më as dashuri,
e as buzëqeshje,
do shkruaj tutje vargje të thyera,por nuk thyhem më,duke mërmëritur në heshtje.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.