Në një vend të panjohur për të, ai po qëndronte karshi saj, në një tavolinë duke ia përkëdhelur duart. Roza tani kishte pamje më të zeshkët, ndoshta nga rrezitja e stinës së verës. Fytyrën e kishte më të plotë sesa kur ishte vajzë e re gjashtëmbëdhjetë vjeç, kur rrugët e tyre ishin kryqëzuar herën e parë. Vetëm sytë nuk kishin ndryshuar, edhe kur buzëqeshte dukej sikur qante njëkohësisht.
– Sa e kam pritur këtë moment! – i thoshte- ku punon tash, në një Qendër të Mjekësisë familjare?
-Jo atje punojnë dy pleq, – iu përgjigj.
Edhe ajo si Zamiri dukej e prekur nga ky takim i beftë pas shumë vitesh. Ai ia ledhatonte duart dhe e shikonte atë fytyrë të bukur dhe të ëmbël që kishte marrë gati ngjyrë çokollate. E tronditur nga ky takim, dukej se nga çasti në çast do të fillonte të qante. Në dy krahët e saj qëndronin dy burra. Njërin prej tyre dukej se e kishte njohur dikur Zamiri. Herë njëri, herë tjetri e puthnin në faqe. Ai e kishte përshtypjen se ky ishte një gjest ngushëllimi karshi Rozës. Megjithëse kjo i zgjonte një ndjenjë xhelozie, ai prapëseprapë ndihej i lumtur karshi saj.
Ishte gati mbrëmje dhe ata kërkonin që t’u përgadiste diçka për të ngrënë.
Si fillim i kërkuan që t’u sillte ujë për t’i larë duart. Ai filloi të bredhte në një lëndinë të braktisur për të gjetur ndonjë burim me ujë, por sekuenca u shkëput, dhe pas njëfarë kohe bashkë me një shok nga vendlindja e tij ishte në një tjetër vend duke u freskuar me pije. Nuk i rrihej gjatë aty. Dikur doli nga lokali për ta gjetur Rozën, në atë vend të panjohur për të.
Përpjekja e tij ishte e kotë, ecte papushim, por vajzën që ia kishte grabitur zemrën në rini nuk po e gjente askund.
Kur i doli gjumi, iu kujtua se gjithçka kishte qenë vetëm një ëndërr e një nate të kaluar keq.
Herën e fundit ishin takuar në rrugën që të shpiente nga Kodra e Diellit drejt Fakultetit të Mjekësisë.
Atë ditë për të satën herë, ajo e kishte refuzuar dashurinë e tij. Zamiri i zhgënjyer ia kishte zgjatur një fotografi të sajën bashkë me dy shoqe, që e kishte ruajtur si hajmali për gjashtë vite, duke e ruajtur brenda fletëve të librave të ndryshëm. Njëra nga shoqet e saj ia kishte dhënë atë foto shumë të çmuar për të.
– Mbaje!- mërmëriti Roza.
– Jo s’ka çka më duhet!- ishte përgjegjur, duke kujtuar se ky gjest do të bënte një efekt magjik, dhe e adhuruara e tij do të ndërronte mendje dhe pranonte dashurinë e tij.
– Kush ta ka dhënë fotografinë?
– Shoqja jote nga fotografia, që banon në të njëjtën lagje ku banoj edhe unë,- i tha Zamiri.
Kishin vazhduar rrugën të qetë duke biseduar, dhe ai ishte shumë i lumtur që këtë herë qëndrimi me Rozën po zgjatej më shumë se zakonisht, sa herë që e kishte takuar enkas në rrugë drejt shkollës dhe tash fakultetit, për t’ia shprehur dashurinë e pakufishme që ndjente ndaj saj. Derisa po ngjiteshin shkallëve të fakultetit për në katin e parë, i tha:
– Po vij edhe unë me ty në ligjëratat tuaja, ndoshta do të mësoj si të shërohem nga dashuria.
Ajo vuri buzën në gaz nga kjo dëshirë e çuditshme e Zamirit.
Qëndruan edhe disa minuta derisa të hapej salla e ligjëratave, dhe atij për një moment i shkrepi në mendje, se atë ditë ishte dita e fundit kur duhej të kalonte në një zyrë, për të tërhequr një dokument të një shoku të tij të shkollës.
– Fatkeqësisht, sot nuk mund të vij me ty, se tash m’u kujtua se duhet ta kryej një punë para drekës, -iu drejtua Zamiri.
Ishin përshëndetur, dhe prej atëherë nuk ishin parë më.
Ai ishte, ndoshta, rasti më i mirë për ta realizuar dashurinë e madhe për atë vajzë, që ia kishte rrëmbyer zemrën në rininë e hershme.
Dashuria ime për Rozën ngeli vetëm një ëndërr, ashtu siç ishte edhe ëndrra e mbrëmshme, i tha vetes gati me zë, derisa po e pinte kafen e mëngjesit dhe shfletonte një nga gazetat javore, në lokalin ku shkonte zakonisht të dielave.