10.5 C
Tiranë
E hënë, 21 Prill 2025

Besnik Mustafaj

Granit Zela eshte ndoshta lexuesi i pare i ketij romani ne doreshkrim, qysh vjeshten e kaluar, kur sapo e kisha perfunduar ne dore te pare. Meqenese e permend diku ne tekst, dhe, me gjere, meqenese besoj shume ne shijet dhe gjykimin e tij per letersine, iu luta ta lexonte. Sot ai i ka thene pershtypjet e veta publikisht. Nderkohe qe libri vetem sot ka dale nga shtypi. I bie keshtu qe Graniti te jete jo vetem i pari nder lexuesit e tij, por edhe i pari qe flet per te. Faleminderit, Granit Zela!

 

RRËFIM SI DËSHMI PËR TIRANINË NDAJ GJUHËS
Letërsia e gjendjeve të skajshme njerëzore si mbyllja në një vend të veçuar, dhe kufizimi për të ndaluar përhapjen e diçkaje nuk synon të pasqyroj realitetin mjekësor të sëmundjes por simbolikën, tiparet e qenësishme në vetëdijen e rrëfimtarit i cili jo vetëm e regjistron, por edhe e shndërron historinë në një dëshmi letrare. Një letërsi e tillë është edhe romani i Besnik Mustafajt, “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin (Conarium)”, i cili e dëshmon këtë fatkeqësi nëpërmjet një rrëfimi i cili mbart një lidhje thelbësore me fantazinë dhe imagjinatën.
Narrativa si dëshmi
Vetë akti i shkrimit është një përpjekje për të dëshmuar. Në të vërtetë, më shumë se një qytet i rrethuar, Tirana e vitit 2020 jepet si një qytet i i pushtuar nga policë dhe ushtarë të armatosur deri në dhëmbë, me dekrete që shtrëngojnë rrathët e ekzistencës civile dhe krijojnë një botë paralele ku personazhi i Kryeministrit, me pushtetin e shumë-ëndërruar jetëson qëllimin e tij për ta sunduar, duke u kthyer në boshtin e nënteksteve letrare. Rrëfimi faktik bëhet magjik, episodet reale zëvendësojnë njëra-tjetrën duke krijuar efektin që kjo gjendje pati në përmasën psikike, kulturore dhe morale të njeriut shqiptar.
Kronikani i “366 rrëfenja për të ndjellë gjumin” na fton ta lexojmë kronikën e tij si analogji me efektet që sjell pushteti absolut i cili instrumentalizon gjithçka. Fjala kyçe e rrëfenjës është “pushteti i pakufizuar i imagjinatës”, kurse tek realiteti i shtetrrethimit cënohen të drejtat civile me anë të frikës dhe teksti romanor krijon analogji të përpikta me pushtetin e pakufizuar policor dhe frikën që ngjallte regjimi totalitar i para viteve 1990-të.
Edhe fillesa me epigrafin e poetit polak Zbingiev Herbertit, mbijetuesit të traumës së luftës dhe shkatërrimit të qytetit dhe vendit të tij, i cili shkroi “në shtëpinë e thesarit të të gjitha fatkeqësive”, edhe ndërmendja e një filozofi francez të shtyjnë të shtyjnë të mendosh krejt të kundërtën kurse këto personazhe flasin e përsiasin me një gjuhë universale, madje edhe për letërsinë, poezinë dhe gjinitë letrare.
Rishkrimi i tekstit të njohur të Romeos dhe Xhuljetës me anë të palimpsestit, krijon një version tjetër por bën të njëjtën pyetje të vjetër për mënyrën si qeveriset një vend në kohë karantine duke bërë analogji edhe me kohëra më të largëta, me realitete të ngjashme. Në fund të fundit, kjo formë e “narrativës si dëshmi” synon që njerëzit të mos harrojnë, s’është thjesht regjistrim i realitetit, por një brendësim krijues i historisë reale.
Shkrimi episodemik
Përveç kronikës si analogji, një nga aspektet e tjera të romanit është edhe efekti i pandemisë tek gjuha, e cila mishërohet shkrimi episodemik. Shkurtësia e kësaj metode rrëfimi është në përputhje me ndërprerjen e parakohshme të jetës. Shkrimi fragmentar, episodemik brenda romanit thyen vazhdimësinë dhe mishëron tekstualisht copëzimin e vetëdijes së individit dhe shoqërisë që shkakton shtetrrethimi.
Ky shkrim episodemik që flet me gjuhën e përrallës, është ana metafizike e kronikës, veshja e saj me imagjinatë, dhe kemi edhe lojëra elegante me tekstin duke tërhequr vazhdimisht vëmendjen tek statusi i romanit si artefakt, marrëdhëniet midis trillimit dhe realitetit. Episode të tilla hulumtojnë strukturat themelore narrative, por edhe përmasën e mundshme të trilluar të botës jashtë tekstit letrar imagjinar. Autori bëhet vetëreferencial dhe përsiat mbi gjuhën e poezisë, metodën e shkrimit, titullin e kronikës, formën, stilin, gjuhën, lexuesin, historinë që do të shkruaj, subjektin.
Fija lidhëse e të gjithave episodeve është gjuha e cila është mund të jetë “gjuhë asnjanëse”, si ajo e nëpunësve të UNESCO-s, “gjuhë e përrallave” si ajo e (jo)realitetit të dytë që përshkruan shkrimtari, gjuha e autorit që e jetëson këtë (jo)realitet, “gjuha e poezisë” dhe “gjuha ushtarake” e cila e ka infektuar dhe sëmurur pushtetin i cili kthehet në kërcënim për shoqërinë. Karantina fizike merr gjithnjë e më shumë trajtën e një bunkeri gjuhësor ku e vetmja dritare është ajo e televizionit të propagandës.
Pandemia, në kohëzgjatjen e saj të paqëndrueshme, lind tekste fragmentesh e jo vazhdimesh: një grumbull episodesh, që nuk pranon përmbyllje kuptimesh. Shkrimi episodemik është në të vërtetë një formë e përplotësimit, krijimit të kësaj vijimësie të munguar ku teksti mbushet me lëndë imagjinare.
Të shkruash për një gjendje të tilla njerëzore, do të thotë të luftosh kundër saj dhe të tejkalosh efektet shtrënguese që mund të ketë ajo tek gjuha. Efektet e kësaj gjendje sjellin një gjallërim të gjuhës në shumësinë e rrëfimeve që jepen në mënyrë retrospektive nga rrëfimtari. Kjo gjendje e skajshme e përcakton rrjedhën e shkrimit: kur shtetrrethimi hiqet, rrëfenja mbaron. Ajo sjell në jetë dëshmitarin dhe shkrimin i cili është gjithmonë i lidhur me çështjet e gjuhës dhe fushat sociale dhe politike në të cilat ajo vepron.
Pandemitë që kaplojnë bashkësitë njerëzore na drejtojnë tek domethëniet shoqërore, dhe kësisoj politike e kësaj përmase. Episodet dhe fakte reale të zgjedhura me mjeshtëri, shembullzojnë groteskun e një sipërmarrjes shtetërore për ta tiranizuar shoqërinë, dhe para së gjithash gjuhën kurse personazhet e tjerë, të jo të trilluar e kodifikojnë këtë realitet bashkëkohor. Tekste të tilla kanë peshë metaforike, simbolike, mbartin tensionet dhe krizat sociale, hulumtojnë se si ato i kanë rrënjët në tirani dhe rikrijohen në realitete bashkëkohëse.
Në fund imagjinata e artistit shpërthen dhe çlirohet me anë të gjuhës së lashtë të përrallës e cila shënon fitoren e krijuesit ndaj pushtetit politik dhe çdo lloj kufizimi. Kalimi nga bota e ëndrrës tek e realiteti kombëtar ndodh vazhdimisht, në mënyrë krejt të natyrshme sa të dyja realitetet ngjajnë sikur janë dy përmasa të të njëjtit realitet dhe në këtë flatërim të imagjinatës, Besnik Mustafaj e fton lexuesin në një udhëtim të ri.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.