7.5 C
Tiranë
E dielë, 9 Shkurt 2025

Botoj Gjin Musa

Marrë nga libri Abdurahim Ashiku

ALMIRA GJINI, MËSUESJA E SHQIPES NË JANICA…Mund të jetë një imazh i 1 personMund të jetë një imazh i 3 persona

Çdo të shtunë unë jam mësuese. Çdo të shtunë jam kaq e lumtur. Çdo të shtunë i harroj të gjitha vështirësitë. Çdo të shtunë shpirti mbushet plot me gëzim e kënaqësi. Jam krenare që u mësoj fëmijëve të emigrantëve A, B, C-në. Jam krenare që flas me ta shqipen time të dashur. Jam krenare që dëgjoj zërat e tyre të ëmbël të recitojnë vjershat e rilindësve tanë….
O zot, sa e pabesueshme është!
Më ndodh shpesh të zhytem në mendime… vitet ikin dhe mua nuk më besohet!
Që e vogël më pëlqente të luaja mësuesen me fëmijët e lagjes ku ata ishin nxënësit e mi… Pasi mbarova tetëvjeçaren vazhdova studimet në shkollën e mesme pedagogjike në Tiranë e në qershor te vitit 1991 u diplomova në Institutin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, dega Cikli i Ulët. Puna ime e parë si mësuese “e vërtetë” ishte në Këmishtaj të Lushnjës, vendi ku u linda e u rrita… vendi i ëndrrave të mia rinore. Por “eksperienca” e nisur që fëmijë u ndërpre kur vendosa të emigroj në Greqi.
O zot, sa e pabesueshme është!
Ndërton një jetë me ëndrra që një ditë të bëhesh mësuese e vërtetë, lufton e lexon për vite me radhë, praktikohesh me metodat e mësimdhënies dhe e ndjen veten të aftë ta kryesh këtë mision që kaq shumë e do, shikon diplomën në duart e tua dhe thua: E ARRITA QËLLIMIN TIM! ËNDRRA IME U REALIZUA!
O zot, sa e pabesueshme është!
Papritur koha më ndryshoi gjithçka, mora rrugën e largët dhe ëndrra e mësueses u bë pluhur.
Punoj e luftoj për vite me radhë që të ndërtoj një jetë më të mirë për familjen time, për fëmijët e mi… por thellë në mendje më mbetet ajo ëndërr e madhe, ëndrra e mësueses.
Si nënë e dy fëmijëve të mrekullueshëm u flas për Shqipërinë, për gjuhën shqipe, gjuhën që flasin prindërit e tyre, gjyshja e gjyshi i tyre, tezja e daja e tyre, halla dhe xhaxhai i tyre e ata duhet ta mësojnë. Të mësojnë vjershat e Naimit e të Çajupit, të Nolit e të Kadaresë… Shqipëria është atdheu i rrënjëve të tyre, është vendlindja e prindërve të tyre, është kultura dhe historia e një identiteti që i shoqëron.
O zot, sa e pabesueshme është!
Unë isha nëna dhe mësuesja e fëmijëve të mi, por doja të isha mësuesja e shumë fëmijëve të tjerë… “Unë jam mësuese!”
U mblodhëm në shtëpinë e një emigranti shqiptar në Janica e folëm gjatë… Në shkurt të 2005-ës u mblodhëm rreth Shoqatës së Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” me dëshirën të mësojmë e të ruajmë gjuhën dhe kulturën tonë tek brezi i ri, tek fëmijët tanë.
O zot, sa e pabesueshme është!
Fillova të mbledh fëmijët në shtëpinë time, u dhashë ato pak abetare që kishim, mësuan alfabetin, shkruanin fjalë dhe fjali në gjuhën e bukur mëmë. Pra, asgjë nuk ishte e pamundur sepse dashuria e të gjithëve ishte kaq e madhe. Numri i fëmijëve po shtohej, librat pakësoheshin, punoja me fotokopje… “Unë jam mësuese!” Ëndrra e dikurshme po merrte jetë sërish. “Unë jam mësuese! Unë jam krenare, jam e lumtur, jeta ime ndryshoi.”
O zot, sa e pabesueshme është!
Pas përpjekjesh të shumta nga Shoqata e Emigrantëve Shqiptarë “Nënë Tereza” mësimet e gjuhës shqipe për fëmijët e emigrantëve filluan në shkollën fillore publike nr. 1 në Janica. Ishte dita e parë e tetorit 2008… nuk i përshkruaj dot ndjenjat dhe mbresat e asaj dite. Unë isha mësuesja e parë në një klasë të vërtetë shkollore dhe u mësoja shqip fëmijëve shqiptarë. Ëndrra ime po bënte hapat e saj të para.
O zot, sa e pabesueshme është!
Vendimi i bashkisë së Janicës u përmbys vetëm një muaj më pas nga Prefektura e zonës; cikli mësimor i gjuhës shqipe u mbyll. Përpjekjet shkuan dëm, fëmijët dhe komuniteti u zhgënjyen, unë derdha lot për një ëndërr që u bë pluhur sërish.
Por nganjëherë ëndrrat e plagosura të japin fuqi, të japin ide të reja, të bëjnë krijues, të japin shpresë. Nuk ndaluam për asnjë çast së kërkuari mënyra të tjera për zhvillimin e mësimit të gjuhës shqipe tek fëmijët tanë. Komuniteti është foleja që ngroh fëmijët e tij. Ngrohtësia rrit fëmijë të shëndetshëm, dija rrit fëmijë të denjë për të ardhmen.
O zot, sa e pabesueshme është!
Në janar 2011 mësimet filluan sërish pranë shkollës fillore publike nr. 3 në Janica ku dhe vazhdojnë deri më sot. Çdo të shtunë unë jam mësuese. Çdo të shtunë jam kaq e lumtur. Çdo të shtunë i harroj të gjitha vështirësitë. Çdo të shtunë shpirti mbushet plot me gëzim e kënaqësi.
Jam krenare që u mësoj fëmijëve të emigrantëve A, B, C-në. Jam krenare që flas me ta shqipen time të dashur. Jam krenare që dëgjoj zërat e tyre të ëmbël të recitojnë vjershat e rilindësve tanë. Jam krenare që këndoj me ta:
Shqipëri o nëna ime
ndonëse jam i mërguar
dashurinë tënde,
zemra kurrë s’e ka harruar.
O zot, sa e besueshme që është!
Marrë nga libri Abdurahim Ashiku – “
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.