14.5 C
Tiranë
E premte, 25 Prill 2025

David Boseta

Ripostim

Kamarier, më sill një gotë vetmi.
Mbushe plot të lutem,
nuk më shijojnë vetmitë gjysmake.
Ulja pak volumin muzikës, po deshe.
Sonte më mjafton
balada brënda meje.
Patjetër që do të marrësh bakshish.
Sonte vetminë time
e paguaj njëqind fish.
Por nesër mos më prit, nuk do vi.
Nuk më pëlqen të pi
në të njëjtin vend, të njëjtën vetmi.

ËNDËRR
Në një moment e gjeta veten në mes të rrugës,
me dorën e shtrirë kërkoja lëmoshë.
I ulur mbi një karton ku shkruhej “ZBRITJE”
Çfarë ishte në zbritje?
Fati im?
Apo, jeta ime në rrokullisje?
Mos vallë në atë copë karton shkruhej
aq varfërisht e ardhmja ime?
Me dorën e shtrirë shikoja turmën indiferente,
tek-tuk kalonte ndonjë prej miqve të mi,
sigurisht që askush nuk më dha ndonjë monedhë,
më dhanë veç buzëqeshje, me ironi.
Dora e shtrirë u bë grusht
dhe dora tjetër ju bashkua, u bënë dy
me zërin e çjerrë i klitha botës së shurdhër:
– Hej njerëz, më ndihmoni,
edhe unë jam njeri.
Askush nuk më dëgjonte
disa madje, nxituan hapin në ikje.
– Mos u trembni o të mjerë, u thashë,
varfëria nuk është sëmundje ngjitëse.
Papritur, dikush mu afrua pranë,
instiktivisht i shtriva dorën për lëmoshë,
buzët nuk flisnin, veç gishtat lutje thanë,
djersët ballin më mbuluan ftoftë.
Sa e vështirë qenka
të pretendosh
të jetosh,
pa qenë njeri.
Por, njeriu përballë meje dorën ma puthi,
pastaj ballin ma fshiu me dashuri.
O Zot, në një moment hapa sytë,
kuptova,
që pasurinë më të madhe
e kisha rrokur në përqafim.

David Boseta

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.