Sot miq të nderuar po postoj tre poezi për femije të shkeputur nga libri ” Këngët e burimit tim” botim i vitit 1993 Tiranë!
NË LETËR MË PYET DJALI
Mami!- thotë në letër djali?
Pa kursyer lutjet,
– Është e vërtetë, fëmijën
e rrisin dhe puthjet?
– E vërtetë është – i them,
por puthjet e babit.
Dhe me zhurmë diçka më bren,
djersë më bien ballit.
Ai prapë me mall më shkruan
plot trishtim e maraz:
– Nga gjithë shokët unë kam mbetur
më i vogli në klasë.
Unë e di ku e ka hallin,
ndaj zgjedh rrugë tjetër.
Një zog të bukur prej malli
i pikturoj në letër.
I them: – Malli grumbulluar
tre vjet nëpër botë,
do ulet një ditë në duar,
e do të rrisë mbi shokë.
FJALA ËSHTË ZOG I ATRË
Fjala është zog i artë,
Folenë ka në zemër gojë,
Por në çerdhe nuk kthehet prapë,
Po nisi të fluturojë!
BËRI ZOGU CIU – CIU
Bëri zogu ciu – ciu,
Kështu nuk di të bëjë njeriu.
Kurse rosa ga – ga – ga,
Kush e kuptojë çfar tha?
Ku – ku qyqja në një bredh,
Cilin pa se ku u fsheh?
I dëgjon Elli, por kot,
Fjalët nuk ua kupton dot.
Rri lutet: – Gjyshe më thuaj,
Shpendet dinë gjuhë të huaj?
“”””””””””””””””””””””””””
BRINJËVE TË TUA
Si tastat e pjanos brinjëve të tua,
Më lerë që të luaj me gishtat si erë.
Dhe ti të qeshësh,të luash me mua,
Kur frymë merr,sa herë nota nxjerr!
Dhe qeshja të dali si tingull i ëmbël,
Harmonizuar lehtë nga të miat duar.
Ajrin të mbushin si orkestër këngët,
Nëpër qiellin e kaltër duke fluturuar!
Dhe unë me puthje, me gishta e nota,
Tingujt të derdhen, hareja,gurgullimat.
Të mbetet pa frymë, të mahnitet bota,
Kudo kur me puthje të mbush lëndinat!
Të rend pas gëzimit dhe pas zërit tënd,
Të luaj me ndjenjat, dehur e lumturuar.
Gëzimi të çmëndet,dhe të iki nga mënd,
Thellë shpirtit tënd,humbur e dashuruar!
Dhe pjanon e shpirtit, të luajmë që të dy,
Dhe puthja nga malli, e dehur të ngutet .
Të të futet në gji, dhe të derdhet mbi sy,
Në folezë të zemres të bëjë vënd,të futet.
Koncertin e rrallë, në thellësi ta ndjejmë,
Dhe krahë të vëmë, e në ëndërra të ikim.
Të rendim mes natës, ku yjet shkëlqejnë,
Qiririn e botës, të mos shohë, ne ta fikim!
Dhe bota të ndjejë vetëm tinguj gëzimi,
Kur lozim kur qeshim,zërat gurgullojnë.
Mbi kreshtat e shpirtit,të çfaqet agimi,
Kur notat e shpirtit, lozin dhe rënkojnë!
Ah! Brinjët tua, të bardha , të lehta,
Jetë i japin jetës, dhe lumturi ndjenjës.
Koncerte të tilla, të bukura të vërteta,
Pa salla madhore, pa dritat e skenës!
Skanë duartorokitje,skanë spektatorë,
Janë koncerte me dritat e këngës.
Herë me puthje me sy dhe me dorë,
Krijojnë dhe tinguj me notat e zemrës.
Eja e dashur, ti brinjët dhuromë,
Që tasta ti bëj, e të ndjej lumturi.
Kur gishtat të lozin,më prit e dëgjomë,
Notat e brishta dhe timen harmoni…
Sepse brinjët e tua, njohin veç një stinë,
Pranverën e shpirtit, që çel lumturinë!