Mall
Më zë shpesh një mall nopran,
për një grusht të shkrifët dhè,
ta vë melhem përmbi plagë,
plagë e quajtur mëmë dhè.
Kam mall qoftë dhe për një krua,
për një ferrë a për një drizë,
për at’ shpi ku u bëra grua,
ku shkoj jetë e fëmijërisë.
Digjem nënē hi, zjarr i fjetur,
një e fryrë e ndizet flakë,
shkëndijē përfundi mbetur,
oxhakut lart, tym i përgjaktë.
Thash të ikja sa më larg,
prej teje se m’hëngre eshtrën,
po ç’qe ky mallkim i madh,
tash po m’ha shpretkën e veshkën.
Dashtë zoti, bekim dhëntë,
kur t’kem mbetur një dorë hi,
mēmë dhè në prehrin tënd,
të prehem në përjetësi.
Diana Zhiti
28.1.2018.
Ku të shkel
Vij prej rruge të largët
me barrën e të kaluarës mbi supe,
me eshtra të mbërthyera kryq.
Këmbët e regjura prej baltës së harresës
po m’i ha morthi i lavdisë
së rreme të varrmihësve
që prej gjysh pas gjyshi luftë balte
midis njëri-tjetrit.
Monumente të reja mbi gërmadha
historike të përvetësuara nga
muzeume të lavdishëm kundraband.
Ne dimë të hapim vetëm varre.
Varre fizike, historike, inteligjence, progresi
dhe mandej u bëjmë lapidarë harrese.
Mbi ta varre intrigash djallëzorë,
kulte kurbanësh naivë.
Ku të shkel të mos thyej eshtra të pafajshme,
të mos lëndoj shpirtëra që digjen si
kandilë udhëve të amëshimit?!
Kujt t’ia tregoj xhidavinë time shekullore?
Thua të mos lindin më nënat dragonjë?!
Cilës perëndi t’i falem,
me mish e eshtra të lindi heronjë?!
Diana Zhiti
24.1.2019
Sikur
Sikur të piqeshim papritur një ditë,
si të mos ishim parë në asnjë rast,
do rendje drejt meje të pëshpërisje:
“O shpirt, sa e kam pritur k’të çast”?
Sikur të prekeshim pa dashur,
shpirti të fërgëllojë me gëzim,
do bëje gjithshka për të më patur,
gjithsesi, do paguaje cdo çmim?
Të vija një natë yjnajë, të hënur,
si ëngjëll, të të puthja në buzë.
Do të më pushtoje si i çmëndur,
të ndizeshim sërish si shpuzë?
Të shiheshim një ditë përballë,
sytë të më ndizeshin si shkrepsja,
do të më lije të ikja vallë,
të më merte në krahë vdekja?
Sikur, ah të ishte e mundur.
të vdisnim në qiellin e shtatë
duke u puthur.
Diana Zhiti
25.1.2019
Puthja e parë
E dashur e mban mënt puthjen e parë?
Nuk më kishe pyetur ndonjëherë
si u ndjeva atë çast!
Të them të drejtën nuk e di…
më bënin sytë apo kishte kaq
shumë xixëllonja atë natë.
Ndjeva të humbja peshën e gravitetit.
Këmbët nuk preknin në tokë.
Më dukej se fluturonim në hapësirë dhe për çudi ishim vetëm ne të dy
që zotëronim skaj më skaj
gjithë atë botë.
Atë botë që kundërmonte aromë
passhiu pranveror
që përzihej me aromën tënde
ndërsa unë mbahesha fort mbas buzëve
të tua nga frika se mos
me merte flladi larg teje
dhe të humbja.
Ndjeja rreth belit duart e tua të forta
që dridheshin tek më shtërngonin
pas vetes…
Se di, ndoshta ishte trupi im që
dridhej si purteka
dhe gishtat e pleksur në floket e tu
si ndjeja të mijat.
Isha mpirë , as frymë nuk merja.
Nuk mbaj mënt çfar thamë.
Fjalë të pakuptimta belbëzonim të dy.
E ç’hynin fjalët atë çast…
Buzët tona kërkonin njëra- tjetrën
në atë prush puthjesh
dhe humbëm në atë shi yjesh pa mbarim.
Si ëndërr që s’donim të mbaronte kurrë.
Shihmë në sy i dashur
të shohësh brënda tyre rininë.
Puthmë me pathos,
të rikthehen xixëllonjat
e asaj nate.
Puthmë si dikur .
Diana Zhiti