Lexova diku se një filozof i kohës moderne, nuk më intereson se kush, ishte shprehur, pak a shumë, kohët barbare kanë nevojë për heronj dhe i glorifikojnë heronjtë. Në kohët e qytetëruara, pra, në kohët moderne, sipas këtij dikushit filozof, heronjtë vdesin. Pra, me demek, qytetërimi nuk ka nevojë për ta.
Unë them: përkundrazi Qytetërimi ka nevojë më shumë se dhe Barbarizmi për heronj. Dhe, për ta vërtetuar këtë tezë, sot nuk do i drejtohem krijimtarisë sime, po veprës së mikut tim, shkrimtarit Hekuran Halili, megjithëse ai e mban veten më shumë për poet.
Hekuran Halili është origjinal në prozë dhe origjinaliteti i tij është arma më mahnitëse që mund të përdorë një krijues modern i rebeluar ndaj botës së qytetëruar të uzurpuar nga satanizmi!…
Po pse do thoni ju u dashka rebelimi ndaj Qytetërimit?…
Të gjithë së bashku duhet të kuptojmë (megjithëse sado të lodhemi shumica nuk e kupton) se ky lloj qytetërimi që dominon Globin sot është skllavi i kultit të parasë, të dollarit, të euros, etj., dhe kjo është fundi i vlerave të njerëzimit. Qytetërimi i sotëm i ka kthyer shpinën Zotit, ligjeve e vlerave hyjnore, kishave, xhamive e sinagogave dhe, nëpërmjet parasë, shemb elitat e heronjve të artit, kulturës, letërsisë, të shoqërisë civile në përgjithësi, të traditave e folklorit po e po, dhe i zëvendëson me piedestale të rreme ku ngre antielitat politike që i servilosen Idhulit-Kapital, ngre antivlerat satanike që i shërbejnë me përulësi Idhullit-Para.
Vdiq Mbreti, rroftë Mbreti i Ri, vdiq Humaniteti, rroftë Kapitali!…
Rrofshin bursat, “tempujt” e kohëve moderne, të stolisura me diamante, platin e ar, “tempuj” ku rrjedhin lumë dollari e euro!…
Ndërkohë njerëzimi vuan nga uria, sëmundjet e njëpasnjëshme pandemike dhe po vdes i skllavëruar përballë shkëlqimit të bursave, tempujve të Kapitalit, ku valëviten flamujt e Satanit.
Kjo ndodh edhe në Shqipëri, tashmë një nënfishë e botës së Kapitalit.
Vetëdija dhe nënvetëdija e shkrimtarit Hekuran Halili, tashmë i rebeluar me të drejtë, kanë kuptuar se heronjtë e dikurshëm kanë vdekur në Skajvendin-Shqipëri dhe pozitën e tyre e kanë zënë politikanët dhe udhëheqësit tradhtarë (mund të lexoni esenë e tij: “Kohë luftëpaqe”, meditim nga një skajvend).
Këta pseudoheronj, jo vetëm që e kequdhëheqin vendin, po e masakrojnë me urdhërat që marrin nga padronët e tyre sot e këtu e mijëra vjet të shkuara.
Ja si shpërthen intuita e revoltuar e shkrimtarit Hekuran Halili:
“Koshadhet ushtarake, andartët e kleftët grekë, çetnikët e udbashët sërb, malazes, maqedonas, sa herë që u tekej e u teket, mbasi deheshin e dehen, mbasi u ndizej e u ndizet oreksi, epshi zakonor aziatik ose siberiano-stepor, nga kanë rrënjët, dilnin e dalin mbi skajvendin tim, futeshin e futen në të, bënin e bëjnë barbarizma, që të shuajnë epshet e tyre gjenetiko-gjakësore, me të cilat janë zënë që nga luftrat e para të njerëzimit.”
Dhe vazhdon të shprehet i rebeluar:
Jo vetëm që këta mizorë dilnin e dalin mbi skajorkufinjtë e vendit tim, por janë futur e futen në të nga të gjitha anët, pa asnjë pengesë, pa asnjë vështirësi, pa u hyrë gjëmb në këmbë, kanë bërë e bëjnë ç’të duan, vrasje, djegie, varje, përdhunime, interrnime, grrabitje, marrje tenderash, marrje konçesione, etj., etj…
Dhe pasi lexon këto rreshta, me të drejtë dhe një naivi i lind pyetja:
– Ore, po ku është Paqja, Kryevlera e Qytetërimit në këtë skajvend me emrin Shqipëri?!… A nuk janë veprime luftarake si të kohëve barbare këto situata që përjeton ky vend që dëshiron të jetë pjesë e qytetërimit evropian?!… Dhe pse hesht Europa e qytetëruar, ndaj masakrimit të këtij skajvendi, ndërkohë që përkëdhel masakruesit?!…
Besoj se përgjigjia vetëkuptohet:
Vdiq Mbreti, rroftë Mbreti i Ri, vdiq Humaniteti, rroftë Kapitali!…
Pra, duam apo nuk duam jemi në një lloj lufte që na serviret si Paqe…
Dhe me të drejtë Hekuran Halili thekson:
“Kohë luftëpaqeje ka qënë që kur u zu ky vënd, edhe kur shteti turk ra si dinosaur i ngordhur e Ismail beu e mëvehtësoi, por qafën e Llogarasë nuk e kaptoi, Janinën e viset shqiptare jugore ia zaptuan, Ulqinin, Kosovën, Çamërinë e Shkupin ia muarrën” (ose nuk luftoi për t’i marrë, i la)…
Po ku janë heronjtë që duhet ta mbronin Shqipërinë, heronjtë që janë kacafytur që nga lashtësia me të keqen?!…
Sipas apologjetit Dikush-filozofit të Qytetërimit, koha moderne nuk ka nevojë për heronj dhe nuk lind heronj.
Pra, dhe “qytetërimi” modern shqiptar nuk ka nevojë për heronj, vetëkuptohet heronjtë kanë vdekur dhe rron Kapitali i Shefave të Kuq, Blu, Mavi, Zi e ku di unë…
Dhe shkrimtari Hekuran Halili kushtron:
“Rrepet tundin degët e vjetra e të reja, shkruajnë e shkruajnë mbi gjethefletë, i mbushin dënga, i pjekin, i zverdhin, i hedhin në tokë, nxjerrin fletë të reja si fletë fletoreje e nisin përsëri të shkruajnë, tani jo më për kufinj toke, për kufinj detarë…
Prapë ne, shqiptarët e përçarë, naivë, gjela krekosmëdhenj, trima të çartun mes vedit dhe kokë ulur me të huajt, humbës të mëdhenj, të përjetshëm…
Por ato që shkruhen në gjethe rrapi, harrohen, ndaj edhe vendi nuk nxjerr mësime, dhe e pëson, e pëson, e pëson nga e para, në forma të reja.
Për këtë mburren edhe drejtuesit kombin tim, në të katër shtetet që ai jeton”…
Pra, drejtuessit e Kombit Shqiptar që mburren me tregtinë e kufijve tokësorë e detarë të këtij vendi pa kufij që rrudhet e zvogëlohet çdo ditë me urdhër padronësh të Botës së Kapitalit!…
Atëherë rroftë Kapitali dhe vdekshin heronjtë dhe humaniteti!…
Rrofshin heronjtë e rremë, hajdutët e pushtetit, deputetët, bashkiakët dhe gjithë politikanët sharlatanë, “Baballarë të Kombit” të ngritur në piedestalet e elitave me bekim të Kapitalit!…
Rrofshin antivlerat satanike që na kanë uzurpuar Shqipërinë dhe jetën tonë! – thonë shërbëtorët e Satanit dhe të Politikës së Kapitalit…
Po ku të lë rehat i rebeluari Hekuran Halili?!
Zemërimi i tij turret e kushtron:
“Koshadhet, çetnikët, udbashët, andartët, kleftët, gjoja të moderuar, gjoja të europianizuar, me kostume diplomatike, gravata, në thelb ata që ishin kanë mbetur.
Ata bëjnë ligjin në qeveritë e tyre dhe tonën, në parlamentet e tyre dhe tonin, në gjykatat e tyre dhe tonat, në bizneset e tyre dhe tonat…
Monitorojnë, përzgjedhin, diktojnë, veshin me rraso të zezë prifti puthadorët e tyre, përfitojnë, prostituojnë, tregëtojnë, korruptojnë, marrin lehtësi doganore dhe konçesione, bile edhe vrasin njerëz, vrasin historira, djegin e shkatërrojnë muzeume ku dergjet kujtesa e kultura kombëtare, ndërtojnë muze varre me ushtarët e tyre si kufinj të rinj, me lehtësi më të madhe se atëherë kur u zu, u bë ky i shkrreti i yni vend.
Puna ka shkuar deri atje, saqë, jo vetëm vendin, shpirtin, emrat, njerzëit i morën, por na kanë marrë edhe qiejt, që gjoja na i mbrojnë, edhe detin, edhe ajrin që po na e helmojnë…
Ndërkohë, nga ky skajvend i mjeruar i vendit tim, me pafuqi e dëshpërim të plotë, shikoj e dëgjoj kokoshat e vendit tim që zihen e kacafyten që nga zanafilla e të bërit shtet, e deri në orët e sotme, sot më shumë…
Kohë luftëpaqe ka qënë, kohë luftëpaqe është, kohë luftëpaqe do të jetë, por jo me armiqtë e kombit që po e gllabërojnë kombin, në të katër shtetet ku jemi, por mes njëri tjetrit… luftëpaqe shqiptarësh…
Dhe Zoti rri e bën sehir pastaj me këta “udhëheqësa” të kombit”…
E lemerishme situata që përjeton në shkrimet e veta autori Hekuran Halili, por ky është dhe realiteti shqiptar që e ka nxitur atë të rebelohet, të shkruajë e denoncojë me forcën e një Heroi të Penës.
Dhe për mua shkrimtari Hekuran Halili është një Hero i Kohës sonë, Hero i Kohës Moderne. Dhe jo vetëm Hero, por dhe Herolog, Apologjet i Heroizmit të Kohës Moderne, ndryshe nga apologjetët e Kapitalit që i këndojnë rekueme heronjve dhe heroizmit…
Hekuran Halili, ky Hero e Herolog i kohës moderne shqiptare, i qytetërimit të vërtetë shqiptar, duke njohur mirë ligjet dhe vlerat hyjnore të Zotit, ligjet dhe vlerat e shenjta të njerëzimit, krijimtarinë e lashtë dhe të re të autorit të madh popull, folkorin, përrallat, legjendat, mitet dhe mitologjinë, eposin e kreshnikëve të Veriut dhe të Jugut, veçanërisht eposin çam, botë së cilës i përket, këngët dhe bëmat e heronjve të lashtë e të rinj të trojeve tona, traditat, doket e zakonet, kanunet e legjislacionet popullore e krahinore që kanë qeverisur ndër shekuj botën shqiptare, e evokon këtë thesar artistik dhe e ul këmbëkryq në realitetin e hidhur që po jetojmë.
Le të shohim konkretisht se si autori rebel Hekuran Halili ringre botën e heronjve përballë botës së maskarenjve që ka uzurpuar Shqipërinë.
Dihet se familja është e shenjtë, është qeliza bazë e trupit të njerëzimit. Nëna, Eva e të gjitha kohërave është shtylla e familjes. Dihet se aty ku ka një grua, ka një çati, pra, shtëpi me burrë e fëmijë. Nëna, Babai dhe fëmijët janë Familja, Porosia Numër Një e Zotit!…
Nën këmbët e Nënës shtrihet Parajsa për çdo fëmijë të mbarë, trashëgues i vlerave unike të Zotit e Njerëzimit, të unifikuara te Familja.
Pra, Nëna me bëmat e saj është Heroina e Parë reale e Botës. Dhe Hekuran Halili, si djalë i mbarë që është, e di mirë këtë postulat të jetës. Dhe si shkimtar, sa rebel dhe i mençur, sa hero dhe herolog, krijon një vepër të rrallë artistiko-letrate ciklin “Përrallat e Nazusë”…
Nazuja, kjo nënë-heroinë sa e lashtë dhe e re, protagonistja dhe përrallatarja e realitetit modern shqiptar, është nëna e Hekuran Halilit, modeli i një nëne sa çame dhe shqiptare.
I magjishëm tregimtari çam Hekuran Halili, i cili i thotë botës se sa të ketë nëna heroina si Nazuja, nuk do të vdesë kurrë heroizmi shqiptar, sadoqë t’ia urojnë vdekjen apologjetët e Kapitalit e të Satanit.
Tani autori Hekuran Halili, po shkruan edhe librin “Babai”, ku përfshihen gjithë betejat e jetës së një djali të mbarë (jo plangprishës siç shpresojnë e urojnë apologjetët e deheroizmit të qytetërimit), që synon e lufton të bëhet baba i denjë dhe të trashëgojë vlerat hyjnore të familjes, me të gjitha traditat dhe zakonet e arta, me të gjitha vlerat e vërteta. Dhe djem të tillë të mbarë bëhen baballarë të fortë që e mbështesin fizikisht dhe shpirtërisht gruan gjatë krijimit të familjes. Të tillë baballarë japin edhe jetën për familjen. Dhe ky Hero në veprën “Babai” të shkrimtarit Hekuran Halili, vërtet është Babai i tij, po dhe një model sa letrar e jetësor heroi. Modeli i Heroit se si duhet të jetë një Baba i Kohës Moderne që lufton për mirëqenien hyjnore të familjes e jo për pervesitetin satanik që synon shkatërrimin e saj…
E gjithë vepra e shkrimtarit çam Hekuran Halili, si në poezi dhe në prozë, njëlloj si dhe vepra e shkrimtarit Shefki Hysa, është e mbushur me modele heronjsht nga më të lashtët, elimët, dhe më të rinjtë, që me bëmat tyre e kanë mbajtur gjallë frymën e kombit shqiptar, atë frymë që duan t’ia marrin pseudoudhëheqësit e shitur satanikë.
Do të sjell dhe një fakt tjetër nga vepra e tij dhe boll me kaq.
Po i referohem tregimit, përrallës, legjendës, rrëfimit, mitit, quajeni si të doni, “Ali Pasha dhe shtatë bimat e artë”. Në këtë krijim Autori Hero Hekuran Halili, Herologu i Kohës sonë, evokon një periudhë të artë të Heroit Shqiptar Ali Pasha, që diti të ndërtonte shtet në krahinën që qeveriste si Vali i Turqisë.
Aliu (thonë se në një moment kur drejtonte rreth tetëdhjetë mijë trupa kundër Huniadit, diku në kufi të Hungarisë së sotme, deliroi aq shumë, saqë në një moment i shkoi ndërmend të ngrihej edhe kundër Sulltan Hamitit me këtë ushtri, kjo ishte dhe një nga arsyet që solli vdekjen e tij, po kjo është një temë tjetër, e përmenda se ç’mund të bëjë një hero pozitiv i mençur shqiptar, mund të shembë dhe perandori), ky hero i rrallë shqiptar, nuk shembi kufijtë shqiptarë, po u mundua t’i krijonte ato. Tjetër temë dhe kjo, e lemë dhe i kthehemi krijimit të Hekuranit.
Pra, ngjarjet zhvillohen në periudhën e qeverisjes së artë të Ali Pashës, ku edhe derrat e dosat në pyje ndërtonin familje të arta me gica a bima të artë.
Pra, edhe pylli kishte mirëqenie, nuk ishte shkatërruar si sot.
Ali Pasha, me trimat e vet, një ditë nga ditët del për gjueti, dhe bëhet dëshmitar i një skene mitike se si Nëna-Dosë, megjithëse e plagosur rëndë, u del për mbrojtje shtatë bimave të vet të artë, rrëfen shkrimtari Hekuran Halili,
Dosa-Nënë, e pagosur, nuk u frikësua e nuk i braktisi bimat. Ashtu zvarrë-zvarrë, e përgjakur, u ndal para këndvështrimit të grykëve të pushkëve, u ul në lëndinë, afroi pranë vetes bimat e vet dhe filloi tu jepte gji, po i mëkonte me qumështin e jetës, pa ia ndarë sytë Ali Pashës dhe trimave të tij.
Thonë se ishte mizor Ali Pasha, le ta quajmë dhe kështu, po në atë moment mizori Ali Pasha u mahnit nga heroizmi i asaj kafshe që po gjuante. Uli pushkën e vet, urdhëroi dhe trimat të ulnin pushkët, dhe po e vështronte me habi gjestin e asaj nëne të përgjakur e sypatrembur se si ushqente këlyshët e vet.
Instikti i mbijetesës e bëri heroinë edhe Nënën-Dosë. Nënë e Artë…
Kështu paraqiten edhe nëna të tjera shqiptare në krijimet e Hekuranit, nëna heroina. Pra, krijuesi rebel Hekuran Halili, ky Hero-Herolog i Kohës sonë, përmes modeleve të heronjve të veprës së vet, na bën thirrje gjithë ne shqiptarëve që e duam Shqipërinë, se është koha ta mprehim nga pak shpirtin e heroizmit për të mbijetuar e për të mbrojtur shenjtërinë e Familjes, Fisit, Komunitetit, Territorit Shqiptar e Kombit, nga satanizmi i pseudoudhëheqësve të shitur që po na shesin edhe ne, siç kanë shitur shpirtin e tyre te Satani…
Duke i uruar sukese shkrimtarit tonë, me këtë ese po u jap përgjigje edhe apologjetëve të deheroizmit të Njerëzimit, se çdo shoqëri njerëzore në çdo kohë ka nevojë për heronjtë e vet, si engjëj mbrojtës hyjnorë, nga satanizmi i drejtuesve globalistë satanistë që kërkojnë shfarosjen e vlerave hyjnore në Glob…