16.5 C
Tiranë
E dielë, 19 Janar 2025

DURIM VOGLI

 

Arkiv

Fejton
DURIM MADHI PLAS SI TULLUMBACE

Nga A. ASHIKU

Nuk e kisha parë Durim Madhin të fryhesh fytyre nxirë e më në fund të plaste si ta kishte cimbisur tullumbacen e zemërimit një fëmijë motak. U çudita unë që ka kohë që më ka humbur durimi e shpërthej si gërdec, por u çuditën edhe të gjithë klientët e pijetores “Te gota” në ndërgjegjen figurative të të cilëve Durim Madhi ishte soj i kulturës dhe i tolerancës, i fjalës së matur me kalibër e zërit të shtruar si në pambuk.
Po bisedonim për hallin e madh të prindërve që një urdhër, një veprim pa kokë, një zë i arsyes së pa arsyes, i ka burgosur, i tall dhe i ngrin në dëborë e akull, i ndalon në pikat kufitare, i kthen mbrapsht… sepse shteti shqiptar ua ka “shqipëruar” vendlindjen dhe shteti grek, i etur për të gjetur njëmijë e një sebepe, ka gjetur shesh për të na i bërë turinjtë përshesh.
Nuk e di se ku ishte fryrë e nxirë gjysmë adashi im por kur u ul në karrige pati një drithërimë si të ishte ulur mbi gjemba akacie.
Në tavolinë me nga një sfinaqe raki Krete, nga ajo që zihet me sheqer për tu shitur si “Raki Skrapari” na bënte shoqëri edhe një kryetar partie që thoshte duke luajt vendit se ishte “në pushtet”.
Më pas na u ngjit një kryetar tjetër partie që do ta gjesh nga mëngjesi deri në darkë “Te gota” duke i ngjeshur tulet e dhjamura sa në një karrige në tjetrën, kryetar partie me një emër e me dy kryetarë të ndarë për arsye të paditura.
Emrat ua di por nuk i them për arsye që i dini dhe i ndjeni. Gjysmë adashi im njërin e njihte për arsye të njohura, kurse tjetrin e shihte për herë të parë, për arsye të panjohura.
– Diku të kam parë – iu drejtua pushtetari në njëjës.
– Ku më keni parë? – pyeti ai në shumës
– Nuk e di me siguri por më dukesh fytyrë e parë.- u justifikua ai në njëjës.
– Epo ja ku u pamë një gjysmë metri larg dhe hajdeni të vazhdojmë të tjerrim furkën e muhabetit që po bënit – i tha ai në shumës.
– Unë jam kryetar i partisë në pushtet. – tha ai duke i ngrit tulet dhjetë centimetra mbi karrige.
– I kujt, sepse në pushtet është një e madhe, klloçkë me zogj të vegjël, dhe një tjetër…
– Unë jam i asaj tjetrës…
– E mora vesh. Qenke i partisë së pykës që hyn e bën vend atje ku gjen ndonjë të çarë…
– I partisë….
– Nuk ka nevojë për prezantim. Je i qyqes, zogut që nuk ka fole të vetën dhe vezët i ve në fole të pëllumbave.

– Ta lëmë këtë muhabet partish. Jemi emigrantë. Çdo ditë na del përpara nga një hall, që nga i vogël bëhet i madh, trokasim e bërtasim në dyer të shtetit dhe as na i hap, as na shikon dhe as na dëgjon…
– Ne…
– Ju, në qoftë se e ndjeni veten emigrant, në qoftë se ato probleme për të cilat po flisnit ju dhembin, në qoftë se fëmija jot i lindur në Greqi ndalohet në kufi, kthehet mbrapsht i lebetitur, atëherë mblidhi anëtarët tuaj në qoftë se me të vërtetë keni, merrni në dorë pankarta ku të shkruani me germa të mëdha “MJAFT MË TALLJE ME FËMIJËT TANË” dhe protestoni disa orë para ambasadës sonë në Athinë e para konsullatave në Selanik dhe Janinë.
– Po ne jemi në pushtet. E si mund të protestojmë para ambasadës sonë kur edhe ambasadori është i partisë sonë?
– Të dh… pushtetin- bërtiti me zë të lartë gjysmë adashi im. Pushteti i emigrantit është emigracioni. Ministri i jashtëm, ministri i partisë suaj, të mos i bëhet urë ministrit të jashtëm grek. Fajin që pasaportat e fëmijëve janë shkruar në kundërshtim me rregullat dhe ligjet ndërkombëtare e ka ai bashkë me ministrin e brendshëm, e ka ambasada jonë dhe konsullatat tona që certifikatat e lindjes së fëmijëve në Greqi i shqipërojnë, që pasaportat e fëmijëve i bëjnë me mentalitetin e tyre të një analfabeti, që marrin paratë, dy e tre fish dhe na japin pasaporta ku falsifikohet vendlindja…
– Po…
– Çfarë po? Do më shumë fëmijën tënd apo partinë tënde? Në qoftë se do fëmijën tënd atëherë ngrihu e bërtiti sa të të çahen bullçinjtë shtetit ku ti thua që je “në pushtet”. U thuaj tu kërkojnë ndjesë tërë prindërve dhe fëmijëve. Tu thonë se ne gabuam. Tu thonë se ne kemi vënë në pikat e gjendjes civile dhe në pikat e aplikimit për pasaporta njerëz partiakë pa dije e kulturë, të pa instruktuar dhe njohur me ligjet e botës. Që edhe ne jemi treguar injorantë.
– Po…
– Po, po, po. Tri herë PO. Thjesht dhe qartë. Të mbledhë të gjitha pasaportat. Të bëjë mbi bazën e rregullave dhe ligjeve ndërkombëtare korrigjimet e nevojshme dhe tua sjellë në një kohë shumë të shkurtër prindërve dhe fëmijëve që ata të jenë të lirë të qarkullojnë me dinjitetin e një shteti të kulturuar.
– Por duhet të paguhet përsëri pasaporta…
– E pse duhet të paguhet? Fajtor këtu është shteti, ata që e çuan dinjitetin tonë në këtë pikë halli. Faji në bazë të ligjeve shqiptare paguhet. Fajtor në këtë rast është shteti dhe ai duhet të kërkojë ndjesë, tu bëjë fëmijëve pasaporta të reja, madje edhe të ç’dëmtojë çdo rast të kthimit në kufi…
Tha këto dhe brofi në këmbë i shfryrë si tullumbace.
Duke kthyer krahët sa nuk u përplas me kamerieren që mbante mbi një tabaka një filxhan me kafe që lëshonte avull.
– Më fal, i tha duke i lëshuar mbi tabaka një monedhë një euro. – Jepja këtij pushtetarit nga ana ime…
Unë mbeta i shtangur. Nuk e kisha parë asnjëherë mikun tim të grafullonte si qumështi në zjarr…
Hall të madh kishte pasur. Atë ditë kishte prit ti kthehej nga Shqipëria nusja e djalit me mbesën e bukur. E kishin mbajtur në kufi, në dëborë dhe akull, e kishin kthyer mbrapsht…

DURIM VOGLI
Athinë, 13 shkurt 2013

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.