BETEJA E LAN-LURËS DHE MARRSHI I DJELMËNISË DIBRANE
Meditime
“Pas 99 vjetësh, në qershor 2021, në një lulishte presidenciale, dy këngëtarë epikë, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi, i dhanë zërin e tyre burrëror Himnit të Djelëmënisë Dibrane”…
Do të desha, që ai zë, ai Himn, të këndohej në Lanë të Lurës më 28 tetor 2021, në Ditën e Madhe të fitores së “Nëntë Maleve” të Dibrës që jehona e asaj dite, asaj ngjarje të madhe mbarëshqiptare të pushtonte fushën e Lanës për tu ngjitur maleve të Lurës, për tu përcjellë poshtë në luginën e Drinit e lart kreshtave të Korabit…”
Shënuar sipas Ismail Strazimirit, heroit që përshkoi me pushkë e penë tre beteja të mëdha, betejën kundër pushtimit Osman, betejën kundër pushtimit serb dhe betejën kundër pushtimit nazi-fashist, ku edhe ra heroikisht me belxhik në dorë, në moshën 75 vjeç, në betejë me pushtuesit gjermanë e bashkëpunëtorët e tyre, në Sllovë, më 16 nëntor 1943…
Të dhënat janë marrë nga kujtimet në dorëshkrim që gjenden në Muzeun Historik të Dibrës…
Zbardhur nga “blloku i shënimeve” – 1978
* * *
Lufta e “Lanës së Lurës” vazhdoi 4 muej e në 10 të Dhetorit 1921 fuqitë serbe lirojnë Dibrën që e ze fuqia shqiptare, për nderin e së cilës djelmënia Dibrane këndon këtë marrsh…
Drin o lumë i gjanë, Plaku i malësisë !
A ke me ja lanë Dibrën Serbisë?
Kurrë nuk durohet kjo robëni,
Dibra e Moisiut asht Shqipëni
Çohi burra, çohi
Gjithë me besa besë,
Për Dibrën luftoni,
Me të madhen shpresë!
Lurë o vend i nalt, vend i trimnisë,
Aty u banë fjalët, besa e lirisë,
Dibra do shpëtue, vend i Kastriotit,
Dibrani lirue, si ka qenë motit
Çohi burra, çohi
Gjithë me besa besë,
Për Dibrën luftoni,
Me të madhen shpresë!
Bregut të Drinit krisi topi, gjëmoi dheu,
Dibrani në luftë detyrën e kreu,
Syni s’iu tremb kurrë, armikun përzu,
Dhe vetë mbeti burrë, Dibrën e shpëtou
Çohi burra, çohi
Gjithë me besa besë,
Për Dibrën luftoni,
Me të madhen shpresë!
Dibra historike, me lufta me valë,
Dera e Kastriotit, gjinit tand ka dalë,
Ka pasur kreshnikë, por ke edhe sot,
Ai për Shqipërinë gjakun s’kursen dot
“Penda” dhe “shpata” janë dy vegla binjake, të ndrequra të dija prej çeliku për një qëllim, për një mision. Për me siguruar ekzistencën e një shteti shumë problema qi s’mund ti zbërthej “penda” i zbërthen tefi i “shpatës”.
* * *
Ky “Himn i Djelmënisë Dibrane”, mbeti në gojën e popullit si mesazh i madh historik për një betejë të jashtëzakonshme dibrane kundër një fuqie që synonte luginën e Drinit, Qafën e Buallit, Qafën e Murrës, Lan-Lurën për të dalë në Durrës e për ta prerë Shqipërinë për brezi.
Pas 99 vjetësh, në qershor 2021, në një lulishte presidenciale, dy këngëtarë epikë, Kastriot Tusha dhe Arif Vladi, i dhanë zërin e tyre burrëror Himnit të Djelëmënisë Dibrane”…
Do të desha, që ai zë, ai Himn, të këndohej në Lanë të Lurës më 28 tetor 2021, në Ditën e Madhe të fitores së “Nëntë Maleve” të Dibrës që jehona e asaj dite, asaj ngjarje të madhe mbarëshqiptare të pushtonte fushën e Lanës për tu ngjitur maleve të Lurës, për tu përcjellë poshtë në luginën e Drinit e lart kreshtave të Korabit…
Do të desha…
Por dashja me realen janë larg, male kaptuar…
Abdurahim Ashiku
Athinë, 23 shtator 2021
“””””””””””””””””””””””””””””””””
100 vjet Lan-Lurë, 100 vjet Shqipëri
BETEJËN E LAN-LURËS VLORA E SHEH NGA POSHTË
Shënime pas një mesazhi ardhur nga Bardhok Rajta, i Luras me rrënjë shekullore
Njëqindvjetori i betejës historike (pa zë, ose me zë të ngjirur deri tash nga bota jonë akademike) të Lan-Lurës po afron, (diku tek një muaj e disa ditë larg… 26-27-28…tetor 1921-2021). Është beteja që i dha përfundimisht Shqipërisë kufijtë e sotëm tokësorë, beteja ku dibranët, të vetëm, me tradhtinë pas kurrizit e agresorin serbo-jugosllav përballë, me pushkë me gjalmë i tha shkjaut këtu ka zot, betejës legjendare kundra serbeve (siç më shkruan Bardhok Rajta) që u përzunë përfundimisht nga Dibra dhe që nuk realizuan qëllimet e tyre për të vendosur kufijtë në Lanë – Lurë.
Pak, për të mos thënë aspak, është folur dhe shkruar për këtë betejë. Aspak nga bota shkencore historike, nga Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë e të tjera institucione është folur e shkruar për këtë ngjarje të madhe që foli me pushkë. Pena për betejën e Lan-Lurës dhe qëndresën e madhe popullore dibrane në vitet 1913-1922 ka qenë (dhe vijon të jetë) e thyer, e ndryshkur, pa bojë.
Pak nga dashamirës të historisë dibrane, intelektualë të thjeshtë që e duan Dibrën janë shkruar faqeve të vogla të gazetës lokale “Ushtima e maleve” dhe faqeve të gazetave që dolën në dritë pas viteve ’90-të.
Një vit më parë u kremtua 100 vjetori i Luftës së Vlorës, një betejë që i qëndron historisë shqiptare si gjerdan i artë, një betejë ku morën pjesë luftëtarë nga e gjithë Shqipëria një betejë që hodhi në det (detin e Vlorës, jo atë Adriatik) pushtuesit italianë…
U bë, me sa u pa pjesëmarrja në shkallën më të lartë zyrtare, me një program të hartuar në detaje, nga shteti dhe nga institucionet akademike e shkencore.
Mirë u bë. E vlerësoj dhe dëshiroj që vit pas viti, në 101, 102, 110… të bëhet duke i shtuar tulla të reja kalasë së kësaj beteje të madhe gjithëshqiptare.
Në radhën e të “paktëve” e radhis veten edhe unë. Diçka kam shkruar si amator i historisë ndër të tjera në një shkrim kur shkulën nga themelet lapidarin modest vendosur në krye të fushës së bukur të Lan-Lurës, anonimë që nuk e deshën atë fitore, deshën (mbase edhe sot duan) që në Lan-Lurë të vendosej piramida e kufirit me serbosllavinë. Ëndërr që dibranët ia prenë me pushkë e barut.
Kam shkruar edhe kur u festua 100 vjetori i Luftës së Vlorës për të treguar se ka një betejë të madhe që do edhe mendje, edhe kalem, edhe përkujtim, edhe sesion shkencor, edhe botim librash historikë, edhe vepra arti e monumente memorialë në të gjithë luginën e Drinit dhe në sheshin kryesor të betejës.
U lidha me kryetarin e bashkisë së Dibrës dhe i dhashë mendimin tim, i përcolla edhe një skenar organizimi e përkushtimi.
Më thanë “mirë”.
Dhe vetëm kaq.
Në një takim me Mustafa Tolën, një njeri që bëri një luftë të paepur për të mos tjetërsuar luginën e Setës, për ta ruajtur atë të virgjër si e ka bërë natyra, për ta konservuar që dikush, dikur; historian, arkeolog, biolog, të gërmojë në historinë e lashtë e veçanërisht në historinë Skenderbejane për Masakrën e Çidhnës 1468, për “Kalanë e fshehtë të Skënderbeut”, për “Qeverinë e Arrasit” e të tjera që deri sot kanë mbetur vetëm pronë e “penave amatore” mësova për maratonën e tij, për trokitjet në dyert e bashkisë ku “sirtarët e kujtesës” ishin bosh, në Akademinë e shkencave ku emra të njohur të historisë shqiptare ngritën supet.
Mustafa Tola, zooteknik në profesion, ishte larguar (për të qëndruar në “pozicion”) me premtimin se do të bëhej diçka.
Thjeshtë diçka të llojit përkujtimor në sallën e muzeut historik kombëtar.
Unë do të desha që në ditët 26-27-28 tetor 2021, në 100 vjetorin e qëndresës heroike të dibranëve për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë, në qendër të betejës së madhe të Lan-Lurës të bëhej një festë e madhe popullore ku të zbrisnin me helikopter (se rruga për Lurë nuk ka ndryshuar nga ajo e 30 vjetëve të shkuara) autoritetet më të larta të shtetit e të shoqërisë dhe ta përkujtonin ngjarjen e madhe të paktën aq sa përkujtuan atë të Luftës së Vlorës 1920.
Do të desha që në Tajan mbi ata shkëmbinj që ta japin Dibrën, luginën Drinit të Zi (me pamjen e saj madhështore ku janë zhvilluar betejat më të mëdha historike në mbrojtje të trojeve shqiptare (18 në 24 beteja fitimtare të Skënderbeut), në atë ë pikë ku dikur ishin vendosur topa të mëdhenj që “shikonin Beogradin”, pikërisht aty të ngrihej një përmendore madhështore që të shihej edhe nëpërmjet satelitit për të treguar qëndresën e madhe dibrane për mbrojtjen e kufijve.
Mbase atje, në skenën me sfond Korabin e luginën e Drinit të Zi, do të kumbonte “Marrshi i Djelmënisë Dibrane”…
Drin, e Lum i gjanë, Plaku i malësisë,
A ke me ja lanë Dibrën Serbisë?
Kurrë nuk durohet kjo robëni,
Dibra e Mosiut asht Shqipëni…
* * *
Çohu burra, çohu,
Gjithë me besa besë
Për Dibrën luftoni
Me të madhe shpresë
* * *
Lurë, o vend i nalt, vend i trimënisë,
Aty u banë fjalët, besa e lirisë,
Dibra do shpëtue, vend i Kastriotit,
Dibrani lirue, si ka qenë motit…
MESAZHE ME LURASIN BARDHOK RAJTA
Mirëmbrëma Duro!
Uroj të jeni mirë me shëndet dhe të gjitha anët si ju dhe familja juaj.
Po ju drejtohem për një informacion sa më të saktë për betejën e zhvilluar nga e gjithë Dibra para 100 viteve në Tetor 1921 në Qaf-Gëlqere (Lanë Lurë) si personi që sot aktualisht jeni me i informuari dhe i interesuari për këtë betejë legjendare kundra serbeve që u përzunë përfundimisht nga Dibra dhe që nuk realizuan qëllimet e tyre për të vendosur kufijtë në Lanë – Lurë.
Çdo material i dërguar nga ana juaj ose drejtimi ku mund të informohemi do na ndihmonte pa masë.
Me fal për shqetësimin dhe natën e mirë.
Bardhok Rajta
I dashur Bardhok
Jam edhe katër ditë tek Mali i Robit, iki më 16 shtator. Vetëm Mustafa Tola ka ardhur dhe kemi biseduar për betejën e Lan-Lurës. Dje kam qenë i ftuar në Tiranë për një takim “akademik” për këtë ngjarje.
E kam ngritur problemin që në vitin 1992 kur u thye lapidari i kësaj beteje madhështore
E kam ngritur edhe një vit më parë kur u festua 100 vjetori i Luftës së Vlorës duke treguar se betejën e Lanë Lurës Vlora e sheh nga poshtë dhe se në 100 vjetorin e saj duhet të ngrihet (me kontributin e lurasve) një monument i madh që bota ta shohë me satelit si fitoren më të madhe historike të dibranëve të vetëm në luftë.
Unë po iki në syrgjynin tim të detyruar.
Jam i qetë se e kam ndezë zjarrin e kësaj ngjarjeje.
Tash u mbetet dibranëve (në radhë të parë lurasve) që ose të shtrinë duart të ngrohen në flakët e kësaj madhështie heroike dhe të koten siç janë kotë tash 100 vjet ose të ngrihen në këmbë dhe të marshojnë me dije e kulturë për ta ngritur këtë betejë dibrane në radhë me 18 beteja heroike të Gjergjit të Gjon Dibranit që Dibra të ketë vendin e nderit në historinë e qëndresës shqiptare.
Të faleminderit për mesazhin.
Nuk më shqetësoni, përkundrazi më motivoni që ta jetoj heroikën dibrane edhe 1000 kilometra syrgjyn gjallë…
Me respekt
Abdurahim Ashiku
Mali i Robit, 12 shtator 2021.
Fundi i formularit