Bratko
Të nesërmen e tërheqjes së trupave serbe nga malsia e Dibrës, malsori Besim Guri, shkoi në malin e Dethit, aty ku një ditë më parë zhvilloheshin luftime. E hante meraku se mos kishte mbetur ndonjë i plagosur nga shokët dhe të bënte një rrugë e dy punë, të ngarkonte dhe një mushkë me dru për familjen. Tymi në Malin e Dethit akoma nuk ishte shpërndarë. Era e djegieve, e barutit, e mishit të njeriut të plagosur nga plumbat ndjehej akoma. Plaga e plumbit të pushkës mban erë djegie dhe përcëllim. E ndjeu këtë erë Besimi, hapte sytë majtas djathtas se mos shihte ndonjë shok të plagosur, por dëgjoi një zë të mekur : Brat[1], brat….. I plagosuri, një serb i mbetur nga luftimet e djeshme lutej që të mos e vriste. Besimi që nuk dinte asnjë fjalë serbisht, fjalën brat e kuptoi si prat, mali i Pratit. Mirë, mor mirë se do të çoj në Prat. Meqë të fali plumbi, të fali Zoti, po të fal edhe unë, por ta dish mirë, or qen bir qeni se, po të ishte t’i në vendin tim, do të më shkoje në bajonetë që të kurseje edhe plumbin. Po unë nuk jam si ti, që vjen nga malet e tua dhe më sulmon në malet e mija, unë nuk jam si ti që vret gra e fëmijë, unë jam rob i Zotit dhe kështu të konsederoj edhe ty. Serbi i plagosur me duart lart e me të lutura pambarim i lutej të mos e vriste. Edhe sot mbeta pa çuar dru në shtëpi, mbetën fëmijët pa u ngroh se u bane sebep ti, mendoi Besimi. I dha forcë vehtes dhe e ngriti të plagosurin mbi samar të mushkës drejt shtëpisë së tij. Gruaja dhe fëmjët u habitën.
-Ç’e ke këtë mor burrë ? Edhe për këtë ishim mangut ne, i tha e shoqja. Ne nuk ngopim me bukë fëmijët dhe jo më të mbajmë serbin që vjen nga ana e anës për të na vrarë.
-Edhe ai është njeri si unë e si ti. E kanë detyruar dhe e kanë pru me zor me luftu. Ka edhe ai grua dhe fëmijë që e presin. E fali Zoti, e fala dhe unë. Gruaja nuk bëzani. Fjala e burrit ishte ligj për të. Por më shumë e bindi urdhëri i Zotit.
Pasi e lanë dhe e veshën me rroba të tjera të përshtatura për trupin e tij, ja mjekuan plagën serbit me melhem plagësh.[2] Përgatitjen e melhemit Besimit ia kishte mësuar i jati të cilit ja kishte mësuar gjyshi i Besimit. Kishin bërë shumë beteja që nga koha e luftës kundër Hajredin pashës në Luginën e Drinit të Zi dhe melhemi kishte shpëtuar qindra jetë njerëzish luftëtarë. Serbit i thirrnin Bratko se ai vetëm brat thoshte. Pas një jave Bratkoja u shërua. Besoja e mori Bratkon për ta shoqëruar për në vendin e tij. Më parë shkuan në pazarin e Shehrit dhe i bleu një palë rroba të reja. E shoqëroi deri matanë Grykës së Radikës dhe i uroi rrugë të mbarë. Mos e kthe kokën këndej, e porositi, se nuk të fal më.
Plaku dhe flama
…Në fundin e vitit 1912 dhe fillimin e vitit 1913 u shfaq flama. Ishte një sëmundje e tmershme që transmetohej nga kafshët; bagëtitë dhe pulat, tek njerëzit. Populli e quante flamë sepse ishte vdekjeprurëse. I ngjante gripit apo rrufës siç e quante populli, por ishte shumë më agresiv se gripi. Njerëzit rrëzoheshin në tokë si pulat. I ka rënë flama, thonin njerëzit për të sëmurin dhe largoheshin prej tij. Mos e prek, mos e prek se të ngjitet sëmundja edhe ty. Në të vërtetë askush nuk e dinte se çfarë sëmundje ishte. Spitale dhe mjekë nuk kishte, as infermierë e ilaçe. Burrat, që kishin qenë nizamë dhe që kishin mësuar në ushtrinë turke, përdornin ato ilaçe e bimë mjeksore që kishin parë apo përdorur në luftëra e beteja. A ishte murtajë, kolerë apo fruth, askush nuk e dinte, askush nuk e diagnostifikonte. Të gjithë e quanin flamë. Në atë vit vdiqën me mijëra shqiptarë, burra, gra e fëmijë.
Një plak i moshuar dhe i sëmurë me flamë qëndronte i shtrirë në shtratin e vdekjes. Vinin ta vizitonin dhe ta përshëndesnin pa u afruar, me shalla e breza në gojë e hundë për të mos u infektuar.
…Plaku lutej dhe kërkonte t’i sillnin pak turshi lakre se i kishte shkuar mendja dhe më pas të shkonte i ngopur në varr. Ngarendën shumë veta të gjenin e të kërkonin turshi, por ato ishin mbaruar. Vetëm një zonjë shtëpie kishte një fund shege me lëng turshish lakre e domatesh jeshile. I çuan një tas dhe e piu si i babëzitur. Kërkoi prapë. I sollën përsëri E piu plaku fundin e shegës dhe filloi të përmirësohej. E vizitoi edhe një heqim që kishte studiuar në Stamboll për teologji dhe biologji. I treguan se çfarë kishte ndodhur. Më çoni tek ajo shtëpi se dua të shoh shegën e turshive, tha heqimi. I zoti i shtëpisë para dhe heqimi nga pas, arritën në shtëpi. Heqimin nuk e mbante vendi. Nuk dua të ulem, dua të shoh shegën, tha ai. Në shegë kishte mbetur vetëm një tas me lëng dhe një gjë ze zezë si bishti i bofçes. [3]
- Çfarë është ajo gjë e zezë, pyeti heqimi.
- E shkreta unë, ndoshta është bishti i bofçes që më ka ra brenda shegës, tha e zonja e shtëpisë e turpëruar.
- Nxirreni dhe ma jepni ta shoh, tha heqimi.
E nxorrën gjënë e zezë por ç’të shohin. Gjëja e zezë ishte një gjarpër i zi i ngordhur dhe i mbetur në fund të shegës.
- E shkreta unë, bërtita e zonja e shtëpisë, e tmerruar.
- Mos u merakos dhe mos u mjero. Ky gjarpër me helmin e tij të shpërndarë në të gjithë lëngun e turshive u ka shpëtuar juve nga flama dhe për fat edhe plakun në fund të katundit. E kam mësuar në Stamboll, shpjegoi heqimi. Helmin e gjarpërit e përdorin për kundër helm. Njerzit për rreth mbetën gojë hapur. Mos u habisni, natyra i ka të gjitha bimët shëruese për njeriun, e mbylli fjalimin e tij heqimi si një dijetar i vërtetë.
[1] Brat, serbisht, vëlla
[2] Melhemi është pomadë që përgatitet me gjalpë të freskët dhe bimë mjeksore pylli.
[3] Bofçe është përparsja që mbajnë gratë zonja të shtëpisë gjatë gatimit she shërbimit.