7.5 C
Tiranë
E mërkurë, 21 Janar 2026

Dy tregime Nga Sakip  Cami

 

Nënë  Cija

Ne kalonim shpesh rreth shtëpisë së saj dhe dëgjonim zëra njerëzish. Nënë Cija ishte e vetmuar. Burri i saj, Pali, kishte vdekur fill pas luftës antifashiste Nacional Çlirimtare  nga plagët që kishte marrë dhe e kishte lënë Cijen pa fëmijë.

Kishim dëgjuar për Cijen dhe jetën e saj të vetmuar. Banonte në një shtëpi përdhese pa asnjë komoditet. Termi komoditet për Cijen nuk ekziston sepse  te ajo mungonin edhe gjërat më elementare për jetesë. Kishte vetëm një shtrat druri të bërë vetë me dru lisi. Nuk dihej nëse ja kishte lënë i shoqi, apo e kishte bërë vetë pas vdekjes së burrit me ndihmën e far e fisit të saj. Kishte një magje buke herë më miell misri e herë bosh. Kishte një çekmexhe druri, që e përdorte në vend të raftit të ushqimeve, ku fuste sendet më të domosdoshme. Mbi dysheme kishte disa trungje që shërbenin si shkaminj, ose stola për t’u ulur, ajo vetë, apo edhe  miqtë e rrallë dhe mikeshat që vinin te ajo. Dyshemeja e shtruar me baltë, edhe muret, gjithashtu të suvatuar me baltë e të lyer me gëlqere. Tavani ishte me trarë lisi të mëdhenj dhe me cugalë lisi që ngriheshin mbi trarët deri në majë të çatisë. Në këto kushte jetonte nënë Cija, jo se të tjerët jetonin më mirë, por organizoheshin më mirë për shkak të numrit të madh të banorëve në të njëjtën shtëpi.

Macja e shtëpisë nuk i ndahej edhe kur ajo punonte në kopësht, edhe kur ishte brënda mureve të shtëpisë. Ishte e vetmja shoqe besnike.

Një natë te shtëpia e Cijes kishte zhurma bisedash njerëzish. Paska ardhur ndonjë mik apo mikeshë e largët, menduam ne. U afruam të shohim te dritarja e vogël sa një frengji. Llampa e vajgurit ndriçonte sa për të parë dhomën në gjysmë errësirë.

  • Plaç, mos luaj! Mbete duke luajtur. Ç’paske qenë ti?
  • Moj merr vesh ti apo e do me dru ?
  • Po ty nuk të rrah dot se vetëm ty të kam.

Biseda vazhdonte herë me tone të larta e herë me tone dëshpërimi. Macja tundte bishtin, herë afrohej me Cijen, herë largohej. Më të shumtën e kohës rrinte te gjunjët e saj. Nënë Cija e ngrohte macen dhe macja e ngrohte atë. Të dyja ngrohnin njëra tjetrën.

Nënë Cija fliste me macen. Dhe ne pandehnim se shumë miq duhet të kishin ardhur atë natë te Cija.

 

 

KËSHTU ISHTE E  SHKRUAR

Nëna e Fatit ishte e gëzuar së tepërmi se i kishte ardhur djali nga Amerika. Në qytetin e vogël emigrantët vinin në verë dhe kalonin pushimet pranë familjeve, pranë prindërve dhe të dashurve, në vendlindje. Kështu  kishte  bërë edhe Fati. Ai qëndroi për rreth dy javë dhe ju afrua dita e kthimit për në Amerikë. Biletën e kishte prerë vajtje e ardhje dhe kështu dita e kthimit dihej.

Një natë më parë se  djali të nisej të nesërmen,  nëna  pa në ëndërr  se aeroplani që udhëtonte  i  biri  ishte  rrëzuar . E tmerruar  i lutet të birit që të mos udhëtontë atë ditë se kishte parë një ëndërr të tmerrshme,  kishte  parë  dhe parandjerë  rrëzimin e avionit të linjës  Shkup – Nju Jork me të cilin do të udhëtonte i biri.

-Të lutem o bir, mos shko sot se kam parë një ëndërr  të keqe mbrëmë !

-Po çfarë ëndrre  ke parë moj nënë? E pyeti i biri

-Sikur u rrëzua aeroplani që do të udhëtosh sot, prandaj të lutem nëna, mos udhëto sot se kam një parandjenjë të keqe.

-Po në jetë  nuk  ecet  me sikur , moj nënë. Të gjithë udhëtojnë me aeroplanë.

-Të lutem mos udhëto sot, përgjërohej nëna.

Dhe djali nuk ja  prishi nënës dhe e ndrroi biletën për një ditë tjetër.

Ngaqë nuk kishte se çfarë të bënte u shtri në divan që të flinte.

Nëna me sy te lajmet e televizorit shikon se pikërisht aeroplani që do të udhëtonte djali i saj ishte rrëzuar  dhe të gjithë pasagjerët kishin humbur jetën.

Me këtë ndjenjë tmerri e ankthi vrapoi drejt të birit që po flinte në divan.

-U rrëzua aeroplani or bir, shyqyr që nuk udhëtove sot, më dëgjon ?

Por djali nuk dëgjonte. Nëna e shkundte fort, por përsëri djali nuk përgjigjej. Djali kishte ndërruar jetë pikërisht në atë moment që ishtë rrëzuar aeroplani.

Morti ishte shumë i dhimbshëm. Nëna humbi djalin e vetëm. Vajtonjëset qanin dhe renditnin fjalët: Kështu ishte e shkruar, moj nëna e  Fatit, kështu  ishte e shkruar.

 

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.