31.5 C
Tiranë
E shtunë, 19 Korrik 2025

Edmond Shallvari

 

Sot ne kujtim te aktorit te shquar te skenes dhe kinematografise shqiptare, Artistin e Popullit, Stavri Shkurti(5 gusht 1927-5 gusht 1998)
Pjese nga kapitulli per Artistin e Popullit, Stavri Shkurti, ne librin tim me shkrime e kujtime, “E megjithate…jetojme!”
Stavri i dha kohës vërtetësinë e vlerën humane të njeriut, në të kundërt me tjetërsimin dhe dyfytyrësinë që ajo kohë eksperimentoi me njerëzit e saj. Në vend të sedrës dhe konkurencës talentore, që nxit dhe zhvillon profesionalizmin, ajo kohë përballi mediokritetin dhe servilizmin krijues të tam-tameve të regjimit, me mjeshtërinë kulturore, artistike, aktoriale, të krijuesve të talentuar. Pak të devijohej apo të merrej për devijim një lëvizje e re në krijimtari, shfaqej në përmasa të përbindshme hipokrizia dhe egërsia goditëse e regjimit, ndaj çdo figure sado e shquar dhe e nderuar që të ishte. Afër tehut të kësaj shpate enveriane që tundnin jeniçerët partiakë, u ndodh dhe u rrezikua të goditej edhe Stavri Shkurti. E përse vallë? Se në festivalin e estradave të ndërmarrjeve, falë punës me fantazi, kulturë dhe ide të përparuara, paraqiti një grup humoristësh me aftësi e talent, që për ditë e javë te tëra rrezikoi dyert e theatrit nga vërshimi i spektatorëve. Ishte një shfaqje e veçantë për kohën, që e mbajti spektatorin të pambështetur në ndenjëset e sallës, duke dëgjuar e shijuar humor, parodi e këngë, në një skenë moderne, mes efektit shoqërues të dritave. ”Uraa, në piknik!”, ky titull i gëzueshëm i shfaqjes, la nam në kryeqytet dhe solli në Korçë flamurin e festivalit kombëtar të estradave të ndërmarrjeve, bashkë me vendet e para të humoristëve më të mirë, të këngëtarëve dhe orkestrës më të mirë dhe kuptohet, me regjisurën më të mirë, që ka firmën e Stavri Shkurtit. Por, kaq ishte ky “piknik” i gëzueshëm i njerëzve, se filloi dimri i ortekëve që përlau sa e sa talente të penës, deri dhe personalitete në instancat partiake e shtetërore. Mes tyre kishte dhe nga ata të llozhës, që duartrokitën e vlerësuan shfaqjen dhe i dorëzuan flamurin fitues Stavrit. Me sa duket orteku arriti në cakun e ngopjes tek ishte pranë Stavrit, duke i bërë paralajmërimin e radhës. Mbaj mend ankthin dhe tronditjen e këtij njeriu më të pastër se vetë pastërtia në shpirt e mendje, që e bëri të heshtur e të vrenjtur për një kohë të gjatë, në këtë dramë me përmasa tragjike të jetës. E megjithatë, Stavri vazhdoi të interpretonte e të shpërthente me talentin e tij edhe në dramat apo filmat mediokër që i vinin për shtat sistemit, pa rënë kurrë në kurthin e skemave shabllone e të porositura të roleve. Ndërsa ngjarje të tilla harroheshin shpejt nga spektatorët, e kundërta ndodhte me protagonistin e tyre të inerpretuar nga Stavri.
Kam patur fatin e madh që nga gjithë të afërmit e Stavrit, kuptohet veç familjes, të isha më i kudondodhuri me të, qysh i vogël e deri në çastet e fundit të frymëmarrjes së tij. Kam të drejtën e preferencës si një baba i dytë për mua, përmasë kjo në rritje sidomos pas vdekjes së babajt, kur unë isha vetëm 17 vjeç. Të vegjëlit preferojnë gjyshet me përkëdhelitë e rrëfenjat e tyre. Mua më magjepste xhaxhi Stavri me rrëfenjat e tij, sa reale aq dhe fantastike. Mezi prisja çastin e takimit me të, për ta pyetur për sa e sa enigma e kuriozitete të kësaj bote dhe ai me një gjuhë të kuptueshme dhe diksion magjik, më fuste në botën e pafundme të njohjes dhe imagjinatës. Udhëtonim bashkë universit dhe ndaleshim në Mjegullnajën e Andromedës për të kërkuar jetë në milionat e yjeve të saj. Pastaj merreshim me Zhyl Vernin, që pasi na bënte një xhiro aventuriere rreth tokës, na zbriste njëzet mijë lega nën det, në një botë ujore fantastike. Po për Trekëndëshin e Bermudës, aq kurioz më kish bërë me enigmat e ndodhive në të, sa në çdo takim i paraqisja zgjidhje naive fëminore. Nuk di masën e lumturisë të të tjerëve që ishin në kontakt me Stavrin, të afërm apo të njohur qofshin, por di lumturinë tej masës që më ka shkaktuar mua, që kur më mbante për dore në hapat e para të ecjes dhe deri në çastin kur ndali ecjen e tij në këtë botë
………………..
….
Stavrin as nuk e çuditi, as nuk e trembi ndrimi i kohëve. Në rast se për ekonominë u thanë e paraqitën rrugë e programe të fillimit me numura lloj-lloj, ku zeroja ishte më e preferuara, Stavri dhe gjithë artistët e mëdhenj shqiptarë e kishin vënë këtë zero të dhjetfishuar prapa njëshit të patundur në themelet e theatrit e kinematografisë shqiptare. Të tjerë janë ata, jeniçerë të bindur të pushtetarëve, që sado nga zeroja ta fillojnë shkaravitjen e faqeve të gazetave e librave, aty do rrotullohen tërë jetën, në vijën rrethore të zeros.
Stavri nuk e harxhoi zërin zyrave teknokrate, burokrate e mediokre, por s’e kurseu atë zë qiellor për publikun artdashës. Atë çast që perimetri i zeros u zmadhua gabimisht dhe rrezikoi të kapte zërat e pakapshëm të skenës e kinemasë, Stavri e rruajti zërin e vet në shpirtin e tij, për publikun e tij. Me besimin e përkohshmërisë të çudirave shqiptare, morri rrugën e përkohshme të ikjes larg tyre, duke preferuar banimin në qytetin e njohur të Selanikut.
Ku ta dinin selanikasit, që në një shtëpi të veçuar të zonës së Evozmosit banonte një artist i madh shqiptar me familjen e tij. Për Cambërlenin do ta merrnin vesh pa zbritur ende nga aeroplani. Për Tom Hanksin duhej të shihnin në televizor sa shkallë ngjiste e zbriste dhe ç’gjellë preferonte në plazhin grek. Lere pastaj për tekat e nazet e Naomit top-model, sa seriozë e të preokupuar spikerat e kanaleve televizive greke. Kështu ka qënë e vazhdon të jetë biznesi televiziv dhe interesi televiziv, që e ka kthyer këtë burim të fuqishëm informacioni e njohjeje në televizion të biznesit dhe televizion të interesave të caktuara propagandistike.
E megjithatë Stavri jetonte, me një heshtje njerëzore dhe qetësi artisti, duke bërë kështu epilogun më të veçantë interpretues të rolit të vetvetes, këtë rradhë jo në jetën e skenës, por në skenën e jetës.
———————
Vazhdim i një takimi të kthyer në monolog.
“I vetmi gabim në jetën tënde, xhaxha i dashur, ishte ky nënshkrim i dhimbshëm dhe ndarës. Për ne, ama, është si një nënshkrim i ri në rrugën e pafundme të suksesit. Do të ta them me pak vargje këtë të vërtetë, siç bënim dikur në takimet tona?
Për ty jeta ishte veç film
Për ne film ishte vetë jeta jote
Prapë na dukesh se je nisur për xhirim
Të zbutësh sadopak, dhimbjet e kësaj bote”.
@Edmond Shallvari
——————————————————–
Artist i paperseritshem ne kinematografi:
1990 — Vetmi Jani
1990 — Fletë të bardha (Film TV) Andrea
1990 — Jeta në duart e tjetrit Babai i Spiros
1989 — Kush është vrasësi Thimi Dino
1989 — Muri i gjallë Babai i Rozafës
1989 — Vitet e pritjes Fajdexhiu
1988 — Shkëlqimi i përkohshëm
1987 — Botë e padukshme Inxhenieri
1987 — Përsëri pranverë Sekretari
1987 — Rrethi i kujtesës Profesor Weberi
1986 — Dasëm e çuditshme Dalipi
1985 — Asgjë nuk harrohet Manol Gjinaj,përkthyesi
1985 — Të shoh në sy (Film TV) Drejtori
1984 — Kush vdes në këmbë Doktori
1984 — Lundrimi i parë Borak
1984 — Vendimi Kiçua
1983 — Një emër midis njerëzve Jani
1981 — Agimet e Stinës së Madhe (Film TV) Zalo Kapllani
1981 — Gjurmë në kaltërsi Mjeku
1981 — Kërcënimi Drejtori
1981 — Qortimet e vjeshtës Fotografi
1980 — Një shoqe nga fshati Sala,sekretari i Partisë
1980 — Partizani i vogël Velo Babai i Velos
1979 — Mysafiri Mysafiri
1979 — Ballë për ballë Shefi i Arkeologëve
1978 — Gjeneral Gramafoni Brahoja
1978 — I treti (Film TV) Qazim Beluli
1978 — Kur hidheshin themelet (Film TV) Zeneli
1978 — Yje mbi Drin Pertefi,inxhinieri
1977 — Flamur në dallgë (Film TV) Urani
1977 — Guna mbi tela Mësuesi
1977 — Njeriu me top Murat Shtaga
1976 — Përballimi Tarja
1976 — Zonja nga qyteti Sala,sekretari i Partisë
1976 — Ilegalët Besimi
1975 — Rrugicat që kërkonin diell (Film TV) Furrxhiu
1971 — Mëngjese lufte
1968 — Prita Ligori
1965 — Vitet e para Një nga vullnetarët në tharjen e kënetës
1958 — Tana
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.