12.5 C
Tiranë
E enjte, 20 Mars 2025

Emrije Krosi

Disa shënime dhjetoriane, për/ mbi poezinë.
Të udhëtosh bashkë me poezinë, është sikur udhëton në një planet të sapozbuluar. Çfarëdo të ndodhë, në jetën dhe përditësinë tonë, kur vetë jeta është një uragan, që lë pas pasojat e shkatërrimit nga dufi i zemërimit natyror, apo ku ke dëshirë të mposhtësh stresin, lexon një poezi, ose një libër. Ndien një relaksim qoftë edhe për pak çaste, larg botës moderne, ku hallet tona janë të rënda “sa guri i Sizifit”. Poezia, është çlirimi nga e keqja jonë njerëzore, ku shpirti ynë paqtohet dhe pastrohet. Kur jemi brenda në “perandorinë” e pafundve të fjalës, bota jonë e jashtme zvogëlohet shumë. Kjo miprje apo mpakje, ndodh kur dyzohet shpirtin artistik me lirikën e poetit kosovar Xheladin A. Çitaku , më vëllimin e fundit “Rënie e lirë”.
Kam kohë që e njoh këtë poet. Ka një lirike që endet përmes persiatjeve sa reale aq edhe absurde, as moderne aq edhe hermetike. Por, në këtë vëllim poeti e ka “zbutur” pak ngjyresën e tij narrative. E ka ngjyrosur, me shumë ngjyra dhe larmëri motivesh, me dekorime stinësh, ku kohërat notojnë nëpër turbullirat e jetës dhe mendësive të botës shqiptare, me plot peripeci, kurthe, hamendësime, ligësi, mirësi, virtyte, vlera dhe antivlera. Ndoshta vetë dekodimi, që nga tematika “Rënie e lirë”, vetë lexuesi duhet të çkodojë, mesazhet e këtyre poezive, që padyshim secili prej nesh ka diçka të tijën. Vetë vargjet në paskopertinë, na rrëfejnë thagmën e tij poetike. “sonte, frenohen yshtjet,/ ambicjet ftohen/në lumin e mimikave/të belbëzimit/ (e dëshirat…)/dëshirat ngelen,/ngurosen/me fjalë që përpihen/sonte/ëndrrta shkërmoqen”, duket se njeriu ka humbur në livadhin e madh të “bjerrakohës”. Poeti, thumbon me elemente të shumta stilistike veset e njeriut shqiptar. Poetika nuk “ngucet”, por davarit mjegullën ku njeriu bashkë dyzimin dhe dyshimet e tij, del “zbuluar”, si tek poezia; “Shpirtra djerrinë”, “Trajta të fiksuara”, “Riciklim etj.,”. Vetë poezia ka trajtën e një “Mbërthecke thinjash”: ku vargjet: rënduar lirikat/orakujsh të rremë/që në vargje ngrenë kurthe/shpirtrave të padjallëzuar, se për poetin, s’ka më të fshehta, por del hapur. As poezia, nuk është më një “shëruese” e plagëve të mëdha të këtij moderniteti përmbytës, që vret çdo shpresë dhe dëshirë.
Hegjemonia e artit, që mbart edhe peshën më të madhe të shpirtit të krijuesit, e dërgon lexuesin në horizonte të mugëtuara, më përtej përbaltjes së shpirtrave, ajo mëton të përrokë gjithë hapsirat e dritëhijeve të jetës tonë, të kohën tonë ku dimensioni i njeriut herë kushtëzohet dhe herë çlirohet nga “prangat” e nënvetëdijes tonë, që është e pamundur të çlirohemi plotësisht nga egoizmi dhe hipokrizia jonë, e të qenit gjithmonë në majë.
* * *
Përsëri një zë femror, që tashmë ka jehuar sa mali i Korabit. Një zë kaq i veçantë, me një kolazh të madh metaforash që derdhen si ujëvara, me të gjitha lulesat e ngjyrave të pranverës dhe pse jeta e saj, ka “gdhendur” tatunë e fatit të hidhur të një femre të dhunuar. Poezia e Barie Çupi , i jep zë çdo gruaje, çdo nëne, çdo vajze përmes librit të botuar para disa muajve “Ej, ti grua…”. Sintagma metaforike përmes thirrmorit “ej, ti grua” ngjizet nga afshi i një shpirti të dlirë por të robërur, ku vargonjtë e mendësisë akoma patriarkale maskiliste, bashkë me mediokritetit e një shoqëri që fshihet si “struci”, që hesht kur duhet dhe ulëret kur nuk duhet, tashmë nuk e mbulon me mjegullnajë, jo vetëm të shkuarën, por as edhe të tashmen. Vargjet: ej ti motër,/vajzë,/grua,/femër,/Nënë…/dikur të njihja ndryshe,/tani pas të jam vënë,/të të mbroj,/të të shplodh,/me hijen e bukurisë tënde vargje të stiloj,/me dritën e shpirtit,/pa kushte të frymoj, dëshmojnë edhe “grackën”e dyzimit të vetës seksit femër, mes vetes dhe imazhit shoqëror. Sa herë femrat ndihen të frustruara nga meshkujt, madje edhe deri nën një afsh “mbytës” për hir të dashurisë, të “kontrolluara” nga spiuni inteligjent celulari dhe interneti.
Vetë liria e femrës, jo vetëm si e drejtë natyrore, por edhe si pjestare e artit dhe krijimit, larg edhe “dhunës psikologjike” i bën mirë, jo vetëm vetë asaj, si pjesa që edukon çdo shoqëri, por edhe vetë familjes dhe meshkujve, se e kuptojnë se femrat dinë të moderojnë komunikimin dhe të riciklojnë vlera. Poezia e Baries, lëviz çdo fuqi, por është fat ta pranosh veten dhe realitetin, deri në flijim jo të jetës, por të dashurisë amësore. Poetja u drejtohet “kodeve të jetës”, apo ca kodeve të pashkruara që ujtisen errsinave, saqë edhe vetë Zoti ka frikë.
Kjo zëshmëri poetike, që mund të ikë, por sërish del nga vetja dhe përsëri…përsëri kthehet kah vetvetia, zëri femror do thyejë tabutë e heshtjes, pavarësisht nga neveria e vërtetë, një grua (femër) di ta mposhtë të keqen, edhe kur “përkëdhel” lulet e shpirtit sipas saj. Ajo kishte një oborr të madh me lule, ku aroma dhe cicërimat, ngjyrat dhe format, trëndafilat dhe karafilat, trajtëzohen dhe rivajëzohen aq paqësisht dhe aq butësisht:kam folur me lulet,/me sythet,/me gonxhet,/me karafilnë,/me dallëndyshet që ndërtuan fole në verandën time,/me barin që rritej e rrëzohej pa u prerë. Duke derdhur kaosin e shpërfytyrimit tonë moral dhe shoqëror, që qëllimisht të ofrojnë një përfaqësim poetik të lirisë, përmes kohës së tashme dhe njëmendësisë, metafora e qenësisë së femrës, si grua, nënë dhe intelektuale, tëhujëzon vullnetin përmes ekzistencës, për të mos u çnjerëzuar në antimoralin e shoqërisë së sotme globaliste, ku familjet mbledhin thërrimet e pasqyrave të thyera me (mos)përballjen me të vërtetën dhe realitetin, kaq domethenës përmes vargjeve: …ndërsa bëhen të vetmit vargonj të ndryshkur që këputen,/njeriu nuk ka më pranga,/liria është aq e shenjtë për shpirtrat e lirë,/është ajër që lëviz e nuk përton,/kapriçoja e saj ngushticave pa frikë vallëzon,/janë dy botë që ndahen,/përtej mureve ka prej atyre me kthim drejt vetes.
Ky shpirt luftarak, përçon mesazhe jetësore, ku femrat nuk duhet të heshtin, por fuqishëm të ngrenë zërin e revoltës ndaj padrejtësisë, dhunës, trafikimit, kurvërimit, imoralitetit, përçmimit dhe zvetënimit familjar dhe shoqëror, se janë amza e fillimit dhe mbarimit të jetës njerëzore.
©copyright EMI KROSI.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.