“”””””””””””””””””””
JAM UNË AJO VJESHTË, QË MALLlN TYMOS _Petrit Ruka
Kjo vjeshtë po tymos në lugina e pyje,
Shtëllunga mjegulle si të pinte hashash,
Ashtu or i mjerë nëpër tymëra kujtimesh,
Të mbyti ky mall, mall vajzash e grash!
Ku shkuat, ku humbët o shpirtëra që u desha,
Që jetën ma ndritët me këngë e me lot,
Tek prehëri juaj në përgjërime u kthefsha,
Bekimet e mia dërgoju o zot!
U thuaj kjo këngë është një kishëz e vogël,
Ku vë me secilën kurorë i penduar,
Çdo njëra prej tyre do ishte nusja e madhe,
Po unazat më humbën në xhepat e shpuar!
Me pendimin për to, si në një fill floriri,
Do thur këngën e tyre gjer jeta të sos,
U thuaj nëse shohin një mjegull në lugina,
Jam unë ajo vjeshtë, që mallin tymos…!